23.12.2011

Populli më i vogël në botë?


Stephen Leonard nga Universiteti i Kembrixhit kishte dëshirë ta mësojë gjuhën „inuktun“, e cila flitet vetëm nga 770 veta në Grenlandën Veriore dhe gjuhë, që ekziston vetëm në të folur, por nuk është shkruar kurrë. Ai atje kaloi një vit me gjuetarët e popullit „inuguit“ (edhe inuit). Aty, përveç gjuhës, mësoi shumë mbi gjuetinë e arinjve dhe ndryshimin e klimës. Gjatë tre muajve të dimrit banorët nuk shohin dritën e diellit dhe temperaturat arrijnë deri në – 50 gradë.
Në fillim kishte nisur mësimin e gjuhës me përkthyes, pastaj edhe nga nxënësit. Shumë inuguit kanë qenë në shkollë dhe flasin edhe grenlandishten perëndimore si dhe danishten. Antropologu linguistik, që flet 12 gjuhë, nisi edhe shkrimin e saj, duke u konsultuar me banorët dhe konstatoi se kishte fjalë, që kishin deri në 50 shkronja. Përveç kësaj, gjuha e tyre kishte 20 fjalë të ndryshme për erën dhe kanë shumë tregime, që i rrëfejnë gjatë gjuetisë. Tregim mbi mbijetesën në kushte tepër të vështira, të lidhura me akullin në det. Nëse brenda 25 viteve do të zhduket akulli, atëherë do të zhduken edhe tregimet e tyre.
Banorët tregojnë se klima ecën sipas një cikli 30 vjeçar. Ata, këtë kanë dëgjuar nga stërgjyshërit dhe thonë se pas përafërsisht 30 viteve të ngrohta, pasojnë 30 të ftohta, mirëpo të rinjtë mendojnë se klima është duke ndryshuar me shpejtësi të madhe.
Gjuetarët thonë se ndryshimi i klimës ka nisur në vitet e 90-ta. Më parë ngrirja e detit niste në shtator dhe shkrihej në korrik. Ngrirja dhe shkrirja zgjaste dy javë. Deri sa ishte aty antropologu gjuhësor Stephen Leonard, kishte parë se krijimi i akullit kishte nisur në shtator dhe përfundimisht ishte krijuar në dhjetor dhe vetëm tani, gjuetarët kishin mundur të ecnin mbi akull. Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më rrallë inuguitët dalin në gjueti. Ata i janë kthyer lojërave të kompjuterit apo alkoolit. Stephen Leonard tani në Kembrixh është duke u marrë me klasifikimin e të dhënave: Fjali, fjalorë, struktura gramatikore, por edhe video me këngë dhe valle të inuguitëve. Ai dëshiron të kthehet sa më shpjet në Grenlandën Veriore dhe t’ u dorëzojë atyre dokumentacionin në DVD dhe libra, ku ruhet një pjesë e kulturës së tyre.
Burimi: Deutschlandfunk

Përgaditi: LBukuroca

Keine Kommentare: