28.11.2011

Ai ishte Zogu mbret? Gazeta SHEKULLI


Mik i dashur,
Bertolt Brecht shkruante:“ Gjithë pushteti buron nga populli – por ku shkon ai?” dreqi ta hajë. Tek ne pushteti shkon nga edhe ka ardhur. Herë në Beograd, herë në Athinë, herë në Romë, së fundi edhe në Ankara. Krejt varet se cila qendër na e gozhdon në karrige një politikan. Ndonjëherë edhe dy qendra së bashku. Ju reaguat pas mendimit tim, ku shkrova te një mike në “fb” vetëm këtë fjali: “Zogu nuk është mbret.” 

Më kundërshtuat me email, privatisht, prandaj edhe nuk po përmend emrin Tuaj, por nga respekti për titullin, që kishit shënuar në fund, jo edhe pa arsye, po ju përgjigjem publikisht. Jo nga perspektiva e një historiani, por e një njeriu të rëndomtë, që përpiqet ta kultivojë një shqisë dhe ndjenjë drejtësie, duke u bazuar vetëm në veprat penale të politikanëve, vepra që duhet t’ i dijë çdo njeri i zakonshëm, madje edhe një doktor i shkencave.

Ta zëmë se Ibrahim Rugova është akoma president i Kosovës dhe ta zëmë se ime motër, pas këmbënguljes time, martohet me Rrahman Morinën, bashkëpunëtorin e madh të Millosheviçit. (Shembujt e sotëm më shërbejnë për ta bërë të qartë peshën e çështjes, ecurinë dhe gjykimin tonë aberrativ ndaj personaliteteve negative historike si dhe rehabilitimin e tyre pa u pas penduar, rrjedhimisht pasojat në shoqëri deri më sot...)

Nejse, të vazhdojmë: Millosheviçi më ndihmon me para dhe unë grumbulloj rreth meje shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Serbia na armatosë mirë dhe unë zotohem se nuk do të interesohem për shqiptarët atje, se do të vrasë patriotët e intelektual shqiptarë, si për shembull: Adem Jasharin, Thaçin, Adem Demaçin etj. Përveç kësaj, zotohem me shkrim se do ta pranojë pushtetin serb dhe do të punojë për integrimin e Kosovës në Serbi. Me cuba shqiptarë apo mercenarë serb e rus, unë futem në Kosovë dhe rrëzoj Qeverinë demokratike të Rugovës.

Meqenëse unë futem me ndihmën e Millosheviçit, unë meritoj ekzekutim apo burg të përjetshëm për tradhti të madhe ndaj atdheut dhe për puç. Kapërcimi ilegal i kufirit me një bandë cubash të armatosur, mund të jenë akuza shtesë.

Në një vend normal, të shëndoshë nga ana mendore mendoj, këtu do të përfundonte karriera ime politike, por, meqenëse populli im nuk bënë dallime semantike në mes patriotizmit dhe tradhtisë, unë përpunoj, zhvilloj dhe rris ambiciet e mia dhe zhvilloj lakminë për pushtet të përjetshëm. Nga frika se një ditë më rrëzojnë kosovarët e mi, unë me ata cuba dhe shërbëtorë të Millosheviçit që u futa brenda, organizoj edhe shpalljen time mbret dhe kështu i siguroj vetes të drejtën absolute dhe serike të pushtetit: domethënë edhe kalimin e kësaj prone private në duar e pinjollëve të mi. 

Unë falënderoj Millosheviçin për ndihmën dhe katapultimin tim në fron mbretëror dhe i fal Mitrovicën me rrethinë Serbisë. Ky është çmimi i parë i fronit, pa llogaritur edhe të vrarët për ta marrë pushtetin...
Këtu konsumohet akti i tradhtisë së lart i sanksionuar në çdo kushtetutë të shteteve tokësore dhe cenohet sovraniteti i vendit për përfitim vetjake, si pasojë e lakmisë sime të sëmurë. Në një vend normal, të shëndoshë nga ana mendore mendoj, nëse jo pas puçit, këtu do të përfundonte karriera ime politike: Cenimi i sovranitetit të vendit!

Edhe spiunit serb Rrahman Morina, i jap një post ministri. Pasi të shpallem mbret i Kosovës, unë betohem se do ta mbrojë atdheun dhe do të punojë për të mirën e tij. Natyrisht për ta arsyetuar veprën time, puçin dhe blerjen e pushtetit me troje shqiptare, unë përpiqem të bëjë edhe diçka për popullin, që i hipa në qafë me armë dhe me ndihmën e Serbisë. Unë di se nuk rrihet në pushtet duke qenë kundër popullit, por vetëm duke vrarë e dëbuar nga vendi ata shqiptarë, që i sulen fronit dhe që mund të organizojnë popullin. Natyrisht se krijoj edhe një administratë sepse përndryshe bota nuk do të më konsideronte Mbret i Shqiptarëve, por Cub. Po, pse i shqiptarëve? I shqiptarëve sepse me ndihmën e atyre, që nuk i kam nën pushtetin tim, u bëra mbret!

Shtetin tim do ta pranojë fqinjët, mirëpo jo të Nolit. Noli nuk i konvenon Ballkanit, unë po! Noli ishte tepër i madh për Ballkanin e vogël. Shumë i mençur për Ballkanin primitiv. Ortodoks me besim, por vendet fqinje ortodokse nuk do ta pranojnë shtetin e tij, por do ta pranojnë timin, sepse vija nga një familje bejlerësh...

Çdokush që synon rrëzimin tim, është tradhtar i kombit, puçist dhe kundër shtetit tonë, i them popullit. Merre me mend zoti doktor i shkencave, edhe pse unë kam falur troje, e them këtë! Unë tradhtari, patriotët e vërtet i quaj tradhtarë! Në fakt, ata që dëshirojnë rrëzimin tim, janë vetëm kundërshtarë të mi, patriot e idealist, por unë për ta siguruar pronësinë e shtetit, e trishtoj atë se kundërshtarët e mi janë tradhtarë, pa marrë parasysh kush janë: Adem Jashari, Rugova, Thaçi apo Demaçi. 

Konceptit të lakmisë sime të sëmurë i shkojnë për shtat ngatërrimi semantik i patriotizmit dhe tradhtisë, sa të shkrihen deri në mosdallim në mes vete. Këtu arrijmë tek mendimi i shkrimtarit austriak Karl Kraus i cili thotë:“ Disa gjëra janë aq të rrejshme, sa edhe e kundërta e tyre nuk është e vërtetë!” Ngatërrimi është i përkryer dhe ja pse tek ne e kundërta e rrenës është përsëri rrenë. Dhe, e kundërta e tradhtisë është tradhti, e jo patriotizëm, si kudo në botë!

Megjithëkëtë, të vazhdojmë me veprat e mia penale. Sapo të sulmojë ushtari i parë i huaj atdheun tim shumë të dashur, unë arratisem për ta shpëtuar familjen time, duke lënë popullin në luftë pa udhëheqës dhe pa mbrojtje. Në një vend normal me mendje të shëndoshë mendoj, edhe këtu do të kishte përfunduar karriera ime politike dhe do t’ isha dënuar për shkak dezertimit: me ekzekutim apo burg të përjetshëm. Unë jo vetëm që dezertoj para se të marrin vesh ushtarët e mi sulmin, por duke konsideruar veten mbret, më duhen edhe shumë lekë për ta mbajtur oborrin tim gjallë dhe çka bëj unë? Unë vjedh floririn e atdheut, që më mbajti si mbret dhe ia mbath, ku sytë, edhe këmbët. 

Këtu konsumohet akti i vjedhjes kriminale duke zbrazur arkën e shtetit. Edhe pse mbret i vendit, i betuar, unë do ta shikoj luftën në televizor me plane të reja për ta rrëzuar qeverinë sapo të çlirohet vendi. Fqinjët mirëpo, nuk do të tregojnë interes të më sjellin përsëri në fron, sepse mua më pason një tjetër, që u konvenonte atyre dhe me ndihmën e tyre u ngrit dhe u gozhdua në karrige si diktator.

Këtu doktor i dashur thjeshtësova historinë gati deri në banalizim, me shembuj aktual për të kuptuar nocionin tradhti edhe doktorët si Ju. Tradhtia është tradhti dhe nuk mund ta zhbëjnë veprat e mira aty këtu. Sepse unë para se të bëhem mbret, isha vrasës, puçist, vasal i huaj dhe derisa posedoj titullin mbret, bëhem edhe dezertor, edhe hajn.
Sikur ne të ishim një vend normal, me aftësi gjykuese të shëndosha, atëherë nga pasardhësit e mi të pafajshëm, do të kërkohej së paku floriri i vjedhur. Nëse Tirana nderon me një rrugë Ahmet Zogun, është për t’ u tmerruar pse nuk nderohet edhe spiuni i Serbisë Ceno Kryeziu( Cërnoglaviç) dhe Nikola Pashiçi me një bulevard, që na prodhoi një mbret! Edhe Esat Pashë Toptani duhet nderuar nga familja e së cilit vinte nëna e mbretit Zog. 

Edhe ai kishte ndërmend t’ i falë Serbisë veriun, kurse jugun Greqisë. Zotimi ndaj mbretërisë së Karagjogjerviqëve, puç me një bandë tradhtarësh, vrasje e patriotëve shqiptarë, dezertimi, vjedhja e arkës së shtetit, nuk janë çështje botëkuptimi dhe pikëvështrimi, por fakte që i ka prodhuar “mbreti”, që Ju adhuroni. Veprat kriminale, nuk mund t’ i zhbëj askush, sepse ai i ka prodhuar vet. Me vetëdije dhe me pasion të sëmurë ndaj pushtetit dhe karrierës. Pajtimi me ato vepra, është krim. Injorimi i atyre veprave kriminale, është pajtim me tradhtinë dhe ngatërrim i normave morale.

Nderimi i Zogut me një rrugë, flet edhe për Qeverinë e sotme shqiptare. Nuk mund të nderohet Noli, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Hasan Prishtina, e Ahmet Zogu, sepse këta nuk mund të futen në një kallëp. Ose të parët janë patriot, ose i dyti. Ose të parët janë tradhtarë, ose i dyti. Së bashku nuk shkojnë. Në asnjë shtet të botës nuk mund të gjenden rrugë, ku bartin emra të tradhtarëve. Propozimi për këtë emërtim, aprovimi i tij nga administrata e qytetit, flet për gjendjen tonë psikike. 

Flet për ata që sundojnë sot vendin. Për ata që sundojnë, sepse këta nuk qeverisin, por manipulojnë dhe dominojnë. Jo vetëm kjo, por dëshmon edhe për ata që shëtisin nëpër këtë rrugë dhe lexojnë për ditë emrin e atij, që kërkoi azil politik në Jugosllavi dhe me kunatin e vet Ceno Kryeziun, sulmoi atdheun.

Një vend që nderon një personalitet të tillë negativ, nuk mund të jetë normal, as natën e as ditën, as kur është duke fjetur, as kur është i zgjuar. Ai popull është në vegjetim e sipër. Aty ku nderohen njëlloj si patrioti, po ashtu edhe tradhtari, është e pamoralshme të flitet për norma morale. Apo për etikë në politikë. T’ i flasësh në ndërgjegje atyre që arsyetojnë nderimin e tradhtarëve, është e njëllojtë sikur të shkohet në shtëpi publike dhe të thuhet kjo: “Zonja të dashura, ju duhet të bëni punë tjetër. Ajo që bëni është e pamoralshme...” Akoma pa përfunduar fjalimin, ato na gjuajnë me sytjena, brekë e çizme të gjata. E pse sillen ato kështu?

Ato preken në sedrën e tyre. Ato do ta quajnë punën e tyre të moralshme dhe në dobi të kombit. Ato do të thonë se duke ofruar shërbime horizontale, ndikojnë në rënien e dhunimeve seksuale. Se ato po sakrifikohen për të mirën e kombit, se e bëjnë këtë vetëm për të mirën publike dhe për ruajtjen e paqes. Dhe, do të thonë edhe këtë: “Ne nuk jemi kurva, por kurva janë ato që e japin falas! ( Tradhtarë nuk janë tradhtarët, por patriotët). E çka nuk do të thonë tjetër gratë në shtëpinë publike zoti doktor i shkencave për ta përligjur punën dhe veprat e tyre të ndershme. Dhe, kur të dalim jashtë, kuptojmë se me rënien eventuale të dhunimeve, ato vërtetën bëkan punë të moralshme, patriotike edhe atë, duke flijuar trupin?! Deliri. Vjen pastaj një politikan shqiptarë dhe i shpallë ato Mic Sokola!

Pra, tradhtari në politikë sakrifikohet për kombin, aq sa flijohet një grua e përdalë për atdheun, doktor!

Ministri i Mbrojtjes në Gjermani dha dorëheqje për plagjiaturë në doktoratën e tij. Politikani duhet të jetë i padamkosur, thjesht i padamkosur dhe shembull i së mirës, i moralit dhe qëndrimit korrekt, jo shembull i maskarait, i hajnit, i tradhtarit dhe i vrasësit. Karl-Theodor zu Guttenberg u dënua me një gjobë prej 20.000 €, që duhet t’ ia falë një organizate që lufton kancerin tek fëmijët, edhe atë për 23 pasazhe të vjedhur, ku kishte cenuar të drejtën e autorit. Çfarë dënimi ka paguar Zogu për puçin, vrasjen e qindra vetave, cenimin e integritetit të vendit, dezertimin, vjedhjen e arkës dhe bashkëpunimin me vendin që kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare?

Politikani që ka një episod negativ në jetën e vet, ku shquhet tradhtia, vrasja, vjedhja, nuk mund të jetë shëmbëlltyrë për kombin. Kur një politikan vret vetëm një njeri padrejtësisht, ai është vrasës, kriminel, edhe nëse nesër bëhet doktor i shkencave. Një njeri është tradhtar, edhe nëse fal një metër të atdheut pa pajtimin e popullit, edhe nëse nesër bëhet kryetar apo kryeministër. Një njeri është dezertor, edhe nëse është mbret. Historia as nuk guxon t’ i harrojë veprat negative, as t’ i zbukurojë ato, sepse kjo neglizhencë, prodhon tradhtarë të rinj në pushtet. Siç kemi edhe sot...

Këto ishin arsyet e mia mik i dashur dhe më habit edhe një: Pse adhurojmë personalitete që dëmtojnë Shqipërinë? Është në pyetje injoranca jonë e madhe, oportunizmi, paaftësia e ndarjes së patriotit nga tradhtari apo patriotizmi folklorik apo parapëlqejmë despotizmin rural? Apo pse ne gjykojmë kështu: “Gjarpri që nuk më pickon mua, jetoftë 100 vjet!” Unë mendoj se kjo e fundit vlen për ne, por edhe për një arsye: neve na pëlqejnë krenaritë boshe dhe të rrejshme. Neve na pëlqen ta gënjejmë veten, injorojmë aq shumë vepra penale, sepse na eksiton iluzioni se duke pasur mbret, bëhemi disi anglez, prandaj aleluja për atë gjarpër. Ai nuk na ka helmuar neve, por të tjerët...

Faktet e numëruara, nuk janë gjykim komunist i historisë, por tradhtia është tradhti, edhe në feudalizëm, edhe në monarki, edhe në komunizëm, edhe në demokraci dhe edhe aty ku jetohet akoma në struktura fisnore dhe ku nuk ekziston një ngrehinë qeverisëse si shteti. Kur Gjermania fashiste sulmoi monarkitë tjera në Europë, asnjë monark nuk dezertoi. Arsyetimin e tij se nuk kishte armatim për rezistencë, e rrëzoi pasuesi i tij, diktatori Enver Hoxha.

Nëse nxënësit tanë mësojnë në shkollë se Zogu ishte i mirë, e jo siç e meriton në bazë të veprave të veta, atëherë ne nuk kemi historian, por njerëz që shkruajnë përralla, ku edhe tradhtari glorifikohet. Me libra të tillë, edhe në 100 vitet e ardhshme do të prodhojmë vetëm tradhtarë në krye të qeverive, sepse ne nuk jemi në gjendje të dallojmë me mes tradhtisë dhe patriotizmi, ne mes ditës dhe natës, moralit dhe pamoralit, Shtëpisë Publike dhe Qeverisë. Ja pse politikanët tanë i ngjajnë shumë plehut. Mund të ketë dobi anësore, por askush nuk duhet ta durojë në shtëpi. Ali Podrimja në poezinë e tij “Ti dhe dielli” thotë: “Me Plehun mos u pajto: nxirre në gjysmë të natës, në pikë të vapës..!” Ne mirëpo kemi një shprehi të keqe. Ne i mbyllim hundët dhe shtiremi se nuk po e shohim dhe bashkëjetojmë me të.

Summa summarum: Kush ishte Ahmet Zogu? Ai ishte karrieristë i paskrupullt, tradhtar, dezertor, vrasës, hajn, copëtues i vendit dhe punoi vetëm për veten. Vendimi i gjykatës jo në emër të popullit, sepse populli nuk brengoset shumë për këtë, por në emër të drejtësisë: pesë herë burg i përjetshëm! Po e vërteta? Ai shpërblehet. Në Tiranë ka një rrugë që quhet “Rruga e Ahmet Zogut!”

Ky vështrim u nisë me Bertolt Brecht dhe ta mbyllim me gjykimin e tij: “ Kush nuk e din të vërtetën, është njeri torollak. Mirëpo, kush e di këtë, por e quan gënjeshtër, ai është kriminel!” Qëndrimi jonë injorues dhe përkëdhelës ndaj plehut, ka ndihmuar në prodhimin e diktatorit, pastaj edhe të despotit...mirëpo kush ishte Enver Hoxha? Këtë lexoni herën tjetër tek Shekulli.

---
Më shumë nga Lis Bukuroca:




----------------------------------------------------------------------------------------------
Marrëveshja e Zogut me Nikola Pashiqin

Në atë link mund të merrni njohuri të reja mbi Zogun, Pashiqin, Ceno beg Kryeziun dhe Esat Pashë Toptanin: Trekëndshi me lidhje fisnore: Nëna e Zogut nga familja e Esat Pashës, motra e Zogut martohet me Ceno Beg Kryeziun, që të tre në shërbim të huaj dhe prej aty ka marrë tatëpjetën kombi. Që të tre tradhtarë. Edhe një fakt, që të tre bejlerë!
„- Beogradi më ka shkatërruar, por unë betohem në atë, që është më e shenjtë, betohem në eshtrat e babait tim, se kundër Beogradit kurrë nuk do të veproj.“ Ceno Kryeziu
ZOGU-PASHQI, Marrëveshja
"1. Shqipëria impenjohet t'i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.

2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njoh dinastinë Karagjorgjeviq.

3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njoh Ahmet Zogun si kryetar shteti ...dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.

4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.

5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.

6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rus të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.

7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerët jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve.

8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve. 9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.

10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.

11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe të bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare, do të varet nga ajo Jugosllave.

12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.

13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.

14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t'i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.

15. Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.

16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve".) ( Shyqri Hysi: Marrëveshja Nikolla Pashiç - Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924 )….




19.11.2011

Po,po - Charles Bukowski

kur zoti krijoi dashurinë nuk na ndihmoi shumë
kur zoti krijoi qentë nuk ndihmoi shumë qentë
kur zoti krijoi bimët qe një gjë normale
kur zoti krijoi urrejtjen na dhuroi një gjë normale të dobishme
kur zoti më krijoi Mua më krijoi Mua
kur zoti krijoi majmunin ishte duke fjetur
kur krijoi gjirafën ishte i dehur
kur krijoi narkotikët ishte në pikë të qejfit
kur krijoi vetëvrasjen ishte në tokë
kur të krijoi ty shtrirë në krevat
dinte se çfarë po bënte
ishte i dehur e në pikë të qejfit
dhe krijoi malet dhe detin dhe zjarrin
në të njëjtën kohë
bëri disa gabime
por kur të krijoi ty shtrirë në krevat
bëri krejt Gjithësinë e Tij të Shenjtë

Charles Bukowski, nga gjermanishtja Lis Bukuroca

Libra fizikë nga Lis Bukuroca te amazon
Libra elektronikë

08.11.2011

Qeveri të tilla idiokratike...gazeta Shekulli


Revista”Spiegel” para disa muajve pat intervistuar blegtorë grekë, që kishin vjedhur subvencione europiane. Ata për kokë bagëtie merrnin ndihma nga fondet e Europës. Grekët kishin bartur delet nga stalla në stallë dhe kështu kishin arkëtuar të gjithë. Reporteri i pat shtruar këtë pyetje: kur do të bëheni europian? Blegtori grek, i cili këtë nuk e konsideronte vjedhje, por marrje, i pat thënë se brezat e rinj do të europianizohen...
Një reporter i televizorit pyeti në një treg të Athinës pse shitësit nuk kishin edhe arkë, ku regjistroheshin hyrjet. Tregtari grek iu përgjigj kështu:”Kur bie shi, arka mund të laget dhe prishet, prandaj nuk e përdorim...”
Televizori gjerman njoftoi se në Greqi punojnë 4 milion njerëz dhe një milion prej tyre janë të punësuar nga shteti, nëpër administratë. Nëse në Greqi janë edhe 1 milion pensionistë, atëherë dy veta punojnë për dy veta që nuk punojnë.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung njoftonte se në Greqi në vitet e shkuara, janë harxhuar 8 miliard euro për pensionet e grekëve të vdekur. Shihet se Greqia nuk kujdeset vetëm për grekët e gjallë të Shqipërisë, por edhe për ata në botën tjetër. Nuk kanë faj, ndoshta në botën tjetër pagat janë më të vogla apo paguhen me drahma e grahma.
Sipas gazetës gjermane “FAZ” 9000 grekë me më shumë 100 vjet, marrin akoma pensione. Kjo është shifra më e lartë në UE e mbi 100 vjeçarëve. Sikur të vazhdohej me këtë ritëm, atëherë pensionistët grek do të hiqnin dorë nga vdekja. Nuk kanë faj. Në Ballkan vjedhje konsiderohet vetëm nëse thyhet dera apo dritarja, jo nëse shteti të dërgon në bankë.
Nëse falimentojnë bankat greke, do të tërhiqet pas edhe Rumunia e cila po furnizuaka me kapital të freskët nga bankat greke. Ky është Unioni Europian sot. Kur nisë ndërtimi i shtëpisë nga kulmi, atëherë edhe shembet: fuqia e gravitacionit! Monedha e njëjtë, sisteme të ndryshëm financiare dhe ambasada akoma nëpër shtete pa kufij ndërmjet vete. UE!
Shumë ekonomistë gjerman mendojnë se Greqia duhet përjashtuar nga Unioni Monetar. Shefi i Bankës Gjermane e kundërshtoi këtë sepse mund ta bëjnë pastaj edhe vendet tjera: në rrezik janë: Portugalia, Spanja dhe Italia e Berlusconit. Spanja ka gati 5 milion të pa punë, 22%. Tek brezi i ri papunësia arrin në 45%.
Papandreu propozoi referendum. Nuk i shkoi mendja fare se Gjermania mund të bëjë referendum se a duhet të bëhet dorëzanë për miliarda greke. Grekët kanë falimentuar, por protestat nuk pushojnë dhe kërkojnë pagat e njëjta dhe shpresojnë se këto duhet t’ ua falë dikush tjetër, e jo të paguajnë tatime... Ata punonin më pak se 11 muaj, por merrnin 14 paga!
Mos të gëzohemi me krizën greke, sepse qeveri të tilla idiokratike kemi në tërë Ballkanin. Ballkani është duke krijuar një aristokraci si kishte Europa në shek. XIX dhe për këtë i duhen para nga jashtë. Aristokratët tanë, si edhe tani grekët e pasur, i dërgojnë lekët përsëri jashtë: në Zvicër do të ruhen ato.
Gazeta Shekulli

05.11.2011

Saliu në pranga, gazeta Shekulli


Sikur të ishte ky lajm i vërtetë, shumë njerëz do ta pranonin si lajm objektiv dhe të drejtë. Madje, edhe lajm të shumëpritur. Do të numëroheshin të bëmat e tij dhe do të thuhej: “Drejtësia erdhi ngadalë, por megjithatë, erdhi edhe në Shqipëri!” Disa, me të drejtë do të pezmatoheshin se ajo u vonua tepër, mirëpo edhe këta do t’ ia falnin pafuqinë drejtësisë shqiptare, sepse gjykata nuk mund të arrestonte Kryeministrin, ashtu si nuk mund ta arrestojnë italianët Berlusconin. Ashtu si nuk mund të arrestohej: Zogu, Enveri apo Gadafi.

Noli nuk e rrëzoi Salep Sulltanin me shkrime e poezi; as dallkaukët e kopukët, e as Edi Rama nuk mund ta bëjë këtë me artikuj e libra. Në demokraci duhet përfituar edhe ata që nuk lexojnë. Shumicën.
Çdo njeri që ka dy palë mend në kokë, që kupton demokracinë, do ta dinte qysh nga dita e arrestit, se ai do të dënohej me burg të përjetshëm. Kryeakuza do t’ ishte: Tradhtia kombëtare, në disa raste. Cenimi i sovranitetit të vendit. Cenim i interesave kombëtare. Shembja e shtetit dhe vrasje me paramendim. Vrasje në masë dhe shkatërrim të ekonomisë kombëtare. Pastaj shpifje, denigrim, mashtrim, kërcënim dhe shantazh, në mes të tjerash.
Pas arrestit, do ta braktisnin gati të gjithë. Të parët ata që e përkrahin vetëm nga dobia vetjake. Të dytët, ata që e nderojnë nga frika. Ky do t’ ishte çasti kur do të distancoheshin nga ai, edhe ata që i rrahin supet sot dhe mburren me të. PD-ja do të niste vlimin, gurgullimën dhe do të derdhej në disa drejtime. Këtë do ta përjetojmë dhe këtë film do ta shohim. E pasigurt është vetëm data tani për tani. Jo ngjarja.

Fakti mirëpo është ky: Saliu ka treguar aq shumë pasion e dashuri për ta mbajtur pushtetin, aq shumë egërsi, aq shumë arrogancë, aq shumë kërcënime e shantazh, aq shumë barbarizëm e rrugaçëri, aq shumë gatishmëri për dhunë, aq shumë finokëri, sa çdo shqiptarë ka marrë vesh se ai mund të rrëzohet vetëm me kryengritje. Si u rrëzua edhe Gadafi. Kjo mirëpo do t’ i kushtonte shumë vendit dhe do të përjetonim një luftë qytetare, që askush nuk mund ta dëshirojë apo rekomandojë. Këtë e ka kuptuar edhe opozita dhe duket se në heshtje është pajtuar që Sali Ram Berisha të perëndojë në karrige. Ky racionalizëm i opozitës shqiptare, kjo parimësi, ky pragmatizëm, i levërdisë Sali Berishës dhe ka punuar pikërisht për këtë gjendje: Trishtimin e kundërshtarëve politik dhe i ka disiplinuar dhe varrosur për së gjalli. Në Itali kjo kllapi dhe neglizhencë, kjo heshtje para krimit, quhet “Omertà ”.

Ai edhe në zgjedhjet e ardhshme do t’ i vjedhë votat. Nuk ka asnjë arsye të mos e bëjë këtë. Nuk është aspak reale të mendohet se sa më shumë që mplaket, aq më shumë urtësohet. Truri nuk thyen rekorde, siç mund të thyhen në not me muskuj, i shoqëruar me sekundantët e vet. Nuk i ka vetëm ky fajet për narcizmin e tij patologjik, por edhe klani i tij, që i mbushë mendjen se është i pazëvendësueshëm.

Ndihmë për ta kuptuar ardhmërinë e vendit dhe Berishës, mund të ofrojnë disa plaka që dinë t’ i lexojnë filxhanët e kafeve dhe pastaj t’ i rekomandojnë opozitës ecurinë e tutjeshme. Nëse edhe ato tuten dhe refuzojnë të merren me parashikime të tilla, apo opozita nuk pranon udhëzimet e plakave, atëherë prijësit e partive opozitare, duhet të mbyllen në klauzurë, siç izolohen murgeshat. Ndoshta në këtë mënyrë mund të ushtrojnë më shumë ndikim në politikë, se sa tani. Për ta evituar boshësinë eventuale në pushtet, le të mbetet jashtë Kreshnik Spahiu.
Ndërkohë prijësit e opozitës të futen në : Xhami, kishë, teqe, sinagogë dhe në faltore budiste, nëse ka, dhe aty le të luten për largimin e Berishës. Ndoshta Zoti apo Zotërat nga trysnia e lutjeve, mëshirohen dhe dërgojnë një engjëll apo një djall, që i imponon Saliut një pasion tjetër në jetë, si noti për shembull Olimpiadat. Dhe, le të notojë në detin grek, që sipas tij, padrejtësisht i takon ende Shqipërisë. Opozitarët të mbeten në klauzurë, deri sa të vijë lajmi, se u realizuan dëshirat e tyre...Më shumë, jo!

Kur shikohet në “youtube” si merrte në pyetetje Enver Hoxha, Kadri Hazbiun dhe kur shikohet si flet Saliu për opozitarët dhe jetën e tyre private, atëherë mund të konstatohet se Enveri ka lënë pasardhësin e denjë, madje, edhe më të denjë se Ramiz Alinë. Komiteti Qendror ngrihet dhe duartroket pas çdo kërcënimi, kështu vepron edhe Komiteti Qendror i Partisë Demokratike. Enveri nuk duronte kundërshtarë, por vetëm pakurrizorë rreth vetes. Sot zvarranikë të tillë kemi në PD, por me emra dhe mbiemra tjerë. Janë zëvendësuar aktorët, por skenari është po ai. Ka dhe një dallim të vogël: Ata ishin idealist. Ata krenoheshin me idealet e tyre dhe varfërinë. Këta janë materialist. Këta mburren me mashtrimin, me makiavelizmin e tyre dhe pasurinë!

publikoi: Shekulli,(53 komente) Gazeta C, Revista Drini (5 komente),zemrashqiptare, 19 komente




03.11.2011

Patologjia e polemikes


Realiteti i shpërfillur i R. Qosjes dhe gabimet mbi të cilat ndërtohet një mllef përbuzës

Mendimi i R. Rolanit nuk është cituar vetëm për të arsyetuar procedimin e të menduarit, por i jepet edhe detyrë sugjestive. Nëse R. Rolani mendon ashtu, kështu mendon edhe akademik R. Qosja, atëherë kush nuk gjykon si ata, e ka gabim; kur mendohet kundër të gjithëve, atëherë luftohet për të imponuar ankthshëm diçka, duke qenë i bindur se të gjithë e kanë gabim! Si tufë!
Për ata që nuk u përkulën para sugjestionit dhe autoritetit të parë, pak më poshtë u prezantohet autoriteti i dytë. Dhe natyrisht detyrë e këtij autoritetit është që t´i bind ata që nuk binden lehtë, por kanë edhe ide fikse apo së paku përpiqen t´i krijojnë bindjet e veta. Ky shkrimtar paska thënë se nëse një libër nuk posedon edhe një kundërlibër, atëherë ai libër nuk ka vlerë. Kjo nuk është e vërtetë!
Ashtu beson akademik R.Qosja dhe prandaj shkruan një kundërlibër, mirëpo edhe këtu sugjerohet diçka e gabuar, një bindje subjektive e importuar. Ajo që paska thënë ai shkrimtar nuk është e vërtetë se ka qindra dhe mijëra libra që nuk kanë kundërlibër, por kanë pasur sukses të madh dhe kanë vlerë të madhe të pakontestueshme. Kundërlibri në këtë rast shkakton huti, rezignacion dhe dezorientim!
Citatet janë zgjedhur pse i përshtaten konceptit të akademik R.Qosjes, botëkuptimit të tij. Pra, me dy autoritete synohet të përligjet mënyra e shkrimit, mënyra e rezonimit dhe kryesisht motivi i etiketimit të I. Kadaresë.
Më poshtë shpjegon arsyen se pse bëhet tutor i myslimanëve apo më qartë pse na nevojitet një protektor i tillë: sipas tij ne po diskriminohemi rënd. Shumica nga pakica në Shqipëri dhe myslimanët po diskriminohen nga myslimanët në Kosovë!
Meqenëse akademik R. Qosja është politeist dhe i beson dy Perëndive i ka caktuar vetes për detyrë morale dhe intelektuale t´i mbrojë të diskriminuarit dhe, me dy Perëndi është më lehtë se sa kur ke vetëm një; këto Perëndi vihen në fronin deist kur fjalët abstrakte shkruhen me shkronjë të madhe: “e vërteta” dhe “e drejta”.
Ai bëhet edhe mbrojtës i myslimanëve, sepse ai dëshiron gjithmonë ta mbrojë të “voglin, të pambrojturin dhe të diskriminuarin”.

Pas kësaj ndihme që i jep shtresave të shtypura myslimane, akademik R.Qosja i kthehet kundërshtarit, i cili në këtë rast mund të konsiderohet armik, sepse akuzohet si armik, trajtohet si i tillë dhe i drejtohet në këtë mënyrë. Ai tani e tutje nuk do merret më me qëndrimin, botëkuptimin e Kadaresë, por e godet Kadarenë personalisht. Ai do ta quajë mbrojtës të stalinizmit, do ta akuzojë për sëmundjen e dikurshme të Shqipërsië: hikikomorin! Do ta akuzojë për larje dhe shpëlarje, do ta quajë armik të Islamit dhe do ta quaje RACIST dhe me qëndrim të dëmshëm për kulturën shqiptare! Me një fjalë, njeri ideal për eliminim!
Dhe mendimet e I. Kadaresë do t´i krahasojë me Oriana Falaci dhe Michel Houellebec . Këtu do të kuptohet se akademik R.Qosja nuk po polemizonte, por qëllimi i tij ishte asgjësimi moral dhe intelektual i Kadaresë. Shfronësimi i tij tërësor.

Më tutje merret me Nënë Terezën, Papën dhe kërkon barazi në respekt në mes Ferid Muratit dhe Nënë Terezës, sepse sipas tij Nëna po nderohet më shumë, sepse ishte misionare katolike, kurse F. Murati nuk po respektohet, sepse është mysliman, por sipas tij që të dy njësoj kanë ndihmuar njerëzimin.
Edhe kjo nuk është e vërtetë. Pikësëpari Nëna Tereza kishte ndihmuar të varfrit, mjeranët, ata që ishin braktisur nga bota: gra, fëmijë, pleq, plaka dhe të rinj, të sëmurët, të pafuqishmit.
Ferid Murati kishte arritur t´i ndihmojë impotentët, pra burrat, jo gratë, jo fëmijët, jo të braktisurit, por burrat e pasur, por të braktisur nga potenca. Dhe për këtë punë shpërblehet dhe pasurohet! Ferid Murad në autobiografi thotë se nuk është mysliman, por i pagëzuar në kishën episkopale, ja një fragment nga autobiografia: (This was also applied to our religious choices as my father was Muslim, my mother Baptist and we were raised in a Catholic community. Subsequently, my brothers became Catholic when they married Catholic wives and I was baptized Episcopalian in college. My wife of more than forty years is Presbyterian, two of our daughters married Jewish men and one married a Catholic man.)
Akuzat e akademik R. Qosjes për diskriminimin e Ferid Muratit , siç shihet, bazohen në informata të gabuara.

Jak´ o ditë e uruar!
Që lind nga perëndon! N. Frashëri

Qosja nuk brengoset vetëm për diskriminimin e myslimanëve në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në botë. Do t´ishte mirë ta rimarrim Voltaire-in në dorë dhe të kujdesemi për kopshtin tonë, sepse ne nuk kemi fuqi as politike, as ekonomike të kujdesemi për barazi planetare. Këtë nuk e bën as Kina dhe as Rusia dhe nuk i takon Kosovës të brengoset për Irakun, as akademik R.Qosjes,! Një altruizëm i tillë quhet harakiri! Kina nuk i rrezikon interesat e veta për Irakun...As Iraku, as Turqia, as Arabia nuk rrezikojnë interesat e veta për Palestinën!

Amalgamë identitetesh

Pse jemi oriental? Oriental jemi sipas akademik R. Qosjes, sepse ne kemi kuzhinë orientale, varrosemi orientalisht, martohemi orientalisht. A është kjo e vërtetë ? Dasmat shqiptare bëhen tani nëpër restorante dhe përzihen gra dhe burra. Kuzhina jonë është aq orientale sa është ajo : greke, serbe, maqedone, bullgare e boshnjake. Edhe muzika ballkanike është orientale! Por Ballkani nuk e quan veten oriental.
Çka domethënë kjo? Nëse unë ha hamburger amerikan, dëgjoj muzikë amerikane dhe varrosem në mënyrë amerikane, a domethënë kjo se unë mund të konsiderohem evroamerikan? Nëse mendojmë si na sugjerohet, atëherë po!
Akademik R.Qosja pa dashje po punon në një identitet të ri kosovar. Kosovar mysliman! Tundimi është i tij.
Po nëse unë bëhem budist? Çka bëhem atëherë, kinez apo indian? Apo mbetem evropian me fe budiste? Po nëse dikush i beson scientologies se Ron Hubardit, në çfarë kallëpi gjeografik duhet ta hedhim atë?
Dikur na thuhej se feja e shqiptarit është shqiptaria, dhe kudo kjo ka ndikuar në afrimin tonë dhe rrënimin e barrierave fetare. Kjo ishte kristalizuar mirë. Njëqind vjet kultivuam këtë ide. Tani akademik R. Qosja mëton krijimin e identiteve fetare, gjoja si masa profilaktike ( cura posterior), dhe varros identitetin e deritanishëm kombëtar. Krijimi i identiteteve fetare është përçarje, sepse ndërton Ne-Ndjenja të reja (Wir–Gefühl), dmth. ne jemi mysliman dhe jemi të afërt me turqit, ata janë ortodoks dhe janë me grekët , të tretët janë katolik dhe janë me Vatikanin, pastaj protestant, dhe së fundi akademik R.Qosja i madh thotë se i kemi pesë fe dhe si fe të pestë numëron ateizmin!

“ Lëreni popullin të vendosë vetë për besimin e tij, sepse historia askujt nuk i fal asgjë!” Ukshin Hoti

U shkruan shumë shkrime dhe nuk pati pajtime me akademik R.Qosjen; ai edhe nuk ka pritur diçka të tillë, sepse qysh në fillim ka cituar autorin me të cilin do ta kundërshtojë botën. Tash akademik R.Qosja kërkon tejtheksimin e myslimanizmit, sepse i konsideron të diskriminuar, dhe kështu shembet një botë e tërë besimi koherent se feja e shqiptarit është shqiptaria.
Paskemi jetuar me iluzione! Po kush jemi ne në fakt ?
Ne jemi europian, me fe myslimane. Te ne, mirëpo, ka vend për të gjithë dhe çdo njeri le të jetojë në botën e vetë, sepse feja e shqiptarit është pikë së pari shqiptaria! Dhe në fund, kalimi prej krishterimi në islam e konsideron mimikri, por mbetjen në mimikri e quan parim! Ai që dinë të mendojë historikisht, e dinë se popujt do të ndryshojnë dhe se religjionet kanë afat skadimi, mu si edhe ligjet dhe mendësitë!

ps.
Sikur një akademik gjerman t' i thoshte popullit, mos e ndërroni religjionin, njerzit do ta konsideronin të krisur. Shumë intelektual pranojnë budizmin, por askush nuk i jep vetes të drejtë të përzihet në çështje aq private, siç bëri Qosja në një artikull tjetër duke u bërë thirrje të mos ndërrojnë as emra, e as religjionin...

( Ky shkrim qe shkruar në kohën kur polemizonin Kadare dhe Qosja dhe nuk qe publikuar i tërë, por i shkurtuar tek Shekulli...)

publikoi fjala e lire

**************************
Libra fizikë nga Lis Bukuroca te amazon
Ribotime dhe redaktime këtij viti si 
             Libra elektronikë