Meqenëse një kriminel serb si Laban ka arritur të punësohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë është e qartë se agjentët serbë gjenden kudo.
Gjersa elita shqiptare pasurohej dhe përpiqej në ankth të sigurojë atë, dhe gjersa me urrejtje të ndërsjellë nxitonin për t’i sekuestruar meritat e lirisë, agjentët serbë krijuan edhe media dhe depërtuan kudo.
Mua më janë dërguar dhjetëra mesazhe nga persona me emra të rremë, të cilët sajojnë tradhtarë shqiptarë: nga Jusuf Gërvalla e deri te Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Ibrahim Kelmendi, Jusuf Buxhovi etj.
Pak ditë më parë, një person që e bllokova më shkroi se “nga burime të sigurta” kishte mësuar se edhe Adem Jashari nuk paska qenë i pastër dhe se ekzistuakan fakte që e vërtetojnë.
Shpallja tradhtar e patriotëve – atyre që kanë lënë pas vepra intelektuale e gjurmë të thella patriotike – është projekt-ide dhe orkestrim i shërbimeve sekrete serbe.
Qëllimi është të krijohet huti, të mjegullohet e vërteta dhe të lehtësohet veprimtaria e udbashëve në prapaskenë. Dhe, për fat të keq, kjo strategji ka dhënë rezultat. Sot, shumë shqiptarë besojnë se patriotët janë udbashë, ndërsa udbashët e vërtetë i quajnë atdhetarë. Ky ligjërim mashtrues ka marrë përmasa epidemike!
Agjentët serbë janë të pranishëm në të gjitha nivelet, nga mediat deri në majat e partive dhe shtetit, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Shumë prej tyre i tradhton pasuria e tyre marramendëse, por Prokuroria e Kosovës është e kapur dhe nuk i heton dot. Edhe aty, në heshtje, vepron ndikimi serb.
Ndoshta kudo ku luftohet identiteti shqiptar, është pasojë e urdhrave të ardhur nga Serbia – me synimin për të krijuar kaos total. Dhe ja ku jemi sot: në një Kosovë të përçudnuar, në amulli të plotë.
E parashikimi? Tepër i pasigurt sepse nuk kemi Prokurori dhe Gjykata që ndërtojnë shtetin, por që e luftojnë atë. Aty falimenton rendi demokratik! Këtu përfiton Aleksandar Vuçiqi, Serbia, sepse nuk paguan kot!
Imazhi i sajuar me Copilot
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen