15.01.2026

Psikopatia strategjike, Bota sot

Reagimi me shkrim i Abdixhikut dëshmon se ai po përpiqet të mbijetojë politikisht, por jo të pranojë fajin publikisht.

Në vend se të flasë për përgjegjësi, ai flet për “shtëpinë”; në vend se të kërkojë ndjesë, flet për “dinjitet”; në vend të dorëheqjes, ai e “ofron” atë.


Mungesën e guximit të vet e hedh te të tjerët. Mesazhi i tij është i qartë: “Le të më gozhdojnë ata, por unë nuk dorëzohem.”

Ai shpreson se do të mbijetojë dhe, për këtë arsye, nuk largohet vetë. Hap moral nuk është ofrimi i dorëheqjes, por dorëheqja. Ofrimi është testim i fajit dhe shpresë e mbijetesës. Shpresë e madhe!

Thotë se nuk është i lidhur pas pozitës, por nuk e braktis atë. Citat: “Jam i lidhur pas shtëpisë.” Ky është mendimi i vetëm i saktë në reagimin e tij. Pas shtëpisë nuk lidhet njeriu, por nejse.

Ai flet për “shtëpinë” e përbashkët, të cilën e shndërroi në rrënojë. Në rrënojë nuk jetohet; prej saj dilet. Më e sigurt, më morale dhe më dinjitoze është mbijetesa jashtë, sesa brenda gërmadhës pa integritet, me imazh të dëmtuar.

Ai ngatërron konceptet, i përdor për ngjarje dhe vende të gabuara, për qëllime të veta, dhe nuk i kupton. Dëshiron të shpëtojë. Ky është i vetmi synim.

Me reagimin e tij krijon përshtypjen e vetëflijimit, duke ia hedhur vendimmarrjen të tjerëve: ata duhet të vendosin për të, jo ai vetë. Thua se thotë: “Ja ku më keni. Ose më mbani për të mirën tuaj, ose më largoni dhe dëmtoni vetveten: LDK-në, shtëpinë tonë. Kjo është mundësia juaj e fundit.”

Kështu, ai mund të shkaktojë përleshje me karrige dhe pastaj të dalë si qetësues e administrator i konfliktit. Me rëndësi është mbijetesa, jo fytyra; vazhdimësia, jo gropa ku gjendet.

Meqë e njeh rrugën e zbritjes, beson se e di përmendsh edhe rrugën e kthimit përpjetë. Por, duke kushtëzuar 15 vota, dëshmoi se nga humbja nuk ka mësuar asgjë.

Ai beson se është fitues dhe se mund të caktojë rregullat e sjelljes. Di vetëm të barrikadohet dhe nuk kupton se bota nuk funksionon sipas pritshmërive të tij.

Partia institucionale nuk bllokon institucionet e shtetit për interesa partiake. Ai e bëri diku dhjetë muaj. Dhe, e premtoi përsëri.

Dorëheqjen, që duhej ta jepte më 28.12.25, e përjeton si vetëdënim, si mazohizëm. Sadizmin e parapëlqen.

Ai ka vendosur t’i japë LDK-së edhe një mundësi të fundit për ta ruajtur Abdixhikun nga dy humbje.

Sipas tij, humbja e jashtme nuk është humbje e brendshme, por shans i brendshëm në Kuvend, për të dalë “fitues” i pandëshkuar dhe i festuar jashtë. Aleluja!

Nëse del, do të dalë i plagosur dhe i damkosur rëndë. 13% do t’i mbetet vulë në ballë. Prej aty e tutje do të jetë “lideri” i funeralit, që mban fjalimin e fundit para varrit të LDK-së. Por as aty fajet nuk do t’i ketë. Sidoqoftë për t’pame: gratë te Hikmetja, burrat te Abdixhiku, apo anasjelltas.

Përgatitja e kortezhit ka nisur qëkur Mustafa e rrëmbeu partinë. Tani Rugova herë gjendet në mur si portret, herë hiqet, ndërsa si kryetar nderi është ende Isa Mustafa.

Abdixhiku nuk largohet vetë, sepse e do veten më shumë se partinë. Pret mrekulli, pret mirëkuptim, me egocentrizëm dhe gatishmëri për të rrezikuar përmes manipulimit. Për të, mbijetesa është doktrina e vetme.

Kjo është psikopati strategjike!

Keine Kommentare: