31.01.2012

Ç’ është KARMA? – Kuptimi i jetës 7 - sa për reflektim


Çdo shkak ka një pasojë çdo pasojë ka një shkak. Çdo veprim krijon një energji të caktuar, e cila kthehet me të njëjtin intensitet tek pikënisja / tek prodhuesi. Pasoja kthehet në cilësi dhe sasi të njëjtë. E njëjta prodhon të njëjtën: Aksion-Reaksion. Diku në kozmos gjendet një memorizues personal, ku memorizohen veprat. Një ditë kthehen të gjitha, në mos në këtë jetë, në tjetrën...

Motivi i Shkakut mund të qëndrojë në shumë shtresa. Çdo gjë bëhet në përputhje me ligjin. Çdonjëri është krijuesi, bartës dhe përcaktues i fatit të tij. Çdo mendim, çdo ndjenjë, çdo veprim është një shkak, që ka edhe një pasojë. Nuk ka mëkat, nuk ka faj dhe nuk ka rastësi, por vetëm shkak dhe pasojë, që qëndrojnë shumë shekuj dhe shumë jetëra larg njëra tjetrës. "Fati" dhe "Rastësia" janë vetëm nocione, që tregojnë për mosnjohjen e ligjit.

„Karma " është fjalë sanskrite dhe do të thotë "veprim". Karma na detyron neve të lindemi e rilindemi. Për një arsye: Të çlirohem nga padrejtësitë që i kemi shkaktuar dhe t’ i përmirësojmë gabimet. Çdo reinkarnim, është një mundësi e re e mësimit, sepse çdo herë do të konfrontohemi me problemet e pa zgjidhura, me veprat e këqija. Kapërcimi i tyre, nuk është anashkalimi, por konfrontimi me to dhe zgjidhja. 

Shpesh ato zgjidhen me pranimin e tyre. Aq sa më shumë u ikin njerëzit zgjidhjeve të problemeve, aq më shumë rikrijojnë karmë, dmth. rilindje. Karma i nënshtrohet ligjeve të kauzalitetit. Kjo domethënë se veprat e mira, sjellin vepra të mira, të këqijat, sjellin të këqija. Njeriu lindet e rilindet deri sa të përkryhet, pastaj kalon në Nirvanë, gjendje të pagjendje, në mosekzistencë, sepse sipas Budës, çdo ekzistencë është vuajtje. Kjo është e vërteta e parë fisnike tek Budizmi dhe e vërteta e dytë është: shkaku i vuajtjes është dëshira e tepruar, lakmia..."

Kjo është lindja ime e fundit, këtu e tujte, nuk dot ketë mëlindje tjera për mua", thotë Buda.
Përgaditi për lexuesit, nga gjermanishtja Lis Bukuroca


28.01.2012

Lëçitja- Gazeta Shekulli


Lëçitja bëhet dhe do të zbatohet pikë për pikë duke respektuar ligjin. Nuk do të ketë asnjë lëshim. Për shmangien nga rruga e drejtë, neni 475 parasheh se si duhet lëçitur prokuroja, hanëmja, Ina Rama dhe kryetari i shteti shqiptar, shkëlqesia e tij, sulltani, Bamir Topi. Lëçitja nuk bëhet vetëm pse kanë thyer rregullat e pleqnisë, por edhe pse zonja ka një mbiemër që ngjall neveri dhe është irritues në katund. I dyti mban një mbiemër, që duhet ndaluar me ligj. Ai mbiemër paraqet rrezik për paqen publike dhe e tmerron katundin. Lëçitja bëhet edhe për të faktuar se ligji funksion dhe se askush nuk do të kursehet, pa marrë parasysh se a janë ata jeniçerë, spahi, agallarë, pashallarë apo kadi. Neni 475 është konsumuar tërësisht dhe do të zbatohet me përpikëri dhe me seriozitetin më të madh të insanit.

Dënimet që jep Kanuja simbas mbrapshtinash:

1) e hekmja e armës prej të zot t’shpisë a bajraktarit me vojvodë e djelmni
2) gjoba me gja’ e pare
3) pashtraku
4) lëçitja prej kushrijve, katundit, fisit a bajrakut
5) djegia e shpisë dhe e premja e pemëve
6) e nxjerrmja prej bajraku me gjindët e shpisë, lanja e tokës djerr’ tri vjet
7) vrasa katundisht prej fisit a bajrakut

Mirëpo, shqyrtimi kryesor nuk do të bëhet tani për shkak të besës së madhe dhe do të shtyhet deri në zgjedhjen e sulltanit dhe kadiut të ri. Kadiu i ri do të shqyrtojë të gjitha pikat nga neni 475 në mënyrë më serioze dhe do të sjellë dënimin më të merituar. Për këtë keni garanci të plotë. Pika 1 dhe 4 janë në zbatim e sipër, si masa parandaluese. Pika 5 do të nisë të zbatohet në pjesën e dytë, sepse ata kanë ngrënë shumë molla, molla që i ka ndaluar Zoti personalisht. Kjo nuk mund të tolerohet, kjo nuk mund të anashkalohet dhe nuk mund të injorohet ashtu lehtë. Nga mollët ata kanë përfituar njohuri të reja, njohuri që do të dëmtojnë lirinë e tyre. Kjo nuk mund do mbetet e pa ndëshkuar, sepse Zoti mund të dënojë krejt katundin për mollët që kanë ngrënë këta dy heretikë. Së shpejti, mirëpo, do të shqyrtohet shumë seriozisht edhe pika 6. Me pikën 2 dhe 7 do të merret kadiu me përgjegjësinë më të plotë që ia imponon detyra e tij madhore.
Ndërkohë, do të përballet me lëçitjen Kreshtë Spahiu. Për fat të keq, edhe ky ka braktisur rrugën e drejtë dhe po punon në bashkimin e katundeve shqiptare. Ky fakt do të pezmatonte vëllezërit tanë grek dhe serb; kjo nuk do të lejohet as edhe në ëndërr. Të njëjta ligje, do të zbatohen edhe kundër “faqeziut” të pa identitet. Pleqnija do të mblidhet së shpejti.
Përveç kësaj, do të merret në shqyrtim edhe neni 600 për çnderim, kur ndera i merret burrit dhe kjo është përkufizuar mirë dhe qartë nën pikën 1 dhe ajo është konsumuar e tejkonsumuar: “Me i thanë kush se rren faqe burrave të mbledhun në kuvend…” Ata e kanë bërë këtë, nuk e mohojnë, prandaj as këtu nuk do të ketë dyshime se kadiu i ri do ta pranojë si vepër të kryer.
Nëse nenet 475 dhe 600 nuk janë të mjaftueshëm, atëherë në ndihmë do të merret edhe paragrafi 25 nga dekreti “Ad Extirpanda“ i Papës Inonçenti nga viti 1252 dhe aty thuhet qartë: “… errores suos expresse fateri, et accusare alios haereticos quos sciunt …“, pra “ t‘ i pranojnë shprehimisht gabimet e tyre dhe të akuzojnë heretik tjerë që njohin ata”. Sipas këtij paragrafi, ata nuk do të kenë të drejtë të mos pranojnë fajin. Ky paragraf është shumë interesant dhe shumë i rëndësishëm për t’i diktuar dhe ndjekur edhe heretikët e tjerë apo ndriçuar mbrapshtinat e tjera. Mos keni asnjë dyshim, çështja do të jetë tej për tej transparente, do të jetë maksimalisht e faktuar dhe do të përfundoj me nder të madh. Mirëpo, nëse edhe ky paragraf nuk kënaq drejtësinë, atëherë shumë seriozisht do të shqyrtohen edhe veprimtaria e tyre armiqësore në favor të agjenturave të jashtme, si: UDB, KGB dhe FBI. Ka shumë prova se ata janë agjentë të huaj dhe bashkëpunojnë me reaksionin e jashtëm; me revizionistët dhe me borgjezinë dekadente perëndimore. Për këto ekzistojnë edhe dokumente dhe incizime. Çdo gjë është e faktuar dhe do t’i dorëzohen kadiut të ri. Nuk ka asnjë dyshim se do të dënohen për blasfemi, sakrilegj dhe magji. Këta do të jenë heretikë e fundit në fisin tonë të mirë dhe të butë…

E viva el comandante Fidel !!!
Gazeta Shekulli


24.01.2012

Aforizma ( 3 )

»Ti mund të ndalësh një elefant, kur ai dëshiron të ikën, mirëpo jo edhe flokun më të vogël në kokën tënde, kur dëshiron të bjerë.«
Gerhard Hauptmann (1862-1946, dramaturg dhe shkrimtar, Çmimin Nobel për letërsi në vitin 1912

»Rrena është si topi i borës, aq sa më shumë rrotullohet, aq më shumë rritet.« Martin Luther, teolog gjerman, reformator, 1483-1546

»Nuk mund të luftohet, kur pantallonat janë më shumë të mbushura sesa zemra!« Carl von Ossietzky, shkrimtar gjerman, nobelist 1889 - 1938

»Guximtar është ai që ka frikë, por megjithatë ecën para pa lejuar t’ i imponojnë shantazhin.« Paulo Coleho, shkrimtar brazilian 1947 lindur, libri tij “Alkimist” është përkthyer në 50 gjuhë

»Gjithmonë janë të dobëtit ata që kërkojnë drejtësi dhe barazi, por të fortit nuk brengosen për këtë» Aristoteli 384-322 para Krishtit

»Ne jemi moralist të përbetuar, kur është fjala për të tjerët.« Orson Welles, shkrimtar, regjisor dhe aktor amerikan 1915 - 1985

»Liria është si deti: dallgët e vetmuara nuk mund të bëjnë shumë, por forca e përplasjeve të tyre së bashku, është e papërballueshme. Vaceslav Havel 1936 – 2011, shkrimtar dhe politikan çek

shqipëroi Lis Bukuroca
në pikturë Martin Luther

12.01.2012

Aforizma ( 2 )



»Njeriu është i mplakur, kur qirinjtë kushtojnë më shumë se sa torta e ditëlindjes« Bob Hope

»Dikush për suksesin e vet falënderon mosndjekjen e këshillave!« Bertrand Russell

»Kush beson se bëhet i krishterë vetëm pse shkon në kishë, ai gabon. Njeriu nuk bëhet makinë kur futet në  garazh!» Albert Schweizer

»Mos quaj veten të varfër vetëm pse ëndrrat tua nuk janë realizuar; vërtetë i varfër është vetëm ai, që nuk ka ëndërruar kurrë!» Marie von Ebner-Eschenbach

»Ne besojmë se po bëjmë përvojë, por përvoja na bën ne.«Eugene Ionesco

»Kur njeriu kërkon prej të tjerëve detyra, por nuk u jep të drejta, atëherë duhet paguar mirë ata.« Johann Wolfgang von Goethe

»Është më lehtë të jesh dashnor, sesa bashkëshort, sepse është më vështirë të ndihesh mirë çdo ditë sesa herë pas here dhe të bësh një kompliment të bukur!» Honore de Balzac

»Në moshën 20 vjeçare çdo njeri ka fytyrën që i ka dhënë zoti, në moshën 40 vjeçare fytyrën, që i ka dhënë jeta dhe në moshën 60 vjeçare ka fytyrën që meriton!» Albert Schweizer

shqipëroi Lis Bukuroca

10.01.2012

Himni shqiptar duhet ndryshuar - Gazeta Shekulli


Më shtatë dhjetor të vitit të që lamë pas, Austria vendosi të ndërroj himnin. Përveç bijve në himn, do të hyjnë edhe bijat. Qëllimi i këtij ndryshimi është barazia gjinore në Austri. Krist-demokratët (ÖVP – PPA, Partia Popullore e Austrisë) ishte kundër ndryshmit, por në kuvend u aprovua versioni i ri. Në poezinë e Paula Preradovic, në vargun ku thuhej: Vendi (atdheu) i bijve më të mëdhenj...“ u ndryshua në : “...i bijave, bijve më të mëdhenj.” Për këtë ndryshim qe diskutuar gjatë dhe tani u arrit ndryshimi. Nga një janari i këtij viti është në përdorim versioni i ri i cili nuk përjashton gratë nga mëmëdheu.
Strofa e dytë e himnit shqiptar duhet ndryshuar patjetër. Dhe aty ku thuhet kush është burrë nuk frikohet, duhet të jetë, kush është grua, burrë nuk frikohet dhe ajo strofë do të tingëllonte kështu:

Origjinali

Prej lufte vec ay largohet
Që është lindur tradhëtor
Kush është burrë nuk frikohet
po vdes,po vdes si një dëshmor!

Propozimi për ndryshim

Prej lufte veç ata largohen
Që janë lindur tradhëtorë
Grua e burrë nuk frikohen
po vdesin, vdesin si dëshmorë!

Dhe natyrisht duhet intervenuar edhe tek strofa e gjashtë. Ajo strofë do të duhej rishkruar në këtë mënyrë:

Origjinali

Trim burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush i-u bë therror:
Për jet ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhet si një shenjtor

Propozimi për ndryshim

Gra dhe burra do nderohen
Mëmëdheut kush i-u bë therror:
Për jet ata do të kujtohen
Mi dhet, mi dhet si një shenjtor

Substantivi atdhe të zëvendësohet me Mëmëdhe. Me atdhe punët nuk na kanë ecur aq mirë dhe shpesh e kemi braktisur. Ndoshta ndaj Mëmëdheut sillemi me më shumë dashuri, dhembshuri, me më pak tradhti dhe nuk lejojmë të na e tradhtojnë mëmën ashtu si atin.
Po të jetonte Asdreni sot, nuk do ta kishte shkruar atë poezi, ku u jep rëndësi vetëm akteve të burrave, por edhe sakrificës së gruas shqiptare. Fëmija lindet nga nëna, edukohet nga ajo dhe trimat, që shenjtërohen në himn nuk janë vetëm rezultat i burrave, por edhe i grave, madje, përkushtimi dhe sakrifikimi për edukimin e tyre, mban vulën e nënës.
A mund të bëhet kjo tani tek ne? Ne kemi një Kryeministër i cili gjatë fjalimeve të tija dominohet nga testosteroni. Ja çka deklaroi ai për lindjet e para në vitin 2012 :“ Fjalët që më erdhën ndërmend kur dëgjova për lindjet e para që sollën në jetë djem, thashë me vete lindën Ismail Qemali e Isa Boletini. I lindën Shqipërisë edhe njëherë burrat më të mëdhenj të saj.”
Për ata fëmijë nuk dihet se çfarë orientimi do të kenë, çfarë preferenca seksuale, mirëpo mendimi i Kryeministrit flet për bindjet e tija fikse, se kur lindet djalë, atëherë linden Ismail Qemala e Isa Boletina. Linden burra, që luftojnë dhe janë të gatshëm të vdesin.
Mendimi i shqiptuar, në lexim të parë duket naiv, jo djallëzor, por nëse e rilexojmë, atëherë kuptojmë arsyen se pse ky pas konsultimeve të ngjeshura, paska zgjedhur pikërisht këtë gjykim sugjestionues.
Me Ismail Qemalin i drejtohet Shqipërisë, me Isa Boletinin i drejtohet Kosovës. Pse e bën ai këtë? Ai din se për të mbetur në pushtet dhe për të fituar simpatinë greke, italiane dhe serbe, ka bërë tradhti disa herë. Përmendjen e Ismail Qemalit i urdhëron nëndija ta bëjë, për të treguar se është atdhetar, se është penduar. Flet ndërgjegjja e ndotur! Nëndija detyron ta përmend edhe Isa Boletinin në mënyrë që të tregojë se është penduar se ndihmoi makinerinë ushtarake të Millosheviçit gjersa Kosova gjendej e shtypur si kurrë më parë dhe me këtë akt, ky po dëmtonte dhe pengonte ndihmën e Perëndimit. Edhe me Isa Boletinin, flet ndërgjegjja e ndotur dhe tërthorazi pranon gabimin.
I duhen vërtetë Shqipërisë burra në shekullin njëzetenjë, që shpallin pavarësi, që mbajnë kobure apo i duhen shkencëtarë të mëdhenj: shkrimtarë, filozof, poet, kompozitorë, pilot, astronaut, industrialist?
Jo, sipas bindjeve fikse të marra në shekullin njëzet, si dhuratë e shekullit pesëmbëdhjetë, shqiptarëve nuk u duhen shkencëtarë në Europë, por njerëz me kobure, edhe atë nën nënkresë...Sepse natën e parë të vitit të ri, nuk lindi ndonjë Kadare apo ndonjë shkencëtar i nivelit të Ferid Murat, por u rilindën Ismail Qemali dhe Isa Boletini.

Himni shqiptar duhet ndryshuar nga politikanët e rinj, që janë në gjendje ta vlerësojnë drejt dhe siç e meriton gruaja shqiptare. Ajo gjatë historisë ka bartur peshën Atdheut mbi supet e veta, edhe atë gati-gati pa mirënjohje. Është koha, në këtë shekull të nderohet edhe ajo në himnin shqiptar. Gjuha shqipe nuk njeh vetëm atdhe, por edhe MËMËDHE! Gjuha shqipe nuk diskriminon gruan shqiptare, por patriarkalizmi i trashë shekullor.
Kryeministri ka sharë gruan me “putanë bulevardi”, ka sharë gratë e kundërshtarëve politik, ka sharë nënat e tyre dhe mendimi i cituar më lart, tregon se ai është mizogjin (urrejtës dhe përbuzës i grave) i papërmirësueshëm. Ndryshimi i himnit nuk mund të kërkohet prej tij, sepse kjo do të ishte e barabartë me zhburrnim, prandaj kjo detyrë e madhe, u mbetet brezit të ri, që nuk ka paragjykime ndaj nënave dhe motrave të veta. Ndryshimi i himnit do të tregonte se jemi një komb i formuar, bashkëkohor. Jo i ndarë në gjini dhe në dy shoqëri, që nuk njohin njëra tjetrën, por në një: Me të drejta të plota dhe detyra të barabarta, siç e dëshiron Mëmëdheu.

Versioni i ri pa diskriminim e gruas shqiptare:

Aleksandër Stavri Drenova (ASDREN 1872 - 1947)

Himni i Flamurit


Rreth flamurit të përbashkuar
me një dëshirë dhe një qëllim
Të gjithë atje duke u betuar
Të lidhim besën për shpëtim


Prej lufte veç ata largohen
Që janë lindur tradhëtorë
Grua e burrë nuk frikohen
po vdesin, vdesin si dëshmorë!

Në dorë armët t'i mbajmë
Mbrojmë Mëmëdhenë në çdo kënd,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë;
Këtu armiqtë s’ kanë vënd

Se zoti vetë e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe
Po Shqipëria do të rojë:
për të, për të luftojmë ne!

O flamur, flamur shënj' e shënjtë
Tek ti betohemi këtu,
Për Shqipërinë' Mëmëdhenë e shtrenjtë
Për nder edhe lavdimn' e tu.

Gra dhe burra nderohen
Mëmëdheut kush i-u bë therror:
Për jet ata do të kujtohen
Mi dhet, mi dhet si një shenjtor

Barazia që shkruhet në kushtetutë, u lexohet grave në fytyrë, edhe në rrugë...

Shekulli 98 komente

pas debatit televizi: Ja pse duhet ndryshuar himni 1



08.01.2012

Intervistë, gazeta Shekulli


Në Forumin e “Shekulli”-t mbi hartën e re elektorale sot kemi ftuar bashkëpunëtorin e “Shekulli”-t , Naser Aliu. Më poshtë, përgjigjet e tij mbi pyetjet që këto dy ditë ia drejtuam edhe Mero Bazes, Eduard Zaloshnjës, Lutfi Dervishit dhe Bledar Priftit
2012 do jetë viti i zgjedhjes së presidentit të ri, por edhe pragu i nisjes së vitit të rëndësishëm elektoral 2013. Të dyja ngjarjet nuk janë pa lidhje njëra me tjetrën, sepse presidenti aktual ka deklaruar tashmë projektin e tij politik dhe paralelisht kemi edhe një lëvizje që duket në ekspansion të gjerë si aleanca kuqezi, e cila gjithashtu mund të shndërrohet në parti politike. Duke pasur parasysh këto dy zhvillime, por edhe të tjera që mund të kondicionohen nga një reformë e pritshme zgjedhore, por edhe nga rrethanat politike shumë specifike të këtij mandati të dytë qeverisës së Partisë Demokratike dhe aleatëve, mendoni se harta elektorale e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e njëjta?
Naser Aliu: Jo. Harta elektorale do të ndryshojë në drejtim pozitiv, por edhe në atë negativ. Koalicionet do të jenë më të vështira në një anë, në anën tjetër Partia Demokratike do të dobësohet. Dobësimi i saj do të sjellë tollovi brenda partisë dhe mund të ndodhë “puç” i brendshëm në Partinë Demokratike. Aty ka shumë njerëz të zhgënjyer. Aty ka demokrat të vërtetë, por janë përjashtuar nga neostalinistët e Berishës. Politika kilienteliste e PD-së, ekonomia fisnore, tribale do të pësojë një goditje. Por Berisha nuk do të largohet vullnetarisht.
- Bamir Topi dhe Aleanca Kuqezi, mendoni se do të jenë një parti apo dy parti të reja?
Naser Aliu: Sikur të shfaqeshin së bashku, do të ndërtohej një alternativë e vërtetë. Se a mund të bëhet kjo, varet nga programet dhe synimet e tyre. Sidoqoftë, edhe nëse themelojnë parti më vete, për Shqipërinë do të jetë më mirë, sepse krijohen dy parti mes një zemërimi dhe zhgënjimi kolektiv. Këto do të korrigjojnë shumë dhe mund të ndërtojnë shtetin ligjor. Këto dy së bashku apo të ndara, duhet ta luftojnë korrupsionin, kriminalitetin dhe të nxirren para gjyqit shumë çështje të pezulluara. Shqipërisë i duhen politikan që flasin dhe mendojnë shqip. Politika pakurrizore duhet të marrë fund. Shqiptarët duhet të votojnë njerëz që luftojnë për interesat e vendit, po jo për ata që copëtojnë vendin dhe shndërrojnë në kontenier bërlogu të Italisë.
- Një parti e mundshme e Topit, do të merrte vota të majta apo të djathta?
Naser Aliu: Do të merrte nga të gjithë, por më shumë do të merrte nga e djathta.
- Ka një përshtypje të përhapur në publik se militantët e dy partive kryesore nuk ndikohen nga mirëqeverisja apo nga keqqeverisja dhe as nga fushatat elektorale respektive, por votojnë verbërisht liderin ose kundërvotojnë liderin e palës tjetër… Ndërkohë që pjesa tjetër e elektoratit, ajo që quhet gri, po bëhet përherë e më mosbesuese te dy forcat kryesore politike… E ndani dhe ju këtë perceptim?
Naser Aliu: Militantët votojnë symbyllur. Ata kanë motive tjera, yshten ndryshe, mirëpo demokracia e shëndoshë ndërtohet nga njerëzit që nuk tolerojnë krijimin e kulteve të reja. Në Ballkan, jo vetëm nga mungesë e kulturës demokratike, por edhe për shkak të kaluarës, janë të predestinuar të ndërtojnë dhe kultivojnë despotizmin. Kjo tek ne është më e theksuar se tek fqinjët tanë, prandaj është urgjente kufizimi i mandatit. Sjelljet e Berishës na imponojnë edhe një ligj tjetër: Në moshën që pensionohet një nëpunës shteti, duhet caktuar si kufi deri kur mund të merret me politikë aktive një politikan. Ne jemi qenie njerëzore dhe sa më shumë mplakemi, aq më shumë humbim ndjenjën e realitetit dhe çoroditemi. Berishës i janë shtuar tani edhe pësimet e metabolizmit të trupit të tij në prishje e sipër…
- PD-së i duhet më LSI-ja?
Naser Aliu: PD-ja do ta përdorë LSI-në, aq sa i nevojitet.
- PS duhet të bashkëpunojë me LSI-në?
Naser Aliu: Vetëm nëse një gjykatë e pavarur vlerëson se Meta nuk ka kryer vepër penale, atëherë duhet bashkëpunuar për ta rrëzuar qeverinë neostaliniste të tranzicionit, që udhëheq Berisha. Por, nëse harta elektorale ofron mundësi tjera, atëherë jo.
Gazeta Shekulli

03.01.2012

Si mund të arrihet tek Kulla e Berishajve? Gazeta Shekulli


Thjesht nisuni nga rruga “Hamza Kastrioti” dhe pas nja 700 metrave lakoni djathtas. Aty do të shihni semaforin e parë. Nëse është i kuq dhe nuk ka makina tjera, vazhdoni; se a respektoni këmbësorët, është në pushtetin Tuaj zoti Hans. Pasi ta keni lënë pas vete semaforin, atëherë lakoni përsëri djathtas dhe do të gjendeni në një udhëkryq të madh. Vazhdoni me kokëfortësi drejt, pa shikuar shumë, vazhdoni i ngrysur dhe serioz dhe pas disa minutave do të gjendeni në sheshin “Mojsi Golemi.” Ngisni tutje me ballin plot rrudha, kështu u transmetoni policëve shqiptarë se jeni i djathtë dhe mund të keni më pak kokëçarje. Tek semafori i dytë, respektoni edhe të kuqen, përndryshe rrezikoni një përplasje të keqe, nga makinat që mund të vijnë nga e djathta dhe urrejnë ata që futen nga e majta. E djathta është në pushtet zoti Hans dhe nuk është e detyruar t’ i respektojë Ligjet e Komunikacionit, e as Kodin Penal.

Mos vështroni gjatë përmendoren me kalë të Hamza Kastriotit, por vazhdoni me kryeneçësi të madhe drejt. Majtas mos lakoni kurrë, sepse të gjitha rrugët e djathta të shpijnë drejtë e në kryeqendër të pushtetit: Tek “Kulla e Berishajve. “ Duke qenë i bindur se keni kuptuar përshkrimin, pas dy kilometrave, atëherë, ju lutem, lakoni përsëri djathtas dhe mu tek busti i Esat Pashë Toptanit, gjendet një çezme. Aty lani sytë mirë sepse pas katër kilometrave, do të gjendeni para përmendoreve madhështore: “Tre Heronjtë e Shekullit XX”: Ceno Cërnoglaviçi (në kllapa shkruan, Kryeziu) Nikolla Pashiqi dhe Ahmet bej Zogollit. Ky i fundit është pinjoll i pashait, nip i Esat Pashës, që shpalli nënën e mjerë Sadije, analfabete: “Mbretëreshë të Shqiptarëve.”

Nëse keni dëshirë, parkoni makinën në mes të rrugës dhe fotografohuni pranë tre heronjve shqiptarë. Nuk do të keni pengesa nga populli. Ai do ta çmojë këtë akt. Në fotografi do ta shihni ngjyrën e fytyrës që ka pllakosur lëkurën Tuaj apo gojën e çaraveshur. Ju do t’ i bëni shumë pyetje vetes, por ka vetëm një përgjigje dhe atë mund ta merrni pranë grilave të pushtetit, ku u eliminuan disa puçistë, që i qenë sulur Kullës me LA (lapsa atomik) dhe me ÇDZ (çadra të zeza nukleare.)
Pse pashallarët heronj? Arsyeja është e thjeshtë zoti Hans, duhet krijuar një ekuilibër kombëtar: Erdoani, vëllai i Hashimit dhe Saliut, ka kërkuar që edhe pashallarët të shpallen heronj të shqiptarëve. Madje, edhe sulltanët. Ai dëshiron të futemi më shpejt në Europë. Sali Pasha dhe Hashim Pasha, kanë nënshkruar këtë obligim...

Po e vërtetë, kanë rrëzuar përmendoren e Enverit dhe ngritur të Ahmet Zogut...Po, ashtu është në modë tani në Shqipëri: Enveri ishte tradhtar, Zogu patriot...Pra tani kemi heronj të Partisë Demokratike dhe heronj të historisë shqiptare...
Nejse, pranë “Tre Heronj të Shekullit XX”, do ta gjeni rrugën “Leka i Parë”, mbret i ndjerë tanimë, që në një hotel të Parisit, shpalli veten mbret i shqiptarëve. Këtë hotel, zoti Hans, Qeveria shqiptare ka vendosur ta shkulë nga Franca dhe ta ngulë diku në Shqipëri. Bisedimet po vazhdojnë mes Carla Brunit dhe Jozefina Berishës. Është monument historik shqiptar dhe nuk mund të mbetet më në Paris, zoti Hans. Është ofendim për kombin tonë dhe “Oborrin Shqiptar.” Këtu nëse dëshironi mund të ndaleni ca, t’i bëni disa pyetje vetes... Po, e vërtetë, Saliu e pat përzënë mbretin, por tani është penduar: Jemi njerëz dhe gabojmë në jetë. Po, e di, e di, se ai tani pohoi se ka mësuar të numërojë vota dhe këtë ia tha edhe mbretit të vdekur. Nëse ngrihesh, i tha ai, atëherë, do t’ i rinumëroj votat si duhet dhe do të të shpall mbret...Ishte korrekt, apo jo?! Qëndrim madhështor i Berishës, apo jo?! Mirëpo, mbreti gaboi dhe nuk u ngrit...Sa keq! Në vend të tij, u ngrit vampir Nano. Ec e merreni vesh ju këtë botë!

Është e mundur Zoti Hans, është e mundur se ai tani Lekën tjetër po e përgatit. Kjo mirëpo akoma nuk dihet. Dihet vetëm se ai është numëruesi më i rafinuar në Europë.
Tani zoti Hans, ju jeni fare pranë Kullës, por meqë nuk bën të lakoni majtas, ju ngelen edhe pesë kilometra për të arritur aty. Tani vazhdoni përsëri djathtas dhe do të gjendeni në Bulevardin “ Rrahman Morina.” Pas dy kilometrave, lakoni djathtas në bulevardin “ Hirësia autoqefale, Anastas Janullatos.” Nëse keni dëshirë, fotografoni edhe përmendoren e tij në kalë të zi. Tani fikeni navigacionin, fikeni, është e mundur se ju sugjerohet të ktheheni majtas, por mos e bëni këtë në Shqipëri ju lutem. Mund të ju dërgojnë në parajsë.

Jo, jo, në Shqipëri nuk ndiqet politikani që vret njerëz dhe miza. Ai posedon imunitet ndaj këtyre gjallesave. Po, natyrisht se ka një prokurori, por jo për qeveritarët...Pastaj, prokurores i ka falur një titull të ri: “PuBul” dhe kështu e ka zhgraduar! Imuniteti Zoti Hans, imuniteti...po, ashtu, siç posedonte imunitet Stalini, Hoxha, Tito, James Bondi apo kaubojt...Pasi të parkoni makinën, hiqni nga xhepi lapsin. Çadër mos merrni me vete edhe nëse bie breshër. Nga bodrumet e Kryeministrisë, mund të ju përshëndesin dhe japin lamtumirën, dmth. fitoni vizën për transferim. Në këtë Kullë, gjendet stalinisti i vetëm në sistemin tonë diellor, që drejton një parti demokratike.

Pse tradhtarët me përmendore dhe rrugë? Edhe kjo shumë e thjeshtë zoti Hans. Ndjenjat humanitare shtyjnë Kryeministrin t’ i pajtojë patriotët me tradhtarët. Pastaj, është provuar se tradhtarët kishin bërë kurvëri, nga dashuria e tepërt ndaj atdheut dhe kjo duhet të shpërblehet... Ju ndoshta dini se politikanët zgjedhin shëmbëlltyra për t’ i arsyetuar veprat e veta, u nevojiten personalitete historike që kanë bërë vepra të njëjta apo gati të njëjta. Për shembull, duke rehabilituar Ahmet Zogun- që sipas statutit të vet Art. 65, nuk mund të konsiderohet mbret, kur qëndron më shumë se 3 muaj jashtë vendit - përligjet falja e detit Greqisë. Përligjet falja e tokës, përligjet falja e detit me Zogun zoti Hans.

Jo, tani për tani jo, e pengoi “tradhtari” i shekullit XXI, profesori Myslim Pashaj. Ndërkaq, dezertimi zoti Hans, nuk quhet dezertim në Kullë, por largim. Edhe pse sipas artikullit 71 të statutit të vet “Ai është komandanti më i lartë i forcave tokësore, detare dhe ajrore të Shteti...” Kaq, zoti Hans. Një politikan shpall si shëmbëlltyrë Skënderbeun, tjetri Zogun. Pse? Sepse vota e Einsteinit, vlen po aq sa vlen edhe vota e një bariu që gjendet ”brinjave, çukave, gërxheve, kodrave dhe lumenjve të kulluar...”

Edhe një gjë mos harroni: Asnjë fjalë apo mendim pozitiv për Edi Ramën apo Kreshnik Spahiun. Apo më mirë, shani këta dy dhe do t’ ju përqafojë Kulla.
Edhe atë pyetje mos ia bëni. E di. Në Gjermani Krishtlindjet i urohen popullit nga qendra e pushtetit. Kancelarja dhe Kryetari i Gjermanisë nuk zhvesh pushtetin e fituar nga populli dhe nuk gjunjëzohet para një prifti apo hoxhe, që përfaqëson vetëm lutësit e rregullt, por jo popullin. Në Ballkan, për dy apo tri vota, politikani degradon veten dhe me tërë pushtetin veshur nga populli, shkon tek krye-eminenca, tek ambasadori i Zotit: Janullatos apo tek Naim Tërnava dhe i urojnë popullit që e ka “zgjedhur” Krishtlindjet apo Bajramin. E bëjnë këtë nga zyra e njeriut, që nuk e ka votuar askush. Kaq Zoti Hans. Kur të hyni në zyrën e Kryeministrit merrni me vete: një psikiatër, një psikolog dhe një mentolog. Njëri të vështrojë gjuhën e trupit, tjetri grimasat dhe i treti t’ i analizojë. Po, zoti Hans, po, gënjen dhe rrenë sapo ta hap gojën. Edhe kur thotë mirëdita, shikojeni orën, ju lutem, mund të jetë mesnatë.

Edhe një gjë harrova: fotografoni piramidën. Më vonë nuk do ta gjeni aty. Jo... Arsyeja është e thjeshtë edhe këtu. Saliu është traumatizuar nga piramidat që kishte ndërtuar më herët dhe tani urren çdo piramidë. Piramidat e veta e rrëzuan nga pushteti, zoti Hans. Madje, u ka ofruar ndihmë edhe vendeve arabe, e sheh, sillet e mbështillet se si t’ i rrënojë edhe piramidat e Egjiptit.
Jo, jo, mos bëni këtë gabim ju lutem. Jo për dhëmbët. Dhëmbët ngjyrë kafeje janë arma e tij. Po e di, e di se në Gjermani qortohet prindi nëse në “Kopshtin e Fëmijëve “ nuk i lanë njëri dhëmbët, po, por Saliut i kanë vdekur prindërit. Është jetim tani. Prandaj është e kotë! Pastaj, ai me ata dhëmbë dhe me kollare në qafë, trishton kundërshtarët, sepse kur sheh njeriu dhëmbët e tij, për një çast, mendon se ka para vete një neandertal, por kur i vëren kollaren, atëherë kthehet me shpejtësi drite në shekullin tonë: ky kolizion i mendimeve, ngjallë tmerr dhe dezorientim zoti Hans. Shkakton huti, zgurdullim, blackout, panik dhe ja pse ai ruan ata dhëmbë dhe nuk i ka larë qysh nga ndërrimi i rendit politik. Nuk i ka larë, sepse Enveri ishte diktator dhe deri sa ishte sekretar i Partisë së Punës, Saliu ishte i detyruar t’ i lajë rregullisht dhe këta dhëmbë, sot, këta dhëmbë, shërbejnë për të dëshmuar demokracinë dhe shkëputjen nga stalinizmi. Dhe, nuk i lanë për inat të Enverit. Kjo është një lloj proteste zoti Hans, është bërë disident... E di, e di, mos e përsëritni ju lutem. E di se pastaj njerëzit në Perëndim mendojnë se nuk kemi zbuluar akoma furçën, por nuk mund ta ndryshojmë. Këta dhëmbë kanë funksion politik të brendshëm...
Pse nuk e ka shkruar në biografinë e tij tek faqja “Këshilli i Ministrave” se ishte komunist, nuk e di. Mendoj se ka harruar. Eh, dosjet, dosjet zoti Hans, nuk mund t’ i hapë dosjet ai që ka ndihmuar në prodhimin e tyre. Kur të vijë në krye një qeveri demokratike, atëherë dosjet do të hapen. Tani jemi në tranzicion, domethënë kokën e kemi në Partinë e Punës, këmbët në demokraci...

Jo, jo, për kartolinën cullak të Edi Ramës, mos thoni gjë. Ata janë konservativ dhe nuk duan ta shohin as gruan kështu të zhveshur, janë shumë të moralshëm. Ata edhe kur i bëjnë detyrat e shtëpisë, nuk zhvishen, thjesht nxjerrin gjysmën e lapsit jashtë, nga një plasë poshtë dhe fët e fët i kryejnë detyrat ashtu në këmbë duke u parë në sy me gruan. Ky vështrim reciprok, ndikon që foshnja të lindet me identitet kombëtar dhe të djathtë, zoti Hans...Edhe një: Kur të dilni nga Kulla e Berishajve, vizitoni ju lutem profesorin Pëllumb Xhufi dhe prej tij do të fitoni njohuri të reja...Rrugë të mbarë, zoti Hans!

Gazeta Shekulli, 45 komente
Pas Shekullit publikuar edhe tek: zemra shqiptare, revista drini, tribuna shqiptare, gazetashqiptare, gazetac, reporteri, albaspot, 24ore, fjala shkoder, zeri i kosovës, krushku, qendra, top.al, vetem lajme, shqiperia tv, gazeta shqiptare online, gazeta levizja për drejtesi me titull : Argumentoni të kundërtën, po mundët

Më ka bërë dashuria - Jacques Prévert - C'est l'amour qui m'a faite

U linda krejtësisht cullak
Jetova ashtu si edhe u linda
U linda shumë e vogël
Por u rrita shumë shpejt
Dhe, kurrë nuk ndryshova
Dhe, jetova krejtësisht cullak
Gati gjithmonë
Në kohën që jetoja cullak
Ajo kohë ishte kohë e lekëve

Dashuria më bëri
Dashuria që më bëri festë
Dashuria që më bëri zanë
E për ku është nisur ai tani
I dashuri që pata
Që më bënte të lumtur
Që më bënte të ëndërroj
Që më bënte të kërcej
Të kërcej sipas ritmit të shkopit të tij
Ky ishte dirigjenti im i orkestrës
E unë trupa tij e baletit

Më ka bërë dashuria
Dashuria që më bëri festë
Dashuria që më bëri zanë
E unë ju shndërroj në shtazë
Sa herë të më teket mua
Dashuria juaj më bën të qeshem
Dashuria juaj s’ është e njëmendtë
Marshoni sipas ritmit të shkopit tim
Dhe hidhni lekët

Më ka bërë dashuria
Dashuria që më zhbëri
Dashuria që më braktisi
I dashuri që pata
Ku iku ai tani
Ku iku ai tani
Ku iku ai tani.

Nga frëngjishtja Lis Bukuroca

Më shumë nga Lis Bukuroca:
Hijedritat e jetës, poezi 2010 – 2017
C'est l'amour qui m'a faite

Je suis née toute nue
Je vis comme je suis née
Je suis née toute petite
Si j'ai grandi trop vite
Jamais je n'ai changé
Et je vis toute nue
Pour la plupart du temps
Ce temps où je vis nue
Ce temps c'est de l'argent

C'est l'amour qui m'a faite
l'amour qui m'a fait fête
L'amour qui m'a fait fée
Où est il donc parti
L'amoureux que j'avais
Qui me faisait plaisir
Qui me faisait rêver
Qui me faisait danser
Danser a sa baguette
C'était mon chef d'orchestre
Moi son corps de ballet

C'est l'amour qui m'a faite
L'amour qui m'a fait fête
L'amour qui m'a fait fée
Et je vous change en bête
Chaque fois que ça me palit
Votre amour me fait rire
Votre amour n'est pas vrai
Marchez a ma baguette
Et passez la monnaie

C'est l'amour qui m'a faite
L'amour qui m'a défaite
Et m'a abandonnée
L'amoureux que j'avais
Où s'en est il allé
Où s'en est il allé
Où s'en est il allé.


Mrekulli, mëndafshi i merimangës së shpejti mund t’ i shëroj të verbërit

Mëndafshi i merimangës, që prodhon rrjet të rrumbullakët, mund të rëndohet katër herë më shumë se çeliku, por është elastik si goma. Nga kjo mund të përfitojnë personat e aksidentuara, të djegur nga zjarri si dhe të verbërit. Mëndafshi është një mall i çmuar, kjo është arsyeja pse kinezët prodhimin e saj e kishin mbajtur sekret. 3000 vite para Krishtit perandori kinez Fu Ksi kishte urdhëruar kultivimin e krimbave të mëndafshit për prodhim e rrobave.
Mëndafshi rigjeneron lëkurën dhe nervat. Nervat e të pamurit, që janë ndarë do të mund të rriten me ndihmën e proteinave të mëndafshit dhe kështu të verbëve t’ u kthehet të pamurit.
Ka edhe një problem mirëpo: për qëllime klinike, ky mëndafsh i merimangës, duhet prodhuar në sasi të mëdha në mënyrë sintetike. Qysh në kohën romake mëndafshi ishte shumë i kërkuar dhe dihet se Qesari mëndafshin e kishte matur me ar.
Sot mirëpo mëndafshi nuk përdoret vetëm për pëlhurë, por në Lajpcig dhe Hanover fijet e holla përdoren edhe për rigjenerimin e lëkurës dhe indeve nervore. Mundësitë e shërimit me mëndafshin e merimangës janë të mundshme sepse trupi nuk i refuzon.
Edhe prodhimi i nervave artificiale së shpejti do të jetë i mundur, sepse ky mëndafsh ndikon në ndarjen e qelizave. Me një aparat të krijuar apostafat për këtë nga merimanga, nga prapa, mund të tërhiqen deri në 400 metra fije të mëndafshit. Tani mbetet te kafshët të dëshmohet se si mund të rigjenerohet lëkura. Tek delet kjo kishte dhënë rezultate të mira. Edhe klinika e syve në Lajpcig njofton për rezultate të kënaqshme.
Nga kjo mund të përfitojnë shumë personat e aksidentuara me motor, sepse ata shpesh vuajnë nga defekte të rënda në nervat perifere të duarëve, këmbëve dhe në fytyrë.
Në Lajpcig kanë prodhuar fije të mëndafshit në mënyrë elektrike, të cilat ndihmojnë rritjen e nervave të lënduara. Rezultatet janë shumë të mira thotë profesori nga Klinika Universitare e syve Thomas Claudepierre.
Këto fije të prodhuara në mënyrë elektrike së shpejti mund t’ i ndihmojnë të verbërit. Për këtë nevojitet fija e ndarë një milion herë dhe ajo pjesë e miliont, përdoret për regjenerim kanë konstatuar edhe në Universitetin e Massachusetts në Boston.
Tani shkencëtarët do ta provojnë këtë tek kafshët, nëse rezultatet dalin ashtu siç pritet, atëherë do të evitohet verbimi i përhershëm.
Për informim Tuaj e lexoi dhe përgatiti nga gazeta “Die Welt”: Lis Bukuroca