07.12.2009

Misionari i fundit i R. Alisë, Shekulli


Të pranishëm: të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, Qeveria dhe funksionarët më të lartë të Partisë së Punës.
Lëvizja studentore është e vendosur të shkojë deri në fund. Gjendja është shumë e brishtë dhe mund të shpërthejë në çdo çast.
Në Evropë nuk mbeti diktaturë në këmbë, me përjashtim të Serbisë. Këtë e dinë studentët, këtë e dinë të gjithë, edhe komunistët shqiptarë.
Të pranishmit i kanë drejtuar sytë nga Ramiz Alia. Mbledhja ishte thirrur në mënyrë urgjente në orën njëzet me vetëm një pikë të rendit të ditës: "Si të dilet nga situata e krijuar?"

Ramiz Alia ngriti kokën dhe tha: "Shokë, ne duhet ta themelojmë Partinë Demokratike!"
Të gjithë mbeten si të shtangur. Të gjithë e vështrojnë me habi dhe të hutuar. Shikohen në mes vete duke dashur të kuptojnë mendimin e njëri tjetrit. Fytyra të mpira. Ulin kokën e përsëri rishikohen! Nuk e kuptojnë botën. Tundin kokën në shenjë habie. Zhgënjim, trishtim rezignacion dhe frikë! Shumë prej tyre kishin përgatitur fjalime të flakta për t´u mbrojtur nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm
Hajredin Çeliku kafshon buzët, Nexhmia ul shikimin mbi tryezë. Hysni Kapo mendohet i dëshpëruar. Fatos Nano zgurdullon sytë.

Shokë, vazhdon Ramiz Alia, edhe për mua nuk është lehtë, skenat në Rumuni ishin trishtuese, mendoj se duhet gjendur një exit, ne duhet të veprojmë për të gjetur një rrugëdalje elegante pa pësuar asnjëri prej nesh! Shokë, ne kemi tre mundësi: ta nisim një luftë qytetare, të tërhiqemi apo ta themelojmë Partinë Demokratike, rrugëdalje tjetër nuk ka.

Të gjithë e shikojnë të hutuar dhe të ngurosur. Shumica fusin kokën ndërmjet dy duarve. Tragjike, mendojnë ata! Edhe këtë ditë duhet ta përjetojmë...
Lufta qytetare nuk na konvenon, vazhdon ai, mund të përzihet reaksioni i jashtëm, fuqitë imperialiste, d.m.th. është e sigurt se e humbim. Nëse tërhiqemi, të paorganizuar, atëherë jeta jonë nuk është e sigurt, e as e popullit...Partia edhe në këto çaste duhet të mendojë për jetën tuaj...
E si?, pyet Simon Stefani.

Domethënë duhet të dorëzohemi, shton Fatos Nano. Disa tundin kokën, sikur dëshironin të thoshin, "kurrë në jetë, nuk mund ta lëmë proletariatin pa avangardë".
Ramiz Alia vështron me keqardhje të pranishmit një nga një dhe shton:
Shokë, më duhet t´ju falënderoj se si i keni shërbyer komunizmit, proletariatit botëror dhe idealeve të Partisë, por duket se kapitali dhe kapitalizmi e fitoi këtë luftë dhe nxjerr facoletën për t´i fshirë lotët.
Ta tolerojmë borgjezinë në vend? Kapitalizmin që e luftuam me sukses për disa dekada! Kurrë, jo!, thotë Muho Asllani.
Lenka Çuko ofshan. Hajredin Çeliku gjëmon!

" Jo, mos nxitoni ashtu!", thotë Ramiz Alia. "Sot kërkohen vendime vizionare, jo partiake, sepse është në pyetje mbijetesa jonë! Nuk guxojmë zhvillimet t´ía lëmë fatit, stihisë. Ne kemi shqyrtuar dhjetëra ide. Nëse studentët apo armiqtë e komunizmit formojnë Partinë Demokratike para nesh, vazhdon ai, atëherë na dërgojnë në qelitë ku ishin ata vet, ndoshta edhe më keq, ndoshta edhe na falin, nëse janë demokrat të vërtetë, ndoshta na ekzekutojnë si në Rumuni, kjo nuk dihet, mirëpo ne duhet të jemi vigjilent dhe kërkohen vendime largpamëse."

Të gjithë i kishin parasysh fotografitë nga Bukureshti dhe vendet tjera lindore. Fatos Nano ngrit vetullat dhe shikon i menduar. Ramiz Alia ngrihet në këmbë.
Shokë, popullit duhet t´ia plotësojmë edhe këtë dëshirë dhe kështu shpëtojmë edhe lëkurën tonë. Ne, ne në Byronë Politike, jemi të një mendimi! Keni parë se çka po ndodh në botë. Armiqtë e komunizmit po shumohen çdo ditë!, thotë ai. Dëshiron populli Parti Demokratike? Ja Partia e Punës është e gatshme t'ua krijojë, t'ua falë edhe këtë!?, dhe u ulë përsëri.

Qetësi mortore në sallë. Mbledhja zgjatë deri në orët e hershme të mëngjesit.
"A thua mos ishte edhe ky bashkëpunëtor i fshehur i imperialistëve?" Shumë mendojnë për këtë, por askush nuk kishte guximin ta thoshte. Gjendja ishte shumë serioze dhe me plot ankth! Në këtë çast kjo akuzë nuk ndihmonte njeri.

Shokë, Byroja Politike ka diskutuar dje për këtë, vazhdon ai. Sot na duhet edhe mendimi juaj, d.m.th. pajtimi juaj, siç jemi pajtuar në të kaluarën, kolektivisht...
Ne duhet të infiltrojmë një anëtar tonin brenda studentëve të pakënaqur me komunizmin dhe ky njeri i jonë do ta ketë për detyrë ta themelojë Partinë Demokratike, para tyre, kjo është me rëndësi vitale. Ne duhet ta themelojmë atë parti dhe kështu ajo nuk do të jetë vërtetë demokratike, por emrin do ta ketë të "demokratike". Ashtu ashtu populli adhuron një emër, një etiketë. Derisa ta kuptojnë se ne ishim, kalojnë vite. 

Një gjë është me rëndësi: personi që zgjedhim duhet ta kontrollojë partinë aq mirë, sa të mos lejohet hyrja e demokratëve të vërtetë në majë, përndryshe mund të kemi probleme. Ose kur depërtojnë ata, të jetë i aftë t´i largojë!
Të pranishmit dëgjonin pa thënë asnjë fjalë. Fytyra të zbehta dhe heshtje. Aty nga ora tetë e mëngjesit pajtohen se rrugëdalje tjetër nuk ka dhe duhet zgjedhur njeriu që do të udhëheq këtë parti të re, që e dëshiron populli.

Populli nuk do të shikojë kush drejton partinë, përsërit Ramiz Alia. Populli do ta votojë emrin e partisë. Ne e kemi sunduar këtë popull gati 50 vite, e njohim, një tjetër mund ta mashtrojë së paku 20 apo 30, pastaj ne vdesim dhe nuk ka rëndësi se çka ndodhë!

Një herë përmendet emri i Fatos Nanos për formimin e partisë së re dhe ai të akuzohet në media si tradhtar, por njëkohësisht të ruhet nga shteti. Të pranishmit kundërshtojnë. Përmenden shumë emra, por nuk u besohet aftësive të tyre, karizma, autoritetit që duhet krijuar te klasa punëtore etj. Duhet zgjedhur një njeri më pak të njohur. Personi duhet të ketë aftësi demagogjike dhe të jetë orator, por të rrezatojë edhe simptoma diktatoriale, d.m.th. të mbjellë edhe frikë, me një fjalë, të kërcënohet si komunist i mirë!

Nexhmije Hoxha ka një ide konkrete. Ajo propozon që me themelimin e Partisë Demokratike të ngarkohet, doktori...
Cili doktor?, pyet Lenka Çuko.
Çfarë doktori?, thotë Muho Asllani.
Doktorin që e patëm dërguar jashtë për specializim. Ai që duhej të kujdeset për zemrat e partisë. Është një komunist i zellshëm, shumë ambicioz, i aftë dhe nuk ka rënë në sy, madje edhe populli mund të ketë besim. Ta infiltrojmë atë në masa, thotë Nexhmija, tashmë e bindur se rrugëdalje tjetër nuk ka. Ajo u ngrit dhe mori nga një raft një dosje. Ua lexoi të pranishmëve lutjen që kishte bërë Saliu për pranim në Parti e Punës.

Aha, bërtasin të gjithë! Doktori, kardiologu! Ky është sekretar i Partisë në Spital!
Komunist i angazhuar, njeri i besueshëm...!, thotë Spiro Koleka
Në orën nëntë të mëngjesit merret nga spitali Saliu dhe informohet. Ai pranon detyrën, ndihet i nderuar dhe merren vesh që në televizion, radio e gazetë të sulmohet, por të mbrohet nga policia dhe Sigurimi. Ai hidhet brenda studentëve dhe nuk ka frikë.
Drejtimi i PP i besohet Fatos Nanos. Kështu Shqipëria bëhet me dy parti të majta.
Partia Demokratike me anëtarë të djathtë, por me kokë të majtë, gati-gati si një centaurë!

Saliu kryen misionin sipas kërkesave dhe dëshirës se Byrosë Politike dhe ndërton një demokraci banale dhe shndërron Kuvendin në një pijetore pijanecësh.
A ka ndodhur vërtetë kështu? Nëse jemi pragmatik dhe bazohemi në rezultatet e demokracisë shqiptare, çehren e saj, atëherë mund të pohohet se Saliu është misionari i fundit i Partisë së Punës.
Ai shkatërroi dinjitetin e disa nënave shqiptare, gjoja për të mbrojtur dinjitetin e nënave tjera! Në Tiranë bëjnë grevë urie të përndjekurit politik, gjersa qeverisë Partia Demokratike e Salisë!!!
Kryeministri degradohet në një bashkëpunëtor ordiner të policisë dhe përzihet në punën e prokurorisë.

Ai përpiqet të mbetet në pushtet me të gjitha mënyrat dhe shqiptarët bëjnë mirë t´i mbyllin dritaret mirë natën, sepse nëse e kërkon interesi karrierist, ofshamat e veta mund t´i dëgjojnë edhe në Kuvend. As të mos flitet për pozita e fantazi seksuale, sepse nesër në Kuvend do të thuhet kështu: " Për ta mbrojtur pozitën e gruas, ne ndalojmë pozita që nënshtrojnë atë. Opozita hip mbi gruan dhe kjo nuk mund të tolerohet... Këtu i kam faktet, incizimet...Filan Fisteku gjëmon si kafshë dhe kjo nuk mund të lejohet, do t´ia dërgojë prokurorisë..."!
Edhe një ligj duhet: diskutimet hardcore të Kuvendit të transmetohen vetëm pas mesnate dhe të mbrohet rinia nga degjenerimi i Qeverisë !

*Në fotografi Sali Berisha me bijtë e Enver Hoxhës...

Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.


1 Kommentar:

noé hat gesagt…

Purtropo hai ragione nel tuo sarcasmo micidiale!