Shpresoj se ky vit do të sjellë përmirësime të rëndësishme, si në familjet tuaja, ashtu edhe në Shqipëri, ku ka nisur ndërtimi i shtetit ligjor; në Kosovë, ku duhet të përfundojë procesi i konsolidimit të shtetit; në Maqedoninë e Veriut, ku diskriminimi është ende i dukshëm; në Luginën e Preshevës, ku 100.000 shqiptarë diskriminohen dhe ende nuk kanë një spital; dhe pa harruar Çamërinë, për të cilën duhet ende drejtësi. Pa aleatë nuk arrihen. Pa aleatë nuk mbahet atdheu.
Kemi shumë punë, shumë obligime dhe na duhet shumë durim, diplomaci dhe angazhim i vazhdueshëm. Nuk duhet ta harrojmë sakrificat e dy UÇK-ve tona, UÇPMB-së dhe sjelljen e Rugovës, si model të qëndrueshmërisë dhe urtësisë.
Dëshiroj që viti i ri të sjellë gëzim dhe lumturi për ju dhe të dashurit tuaj. Mirëpo, këto janë vetëm dëshirat e mia për ju – lumturia, në fund, varet nga aftësia jonë për ta kuptuar atë. Lumturia shpesh qëndron në përjetimet tona: kur të dashurit tanë janë mirë, kur janë pranë nesh, na telefonojnë, apo ndajnë kohë me ne duke shkëmbyer mendime dhe ndjenja. Falënderoni të dashurit tuaj dhe tregojuni mirënjohje, sepse ata na bëjnë të ndihemi më të përmbushur. Pa ta, bota jonë do të ishte e zymtë dhe boshe.
Lumturia nuk mund të ekzistojë aty ku ka padrejtësi dhe diskriminim, sidomos brenda familjes. Padenjësitë dhe padrejtësitë jashtë na mundojnë, por mungesa e dashurisë, respektit dhe mirënjohjes brenda shtëpisë na dëmton edhe më shumë. Kjo jo vetëm që e bën të padurueshme përditshmërinë, por e bën të pasigurt edhe ardhmërinë.
Një falënderim i veçantë për të gjithë ata që po i blejnë librat e mi. I shoh vendet nga po blihen, por jo njerëzit. Befasi është që nga Anglia librat blihen më shpesh, edhe pse atje nuk kemi një diasporë të madhe. Pasojnë blerjet në Itali, Gjermani, SHBA dhe herë pas here edhe në vende tjera.
Si dhuratë për vitin e ri prej meje, ju ofroj një përkthim nga revista gjermane Focus, me titull “Shtatë faktorët që zgjasin jetën - katër që e shkurtojnë”. Do të doja që çdo njeri ta lexonte dhe ta mbante mend. Ato na hapin një dimension të ri të jetës dhe na udhëzojnë drejt një jete më të lumtur. Lidhjen për këtë artikull e gjeni në komentin e parë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen