04.09.2012

Dyzetë minuta në tramvaj, gazeta Dita


(Në foto një plakë shqiptare, e zgjedhur si foto e ditës nga Reuter) 

Ndoshta kanë kaluar dy dekada, nga dita kur kisha udhëtuar me tramvaj herën e fundit. Po nisesha nga veriu i qytetit për të arritur në jug. Në fillim nuk pati vend për t’ u ulur. Në tramvaj pulsonte qyteti, jeta e tij. Plaka, pleq, nëna me fëmijë dhe nxënës. Nxënës jo gjerman, që përkëdhelnin tinëzisht dorën e së dashurës dhe nxënës gjerman, që mbaheshin për dore apo ndonjë që  kishte lëshuar kokën mbi gjoksin e tij apo të saj. Ndonjë plakë me revistë në dorë, ndonjë me gazetë, njëra përballë me syza të trasha  me “Procesin”  e Kafkës. Të rinjtë me celularë në duar shfletonin faqet e internetit apo shkruheshin me miqtë.

Kulmi i civilizimit nuk ishin nxënësit me celular, por plakat me romane në dorë apo libra të fushave profesionale, që në fakt kishin mundësuar përjetimin e kësaj dite. Para dhe prapa bisedonin njerëzit. Copëra bisedash, ku një plak i tregonte tjetrit se kishte kthyer patentën tek Zyra e Komunikacionit dhe tani e disa muaj po udhëtonte me tramvaj...

Gjermania pas luftës së dytë botërore u zgjua e rrafshuar përtokë. Nuk zgjati as dy dekada dhe u hodh në majë të kombeve. U pendua për veprat e veta, pendohet edhe sot. Falënderoi amerikanët për çlirimin nga nazizmi i vet, i falënderohet edhe sot, për çdo përvjetor. I falënderohet Gjermania me mbi 80 milion banorë, vendi me ekonomi më të fuqishme në Europë dhe ndër më solidet në botë. Mirënjohëse shprehet sa herë ta kërkojë nevoja, por nuk e quan kurrë vëlla, edhe pse i ka çliruar.
Për t’ i përjetuar ato plaka si pikë kulmore të qytetërimit, nuk kishte ndikuar dikush nga jashtë, por përkushtimi i vet kombit gjerman; dashuria ndaj punës, ndaj mëmëdheut, përkushtimi serioz, shteti i arsyes; shtet në shërbim të popullit. 

Ato plaka me romane në dorë janë pasardhëse të poetëve gjerman (që fillon nga vit 750 me këngë kreshnike), të shkrimtarëve gjerman (13 Çmime Nobel) të filozofëve gjerman të njohur në botë, që kanë krijuar një kulturë nga mund të mësojë populli, të ecën para dhe të ndërtojë jo vetëm Gjermaninë, por edhe Europën. Ato plaka që kanë parë edhe të zitë e ullirit pas lufte,  janë paraardhëse të këtyre të rinjve që përjetojnë sot lirinë në të gjitha dimensionet, në të gjitha fushat e saja dhe nuk ka dyshim se hovi i tyre do të jenë akoma më i madh dhe më gjithëpërfshirës, më mbresëlënës se sa i stërgjyshërve të tyre. Mos të harrojmë inxhinerët gjerman dhe produktet e tyre...

Aty ku shihen plakat me romane e libra në duar, me gazeta e revista, mund të thuhet se ai komb është komb i qytetëruar, i lumtur; komb bashkëkohorë. Përparimi i një kombi mund të matet vetëm me lirinë dhe barazinë, që posedon gruaja. Aq sa më e arsimuar gruaja në një komb, aq më e lumtur është jeta e atij populli. Natyrisht ka edhe shkurorëzime, por shkurorëzimet ndodhin shpesh sepse mashkulli i paemancipuar ka probleme të mëdha me mençurinë e gruas dhe ai, kur ndjehet inferior, braktis shtëpinë dhe familjen. 

Ligjet i kanë anuluar burrit pushtetin fizik mbi gruan dhe kur burrat kapitullojnë mendërisht - meqenëse nuk mund ta përdorin dhunën pa pasoja - atëherë ia mbathin. Fundi i fundit, më mirë miq e të ndarë, se sa armiq e nën një kulm... Ta duash kombin tënd, dmth. t’ i duash një lloj pjesëtarët e atij kombi, pa favorizuar një gjini e pa diskriminuar tjetrën. Nuk janë vetëm burrat të mençur, nuk janë vetëm gratë të mençura, por mundësia për ta avancuar një komb është e shpërndarë një lloj: si te burrat, ashtu edhe te gratë. Nëse dikujt nuk i mundësohet diçka për shkak të gjinisë të cilin njeriu nuk e ka zgjedhur vet, atëherë padrejtësia është e padurueshme dhe duhet bërë diçka kundër saj, siç thoshte Erich Fried.

Në Gjermani mirëpo nuk ndërtohen kisha, por rrugë, shkolla, universitete, spitale, vetura, helikopter, lokomotiva, aeroplan dhe çdo vit regjistrohen diku 2 milion studentë... Politika dhe shkenca merren me të tashmen dhe me të nesërmen. Këta përgatisin fatin e vet e nuk presin nga lart. Ata merren në mes të tjerash edhe me parashikimin e jetës në vitet 2030, 2040, 2050: sa banorë do t’ i ketë Gjermania, sa rrymë i nevojitet kombit dhe ekonomisë, sa do të jenë pensionet dhe si duhet ta përgatisim të ardhmen për brezat që vijnë, sepse Gjermania nuk është një shtet ku pasurohen politikanët si në vetëshërbim, por politikanët janë shërbëtor të popullit dhe shteti shumë racional. 

Ndoshta është shumë racional sespe dënohet me vota. Edhe nga plakat. Ato plaka me romane  e revista në duar, nuk votojnë politikanët për shkak të bukurisë, sharmit, por votojnë programin dhe mundësinë e realizimi të tij. Plakave gjermane nuk mund t’ u tregohen përralla, ato lexojnë vet...Këtë gjendje, këtë ekuilibër të shëndoshë, nuk e kanë marrë nga qielli, por nga puna dhe është rezultat i dijetarëve të saj, që ka ndikuar në zhvillimin e një ndjenje sublime për drejtësi, pikë së pari për barazi në shtëpi, pastaj në shoqëri...Aty ku nuk ka barazi në shtëpi, nuk ka as në shoqëri.

Opinioni publik gjerman nuk toleron shfaqjen e ekstremistëve në televizor apo gazeta dhe t’ i mbajnë popullit ligjërata. Ekstremistët e çdo lloji mbikëqyren nga shteti dhe nuk u lejohet dalldisja dhe ndërsimi i kriminelëve. Ato plaka me romane në duar, nuk janë vetëm pasqyrë ku mund të shihet e kaluara gjermane, por më shumë spikatet e ardhmja e vendit. Ndërkaq, në mërrolat, në rrudhat e ballit të plakave shqiptare, mund të lexohet krejt historia e popullit tonë; krejt pesha e diskriminimit, krejt pesha e shtypjes, si nga pushtuesit, ashtu edhe nga burrat e vet...

 TEK AMAZON