30.01.2026

LDK me Rugovës dhe mustafizmit

Nesër do të mblidhet Kuvendi i LDK-së, ku do të merret vendimi për ose kundër dorëheqjes së ofruar.

Mundësia e “fitores” së Abdixhikut është e madhe, për arsye se deri tani janë shprehur vetëm dy mospajtime me zë të ulët. I pari është nga Hykmete Bajrami dhe i dyti nga Avdullah Hoti, i cili ka vendosur të kandidojë, por pa vërejtje konkrete ndaj Abdixhikut.
Madje, duke e lavdëruar, e quajti atë aset të LDK-së.

Nëse Kuvendi refuzon dorëheqjen e Abdixhikut, atëherë kandidatura e Avdullah Hotit është e kotë.

Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se legjitimohet degradimi i mëtutjeshëm i LDK-së dhe sabotimi i shtetit, ashtu si vitin e kaluar. Edhe sikur të zgjidhej Hoti, nuk do të ndryshonte asgjë. Edhe ai është një nxënës i përulur, militant i shkollës së Isa Mustafës.

Domethënë, LDK do të mbetet edhe tutje një fraksion i PDK-së, me refuzim total të bashkëpunimit me partinë e koalicionit, së cilës populli ia ka shprehur besimin me mbi 51%. (Rugova pat fituar mbi 45% në vitin 2001 (edhe 2004) dhe e quanin tradhtar. Kurti ka fituar mbi 51% dhe e quajnë tradhtar.)

Faktikisht, ai kuvend do të jetë vetëm një lojë politike, që do të merret me arsyetimin e humbjes jashtë, kremtimin e “fitores” brenda.

Interesat e njerëzve që sot gjenden në pozita udhëheqëse të LDK-së, kryesisht në Kryesi, tregojnë se ata synojnë vetëm t’i ruajnë pozitat e veta, edhe pse shifrat flasin qartë: nga koha e Rugovës — 45.42% në vitin 2004 — deri te largimi i Mustafës — 12.7% në vitin 2021 — LDK-ja ka humbur mesatarisht rreth 1.9% në vit.

Nëse vazhdon kjo ideologji mustafiste, pa kritere, pa parime dhe pa profil të qartë partiak – ose, më saktë, me një profil jugosllav – LDK-ja do të vazhdojë të shërbejë vetëm si ashensor i PDK-së.

Në këtë rast, deri në vitin 2029, LDK-ja do të zbresë diku rreth 5%, pak mbi ose pak nën atë prag.

Atë mesatare nuk do të duhej ta llogarisja unë, por ju që jeni në krye të LDK-së. Mirëpo, meqenëse nuk luftoni më për shtet, por për protagonizëm, votojeni dhe festojeni eliminimin e rugovistëve nga Kryesia dhe Kuvendi, dhe kremtojeni “fitoren” e Abdixhikut!

Ky, së paku, di ta sabotojë shtetin e Kosovës!

Një herë së paku nuk e kuptuat, ose e dini, por refuzoni ta lexoni dhe ta kuptoni dëshminë se Rugova ka fituar me meritat e veta e jo me meritat e dikujt tjetër, dhe se ju kurrë nuk mund të fitoni me gjysmëdijen tuaj dhe me meritat e mëdha të tij. E pse?

Sepse votuesi i Kosovës nuk është idiot, siç e besoni ju. Ai voton të gjallët, jo të ndjerin. Sepse ju, me militantizëm dhe urrejtje, refuzoni ata që duan të ndërtojnë shtet ligjor, ndërsa synoni koalicione me ata që legalizojnë vjedhjen e shtetit.

Ju e konsideroni patriotizëm refuzimin e kryetares më të mirë dhe më të suksesshme që ka pasur Kosova pas Rugovës.

Nëse nuk distancoheni nga Isa Mustafa, nëse nuk kërkoni hetime për Fondin e 3%, nëse nuk i luftoni të korruptuarit brenda partisë dhe nëse nuk e mbështetni vetingun dhe Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, atëherë rënien nën prag e keni të sigurt.

Në çdo gazep thoni se jeni rugovistë, por populli ju lexon si mustafistë. Sepse me fjalë i akuzonit ata për eliminimin e veprimtarëve të LDK-së, ndërsa koalicionet i dëshironit vetëm me ta. Populli beson vepra, jo përrallat tuaja. Ju bënit koalicion me ata që Rugovën e quanin tradhtar. E si mund të jeni rugovistë, kur mustafizimin dhe kameleonizmin e tij e zbatoni praktikisht?

Nëse gjatë katër viteve të ardhshme humbni rreth 2.5% në vit, atëherë në vitin 2029 do t’i keni vetëm 2.7% të votave. Do t’ju duhen edhe dy shkallë për t’iu afruar pragut. Dhe Kuvendi i nesërm do të hyjë në histori si kortezhi zyrtar i LDK-së së Rugovës.

Nëse kjo ndodh, i raftë zhuga kti Kuvendi!
Ose ju hangshin shtatëçind mijë dreçën juve!

Imazhi IA


Keine Kommentare: