01.02.2026

Asgjë e re, funerali vazhdon

Lumir Abdixhiku dëshmoi se përgjegjësia politike nuk fitohet në zgjedhje, por në Kuvendin e partisë; jo nga qytetarët, por nga struktura partiake. Humbja e madhe nuk pati pasoja, ndërsa pasojat e mëdha u shndërruan në fitore të madhe. Faji u shpërnda, dështimi u shpërla me dyer të mbyllura dhe larg syve të votuesve.


Kështu, zgjedhjet u trajtuan si të parëndësishme; Kuvendi e shfajësoi Abdixhikun, korrigjoi popullin, dhe humbjen e shndërroi në fitore të madhe për humbësin.


E mesazhi për popullin?

„Ju nuk e doni, por ne e duam.

Ose i dhuroni fitore herën tjetër, ose shuhemi së bashku!“


Asgjë e re.


Kokëfortësia, si tipar, do të vazhdojë edhe në vitin 2026. Kryetari i LDK-së është i bindur se duhet të fitojë më shumë në tryezë sesa në zgjedhje: të pyetet, të merret në konsiderim, thua se ka fituar shumicën.


Ai nuk e kupton hallin e vet dhe as përqindjen e votave të fituara nga qytetari. Në vend që të analizoheshin veprimet e vitit të kaluar: deklaratat, mendimet dhe qëndrimet që çuan në rënie, Abdixhiku, me ofrimin e dorëheqjes, i përplasi Kuvendit një problem tjetër. 


Kështu, delegatët, në vend se të shqyrtonin pasojat e humbjes, u morën me rehabilitimin e humbësit, ku Abdixhiku dështimin e shndërroi në fat kolektiv, pa fajtorë konkretë.

Domethënë, Kuvendin e partisë e përdori dhe e keqpërdori si procedurë për të legalizuar dhe normalizuar rënien dramatike.


E partia?

LDK drejt varrimit.

Dje, më 31 janar, u zgjodh kortezhi dhe kryesuesi i tij.

Një kryesues egocentrik. Narcisist.


Ceremonia e përmortshme në vitin 2029…

Ndoshta edhe më herët.


Natyrisht, nëse Abdixhiku mbetet i njëjti, duke e vendosur egoizmin e tij mbi interesat dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.

Si vitin e kaluar…


Përfundim

Abdixhiku i humbi zgjedhjet, por fitoi partinë. 

Populli votoi kundër tij, Kuvendi i LDK-së votoi për të.


Në LDK-në e sotshme fitojnë ata që dinë të humbin. 

Logjikë moderne partiake: dështimi si meritë, dorëheqja si strategji.


Kuvendi i tha: „Rri se mirë je, pa ty nuk dimë nga t’ia mbajmë.“


Kështu shpërblehet njeriu në LDK-në e vitit 2026, për dëmin e shkaktuar në vitin 2025.


Urime Abdixhikut. Psikostrategjia funksionoi. Nëse vazhdon si vitin e kaluar, ngushëllime rugovistëve.

Keine Kommentare: