30.06.2011

Kombi i shkokëzuar/ - gazeta Sot


Vështrim sinoptik: asnjë komb në Europë nuk është shkokëzuar si kombi shqiptar. Po ushtrohet një sakrilegj mbi çdo personalitet, mbi integritetin e tyre dhe mbi veprimtarinë, e cila deri dje vlente si shëmbëlltyrë e kombit. Nuk ka mbetur asnjë vete me rëndësi kombëtare, qoftë historike, qoftë e gjallë, që nuk është kryqëzuar kryq e tërthor. Krejt varet nga interesi, pikëvështrimi, bagazhi ideologjik, grupi, shoqata, apo analisti që e zë ngoje. Për disa vjet demokraci, u shndërruam në komb pa shëmbëlltyra: u shkokëzuam tërësisht! Po shkatërrojmë të kaluarën tonë, po dëmtojmë të tashmen rrjedhimisht po e bëjmë të pasigurt të ardhmen. Asnjë komb në Europë nuk gjallon në një kaos dhe mjegullnajë të tillë.

Nuk ka vend në botë, ku festohet dita e pushtimit. Te ne po! Nuk ka asnjë vend në botë, që dëshiron të ndërtojë komb të ri duke huazuar në një fjalë nga gjuha e atij, që i robëroi dhe masakroi. Te ne po! Nuk ka asnjë vend në botë, ku me dëshirë do të rrëzohej përmendorja e themeluesit të kombit dhe vihej e pushtuesit. Te ne po. Madje, mëtojnë edhe ta fshijnë nga librat dhe kujtesa. Madje, dëshirojnë t’ i imponojnë njerëzve ndjenja turpi dhe fajësie për krenaritë e djeshme. Diçka e tillë nuk ndodhë askund në Europë. Te ne po!

Predikuesit e brendshëm në favor të shteteve të jashtme, përhapin ide edhe kundër qenies shqiptare. Çdonjëri ka shpjegimet e veta historike dhe shkencore. Çdonjëri arsyeton, përligj dhe “dokumenton” faktet e veta. Çdonjëri përpiqet të fitojë njerëz. Dhe, çudia më e madhe shqiptare, të gjitha këta gjoja përpiqen për të mirën e kombit. Të gjithë këta qëndrimet e veta i quajnë patriotike. Nuk ka demokraci funksionale aty ku rrënohet çdo gjë e shenjtë kombëtare, por anarki vlerash, i gjykimeve dhe i qëndrimeve. Kaos i plotë politik dhe shoqëror: gjendje patologjike. Plogështia, oportunizmi dhe depresion shoqëror shquhet si rezultat. Ata mundohen të ndërtojnë realitete dhe bindje të reja. Pasi të përmbyllin këtë dezorientimin tërësor, do të paraqiten si shpëtimtarë dhe udhërrëfyes. Ky është qëllimi i tyre. Prandaj u duhet kjo zallamahi.

Dikur posedonim një kohezion shpirtëror dhe kishim një strumbullar, ku lidheshim dhe patëm personalitete që nderonim dhe adhuronim të gjithë. Si kombet tjera për rreth. Sot, kombi shqiptar, si asnjë komb tjetër, ka ngelur pa shëmbëlltyra të veta. Madje, kësaj dukurie vetëshkatërruese, nuk i shpëtoi as Nënë Tereza. Rinia e sotshme ka probleme orientimi. Ajo nuk mund të konsiderojë si shëmbëlltyrë një politikan shqiptar. Politika jonë ka rënë në shkollarizëm dhe vetëm zbaton ide, që i jepen nga jashtë. Nga të gjitha anët.

Nëse rinia zgjedh një shkrimtar si shëmbëlltyrë të veten, shfaqet tjetri, që mendon se din më shumë dhe ia rrënon. Çdo lagje ka analistin dhe predikuesin e vet të madh. Rinia nuk ka me kë të mburret e as modele të pa damkosur, që do të duhej t’ i imitonte. Këtë gjendje mund t’ ia dëshironte një vendi vetëm armiku. Komb i shkokëzuar dhe i shkokëluar. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse ne nuk kuptojmë demokracinë. Ne mendojmë se në demokraci mund të shkatërrohet çdo gjë që nuk i pëlqen një grupi të caktuar apo nuk i përshtatet bindjeve të disave apo të një individi. Nëse një personalitet kombëtar me veprën e vet na imponon respekt dhe mirënjohje, ngrihen “intelektualët” dhe kërkojnë “fakte” për ta poshtëruar në mënyrë sa më të përkryer. Në një vend të tillë nuk mund të funksionojë si duhet as shteti, as ligji, as ekonomia. Ata që duhet të kujdesen për mirëqenie e popullit, merren me thashetheme dhe mirëqenien e vet! Ata nxjerrin përfitime nga kjo katrahurë.

Me elitën e sotshme politike, me orientimin e saj dhe me punën e saj, mirëqenien do ta kërkojmë me teleskop duke e drejtuar atë drejt Perëndimit, si në shekullin XX. Si në kohën e komunizmit. Asnjë komb tjetër në Europë nuk ka problem të orientimit. Ky është eksperimenti më oportunist, që po bëhet dhe tolerohet nga klasa politike shqiptare me kombin e vet. Kombit i duhet një lajtkulturë, një doktrinë politike dhe morale, sepse jemi katandisur si asnjë komb tjetër. Ajo që shkatërrohet te ne me aq lehtësi dhe pasion, nuk mund të shihet askund! Më të përçarë se ne, nuk mund të gjendet tjetër komb në Europë.

Duket se po na ndjek sindroma e Rozafatit. Atë që ndërtojmë ditën me shumë mund, rrënojmë natën me shumë lehtësi. Pasdarke, nëpër oda, nëpër gazeta e nëpër internet. Dikur mburreshim me Kadarenë të gjithë, tani u shfaq R. Qosja dhe shpalli letërsinë tonë inferiore kundrejt asaj perëndimore. E ku lexohet Kadare? Në Perëndim. E çka thotë kritika perëndimore për Kadarenë? Ajo e konsideron si njërin nga shkrimtarët më të mëdhenj të gjallë në botë...

Ne shajmë Nënë Terezën, kurse Shkupi i falë qytetit të Nyrnbergut një shtatore të saj, e cila vendoset në oborrin e spitalit. Jo vetëm që i falin, por siç njoftonte N-TV, Shkupi ia falte duke e quajtur maqedonase Nënën që quhet Gonxhe. Televizori gjerman bën të ditur se shtatorja e Nënë Terezës është shndërruar në vend vizitorësh, ku njerëzit vendosin pusulla me dëshira për shërimin e shpejt të të dashurve, apo dhe copëza letrash me falënderime për shërimin nga sëmundjet. Gjermanët dhuratën e maqedonasve, jo të shqiptarëve të Maqedonisë, e pranuan me falënderime.

Maqedonasit i ndërtojnë përmendore Lekës së Madh. Ne përlloçim tonat. Maqedonasit mburren me Nënën tonë, ne protestojmë kundër shtatores së saj. Sllavët fshehin krimet edhe të kriminelëve të vet, ne përpiqemi t’ i kriminalizojmë edhe humanistët që fisnikërojnë imazhin tonë. Serbet fshehin mendimet fashiste të Ivo Andriçit, neve trishtohemi nëse Kadare fiton Çmimin Nobel dhe me zell të madh jemi kundër. Naiviteti jonë dhe zelli infantil për drejtësi, nuk ka fund. Ne prodhojmë iluzione dhe dëshirojmë t’i bindim bashkëkombësit se jetojmë në një botë ideale ku sundon drejtësia dhe peshorja e mëkateve...Të shkruhet për moralin, normat e mirësjelljes, për esëllim në një vend ku çdo gjë matet me dobi vetjake, përfitim, inat dhe smirë, është gjëja ma më e pamoralshme që mund ta bëjë njeriu! Për fat të keq, po jetojmë duke hëngër vetveten! Greqia hëngri shtetin, ne po hamë kombin!

30.06.11
u publikua tek: Gazeta Sot; albshkenca, telegrafi, zemrashqiptare, gazetakritika, fjalaelire,

------------------------------------------------------------

Libra nga Lis Bukuroca

Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. 

16.06.2011

Kombi kosovar dhe deklarata e Tadiqit/gazeta SOT


Sapo lexova artikullin në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku Tadiçi kushtimisht pajtohej me bashkimin shqiptar, thash me vete: a thua sa është acaruar dhe zemëruar Nexhmedin Spahiu? Pikësëpari më vajti mendja tek ai dhe disa të tjerë, që me shkrimet e tyre, me shumë pasion përpiqen të na distancojnë nga Shqipëria dhe të cilët me përkushtim të madh mbrojnë idenë e të qenit ndryshe dhe domosdoshmërinë e krijimit të kombit të ri. Jo vetëm këtë, por për të bindur publikun për idetë e tyre, ata prodhojnë ndjenja mosdurimi kundër Shqipërisë. Kur lexohet komentet e përkrahësve të tyre, njeriut i ngrihen flokët përpjetë. Njeriu mendon se po flasin keq për Serbinë: nga traumat, nga urrejtja. Mirëpo jo, ata flasin kundër Shqipërisë. Ata përgatisin terren për komb të ri.

Tadiçi me pak fjalë u tha atyre: “ju, për ne, jeni shqiptarë, jo kosovarë.” Ai nuk tha tekstualisht kështu, por nga dëshira e tij për të negociuar me Shqipërinë, mund të shkoqitej mendimi se po fliste për shqiptarët e mbetur jashtë kufirit, jo për kosovarët, siç do të kishin dëshiruar disa mami. Etimologjia e toponimit Kosovë nuk ka mundur të shpjegohet me shqipen.”Kos” në serbishte d.m.th., mëllenjë, prandaj edhe është quajtur “Fusha e Mëllenjave (...)” Emri i vërtetë i këtij territori është Dardani. Dardani e zvogëluar, mirëpo jo Kosovë! “Kosovë” është semantika e copëtimit: përbuzjes, tmerrit, nënshtrimit dhe riemërtimit pas pushtimit serb! Ashtu siç kanë pagëzuar edhe Vojvodinën! Të krijohet kombi i ri me një fjalë serbe, d.m.th të ruhet lidhja kërthizore përgjithmonë me Serbinë.

Unë nuk kisha durim. Prisja shkrimin e profesorit Spahiu, të radhës. Kërshëria nuk më linte të qetë të lexoj kundërshtimin e tij. Se do ta kundërshtonte ai Tadiçin, isha i parabindur: isha i sigurt, aq sa jam i sigurt se java ka shtatë ditë. Dhe, disa ditë më vonë, u shfaq me lugë dhe fultere në dorë kryekuzhinieri. Profesor Spahiu merret me manipulim eksperimental, sugjestionim në masë dhe demagogji në gatimin e gjellës”komb”.
Sapo përfundova artikullin e gazetës gjermane, bëra vetes edhe këtë pyetje: pse ai ndritur, që konsideron veten profesor, doktor të shkencave, nuk lufton ta quajë Kosovën Republika Shqiptare apo Dardani, por dëshiron të gatuajë kombin kosovar dhe ta zhduk emrin shqiptar?

Tadiçi nuk u shfaq me këtë ide për t’u bërë babadimër i shqiptarëve, por ka ndërmend të nxjerrë përfitime të reja, tjera, si për shembull të na copëtojnë edhe një herë. Ai është patriot serb. Shqipërinë e vogël që e kemi sot, nuk është Shqipëria fizike që shtrihet deri në Bujanoc e Medvegjë, deri në Ulqin, Plavë e Guci, deri në Kumanovë, por është Shqipëria e copëtuar, sakatuar, masakruar, vrarë, dëbuar dhe zvogëluar nga ushtria serbe. Serbia pushtoi trojet tona dhe i mban të pushtuar, siç po mban veriun e Kosovës.

Kjo Shqipëri e sotme, është rezultat i pafuqisë shqiptare, i orientimit të gabuar, mungesës së aleatëve dhe në anën tjetër, dëshmon për aleancën sllave, ortodokse dhe perëndimore në favor të Serbisë. Pra, Republika e sotshme shqiptare është pasojë e dështimit tonë në fushëbetejë dhe në tryezë. Shqipëria është ndjenja e vogëlsisë shqiptare. Ajo gjithmonë na rikujton gabimet tona, orientimin e rrejshëm, braktisjen tonë nga Europa, animin e saj dhe diskriminimin në skenat politike ndërkombëtare. Serbia jo vetëm se ka shkëputur krahina shqiptare nga vendi ëmë, por me qindra mijëra veta ka dëbuar në Turqi, ku sot janë asimiluar. Arbëreshët nuk janë asimiluar edhe pas pesë shekujve. Edhe diaspora shqiptare nga ish Jugosllavja, është pasojë e politikës serbe. Ndërgjegjja e Serbisë ndaj popullit shqiptar është aq e ndyrë, sa nuk bëhet më. Tragjedia dhe fragmetarizimi shqiptar mban vulën serbe! Për këtë duhet biseduar me Tadiçin, nëse beson se nuk është pinjoll i Millosheviçit dhe nxënës i projekteve skolastike serbe.

Mali zi nuk ka pushtuar hinterlandin e Shkodrës pa ndihmën serbe dhe nuk do të kishte mundur ta zaptojë kurrë. Trojet shqiptare në Maqedoni, nuk i ka pushtuar Maqedonia, por Serbia. Tadiçi nuk ka përmendur këto troje të sekuestruara në dobi të vëllezërve sllav, por foli për një rikufizim midis Shqipërisë dhe Serbisë. Pse? Në mes të tjerash, Tadiç u tregoi ideatorëve të kombit të ri, se ai nuk i sheh shqiptarët e Kosovës si “kosovari”, siç do t’ i kishte pëlqyer atij nga gjellëtorja “kosovska çorba”, por shqiptarë. Jo pse na do Tadiçi, por ai ka frikë se kombi shqiptar bashkohet dhe për të mbijetuar ai në skenën serbe, përpiqet ta zmadhojë edhe një herë Serbinë. Nëse një ditë Kosovës i hiqet tutorizmi dhe nëse një ditë Shqipëria bën politikë kombëtare, si grekët për shembull, si maqedonët, si serbet, si kroatët etj., atëherë demokracia nuk ka fuqi ta ndalojë bashkimin e asaj që ka bashkuar Zoti, gjaku, gjuha, gjeografia, historia, tradita, bashkëvajtja, bashkëvuajtja, dhembshuria, fati dhe jeta dhe, i ka ndarë: lufta, pushtimi, nënshtrimi dhe padrejtësia. Rrjedhimisht: krimi shtetëror.

Ata që njohin mirë kuzhinën e politikës serbe, dinë se Serbia tani ndihet shumë e rehabilituar dhe për këtë e ka ndihmuar shumë qëndrimi i Kosovës dhe i Shqipërisë. Në vend se ajo të përballje me një Nyrnberg të vetin, ajo akuzon Kosovën. Meqenëse Kosova nuk mund ta padiste në Hagë, atëherë duhej ngritur një akuza kolektive shqiptare në Beograd tek Gjykata e Krimeve të Rënda: për dhunimin e mijëra grave, për vrasjen e mijëra qytetarëve, për djegien dhjetëra mijërave shtëpive, për deportimin e qindra mijërave dhe për shitje e organeve të 3000 shqiptarëve të pagjetur! Pse në Beograd? Sepse Beogradi akoma konsideron Kosovën pjesë të veten dhe meqenëse është kështu, atëherë të kërkohej dëmshpërblim nga shteti serb për vrasjet e qytetarëve të vet dhe për dëmtimin e ekonomisë.

Një dëmshpërblim siç kërkojnë disidentët e djeshëm për mynxyrën gjatë sundimit komunist në vendet e veta. Pse dhunuesit e grave shqiptare të konsiderohen patriot serb? Pse vrasësit e fëmijëve shqiptarë të quhen patriot serb dhe pse të jenë në liri? Pse krimi i organizuar, që ka shkrumbuar shtëpitë shqiptare, që ka plaçkitur orenditë dhe arkivat, të nderohet në Serbi si patriot? Pse të mos burgosen në Serbi së paku ata që dhunuan gra dhe vranë fëmijë shqiptarë?
Kosova, në anën tjetër, sillet sikur ta kishte fituar shtetësinë padrejtësisht. Sikur të kishte pushtuar troje serbe. Sillet si fajtore përballë Serbisë. Ajo nuk vepron, ajo vegjeton. Ajo nuk do ta padisë Serbinë. Ajo ka detyra më të mëdha: ka problemin e karrierave, të pasurimit të karrieristëve, krijimin e kombit kosovar dhe denigrimin e atij shqiptar!

Sikur të kishim një elitë politike si e vendeve perëndimore apo si ajo sllovene apo si e vendeve baltike për shembull, atëherë bashkimin e këtyre dy shteteve shqiptare nuk do ta kundërshtonte askush. Ne, me politikanët tanë amatorë, me dy shtete, nuk kemi arritur ta sjellim në Parlamentin Europian asnjë Projekt serb mbi shfarosjen e shqiptarëve, nga të cilat shteti demokratik serbe nuk distancohet. Qeveria serbe arriti të diskutojë në Parlament “shitjen e veshkave” që do të dëshironin të kishte ndodhur. Nuk është me rëndësi a ka ndodhur kjo apo jo. Edhe nëse nuk gjenden prova, ata do të pohojnë: “shqiptarët i kanë zhdukur gjurmët!” Pra, të damkosur mbetemi, kryesisht për ata që dëshirojnë ta besojnë këtë. Dhe, ata nuk janë pak!

Për t’ i ndryshuar bindjet dhe ndjenjat e tjerëve Nexhmedin Spahiu përdor manipulimin dhe kërkon dezertim nacional! Lexoni ju lutem se çka shkruan doktori i shkencave: “Kombin Kosovar e përbëjnë vetëm ata shtetas kosovarë që e kanë për zemër shtetin e Kosovës”. E lexuar mirë? Lexoni edhe një herë: “vetëm ata shtetas kosovarë që e kanë për zemër shtetin e Kosovës”. Çka domethënë kjo? Çka dëshiron t’ i imponojë lexuesit, që kapërdinë informata pa i përpunuar?

Shqiptarët, që nuk duan ta quajnë veten me kombësi kosovare, nuk e duan shtetin e Kosovës! Ashtu thotë burri i dheut duke lavdëruar veten si profesor, doktor, shkencëtar dhe njeri me shtetësi shqiptare dhe kosovare, që i plotëson kushtet për t’ ia çnjohur që të dyja. Përkrahësit e tij vazhduan me të njëjtin ton: “ ata që mendojnë se janë shqiptarë, i besojnë përkufizimit stalinist të kombit.” Gjyshja ime, ndjesë pastë, u lind para implozionit të Perandorisë Osmane. Ajo ishte analfabete. Jo pse kishte dëshiruar, por vëllai jonë i madh, i sotshëm, që na ndërton edhe sot xhami e jo shkolla, mbyllte dhe ndalonte tonat. Toleronte vetëm ato greke dhe serbe. Gjyshja ime fliste shqip, bazohej në gjak dhe prandaj quante veten shqiptare. I mjaftonin këto dy fakte: gjuha dhe gjaku dhe nuk i interesonte se si përkufizojnë kombin shkencëtarët e botës. E as që kishte dëgjuar për akademizma të tilla. Tani, del një shkencëtar kosovar dhe ma shanë gjyshen si besimtare të Stalinit...

Tadiç vazhdimisht përsërit se shqiptarë fituan gjithçka, kurse serbet humbën dhe kështu ka arritur të krijojë bindje se ajo është viktimë e amerikanëve. Vendet myslimane po i besojnë. Serbet fituan një republikë në Bosnje, që kurrë nuk e kanë pasur, edhe pse tani ideatori dhe themeluesi i asaj ngrehine gjenocidale arrestohet, por vepra e tij mbetet. Dhe, ku qe strukur krimineli më i madh i Europës? Afër Beogradit, ashtu si qe strukur edhe kryeterroristi i botës, afër Islamabadit.

Republika Serbe me mbiemër cilësor, nuk dëshiron të krijojnë komb të ri, por ëndërron t’ i bashkëngjitet Serbisë. Serbet vranë, dhunuan, shkatërruan, dogjën dhe dëbuan, aq sa deshën në kohën e tyre dhe meqenëse ne këtë e quajmë humbje, ata duhet ta konsiderojnë fitore, nëse jo, atëherë duhet të turpërohen dhe pendohen dhe të kërkojnë ndjesë publikisht. Këndellja e Qeverisë serbe dhe demokratizimi i atij shteti dëshmohet vetëm me njohjen e Kosovës dhe me kërkimin ndjesë kombit shqiptar. Ai shtet, për gati një shekull, i fali vetes licencën për të vrarë e masakruar fqinjë dhe shqiptarë. Edhe atë, pa u dënuar!

Derisa po komentohej me shumë pasion një artikull në facebook, një intelektual nga Shqipëria këshillon kështu shqiptarët e Kosovës: “Kombi i ri kosovar nese do ndertohet sot nuk duhet te behet sipas Atifetes qe thote do ndjekim Skenderbeun e Nene Terezen - dy figura te huaja katolike qe i perkasin Republikes se Shqiperise. Kombi kosovar duhet te behet me heroj te tjere - pse jo me sulltan Muratin ne krye e me Adem Jasharin e Azem Galicen. Vend duhet ti lihet edhe serbeve qe do pranojne kosovarizmin, sic duhet tu lihet edhe romeve, goraneve, torbesheve, boshnjakeve, turqve etj.” Citati përfundon.
Një gjë është e sigurt: serbet kurrë nuk do ta quanin veten kosovar: as turqit, as goranët, ndoshta e bëjnë këtë romët. Asimilimi ndodh zakonisht aty ku mungojnë ndjeja kombëtare apo nëse për denatyralizim fitojnë shumë lekë. Prandaj kemi shqiptarë, që janë më turk se turku, më grek se greku dhe më serb se serbet! Europa nuk synon uniformizmin dhe asimilimin, ajo është për ruajtjen dhe kultivimin e kulturave dhe diversiteteve.
Sulltan Murati baba i kombit kosovar, e lexuat mirë! Çka fshihet pas këtij mendimi? Pas këtij mendimi fshihet armiqësimi i shqiptarëve, sepse te kombi shqiptar themelues i kombit do t’ ishte Gjergj Kastrioti, e i kosovarëve armiku i Shqipërisë, ata që kishte luftuar Skënderbeu dhe kështu do të kishim dy kombe, që nga origjina janë armiq në mes vete. Çka i sugjerojnë tjetër shqiptarëve profesori i ndritur, shkencëtari, doktori i shkencave Nexhmedin Spahiu dhe përkrahësit e tij? Duke dashur t’i përfshijë në kombin kosovar edhe pakicat e Kosovës, ata u rekomandojnë shqiptarëve të Luginës ta quajnë veten serb. Ata u rekomandojnë shqiptarëve të Maqedonisë, ta quajnë veten maqedon, ata u rekomandojnë shqiptarëve të Malit të Zi ta quajnë veten malazezë, sepse pikërisht me këtë riçetë ata dëshirojnë t’ i shndërrojnë edhe serbet e Kosovës në “kosovari”. “Kombi kosovar është përforcim i shqiptarizmës” tha doktori i shkencave, që paska qenë edhe këshilltar i ish Kryeministrit. Nëse i besohet kësaj demagogjie provokues, atëherë për ta përforcuar akoma më shumë shqiptarizmin, duhet urgjentisht formuar edhe kombin drenicak! Të Anamoravës! Të Luginës dhe të Iliridës. Pesë kombe janë më shumë se një, apo jo?

Sikur një intelektual gjerman nga ish Republika Demokratike e Gjermanisë t’ ishte shfaqur me ide për formimin e kombit tjetër, do ta kishin konsideruar të shitur tek rusët. Sikur një gjerman i rëndomtë, t’ ishte kacavarur në dritaren e vet dhe të kishte bërtitur se duhet formuar kombin e ri, do ta kishin konsideruar të krisur. Gjermanët besojnë e besonin se bashkimi bën fuqinë, njësimi, jo përçarja e brendshme. Kështu mendon edhe populli korean, i cili edhe pse në dy shtete, ruan kombin e vet.
Sikur të ishte ndarja më e mirë, atëherë as Unionin Europian nuk do ta përligjte synimin e vet. Pse duhet bashkuar, kur regjionalizimi dhe krahinorizmi janë më të mirë? Në Ballkan nuk ka krijuar kombe vetëm politika, por edhe religjioni. Njerëzit që flasin gjuhën e njëjtë dhe që kanë tradita të njëjta, kanë përkatësi tjetër etnike, vetëm pse i bëjnë qoftet apo turshitë ndryshe...Kërkesat për krijimin e kombit të ri, janë frymëzime nga kjo kuzhinë ballkanike.

Propaganduesve të kombit kosovar u pëlqen shembulli austriak. Lexuesit e tyre impresionohet, mrekullohen nga ky krahasim dhe flasin për mirëqenien, që do të vijë pas arratisë së madhe nacionale. Ata mendojnë se me formimin e kombit kosovar, të nesërmen, sapo të zgjohen nga gjumi, do të gdhihen si austriak, Kosova si Austri! Gjermania humbi territore se u ndëshkua nazizmi. Shqiptari nuk ka nevojë të braktisë ndjenjat kombëtare shqiptare, sepse nuk ka dëmtuar asnjë komb rreth vetes. Dhe, bota perëndimore, nuk është kundër dy shteteve shqiptare. Përkundrazi, ajo urdhëroi, përmbaroi dhe ndihmoi sendërtimin e tyre.
Ja se çka tha profesori, doktori dhe shkencëtari Nexhmedin Spahiu pas deklaratës së Tadiçit:
“Një prononcim i imi për mediat serbe se “propozimi për ndarje të Kosovës nga ana e Daçiqit dhe Tadiqit do të thotë se Serbia po e njeh kombin kosovar, por po i konteston kufijtë e shtetit të Kosovës”, bëri që Tadiqi të del nga takti dhe të propozojë ndarjen e Kosovës jo me Prishtinën, po me Tiranën.”N. Saphiu.

Pra, sipas profesorit dhe doktorit të shkencave, Tadiçi me këtë deklaratë njohu kombin e Kosovës. Tadiçi në fakt çnjohu pikërisht këtë dhe iu drejtua Shqipërisë sepse konsideronte se i ka marrë troje Shqipërisë, shqiptarëve, jo Kosovës, jo kosovarëve. Doktori i shkencave po manipulon qëllimisht, sepse Tadiçi duke u pajtuar me bashkimin e shqiptarëve, bënë pikërisht të kundërtën: varrosë idenë e kombit kosovar dhe pranon realitetin: kombin shqiptar. Çfarë rëndësie paska për ne a njeh Tadiçi kombin kosovar apo jo ? Tadiçi mund dhe duhet ta njohë shtetin e Kosovës, por, a njeh ai kombin dardan apo kosovar, nuk është aspak me rëndësi. Ajo është ndjesi dhe bindje e jona. As nuk mund të na hiqet, as të na imponohet. Për të treguar përsëri se është profesor dhe doktor i shkencave ja se çka shkarraviti:
“Çështja është që Kosova duhet t’i ketë njerëzit që e nxisin Tadiqin të gabojë. E ata që nxisin Tadiqin të gabojë nuk janë ata që kundërshtojnë ekzistencën e kombit kosovar, por përkrahësit e kombit kosovar, falë të cilëve do të mbijetojë Kosova si shtet.”

Përsëri sugjestionim! Përsëri manipulim! Përsëri tendencioz. Përsëri demagogji! Thua se Tadiçi nuk ka punë tjetër, pos të lexoj gazetat kosovare! E lexuat mirë se çka thotë profesori dhe doktori i shkencave? Tadiçi detyrohet të gabojë nëse ne angazhohemi në krijimin e kombit kosovar, nëse ne nuk e bëjmë këtë, atëherë Tadiç mbetet i pagabueshëm. Dhe, nëse nuk luftojmë për krijimin e kombit kosovar, atëherë mbijetesa e shtetit të Kosovës rrezikohet, konstaton profesori! Lexojeni edhe një herë”... përkrahësit e kombit kosovar, falë të cilëve do të mbijetojë Kosova si shtet”. Sa veta përkrahin këtë ide? Nëse janë shumë pak, e dihet se janë, pse po mbijeton atëherë Kosova si shtet? Përgjigjen time do ta lexoni në fund.

Nuk di si ju duken në atdhe mendimet e tija: në Gjermani duken shumë të cekëta. Të cekëta, sa s’ bëhet më. Mënyra e gjykimit, fuqia e thellësisë analitike, zbërthyese, len shumë për të dëshiruar. Duket se po dëshiron të behet i pari! Kosova nuk mund të mbijetojë si shtet, nëse nuk krijohet kombi kosovar. E pse Koretë po mbijetojnë me të njëjtin komb? Pse arabët po mbijetojnë me 22 shtete dhe madje ndjehen krenarë se janë arab? Pse profesor po mbijetojnë shtetet arabe?

Në fund, edhe një margaritar nga profesori: “ -Të jesh komb d.m.th. të jesh pronar shteti.” “Pronar i fabrikave është klasa punëtore!” Pronar i shtetit! Ç’ ka domethënë kjo? Shteti është pronë e individit dhe ai mund edhe ta çnduk, si pulës puplat. Siç po çndukim në Ballkan dhe po e përjetojmë tani në Greqi! Edhe atë mendim infantil të profesorit, doktorit dhe ish këshilltarit të ish Kryeministrit e demantojnë dy Koretë dhe diku 20 vendet arabe. Nëse nuk bëhesh komb kosovar, d.m.th. nuk je pronar i shtetit tënd. E kush qenkan pronarë i shteteve arabe? Eskimezët profesor?! Kush profesor doktor?!

Ja përgjigja që ju premtova më lartë pse mbijeton Kosova pa komb kosovar: derisa të jemi miq me SHBA-të, ajo nuk guxon të preket prej askujt, po humbëm këtë miqësi, (Amerika nuk duron shumë, pas vrasjes së amerikanëve nisën spekulimet për tërheqje dhe këto duhet marrë si sinjale të qarta) atëherë brenda 24 orëve do ta humbim shtetin, tok me kombin kosovar dhe do t’ ai mbathim përsëri drejt Shqipërisë dhe Perëndimit, jo drejt Turqisë. Shteti mbahet falë aleancave dhe orientimit të drejtë, jo duke i plotësuar dëshira Serbisë: me flamurin, me himnin dhe tash ta kënaqim dhe eksitojmë edhe me një etnonim serb! Etnonimi “kosovar” ka origjinë serbe. Etnonimi dardan ka origjinë ilire dhe dëshmon për autoktoninë tonë!Kaq! Më shumë kohë nuk meriton një profesor i tillë! Në fakt, kjo ishte e tepërt! Për mua dhe për ju që e lexuat këtë shkrim kaq të gjatë...

P.S.
Sapo mbarova, dola në qytet të çlodhesha nga ky shkrim dhe rastësisht takova një gjykatës gjerman, doktor i shkencave juridike, që nuk e kisha parë disa muaj. Biseduam në rrugë një çerek ore dhe më foli për mbresat e tij mbi Kanunin e Lekës. Në fund më pyeti se ç’ kishte të re në Kosovë. I thash se ka disa kërkesa për krijimin e kombit kosovar. “Ç’është ky budallallëk i madh?!”, pyeti ai me sy të zgurdulluar! “Në politikë dhe religjion një është më shumë se dy, tha ai në mes të tjerash deri sa po shkyçte biçikletën...I thash edhe unë se ky synim është idiotësi, por Ballkani dikur ishte kuzhinë e eksperimenteve kombëtare sllave, tani jemi helmuar edhe ne...



Mëllenja  (turdus merula)

FGJSSH
MËLLENJË f. sh.
1. zool. Zog i vogël shtegtar nga rendi i harabelave, me pupla të zeza e të ndritshme, me sqep të verdhë si në ngjyrë portokalli e me këmbë të murrme, që rri zakonisht nëpër ferra e nëpër shkurre; mullizezë.

u publikua në listën e albshkencës, Gazeta SOT
telegrafi.com
zemrashqiptare.com
revistadrini.com
kosovarimedia.com;
reporteri.org
gazeta SOT

Libra nga Lis Bukuroca:


Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht

05.06.2011

Pse mund të ekzistojë shteti privat? Java, gazeta SOT


Për të ekzistuar shteti privat, duhet t’i paraprijnë partitë private. Ky është parakusht. Partinë private e ndërton një njeri për vete dhe ai nuk ndërrohet. Ai drejton partinë e tij me dekada, ndoshta deri në vdekje, sepse e ka krijuar vetëm për vete. Pikësëpari çimentohet despotizmi në parti, pastaj në shtet. 

Shefi i partisë private nuk toleron konkurrence të brendshme dhe nuk mund të ndërrohet. Partia, si edhe shtëpia e vet, janë ngrehina të tija. Shteti shqiptar nuk po privatizohet, as shteti kosovar jo, ata janë tashmë të privatizuar, mirë e trash: që nga Gjendja Civile, komuna, fakultetet, deri në Qeveri bëjnë biznese të veta private, vetjake.

01.06.2011

Një plagjiaturë dhe një gënjeshtër, gazeta Shekulli

 Disa fjalë për plagjiaturën e Sadedin Çelikut ( ish ministër i transporteve, Shqiperi) dhe mashtrimin e gazetarit të “Setimes” M. Brajshori. I pari ka vjedhur shkrimin tim “Shteti privat” dhe e kishte botuar në dy gazeta, i dyti kishte bërë intervistë me mua!

Para se ta dërgoj jashtë një shkrim, puna e parafundit që bëj, është të shikoj në internet a ka ndonjë artikull të publikuar, që mund të ketë titullin e njëjtë. Nëse ndodh kjo, atëherë e ndryshoj timin. Kohëve të fundit lexova shpesh nëpër shkrime përdorimin e togfjalëshit “ shtet privat”. Me këtë titull qe publikuar një sprovë e imja më 24 dhjetor 2009 në gazetat fizike “Shqip” dhe pak ditë më vonë edhe tek “Shekulli”. Online u bë publike tek “zemra shqiptare”, “tribuna shqiptare” dhe “gazeta kritika.”

Mua nuk më zemëroi se ky togfjalësh disa muaj pas publikimit, nisi të përdoret dendur pa u përmendur askund burimi, por u preka thellë nga sjellja e keqe e një gazetari me emrin Sadedin Çeliku. Nuk dija se ekziston, por meqë qenka i pranishëm në këtë botë, ra kjo vjedhje dhe u njohëm, atëherë, i uroj jetë të gjatë dhe të ndershme. Ky zotëri ma kishte përvetësuar shtetin tim privat dhe e kishte botuar me emrin e vet. E kishte shkurtuar dhe i kishte vënë këtë titull: “ Shteti privat dhe ai publik”. E kishte botuar tek “Gazeta Sot” në Tiranë më 4 maj 2010 dhe tek “ Bota Sot“ në Zvicër. Gati pesë muaj pas shtetit tim privat. Kur pash këtë, nuk dija si ta shpjegoj: ta merrja si kompliment apo të ndjehesha i ofenduar pse nuk e kishte vjedhur të tërin, por e kishte shkurtuar, redaktuar.
Në Gjemani, kjo pirateri, dënohet me ligj. Tek ne, përgjithësisht në mendësinë ballkanike, nuk quhet vjedhje, por marrje, përvetësim. I ka pëlqyer filanit dhe e ka marrë!

Nuk përfundon këtu. Pasi u qetësova nga vjedhja e parë, vendosa të hulumtojë në google edhe për një sprovë tjetër të kritikuar shumë ashpër nga Ibrahim Kelmendi: “Rugovizmi nuk është gandizëm”, shkruar më 23 janar 2006 dhe kjo ishte befasia e radhës: gjeta një intervistë me mua të realizuar më 3 shkurt 2011. Tani hajdutëria kalonte nga Shqipëria , në Kosovë. Gazetari Muhamet Brajshori paska bërë intervistë me mua për faqen e internetit “SETimes. “ Nuk dija gjë për këtë faqe. Ajo po financuaka nga SHBA. Muhamet Brajshorin nuk e njoh, por meqë edhe ky zotëri po ekzistuaka, edhe këtij i uroj jetë të gjatë dhe të ndershme. Atij i paska lënë mbresë nocioni “rugovizëm” dhe paska vendosur të bëjë intervistë me mua dhe më paraqet si bashkëpunëtor të Rugovës. Unë nuk kam qenë kurrë bashkëpunëtor i tij, por isha kryetar i LDK-së në qytet, që e braktisa në vitin 1993 derisa po lexoja përgjigjen që më kishte dërguar kabineti i kancelarit Helmut Kohl. Pas kërcënimeve të tre apo katër vetave, që kërkonin ndërprerjen e leximit, dola dhe nuk qesh kthyer kurrë më në LDK. At vit, i pata shkruar edhe Papës në Vatikan, edhe kryetarit francez për gjendjen tonë në ish-Jugosllavi. Nuk është vetëm ky atribut që më ngjet gazetari i “SETimes.” Unë atij gazetari i paskësha thënë edhe këtë: “Ndërsa mendimi i Gandit pasqyronte traditat e jogës të Indisë, idetë e Rugovës qenë të vendosura në etikën dhe humanizmin kristian, tha Aliu. Të tjerë janë dakord por shtojnë se nacionalizmi gjithashtu luante një rol kyç.”

Këtu desh pëlcita. Joga, në mes të tjerash, është një filozofi medituese, e cila synon njësimin e shpirtit dhe trupit, njësimin me Zotin: një çlodhje e brendshme, thënë me pak fjalë. Është edhe më shumë, por këtu nuk është nevoja të ndalemi. Gandi pat zhvilluar një filozofi të veten e cila quhej “satiagraha” dhe kishte këtë qëllim: të preket në ndërgjegje, në vetëdije pushtuesi dhe të cytet për ta ndryshuar qëndrimin dhe pastaj të përfitohet si mik. Duke pranuar dhunën, por jo duke iu përgjigjur me dhunë. Pastaj bindjet e tija fetare ia ndalonin vrasjen e njeriut, siç ia ndalonin edhe ngrënien e mishit...
Nëse keni lexuar citimin me vëmendje, keni parë se intervistuesi thotë se të tjerë kishin rënë dakord me mua. E kush ishin të tjerët? Donik Sallova. Nuk e njoh. Nuk kam dëgjuar kurrë për të. Sabri Hamiti. E njoh nga vepra. I treti, Nexhat Daci, politikan, dikur biolog. E pse paskësha braktisur unë LDK-në? Ja si përgjigjet ai që paska bërë intervistë me mua: “Ai thotë se ai la partinë që themeloi Rugova sepse shumë atje nuk duken të kenë kapur thelbin e mendimit të udhëheqësit të ndjerë.” Këtu përfundon intervista e tij me mua, zhvilluar më 3 shkurt të këtij viti, të cilën e gjeta dhe lexova ditëve të fundit të majit 2011.
Çka na mëson kjo plagjiature dhe ky mashtrim? Kjo na tregon se google i gjen të gjitha, prandaj është e rekomandueshme që intelektualët të pushojnë me vjedhje, sepse një ditë zbulohen të gjithë.

u botua më 02.06.2011 tek: Gazeta Shekulli