26.12.2011

Jeta artificiale


Jeta mund të krijohet. Kjo është teoria themelore e biologjisë sintetike. Ky koncept në pesë vitet e fundit ka fituar shumë në domethënie. Metodat me të cilat krijohet një organizëm i ri, shpesh vijnë nga repertori i inxhinierisë gjenetike. Gjithnjë e më shpesh, përfaqësuesit e biologjisë sintetike varin shpresat e tyre në evolucion. Në vend se të ndërtojnë, ata i lënë fatit të vendosë se çfarë do të krijohet.
Bioteknologët dëshirojnë që bakteret e tyre të prodhojnë substanca të reja. Tash e më shumë se 30 vite, ata përdorin teknikën gjenetike. Ata transplantojnë informacione gjenetike, nga një specie tek tjetra. Kështu organizma të tërë ndryshohen dhe rindërtohen. Bioteknologët flasin për biologjinë sintetike. Specialistë krijojnë sipas dëshirës baktere apo qeliza të majës në kompjuter. Punën laboratorike e marrin kompjuterët dhe robotët si për shembull në Ndërmarrja Bioteknologjike LS 9 në San Francisko. Shumëçka që zakonisht prodhohet në mënyrë kimike nga nafta, prodhohet këtu nga mikroorganizmat. Vice presidenti dhe kreu i hulumtimit Stephen del Cardayre thotë: ”Këtu punojnë kirurgët mikrobiologjik. Ata presin dhe kompozojnë komponente ndërtimore gjenetike. Gjenomet e baktereve fitojnë një dizajn të ri, kështu organizmat e transformojnë sheqerin në produkte të ndryshme, që ne prodhojmë.” Metoda është gjithmonë e njëjtë.
Materiali gjenetik i krijuar në kompjuter provohet, korrigjohet, rimodelohet dhe testohet përsëri. Mirëpo kjo nuk është akoma jetë nga tryeza e dizajnatorit, thekson Stephen del Cardayre. Bio-inxhinierët ngjasojnë nxënësve të këqij, që nga shoku –natyra-kopjojnë, por në fakt nuk kuptojnë për çka është fjala.
Në një laborator të Institutit Biologjik në Universitetin e Berlinit profesori Rupert Mucel ka në një epruvetë një lëng sa dy gota të vogla rakie dhe aty janë dhjetë miliard baktere. Aparatura është një automat i thjeshtë i evolucionit. Aty duhet të krijohen antibiotik të rinj. Për të ndikuar tek bakteret, shkencëtarët ndryshojnë kushtet e rritjes: temperaturën, sasinë e kripës, apo dendësinë e lëndëve ushqimore apo të helmeve. Përveç kësaj, ata mund t’ i shtojnë edhe gjene të krijuara në mënyrë artificiale për të arritur deri te mikroorganizmat e reja.
Bakteret zgjedhin informacionin gjenetik dhe i ribashkojnë. Në vend se ta kopjojnë ata natyrën, bëjnë që natyra të punojë për ta, sipas parimit: Mutacion dhe seleksionim. Ndryshime gjenetike të rastit. Provë dhe gabim. Problemi për shkencëtarët është kombinimi. Shkencëtarët shkruajnë skenarin, regjinë ia lënë natyrës.
Njeriu ka diku 20.000 gjene. Kjo është shumë pak në krahasim me atë që ofron ajri, deti dhe toka. Shumica e gjeneve që gjenden jashtë kanë origjinën tek mikroorganizmat. Kjo mund t’ i sjellë informata të rëndësishme bioteknologjisë. Hulumtuesi i gjeneve Craig Venter thotë: „ Në çdo mililitër të ujit të detit jetojnë më shumë se 1 milion baktere dhe 10 milion viruse. Nëse ju notoni në det dhe pini pak ujë, atëherë keni gëlltitur 100 milion mikroorganizma, gjallesa të padukshme.
Ato gjene mund të ndahen në familje. Në grupe të ngjashme. Domethënë këto familje të proteinave kanë edhe funksione të njëjta. Dhe, qëllimi jonë tani është ta zgjedhim në familje reprezentative të proteinave për ta studiuar mirë. Ne mund të marrim gjene nga oqeani dhe t’ i fusim E.Coli dhe nëse E. Coli përsëri noton, atëherë kuptojmë se gjeni që iu shtua kjo, është një oksidaze...
Një profesor në televizorin publik gjerman pat thënë këtë: "Ne kemi në trup më shumë baktere se sa tru, diku 2 kilogram..." Para dy muajve qe lajmëruar se shekncëtarët amerkian krijuan në laborator një mikroorganizëm artifcial me 150 gjene...E çka do të krijojmë pas 500 viteve?
Përgatiti: Lis Bukuroca


Keine Kommentare: