E ndeza furrën në 160 gradë. Po përgatisja një qumështore të thjeshtë, por plot dashuri. Përbërësit ishin të zgjedhur me shumë vëmendje: 6 vezë, dy prej të cilave nga pula më të fuqishme, nga 67 gram, dy të tjera, me 66 gram, dhe dy që kishin qenë nga pula koprrace, me nga 62 gram secila.
Sidoqoftë, vezët ishin nga pula të lumtura, bio, të lira dhe pa gjel, i cili do t’u shkaktonte ngacmime seksuale! Ato bëjnë vezë edhe pa të, nuk u duhet. Madje, as nuk dinë të shpjegojnë se pse u krijua gjeli. Shpesh flasin kundër tij dhe në fund njëzëri kokorisin: „Nuk na duhet gjeli!“
Vezëve ua hodha tri lugë mjaltë, sepse kur gruaja dardane shpiku qumështoren, sheqeri ende nuk ishte shpikur dhe ajo mendonte se mjalti ishte më i shëndetshëm dhe i bënte mirë burrit, që të mund të bëhej më i fortë dhe të kishte më shumë fuqi për të kryer detyrat e shtëpisë.
Qumështin, 600 ml, e lash të ngrohej ngadalë me një lëvozhgë limoni për t’i dhënë aromë dhe pak vanilje. Ai mërzitet shumë nëse është vet, madje edhe lopa ndihet e ofenduar.
Vezët dhe mjaltin i përzjeva me një shpejtësi të papërshkrueshme, si nga një tornado që i bashkoi dhe lidhi pandashëm. Pastaj i shtova qumështin e ngrohtë dhe murrlani vazhdoi.
Me shumë kujdes dhe respekt e derdha ngadalë në tavë. Qumështores nuk i pëlqejnë dallgët, por vetëm të rrëshqas brenda ngadalë, si një lum i vogël, i qetë.
E futa në furrë dhe respektova sferën e saj private, duke mos e hapur furrën për 40 minuta, sepse qumështorja është e ndjeshme ndaj stresit. As nuk e shikoja, se mund të merrej mësysh.
U ktheva të vazhdoj me leximin e gazetës serbe, që raportonte se shteti serb do të organizojë protesta kundër studentëve më 24 janar. Kryetari serb i ka informuar se në partinë e tij ka 17,000 radikalë prorusë, që janë të gatshëm të vdesin për të.
Kur cicërimma e furrës u dëgjua, qumështorja dëshironte të braktiste furrën. U ngrita. Me shumë kujdes dhe me dorëza e nxora ngadalë dhe e vendosa në tryezë të ballkonit për 30 minuta. Temperatura jashtë -2°C. Gjermani. Në Shqipëri, te Edi Rama 4 gradë plus, ndërsa te Albin Kurti minus 3. "Kurti i ka fajet", tha Ramushi.
E preva ngadalë dhe e lëshova me shumë butësi në pjatë. Shtova një njollë liker të vezëve anash, një produkt që bëhet nga pulat e alkoolizuara, dhe e nderova qumështoren me pak lëng karameli dhe pak çokoladë të shkrirë, si mirënjohje për punën e pulave.
Një manaferrë dhe një mjedër i shtova për t’u kujtuar vezëve se ishin produkt i pulave të lira, të natyrës, dhe se lumturia e tyre po ndihmonte në krijimin e kësaj shije dhe lumturisë sime...
Ps.:
Gruas
Merr burrin në kuzhinë. Mësoje të bëhet i pavarur. Lavdëroje edhe kur gatuan diçka që nuk hahet. Ha pak dhe buzëqesh! Thuaj se nuk ke uri dhe se do ta hash më vonë. Pastaj hidhe! Ai mund të mësojë. I duhet motivimi.
Edhe kur nuk i lan pjatat mirë, lavdëroje! Edhe kur kuzhina duket si pas një tërmeti, lavdëroje! Pastaj mësoje ta pastrojë. Lavdëroje!
Mësoje të ndihet i rritur jo vetëm gjatë natës, por edhe gjatë ditës. Jo ditën foshnje, natën burrë. Thuaj se është më i mirë në botë... kur ndihmon! Dhe sërish, lavdëroje! Sidoqoftë, mos e tepro, se e humb.
Burrit
Nuk është kavalier ai që ndihmon një grua jashtë, por ai që ndihmon bashkëshorten e vet apo nënën e fëmijëve të vet. Në shtëpi.
Fundjavë të ëmbël juve, të gjithëve!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen