25.08.2011

Dy shqelma dhe përjashta! - gazeta SHEKULLI


Ramë Buja është dashur ta kapë ministrin turk për veshi, ta godasë me dy shkelma pas dhe ta përplasë përjashta, para dere. Natyrisht jashtë protokollit zyrtar. Republika e Kosovës nuk do të kishte pësuar asnjë dëm, përkundrazi. Do të dëshmonte se është sovrane edhe shpirtërisht. Kjo duhej bërë para kamerave dhe ky akt do të kishte qenë po aq i rëndësishëm, sa edhe marrja pjesë në UÇK apo shpallja e pavarësisë. Me këtë kërkesë ministri turk po cenonte pikërisht pavarësinë tonë dhe konsideronte Kosovën vilajet të vetin. Po cenonte sovranitetin e vendit më keq se Serbia. Në "youtube" do t’ ishte shikuar më shumë se sa këpuca e hedhur drejt Bushit. Buja do të kishte merituar një përmendore për së gjalli. Servilizmi nuk meriton respekt. As shkollarizmi, jo, përkundrazi!

Republika e Kosovës, nuk ekziston pse dëshiron Turqia, por Perëndimi. SHBA-së çlirimi i Kosovës i kushtoi 70 miliard dollarë...
Turqia dëshiron të bëhet vëlla me Kosovën, pasi e çliroi Perëndimi. Për çudi, asnjë politikan kosovar nuk quajti kancelaren gjermane Merkel, motër, edhe pse ajo bëri më shumë se vëllai i Hashimit, Erdogani. As Clintonin nuk e quajti askush baba, as Bushin, Albrightin madje as teze jo.
Merkel i tha Tadiçit se rruga e Serbisë për BEE kalon nëpër Kosovë. Për t’ u bërë më vëlla se Erdogani, Merkel, e meriton edhe me qindra mijëra shqiptarë të punësuar në Gjermani, që mbajnë sot Kosovën gjallë nga merr edhe Hashimi rrogën, por, për çudi, udhëtimi i Merkel konsiderohet obligim, kurse kollitjet turke shpjegohen si bomba atomike në favor të kosovarëve. Gjermania ka më shumë ushtarë se çdo vend tjetër në Kosovë dhe mbron shtetin nga Serbia. Sipas teorisë së Thaçit, ajo nuk mund të quhet motër, sepse na ka vrarë dhe dëmtuar më pak se Turqia. Disa në Kosovë sillen si fëmijët jetim ndaj babait, që i ka braktisur. “Na ka telefonuar babai”, mburren ata. Kaq! Ai telefonon, por më shumë as nuk mundet, as nuk ka dëshirë. Kjo është sindroma e fëmijës së braktisur dhe mungesa e dashurisë së sinqertë interpretohet si dashuri e vërtetë. Komplekse permanente vogëlsie, pavlerësie! Radhën do ta ketë Serbia. Edhe ajo do të thotë se në kohën e saj kemi pasur përparim më të madh, se sa 500 vjet nën Mbretërinë Osmane! Dhe, ndonjë Hashim tjetër, do ta shpallë edhe Serbinë popull vëlla! Po na rritet familja!
Çka mund t’ i jap Turqia Kosovës, që nuk mundka Perëndimi ose SHBA-të? Çfarë sigurie mund t’ i ofrojë Turqia Kosovës? E në fakt, Turqia nuk po vjen në Kosovë për neve, si Perëndimi, duke na respektuar ashtu si jemi, por për të na asimiluar, siç po bën tani me miliona shqiptarë, me 30 milion kurd dhe me pakicat tjera. Turqisë i duhet një shtet satelit në Europë për ta shantazhuar Europën! Hashimi ia dorëzoi!
Investitorët turq, që vijnë në Kosovë, nuk janë degë të shoqatës Nënë Tereza, por vijnë për zmadhimin e kapitalit të tyre, për përfitime të veta, jo nga solidariteti, sepse kapitali nuk njeh empati ekonomike, por vetëm përfitim. Ndërmarrësit turq nuk vijnë në Kosovë për ta ndihmuar Kosovën, por për të fituar më shumë se sa fitojnë në Turqi. Kjo është normale.
Mbretëria Osmane paska qenë e jona dhe e tyre, paska pasur rreth njëzet vezirë shqiptarë. Por, në Perandorinë Romake, kishim 30 perandorë me origjinë ilire...Shihet se ne botës i kemi dhënë gjithmonë njerëz të mëdhenj, por tek ne kanë ngelur gjithmonë maskarenjtë.
Perandoria Romake ishte bartëse e kulturës, civilizimit, arkitekturës... Mbretëria Osmane nuk mund të quhet Perandori. Në Perandorinë romake njihej e drejta romake( para 2450 vjetëve), e cila rregullonte jetën e qytetarëve. Në Mbretërinë Osmane nuk njihet një e drejtë osmane dhe kjo është arsyeja pse mbijetoi kanuni. Sot kudo bëhen gërmime për të gjetur vendbanime romake: amfiteatër, obelisk, qypa, poçe, etj., por askund nuk kërkohet gjë nga mbretëria osmane, sepse nuk ka dhe nuk kishte. Bile asnjë qyp për turshi! Shtëpi me qerpiç që shembej me vdekjen e pronarit! Në kohën e Qesarëve ushtari romak duhej të dinte shkrim-lexim, përndryshe nuk pranohej në ushtri. Roma kishte kanalizim, kurse në mbretërinë turke qenefet ndërtoheshin në oborr, ku infektohej edhe uji i pijshëm i pusit. Edhe sot shihen këto nëpër fshatra. Para më shumë se 2000 vjetëve në “cirkus maximus” tuboheshin 300.000 spektatorë për t’ i shikuar lojërat verore, që i organizonte Perandori. Sot akoma nuk ka një stadium kaq të madh. Në kohën romake kishte edhe filozof, shkrimtarë e historian: 1500 vite më vonë, në kohën osmane kishte: ekzorcist, magjistar, fallxhorë dhe njerëz që shkruanin hajmali. Në kohën e osmanëve nuk ekzistonte as amfiteatër, as bibliotekë, as arkiv, as gjykata, as kanalizime, as ujësjellës si në Romë. Në Mbretërinë Osmane ndërtoheshin vetëm hamame ku laheshin burrat së bashku. Pasojat nga rënia në një mbretëri të prapambetur, shpjegohen duke krahasuar vendet perëndimore me shtetet tona. Për një popull fatkeqësia është dhjetëra herë më e madhe, kur pushtohet nga një popull më i prapambetur se sa është vet.
Serbia toleronte shkolla shqipe me plan programe serbe. Në Turqi janë ndaluar shkollat shqiptare: gazetat, radio dhe televizor. Serbia dhe Turqia janë dy shtete që kanë determinuar fatin e shqiptarëve, copëtimin tonë dhe tragjedinë kolektive. Turqia ka investuar me shekuj në injorancën tonë. Ajo kur erdhi gjeti njerëz që dinin shkrim lexim, kur iku, ishim gati të gjithë analfabet dhe ishim kthyer në shekullin zero. Turqia në shekullin XIX kishte hapur shkolla greke, serbe dhe turke, por asnjë shqipe. Aty shkolloheshin serbet dhe grekët, që do të na copëtonin dhe sundonin gjatë shekullit XX.
Kosova sot mundet pa Turqinë dhe pa Serbinë, por Kosova nuk mundet pa Perëndimin, veçanërisht jo pa SHBA-të. Mirëpo edhe kjo miqësi duket se është zvetënuar. Duket se pas vrasjes së amerikanëve, është bërë një tregti e madhe mes SHBA-së dhe Turqisë. SHBA-të do t’ i lënë hapësirë veprimi Turqisë aq sa dëshiron ajo, me kusht që Erdogani të mos përzihet në çështjen palestineze. Prandaj aktiviteti turk është shuar në Palestinë dhe rritur në Kosovë. Turqia nuk mund të lobojë për Kosovën tek vendet muslimane, sepse edhe ata qenë kthyer në injorancë të madhe pas pushtimit turk edhe pse në mesjetë, zhvillimi shkencor tek ta kishte marrë hov. Vendet muslimane nuk kanë mendim të mirë për Turqinë dhe e shohin si tradhtare. Po të kishte pasur Turqia ndikim, atëherë deri tani do ta kishin njohur të gjitha vendet muslimane.
Pas kësaj kërkesë, në Kosovë, u sqaruan shumë gjëra: në fakt, ata që luftojnë për komb kosovar, janë mbështetës të idesë turke për ndryshimin e historisë.

Tregoni Turqisë se shqiptarët në Turqi kanë nevojë për ndihmën e Erdoganit
Tregoni Turqisë se kurdët kanë nevojë për ndihmën e Erdoganit
Tregoni Turqisë se ne kemi SHBA-të dhe Perëndimin si miq dhe vëllezër nuk na duhen
Tregoni Turqisë se Çamëria ka nevojë për ndihmë

Tregoni Turqisë se gjenocidi mbi armenët, shqiptarët duhet dënuar. Vetëm kështu mund të ndihmohet vëllai i Hashimit dhe tregoni se kemi nevojë për miq, që nuk intervenojnë në substancën tonë kombëtare dhe këtë të drejtë nuk e ka askush, madje as ai që na fali dinjitetin njerëzor: SHBA. Turqia nuk ka të drejtë morale, njerëzore të bëjë kërkesa te tilla perverse, sepse në Kosovë pakica turke ka të gjitha të drejtat, që i mungojnë shqiptarëve në Turqi...Pse nuk na donë turqit ashtu si jemi? Gjegj Kastrioti shndërroi mbretërinë e tyre në organizatë qesharake dhe këtë nuk e harruan kurrë. Do t’ ishte sikur sot San Marino të fitonte kundër SHBA-ve! Megjithatë, ne fituam kundër tyre: fituam atëherë, do të fitojmë edhe sot. Qeveritarët e sotshëm po punojnë në rrëzimin e tyre...
Çudi dhe trishtuese për kombin shqiptar është miratimi në heshtje i kësaj kërkese nga Rexhep Qosja. Ai zakonisht diagnostifikon mirë gjendjen në Shqipëri, por hesht për simptomat vdekjeprurëse dy kilometra larg shtëpisë së tij.
Në vizitën tjetër Turqia do të vijë me listën e shkrimtarëve që duhet ndaluar në Kosovë dhe me kërkesën për largimin e Gjergj Kastriotit –Skënderbeut. Skllevër, bij-skllevësh, s'e meritoni, e liri s'doni!" pat thënë Noli i bekuar...
Gazeta Shekulli, 58 komente

19.08.2011

Meditim


Gjykatësi

Deshi të vrasë një pëllumb
në një pemë
vrau një njeri të skamur në ballkon:
i pasuri tha: “më vjen keq!”

“Po i vjen keq”, tha gjykatësi!



Pa alternativë

Dje shqiptarët i vrisnin
pse mendonin
sot shqiptarët vrasin veten
pse mendojnë!


Dremitja

Nuk di ç‘ kam sot,
por
nuk jam i kënaqur
as me mua
as me Ty
na grabitën ëndrrën:
aftësinë me tejshikue
mundësinë me tejshkue

me kundrue nga larg
dhe me vujt nga afër
dje Trishtim e zjarrmi
sot Dhembje e tymnajë


Mosmarrëveshja

Mendoje se dashuria
është vetëm dalldi
vetëm kacafytje epshi
dhe fryme
dhe përplasje
e ndërsjellë

vetëm buzëqeshje

tronditje
e dyanshme

...dashuri është
edhe lindja
edhe rritja
edhe telashet
jeta dhe vdekja
dhe vaji!
është dashuri!


Pafytyrësia

Nëse Ti ke të drejtë se Filani
i pafytyrë është
dhe zëvendësi i tij
dhe bashkëpunëtorët
atëherë,
mik i dashur,
më të pafytyrë jemi Ne
që durojmë pacipërinë...


Lis Bukuroca

16.08.2011

Albania, madre mia


Naim Frashëri
1846-1900


O alberi lunghi e voi montagne d’Albania, 
Vasti campi di fiori, che vi ho sempre in mente mia,
Voi alture incantevole e voi fiumi limpidi,
Selve verdi, apici, colline e voi pendii ripidi!
Canterò il bestiame che voi tenete e voi sfamate,
O paesini benedetti, voi cuor e mente mi rallegrate!
Tu Albania, dammi il nome Albanese, dammi quest’onore,
pieno di desiderio e di fuoco, tu mi affinasti il mio cuore,
Albania, o madre mia, anche se son’esiliato,
L’amor tuo, mio cuor, non ha mai dimenticato.

Traduzione di Lis Bukuroca

Bagëti e bujqësi

O malet e Shqipërisë! E ju o lisat e gjatë,
Fushat e gjera me lule, q’u kam nër mënt dit’ e natë,
Ju bregore bukuroshe e ju lumënjt’ e kulluar,
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë, që mbani ju e ushqeni,
O t’vëndethit e bekuar, ju mëndjenë ma dëfreni!
Ti, Shqipëri më ep nderë, më ep emërin Shqipëtar,
Zemrënë ti ma gatove plot dëshirë dhe me zjarr.
Shqipëri! Ò mëma ime! Ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë, zemëra s’e ka harruar.

15.08.2011

Censusi, parandalim ose kaos, gazeta Shekulli


Regjistrimi duhet parandaluar para se t‘ i jepen Greqisë “fakte” në dorë, me të cilat ajo mund ta shantazhojë shtetin shqiptar ose ta dhunojë integritetin e vendit. Censusi duhet evituar me çdo kusht, sepse po bëhet regjistrim jo sipas interesave të vendit, por sipas planeve dhe dëshirave greke. Greqia nuk bën një regjistrim të tillë, nuk ka bërë, por urdhëron Kryeministrin shqiptar ta bëjë këtë. Ne nuk dimë sa arvanit jetojnë atje. Sali Berisha do ta shndërrojë jugun në vend eksploziv, si Tadiçi veriun e Kosovës. Dyzetmijë serb në veri mbajnë Kosovën peng. Edhe grekët po përgatiten. Edhe ata kanë pas vete Akademinë e Athinës, si dje Serbet Akademinë e Beogradit. 

Edhe ata kanë popët e vet që manipulojnë popullin. I njëjti rrugëtim, e njëjta ideologji dhe popët në rend të parë me tasa në dorë, qoftë para cungave, qoftë para busteve, qoftë duke spërkatur kriminel e armë me ujë të bekuar. Perversion që nuk mund të gjendet sot te asnjë kishë perëndimore! Kishat e privatizuara greke dhe serbe, janë grupime ultra-nacionaliste, ultra-ortodokse, ekstremiste dhe nuk merren me religjion, por me politikë. 

Aty ku protestojnë dhjetë veta, shfaqet menjëherë popi duke tërhequr pas fustanin e zi. Ato dy kisha janë organizata politike dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me doktrinën krishtere. Ato nuk merren me religjion, por popët mjekërbardhë e mjekërzinj, bëjnë politikë të zezë dhe përgatisin luftëra. Ata edhe fitojnë nga vdekja. Nuk është me rëndësi a fiton shteti i tyre, me rëndësi të vdiset. Varrimet sjellin përfitime. Është iluzion të besohet se një pop që bekon tanke, cunga e buste, banka e biznese, të jetë i krishterë. Krishti ndalonte edhe vrasjen e pushtuesve romak në atdhe. Krishti u falte vrasësve të vet nga kryqi dhe ua tregoi vendin të pasurve, atij soji, që sot bekohen nga popët. Ato dy kisha, janë kisha antikrisht, profane dhe ofendim për Jezu Krishtin.

Merreni me mend Krishtin duke bekuar një tank
Merreni me mend Krishtin duke bekuar një bankë ose një biznes
Merreni me mend Krishtin duke bekuar një bandë të armatosur

Nuk mund të përfytyrohet? Te kisha e privatizuar serbe, po. Te kisha e privatizuar greke, po! Ata, aq shumë kanë keqkuptuar Krishterimin, sa shumë prej tyre besojnë se Jezu Krishti ishte serb, respektivisht grek! Kujt i besojnë këta popë? Këta i besojnë parasë, nacionalizmit, politikës dhe vdekjes. E çka thoshte Biri i Zotit pak para se të shkonte në qiell: “ O atë, fali se nuk dinë ç’ po bëjnë!” E ç’ ka thonë këta popë: “ O atë, bekoi paratë dhe armët e bashkëkombësve të mi për ta vrarë të afërmin!” Ankth dhe paranojë e pafund!

Nejse, t’ i kthehemi oborrit tonë: Popi tjetër, apo hoxha, dreqi nuk din se çka është, i joni, që solli Janullatosin me tre grek tjerë në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare, Sali Berisha, nuk qeverisë Shqipërinë, por manipulon dhe cenon sovranitetin e vendit. Dhe, kopeja e demokratëve, miratoi ligjin, që rrezikon Korçën dhe Gjirokastrën, që nacionalistët grek me ndihmën e popit, duanë t’ i shndërrojnë në “Vorio-Epir”.

Pse sillet Greqia kështu? Ajo dix se duke shfaqur pretendime territoriale, do t’ i mbështeste për muri nacionalistët shqiptarë dhe në vend se të dëmshpërblejë për Çamërinë, do të vajtohet jugu. Pas përmbarimit të këtij akti, pasi të shndërrohet Shqipëria në një shtet fragjil, ndoshta edhe e zvogëluar, Sali Berisha do të mbetet në pushtet me mbështetjen e gardës dhe Greqisë, ashtu si mbeti Zogu: me bashibozukë dhe Serbinë pas vete. Dallkaukët tanë sigurojnë pushtetin vetëm duke falur troje dhe duke u mbështetur prej atyre që kanë pretendime territoriale dhe ujore.

Nuk ka dyshim se numri i grekëve do të rritet. Për këtë ka vite që kujdeset Janullatosi, konsulli grek dhe Qeveria greke. Nuk ka dyshim se njerëzit nga nevoja do të deklarohen si grek. Prindi mund ta refuzojë denacionalizimin, por nëse fëmijët e tij kanë uri, ai do të pranojë të shkruhet edhe dreq, mjafton t’ i shohë ata të ngopur. Disa do të shpresojnë se marrin nga treqind euro në muaj, si të tjerët deri tani. Nëse këtë herë mbyllim sytë, atëherë do të gdhihemi me probleme më të mëdha, se sa që i kemi sot. Administratorin e Kishës Autoqefale Shqiptare, duhet ekstraduar dhe ajo të drejtohet nga një ortodoks shqiptar. Ashtu si duhet dëbuar edhe Oliver Ivanoviçi nga Kosova. Pas njëzet viteve, nuk mund të përligjet drejtimi i Kishës Shqiptare nga një i huaj, që urren gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar.

Regjistrimi i popullsisë duhet mbajtur pas integrimit në BEE dhe pasi Greqia të braktisë forcat separatiste në jug dhe pasi të kujdeset për gjendjen e vet ekonomike, ku mbi dy të tretat (sipas shtypit gjerman) nuk paguajnë tatime.

Nëse ky regjistrim duhet mbajtur patjetër, atëherë para se të nisë, të deklarohet Kryeministri shqiptar dhe ai grek, se rezultati nuk do të shfrytëzohet për autonomi territoriale apo ndryshimin e kufijve. Meqenëse është paradoksale dhe e çuditshme t’ i besohet Sali Berishës, atëherë të kërkohet garanci për integritetin e vendit nga: SHBA-të, Gjermania, Anglia, dhe Franca. Nëse regjistrimi bëhet pa këtë dorëzani, atëherë askush nuk mund ta parashikojë gjendjen pas regjistrimit.

Ata që mendojnë se Greqia për shkak të BEE-së nuk mund të pushtojë troje shqiptare, atyre duhet rikujtuar Qipron: Greqia dhe Turqia janë në NATO, por njëra copëtoi tjetrën! Duhet rikujtuar diskriminim shqiptar në Maqedoni me bekimin e BEE-së. Europa nuk do t’ i prishte marrëdhëniet me Greqinë për disa qytete shqiptare.

Regjistrimi duhet pezulluar para se të shkaktohet dëmi. Kjo detyrë i takon grupimeve të reja, ndoshta Aleancës Kuqezi, sepse është dëshmuar se opozita nuk ka aq fuqi, energji, ide dhe vullnet, sa ka Sali Berisha për të mbetur në pushtet. Është krijuar hapësirë për krijimin e një aleance të re shqiptare, e një partie që mbron interesat e popullit.

Zgjedhjet e ardhshme
Partitë opozitare të deklarohen qysh tani dhe të zotohen publikisht se nuk do të dalin në zgjedhjet e ardhshme. Marrja pjesë është tallje, që i bëhet popullit dhe vullnetit të tij. Mund të miratohen qindra ligje, Sali Berisha do t’ i gjejë mijëra mënyra për t’ i manipuluar ato dhe për ta shpallur vetën fitues. Sali Berisha nuk guxon të zbresë nga pushteti! Ai e di se do të ndiqet penalisht. Partitë politike duhet të marrin pjesë vetëm pasi të jetë shqyrtuar drejt përgjegjësia për të vrarët në Gërdec dhe pasi të jenë arrestuar fajtorët.
Partitë opozitare duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme vetëm nëse arrestohen hajnat e 220 milion eurove. Ato nuk i ka marrë vetëm Saliu dhe Luli, por janë ndarë në mes shumë vetave dhe, me atë shumë të madhe, mund të blihen edhe së paku njëqind vendime gjyqësore.

Partitë opozitare nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, pa u burgosur ai që dha urdhrin dhe ata që vranë katër shqiptarë jashtë oborrit të Kryeministrisë. Në komunizëm pushteti vriste njerëz dhe nuk dënohej askush, kjo nuk guxon të lejohet edhe në demokraci.

Dënimi i dashit me vdekje, duke i prerë qafën në mes të qytetit me një thikë të madhe, nuk është vetëm simbolikë, por është edhe mesazh; “ne për pushtet vrasim njerëz, kafshëve ua presim qafën në mes të rrugës dhe kështu festojmë fitoren e dyshimtë dhe vdekjen e sigurt të të parëve.” Kjo ishte arsyeja pse u spërkat me gjak të nxehtë bashkia e Tiranës. Për pushtet u spërkat me gjak shqiptari edhe rrethoja e Kryeministrisë.

Si mund të rrëzohet katraligu, Sali Berisha? Me protesta paqësore, që duhet të zgjasin më shumë se sa mund t’ i përballojë ai. Jo të drejtuar nga opozita, sepse ajo mbledhë vetëm elektoratin e vet, por nga Aleanca Kuqezi, që do ta tubonte popullin. Koloneli Myslim Pasha zmbrapsi një herë shitjen e detit. Tani, për integritetin e vendit, nuk mjafton një njeri, duhet populli. Nëse nuk pengohet kjo nismë, atëherë do të merremi me llogaritjen e dëmit apo do të kemi një kaos të madh dhe kjo do t’i kushtojë shumë popullit dhe ekonomisë kombëtare. 

Integrimin në BEE mund ta harrojmë në njëzet vitet e ardhshme. Në Ballkan dhe Europë, ka shumë njerëz, që mezi presin destabilizimin e Shqipërisë. Me këtë regjistrim, sipas urdhrave greke, destabilizimi do të jetë i përkryer! Mirëpo, ka edhe një alternativë tjetër: të flemë si deri tani, e ndoshta Saliu mëshirohet me ne e nuk i fal aq shumë tokë e aq shumë det, sa kemi frikë ne! A i meritojnë popujt qeveritë, që i kanë? Po, mirëpo me një kusht. Vetëm nëse nuk janë vjedhur votat.

Gazeta Shekulli, 409 komente, artikulli më i komentuar.... 

08.08.2011

Si financohet pushtimi i vetvetes? - Telegrafi, gazeta SOT



Revista gjermane „Stern“ njofton se në veri të Kosovës janë së paku 2000 mafioz. Atje kontrabandohet me benzinë, që kushton më pak se në Kosovë dhe Serbi. Përveç karburanteve, atje kontrabandohet edhe material ndërtimor, medikamente, drogë dhe armë, të cilat prej aty, vazhdojnë në tërë Kosovën. Sipas “Stern” banorët e saj konsiderojnë veriun si “Duty Free-Shop-in“ më të madh të Europës. 


Mafia qenka atje në gjendje sa herë të dojë të organizojë konflikte dhe se mafia shqiptare dhe serbe, bashkëpunuakan në mënyrë të mrekullueshme. Qeveria serbe paguaka 200 milion euro në vit për t’ i financuar strukturat paralele në Kosovë.


Memoria e peshkut

Peshku i detit, që quhet kocë ((lat. sparus aurata) mund të mbajë mend vetëm tri sekonda. Shqiptarët pasi u kthyen nga eksodi, akoma pa rindërtuar shtëpitë si duhet, u vërshuan përsëri nga produktet serbe. Nga materiali ndërtimor, deri edhe te produktet bujqësore. Serbia i dogji shtëpitë dhe ato tani rindërtoheshin me materialin serb. 


Bota u çudit me memorien shqiptare dhe produktet serbe, por ata nuk intervenuan. Puna më e madhe që bënë ata, talleshin me kujtesën tonë të peshkut. Politikanët kosovarë e duruan këtë. Krimi po materializohej dhe Serbia po nxirrte përfitime të majme nga vepra e Millosheviçit. Mbi 400 milionë euro në vit. Prej kësaj shume, 200 milionë ktheheshin përsëri në Kosovë për të financuar administratën paralele serbe. Me mbi 400 milion euro, Kosova garantonte mijëra serbeve vendet e punës. Nga viti 99 deri në vitin 2011 nga Kosova kanë kaluar në Serbi më shumë se 5 miliardë euro.


Deutschlandfunk, radio nacionale gjermane, raportonte nga Mitrovica. Nga një spital. Në prapaskenë dëgjoheshin vajet e fëmijëve. Mjekja serbe ankohej se pas marrjes së kontrollit kufitar, spitali kishte mbetur pa medikamente. 


Ajo ankohej se edhe ndihma e shpejt nuk mund punojë, sepse nuk kishin benzinë. Kur reporteri e pyeti pse nuk blinin benzinë nëpër pompat e shumta nëpër Kosovë dhe medikamente nëpër barnatoret shqiptare, ajo u përgjigj përafërsisht kështu: Qeveria serbe nuk pranon faturat e Kosovës dhe se ata janë të punësuar nga Qeveria Serbe dhe paguhen prej saj. Ata nuk guxojnë të blejnë nga shqiptarët.


Ultimatumin e gjeneralit Erahrd Bühler, e përkthyen shumica e gazetave gjermane si fitore serbe. KFOR u kërcënua dhe u tërhoq duke u munduar të gjejë arsyetime të qëndrueshme. 


Kështu nuk reagojnë dhe nuk gjykojnë ushtarakët. Gjenerali gjerman, nga luftërat në Ballkan, është dashur ta njohë psikologjinë serbe. Ai duhet ta dijë se atje, pos mafiozëve, janë të stacionuar edhe njësitë speciale serbe. Problemi i tij dhe EULEX-it duhet të jetë konstatimi i numrit: janë qindra apo mijëra dhe të dëbohen në Serbi. 


Tani, pasi kontrollohet kufiri, detyrë e KFOR-it duhet të jetë edhe sekuestrimi i atyre milionave që sillen në Kosovë për ta destabilizuar vendin. Dhe, ata që njohin mendësinë serbe, dinë qysh tani se Serbia do të sjellë përsëri mall në Kosovë, jo në kamion të mëdhenj, e ndalon marrëveshja,por në kamion të vegjël. Në vend se një, do të vijnë shtatë kamion.


Negociatat me Serbinë dhe detyrat e Qeverisë


Negociatat duhet të ndërpriten dhe të vazhdohen pasi Qeveria serbe të deklarohet publikisht për këto vepra kriminale të shteti serb:


vrasjen 13,500 vetave, dhunimin e 20 mijë grave, mbi 3,000 të zhdukurve dhe meqë nuk gjenden, t’ i bëhet kjo pyetje Qeverisë serbe: ku janë shitur organet e shqiptarëve? Ideja se gjatë luftës janë shitur veshkë nga shqiptarët, mund të vijë vetëm nga tregu i Serbisë dhe spitalet serbe. 


Meqenëse mbi 3000 veta nuk gjenden, atëherë ka dyshim të bazuar se organet e tyre janë shitur. Pastaj, të anulohet marrëveshja për kopjet e arkivit dhe të kërkohen origjinalet. Origjinalet e veriut i nevojiten gjeneralit Bühler për të parë se sa policë të Serbisë gjenden tani në Mitrovicë dhe të dëbohen. Të ekstradohet të gjithë politikanët serb në Kosovë, që nuk pranojnë shtetësinë e Kosovës dhe që paguhen prej Serbisë për ta rrënuar shtetin. Tadiç duhet të deklarohet edhe për 100,000 shtëpi të djegura, shkatërruara apo dëmtuara. 


Ai duhet të deklarohet edhe për deportimin e më shumë se 800 mijë shqiptarëve. Vetëm nëse Qeveria serbe dëshmon se nuk pajtohet dhe se ndjehet keq për veprat e shtetit serb, vetëm atëherë mund të nisin negociatat. Krimi nuk mund të futet në mes të kllapave. Bisedimet nuk mund të zhvillohen me një Qeveri e cila mbron veprën e Millosheviçit. 


Një Qeveri serbe, që nuk pushon me propagandë agresive kundër Kosovës, nuk mund të konsiderohet partnere për bisedime, e as e pjekur për kandidim në BEE. Bisedimet në mes qenieve njerëzore kanë një parakusht: ato mund të mbahen pasi të pranohet faji dhe të sjellë fakte të besueshme se shkëputet nga politika nacional-socialiste e Millosheviçi, që tani po zhvillohet me mjeta tjera.


Deklaratat e politikanëve serb se nuk duan luftë, janë deklarata cinike. Ata e dinë se kundër NATO-s kanë humbur luftën dhe betejën dhe çdo njeri e dinë, se Serbia, derisa të jetë NATO aty, as që do të guxonte të mendonte në një përplasje të tillë. Kjo na çon tek deklarata tjetër e politikanëve serb se : “ ata që njohin serbet mirë, duhet ta dinë se serbet nuk tërhiqen.” 


Bota dhe ne dimë mirë se serbet u tërhoqën nga Sllovenia, u tërhoqën kolektivisht nga Krajina e Kroacisë, ku kishin shpallur republikë dhe me drunj bllokonin rrugët dhe u tërhoqën nga Bosnja dhe u tërhoqën si humbës edhe nga Kosova. Ne pra, të gjithë dimë se serbet tërhiqen, por për fat të keq, jo me marrëveshje, por duke humbur betejat, për t’ i festuar nesër si fitore dhe për t’ u kënaqur pastaj në rolin e viktimës.


Qeveria e Thaçit për herë të parë pas pavarësisë, bëri politikë nacionale, e jo tallava politikë, siç ishim mësuar të shohim. Meqenëse Perëndimi nuk lejon krijimin e një ushtrie që do t’ ishte në gjendje t’ i qëndroj përballë agresionit dhe politikës serbe, atëherë të shfrytëzohet prezenca e NATO-s për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kosova nuk dëshiron asgjë më shumë se sa të kontrollojë kufijtë e saj, ata kufij, me të cilin e ka njohur Perëndimi. 


Meqenëse duket se Thaçi është bërë esëll, atëherë duhet të ndërtojë edhe “Muzeun e gjenocidit” në Drenicë dhe aty të grumbullohen, të shkruhen përjetimet nga qytetarët, të arkivohen fotografitë, filmat, gazetat dhe çdo gjë e cila duhet nesër të shërbejë për historianët. 


Një ditë Kosova duhet t’ i falë Serbisë, por me këtë muze, dëshmon se nuk do të harrojë kurrë, siç harroi dhe fali këtyre viteve edhe pa i kërkuar ndjesë Serbia. Thaçi mund ta dëshmojë se dinë të mbajë dhe qeverisë shtet nëse brenda disa muajve zhduk kriminalitetin në Kosovë. Ai mund ta bëjë këtë. Kosova është e vogël. Dhe, Thaçi njeh mirë administratën në Zvicër. 


Qeveria e Kosovës të lidhë kontratë me kohë të kufizuar me të gjithë ata që paguhen nga shteti. Brenda kësaj kohe të përjashtohen të gjithë ata që nuk janë të arsimuar për vendin që mbajnë, të gjithë ata që nuk kryejnë detyrën si duhet dhe në fund, të zhduket edhe korrupsioni. Kjo do të jetë po aq e rëndësishme për shtetin e Kosovës, sa edhe shpallja e pavarësisë. Shpallja u ndihmua edhe nga jashtë, por se dimë të mbajmë shtet, duhet ta dëshmojmë vet. Me këto do të tregonte Qeveria se e donë shtetin e Kosovës dhe shtetin ligjor. 


Shpjegim:

Atë që kërkova në gusht të vitit 2011, në vitin 2012 kishte kërkuar Isa Mustafa: Shekulli: " Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ka deklaruar dje se institucioni që drejton ka marrë nismën e krijimit të Muzeut Memorial në të cilin përmes dokumenteve, fotografive, videove inçizimeve, shkresave të ndryshme, do të argumentohet se çfarë ka ndodhur në fund të viteve ’90-të mbi eksodin masiv të popullsisë së Kosovës nga ana e forcave pushtuese serbe."


07.08.2011

Pyetje shtesë për censusin-Gazeta Shekulli


Kuvendi i Shqipërisë, ku ishin të pranishëm pesëdhjetë demokrat dhe votuan njëqind e pesë- për fat të mirë i kanë nga dy duar- miratoi sot edhe disa pyetje shtesë. (Disa deputet, që nuk ishin në Kuvend, votuan nga plazhet me sms.) Pas rekomandimeve të BEE-së, deputet u bindën se duke pyetur sa më shumë popullin, mund të ndikojë tmerrësisht shumë në rritjen ekonomike të vendit, prandaj aprovuan disa amendamente të reja. Madje, aty u konstatua se Greqia gjendet para falimentimit, pikërisht pse nuk kishte marrë kurrë në pyetje popullin e vet, siç do ta bëjë Shqipëria me dëshirën e madhe greke. Greqia ngulë këmbë për ta shpëtuar Shqipërinë nga fati i njëjtë. Krejt kjo, bëhet nga dashuria– dashuria e Patriarkanës ndaj atij që kemi pranë - nga “l’ amore del prossimo”, “Nächstenliebe”, mu si edhe në veri të Kosovës.
Por, Greqia, me të drejtë, është edhe pakëz e brengosur pas numërimit të votave në Shqipëri. Ajo ka frikë se publikimi i të dhënave mund të manipulohet, të zvarritet, prandaj Qeverisë shqiptare i ofroi ndihmën vëllazërore duke dërguar disa Pita Gorë për të numëruar shpejt, drejt, bukur, greqisht dhe sipas standardeve europiane.
Luteni të shënoni në kutinë e vockël një “x” të xixës: . Ato fletë që kanë përgjigje pozitive, do të jenë të gjitha të vlefshme, pa marrë parasysh gjendjen e tyre, sepse shprehin njohuritë, bindjet dhe botëkuptimin e popullit tonë të dashur dhe besimplotë.
Pyetësori plotësues cilësor*
1. Cili është personaliteti më i madh shqiptar që nga Pirroja në këto troje? (Duke iu përgjigjur drejt kësaj pyetje, bota do të kuptojë, sa ngushtë janë të lidhur populli dhe Partia)
Sali Berisha 20 pikë
Gjergj Kastrioti Skënderbeu 1
Edvin Kristaq Rama 0
2. A mendoni se opozita është një klub i tradhtarëve?
(Me përgjigjen e drejtë, shtetasi tregon se merr vesh në politikë dhe nuk hanë bar)
Po 20
Jo 1
Nuk e di 0
3. Pse Sali Berisha u detyrua të bëhet anëtar i Partisë së Punës?
E detyroi Enver Hoxha 20
Partisë së Punës i mungonte një gjeni 20
Iu bashkëngjit vullnetarisht 0
4. Pse Sali Berisha shiti naftë Serbisë?
Për ta ndihmuar popullin e Kosovës 20
Për t’ i ndihmuar vëllezërit Konferencës në shitje 20
Nuk e di 0
5. Kryeministri notoi deri në detin grek, që i takon ende Shqipërisë për:
132 minuta 20
131 minuta 5
130 minuta 1
6. Pse Qeveria vrau katër shtetas banditë?
(nga kjo përgjigje mund të kuptohet gjendja Juaj mendore)
Për ta shpëtuar atdheun nga armiku i brendshëm 20
Për ta parandaluar grusht shtetin nga tradhtarët e kombit 20
Nuk e di 0
7. Pse Dashi dha jetën e vet?
Nga gëzimi për Lulin: me gjak u fitua, me gjak jepet 20
Nga dëshpërimi pse humbi Kristaqi 0
Nuk e di 0
8. A keni menduar ta ndryshoni religjionin?
(Kjo na sjellë numra të qartë për të parë edhe sa shtetasve Greqia u ka borxh)
Po 20
Jo 1
Nuk e di 0
9. Çfarë pozite seksuale preferoni?
(Këto i duhen Qeverisë për dizajnimin e krevateve të rinj europian)
Horizontale 20
Në këmbë 5
Seksi nuk më pëlqen 20
10. A përdorni prezervativ gjatë aktit seksual
(Këto i duhen Qeverisë për ta rritur zhvillimin ekonomik dhe hapjen e fabrikës së re)
Po 20
Jo 5
Nuk e di 1
11. Sa partnerë/e keni pasur para bashkëshortësisë?
(Këto i duhen Qeverisë për ta rritur zhvillim e ekonomik dhe për ta kuptuar sa herë
shqiptari merret në nishan nga Kupidi. Nëse Kupidi ka bërë masakra, Qeveria do t’ ia ndalojë hyrjen)
3, 20
5, 15
Asnjë 1
Nuk e di 0
12. A keni tradhtuar në jetë?
(Këto i duhen Qeverisë për të hyrë më shpejt në BEE dhe për t’ i kuptuar hormonet e popullit,
respektivisht për të konstatuar nivelin e oksitocinit (ndryshe, hormon i besnikërisë) tek shqiptari
Po 20
Jo 1
Nuk e di 0
13. A përdorni viagra?
(Qeveria po negocion me Feridi Muratin, me shqiptarin që drejtoi botën mashkullore dhe e
ngriti peshë, për të hapur një fabrikë në Viçidoll. Qëllimi: kthimi dinjitetit burrave të vyshkur)
Po 20
Jo 1
Nuk e di 0
14. Ku ju pëlqen të bëni seks?
(Qeveria ka ndërmend të shtrijë dyshekë përjashta për ta rritur komoditetin
e popullit dhe me këtë, shtohen edhe vendet e punës në prodhimtari)
Në natyrë 15
Në plazhet greke 20
Nuk e di 0
15. Me cilin religjion mund të fitosh pension ose lekë në Shqipëri?
Me ortodoksinë 20
Me myslimanizmin 20
Me katolicizmin 0
16. Sa herë në ditë gënjeni?
(Këto i duhen Qeverisë për të kuptuar se sa është kompatibël populli me udhëheqësin)
Tre herë 1
Pesë herë 10
Më shumë se pesë herë 20
17. Pse Janutallosi është personaliteti i madh?
Reformoi Kishën Shqiptare 20
Mbushi me vetëdije kombëtare shqiptarët në jug 20
Nuk e di 0
18. Pse adhuroni Shqipërinë multietnike?
Pasuron shtetasit shqiptarë 20
Flet për bujarinë dhe mikpritjen shqiptare 20
Nuk e di 0
19. Ku ka pasur seks Edvin Kristaq Ramma?
Në semafor 20
Në Stadium 20
Nuk e di 0
20. Çka do të ndodhte me Shqipërinë pa birin e popullit Sali Berisha?
Nuk do të ekzistonte më si shtet, do ta pushtonte Greqia 15
Shqipërisë do t’ i ndalohet hyrja në BEE dhe përjashtohet nga NATO 10
Do të ndodhin vërshime, tërmete dhe Ballkani do të zhduket 20
0-20 pikë
Nëse Ju keni fituar 20 pikë apo më pak, atëherë ju keni pasur fatkeqësinë të lindeni pa identitet shqiptar dhe keni defiçencë kongjenitale. Kjo mund të kuptohet lehtë. Mjafton t’ i pyesni nënat. Nëse keni qarë menjëherë pas lindjes, atëherë ju keni bërë këtë pse keni lindur në këtë vend, që nuk e doni, nuk e vlerësoni dhe nuk kemi mëshirë për të afërmin. Ju jeni njerëz pa dinjitet, të pafytyrë, nuk adhuroni seksin, nuk adhuroni detin Jon, e urreni naftën,shani Ferid Muratin, jeni të pa fe, nuk kuptoni pozitat seksuale, nuk kuptoni mikun dhe armikun, nuk dini çka është patriotizmi, urreni natyrën, urreni plazhet dhe nuk bëni seks jashtë vetëm për ta dëmtuar ekonominë e vendit dhe aderimin në BEE. Ju jeni paranoid, labil dhe me probleme të mëdha perceptimi. Ju jeni të pa Zot! A mund t’ ju jap unë Zot? Jo! Dokumentet për maskarallëqet tuaja, i kam unë. Kush e di se ku punojnë gratë tuaja dhe motrat?! Ju duhet të ekstradoheni se dëmtoni atdheun e shqiptarëve...
20-200 pikë
Ju akoma nuk keni kuptuar mirë botën dhe lekun, që ndikon në hormonet tona. Ju jeni mirëpo në rrugë të drejtë dhe mund të korrigjoheni. PD është e hapur për ju dhe për riedukimin Tuaj!
Mbi 200 pikë
Ju jeni qenie e përkryer. Ju mund të bëheni menjëherë anëtar të PD-së. Ju kur keni lindur nuk keni qarë, por keni buzëqeshur se u lindët në vendin e shqiponjave dhe keni prejardhjen prej saj, pra, prej shpendit grabitqar, ndërsa, ata me më pak se 20 pikë kanë origjinën prej majmunit dhe duhet të banojnë në lisat e Saharës. Ju jeni njerëz që keni lindur me identitet. Fjalën e parë që keni pëshpëritur disa sekonda pas lindjes, menjëherë pas buzëqeshjes, ka qenë: “Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar”, dhe ja ku e dëshmoni me këto përgjigje të sakta, madhështore. Dhe ja, unë ua certifikoj këtë emër plot nder. Ju jeni shqiptar i ndritur!
Ju, me këto pikë, lajmërohuni në degën më të afërt të PD, më merrni mua në telefon apo Lulin. Ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundur të fitoni një vend të punës. Nëse ne nuk mund t’ju ndihmojmë, do ta lusim Zotin ta bëjë këtë për neve. Zoti ndihmoftë Qeverinë dhe i theftë qafën opozitës staliniste, komuniste dhe revizioniste!
*Sqarim i Kryeministrisë:
Ata që nuk shohin, ata që kanë probleme psikike, të penguarit, ata që nuk kuptojnë rëndësinë e këtij regjistrimi dhe ata që nuk kanë kohë, për 200 lekë mund ta marrin formularin e gatshëm, të plotësuar dhe të firmosur. Qeveria është zotuar se do marrë në pyetje shqiptarin, kudo që ta gjejë, edhe atë, në çdo skutë të vendit. Obligimi duhet kryer me suksese dhe është punë madhore. Ky regjistrim është synimi më madhor dhe më fisnik i Qeverisë për t’ i dhënë shqiptarit Zot, edhe atë falas, pa paguar ndonjë taksë hyjnore. Garantuese për këtë është Patriarkana dhe Konferenca.
Gazeta Shekulli