16.12.2025

Opozitës

Populli nuk ju voton pse e shani Kurtin, apo pse polemizoni me të. Populli pret projekte konkrete: program ekonomik, politikë me dinjitet dhe shtet ligjor. 

Jo prokurori e gjykata të prontos. Ju ato të parat nuk i përmendni, nuk i keni në plan, as nuk dini t’i bëni, prandaj nuk i premtoni. Nuk ju duhen. Popullit, mirëpo, po!

Me sistemin e drejtësisë jeni të kënaqur. Reforma nuk ju duhet. Nuk e premtoni. Ndiheni të sigurt me të, me imunitet në opozitë, me imunitet në qeveri, të cilën e ëndërroni. 

Është drejtësi private e juaja. Dhe, duke mos e përmendur, u garantoni pagat pa punuar si duhet dhe pa marrë pjesë në ndërtimin e shtetit, por në sabotimin e tij. Ju nuk guxoni të premtoni shtet ligjor. Populli, mirëpo, e pret pikërisht atë.

Për të fituar vota nuk mjafton të thoni: “Kurti është i keq. Kurti njeri i Serbisë!” Njeriu që çliroi Veriun nga Serbia, nga administrata e Serbisë dhe nga terroristët, qenka njeri i saj. 

Me ato mendime, dukeni për keqardhje. Për gjynah. Po merreni me rolin që nuk e kuptoni, nuk dini ta luani. Populli e di më mirë se ju kush është Albin Kurti. Akuzat që i bëni atij tingëllojnë si shprehje e vogëlsisë, smirës dhe paaftësisë. Urrejtjes.

Më vjen gjynah për juve kur ju dëgjoj. Nëna ime, ndjesë pastë, kur e shihte ndonjë njeri shumë të padijshëm, thoshte: „O zot, jip men aty ku nuk ka!“ 

Për të fituar më shumë vota, ju duhet të tregoni çfarë do të bënit më mirë. Çfarë dini më mirë, përveç barrikadimit dhe bllokadës? Çfarë dini më shumë se kryeministri? Tregoni popullit!

Ju u kënaqët duke u marrë me Kurtin, duke e sulmuar, duke e sharë. Ai është bërë dirigjent i juaj me shkop në dorë: ju disa po i bini fyellit, disa daulles, por shumica po kërceni çyçek, duke shpresuar se do ta dalldisni votuesin.

Pa ide nuk ka ndryshim, pa reformë nuk ka besim. Ju nuk keni ide. 

Ju nuk guxoni të reformoheni. Dhe do të paguani për mosdijen tuaj. Ju, ndoshta, dini si bëhet njeriu milioner, por jo si ndërtohet një shtet juridik. Prandaj as nuk e përmendni. Nuk e synoni. Nuk e dëshironi. Pikërisht atë e do votuesi. Drejtësinë!

Populli voton dikë që i jep më shumë shpresë se Kurti. Dikë që ka më shumë besueshmëri se Kurti, dikë që guxon të shikojë edhe pas, jo si ata që, kur kthejnë kokën, shohin vetëm hijet e mega-korrupsionit. Ose, kur shikojnë pas, rrëzohen, apo më saktë, as që guxojnë të kthejnë kokën. 

Abdixhikun nuk e ndihmojnë fotografitë me Rugovën pas shpine, as djali i Rugovës. Ky i fundit nuk ka asnjë meritë. As fëmijët e Ajnshtajnit nuk janë bërë si i ati. As djali i Rugovës nuk bëhet kurrë si I.R. Gjenitë nuk përsëriten, prandaj vështirë të gjendet babë e bir gjenialë.

Ju nuk i keni fajet për abuzimet e djeshme, por i keni fajet që nuk guxoni të jeni vetvetja dhe të shkëputeni nga tutorët; prandaj jeni vegla të Mustafës e Thaçit. Vota më shumë se ata kurrë s’do të fitoni, sepse ju përfaqësoni ata, jo vetveten. Dhe kopja nuk mund të jetë kurrë më e mirë se origjinali.

Nga Thaçi dhe Mustafa nuk ka ngelur asnjë fjali që mund të përdorej si fjalë e urtë. Kurti në çdo fjalim i ka disa. Ju, në fushatat tuaja, po gazoni. Po tregoni dëshirë të madhe, por dije fare të pakët. 

U thoni votuesve të vijnë edhe në këmbë, Abdixhiku apo Doarsa Kica, këngën e keni të gërvishtur në ADN. Ndoshta dikush ju rreh shpatullat dhe ju thotë se e keni mirë, por ju gazuat. Po gazoni.

Hamza shkon në Hagë dhe i premton Thaçit se do ta gëzojë me fitore! Merreni me mend: ti je në burg dhe brenda disa muajve vendoset për fatin tënd, dhe vjen një njeri dhe thotë: unë do të gëzoj ty me fitoren time. 

Edhe pse ai e di se fitoren nuk do ta shohë as në ëndërr. Mendime të tilla flasin për naivitet epik dhe mungesë urtësie. Si te Abdixhiku, si te Haradinaj,  si te Hamza, lexohen dëshirat, por edhe boshllëku dhe cektësia e mendimeve dhe premtimeve.

Ju, me çdo fushatë, po e ndihmoni Kurtin, sepse jeni të obsesionuar prej tij dhe keni harruar rolin; prandaj merreni me të, jo me ato që i mungojnë Kosovës. Ju nuk po merreni me problemet e Kosovës, por merreni me stigmatizimin e Kurtit. E keni shpallur armik tuajin.

Ju guxoni të kërkoni kthim në vitin 2015, por nuk guxoni të tregoni si do të vepronit me veriun, me asociacionin, me sulmet terroriste. Ju guxoni të tregoni se nuk keni probleme me Listën Serbe, por nuk tregoni si do t’i integroni ata. 

Ju nuk po vini gishtin në problemet e Kosovës, sepse nuk keni guxim të merreni me to; në fakt, ju po dëshmoni se keni vetëm një aftësi: se jeni të gatshëm të bëni çfarë kërkohet prej jush. Kështu i kishit paraardhësit dhe kështu do të vazhdoni; prandaj ju nuk mund të fitoni.

Memliu e kuptoi se nuk kishte kaçik. Nesër do ta kuptoni edhe ju. Gravitacioni do t’ju tërheqë mu si atë. Sepse ju besoni se, si kopje, mund të keni më shumë sukses sesa origjinali.

Votuesi nuk do kopje. Votuesi do origjinale me dije dhe guxim. Nuk do zvarranikë më. Jo si ata që e burgosën veten dhe i falën toka Maqedonisë, Malit të Zi, që zbraznin buxhetin dhe që premtuan autonomi serbe, duke e përjashtuar Luginën qëllimisht. 

Ata, për të fituar mbështetje në pozita, firmosnin çdo gjë; ju, për pozita, do ta falnit edhe veriun, sepse çlirimit nuk iu keni gëzuar.

Ju, me nivelin tuaj, jeni fati i Albin Kurtit. Duke e përdorur shtetin si grazhd privat, ju e sollët atë në pushtet dhe ju ia garantoni fitoren e ardhshme. Epike!

Keine Kommentare: