18.01.2025

Votuesi dëshiron diçka origjinale dhe të re – jo kopje të vjetra!

Qeveria po merr vendime për vota, por opozita po premton për sevap, apo për vota?

1. Perëndimi

„Shuarja e administratës serbe në Kosovë duhet të bëhet në marrëveshje me Serbinë.“


Po, ju e pranuat shtetin e Kosovës pa e pyetur Serbinë! Cili shtet pyet një shtet tjetër nëse duhet të mbyllë një administratë ilegale, e cila kishte pasur edhe qendra tatimore brenda Kosovës? Në Ballkan nuk ka shtet serb, por aty gjendet një republikë e Federatës Ruse. Njerëzit që SHBA i shpall non grata në Serbi, përjetohen si mirënjohje, si tituj nderi dhe fitojnë pozita në krye të shtetit.


2. Marrëveshja ruso-iraniane mund të jetë pozitive për Kosovën.

Irani është ndër armiqtë më të mëdhenj të SHBA-së. Rusia sigurisht dëshiron ta përforcojë Iranin, madje, ndoshta edhe me bombën atomike kundër Izraelit. Kjo do ta tensionojë raportin me Trumpin.

Vuçiqi është vasal rus. Nëse vazhdon, siç ka premtuar, me protesta kundër studentëve, mund të ketë grushtshtet dhe ta marrë Vulini Serbinë në dorë. Kjo do të ishte e favorshme për Kosovën. Rusia mbetet pro-ruse, ne jemi me Perëndimin. 


3.

Ata që po trishtohen nga largimi i KFOR-it dhe e pranojnë atë kërcënim që i është mësuar Grenellit nga disa shqiptarë, bëjnë luftë psikologjike kundër Kosovës duke thënë se brenda një dite mund të pushtohet Kosova.


Në vitin 1999, Kosova kishte rreth 3,500 ushtarë aktivë dhe nuk u pushtua për një ditë. Ramushi i shpifi mbi 40,000 veteranë. Sot ata janë votues të tij. Kosova tani ka ushtri me 12,000 ushtarë, të armatosur më mirë dhe nuk kapitullon kurrë, siç propagandojnë njerëzit naivë apo ata në shërbim të Serbisë.


Një luftë në Kosovë do të ndizte gjithë Ballkanin, gjë që Europës nuk i konvenon. Nëse amerikanët tërhiqen, mund të mbeten europianët. Nëse largohen edhe ata, Ballkani do të marrë flakë dhe kufijtë do të ndryshojnë.


Një koleg gjerman më pat thënë, kur pat shpërthyer lufta, se Rusia do ta pushtonte Ukrainën për disa ditë. E pata kundërshtuar me këtë mendim: Rusia nuk ka fituar kurrë një luftë kundër një shteti të fortë, por vetëm ndaj popujve të vegjël dhe të armatosur keq…


Ai më pat ndërprerë dhe pat shtuar se e ka fituar kundër Gjermanisë. Se ka raketa që për disa minuta shkatërrojnë Berlinin, Londrën e Parisin.  I pata thënë se ato raketa as që guxon t’i përdor, nëse i ka, por nuk i ka. Putini rren si Millosheviqi dhe se kundër Gjermanisë pat luftuar e gjithë bota; vetëm Rusia nuk do të kishte fituar kurrë, i pata shtuar unë në fund. Bombën atomike nëse e përdor, do ta ketë të dytën në Moskë brenda disa orëve. Më mirë t’ia hedhë vetes, sesa Perëndimit. Diku një vit më vonë, e pat pranuar gabimin.


Këtë luftë psikologjike në favor të Putinit e ka bërë edhe Vuçiqi. Në një video, ai deklaron se Putini do ta përdorë bombën atomike, se nuk ka asnjë dyshim dhe tregonte se për sa njerëz ka vend në strehimoret e Serbisë.


Putini ka kërcënuar dhjetëra herë me bombën atomike dhe ja ku jemi! Tani merr ushtarë nga Koreja e Veriut. Dje lexova në një gazetë franceze se ai po detyron afrikanët që punojnë në Rusi të shkojnë në frontin e luftës.  Në linjën e parë, pas tyre rusët. Ai që rrëfente kishte refuzuar dhe e pret burgu. 


Trump deri tani nuk ka dëmtuar Kosovën, por i ka sjellë një njohje të rëndësishme. Për ta fituar mbështetjen më të madhe nga Trump, duhet të ndihmojë Edi Rama, natyrisht nëse guxon nga Vuçiqi.


Tani e tuje, Trumpi nuk mund ta trajtojë Rusinë me simpati. Nëse gjërat ndodhin sipas ligjeve të karmës, Vuçiqi do të mënjanohet dhe Perëndimi do të pendohet për politikën e Biden-it – për qasjen e tij tepër miqësore ndaj Serbisë.


4.

Asnjë president amerikan nuk e ka dëmtuar Kosovën më shumë se Biden-i. Ai meriton një përmendore kokëposhtë në Bajë – aty ku lejoi hyrjen e forcave serbe (ndërsa KFOR-i gjoja ruante kufirin) dhe ikjen e terroristëve si askund tjetër në botë, duke i përshëndetur dhe përcjellë me kamera. KFOR ruante kufirin, ata e kaluan pa therë në këmbë. Madje, pat ndodhur edhe rrahja e ushtarëve të KFOR-it, të cilët përfunduan në spital. Pasoi sulmi i fundit dhe KFOR e ka për detyrë të mbrojë kufirin. Veriu qe shndërruar në qendër kriminaliteti. KFOR e dinte. Kjo pilulë gjumi, Biden, për fat të mirë do të largohet.

5.
Opozita, në vend që të premtojë shtet të së drejtës dhe korrigjimin e gabimeve të Mustafës dhe Thaçit, premton investime të mëdha – para që do t’i kishte në arkë vetëm nëse Kurti mbetet kryeministër.

Ata, me asnjë fjalë, nuk kanë deklaruar se distancohen nga zhvatja e shtetit të Kosovës nga bosët e vet. Kanë lënë pas një sistem gjyqësor dhe prokurori që i konvenon Serbisë, ku 250 kallëzime për vjedhje të mëdha nuk janë shqyrtuar fare – tash e dy vite.

Prokurori që synon postin e kryeprokurorit ka anuluar aktakuzën kundër Radoiçiqit dhe nuk e tregon shefin e vet që e ka urdhëruar ta bëjë këtë. Kosova duhet t’i mbyllë prokuroritë dhe gjykatat – ashtu siç i ka mbyllur institucionet serbe. Sepse me ato prokurori dhe gjykata arka e shtetit do të zbrazet përsëri. 

Një xhip ishte paguar 850,000 euro. Ishin dashur të lyhen 4,000 metra katrorë të mureve të urave, por llogaria ishte paguar për 100,000 metra katrorë. Një ari tokë është shitur për një euro. Janë edhe 247 kallëzime tjera, por prokuroria nuk guxon t’i lexojë.

Nëse opozita do mbështetje, duhet të shkëputet nga shkolla e Pronto-s dhe shefat që i sollën në ato pozita. Memli Krasniqi nuk guxoi të kandidojë. Adixhiku mund të jetë i mirë, por jo pa u distancuar nga Isa Mustafa, i cili nënshkroi Asociacionin ku u shkel 23 herë Kushtetuta.

Kurti nuk fiton sepse është i mirë në të gjitha fushat, por sepse nuk ka përballë një opozitë normale, por pinjollë të mafisë, të Pronto-s. Ata nuk mund të fitojnë më shumë se bosët e tyre. Më së shumti 3 %.

LDK-në e Rugovës e përplasi Isa Mustafa në 12%. Dhe këtë shkatërrues të LDK-së e ka shpallur Abdixhiku kryetar nderi! O bëhesh politikan me identitetin tënd, o mbetesh një kopje e keqe e babait tënd politik.

Ata, para se të premtojnë miliarda e miliona investime, duhet të distancohen nga ata që i vodhën shtetit miliarda dhe lejuan administratën ilegale serbe në Kosovë për 20 vjet. Votuesi nuk voton ata që i nënshtrohen Mustafës, Thaçit dhe Ramushit. Votuesi dëshiron diçka origjinale dhe të re – jo kopje të vjetra! 

6. Kur shihet se kush e lufton Albin Kurtin me epsh e pasion, kuptohet se pse duhet votuar Albin Kurti edhe njëherë. Unë u besoj fakteve, jo premtimeve. Edhe pse për demokracinë kosovare, do t'ishte më mirë një koalicion, jo një parti vet.

Bota sot


Keine Kommentare: