05.11.2012

Pornokracia dhe njëqindvjetori, gazeta Lajm dhe Sot


Jo njëqind vjet shtet e pavarësi, por njëqind vjet nga shpallja e pavarësisë... Me rrëzimin e tiranisë, kishte shpresa të mëdha se elita intelektuale në Shqipëri, do të ndërtonte demokracinë e vërtetë, por në fakt, pas rrëzimit të rendit komunist, pinjollët e saj, grabitën lëvizjen historike, zaptuan pushtetin dhe qysh atëherë, në Shqipëri, herë shfaqet kleptokracia si rend i paluhatshëm, herë meritokracia, por dominon pornokracia...


Njëqind vjet pas shpalljes së pavarësisë, zero vite rehati dhe 00 vite mirëqenie. Një e treta e kombit në mërgim... Pavarësi nëpër gazeta, pavarësi në televizor, romane për pavarësi, monografi për pavarësi, poezi për pavarësi, koncerte për pavarësi, tubime shkencore për pavarësi. Krejt kjo bëhet nga ajo pjesë e ngritur, e vetëdijshme e kombit, e cila nuk përfiton nga pavarësia, por përpiqet të emancipojë politikanët shqiptarë, që janë të gatshëm ta prishin edhe pavarësinë, edhe shtetin dhe vullnetarisht shndërrohen në vasalë të huaj duke cenuar integritetin e vendit dhe pavarësinë e shtetit. Për dobi vetjake. 

Shtet i pavarur është ai shtet, që posedon një ushtri të organizuar për t‘ i mbrojtur kufijtë; ai shtet që ka polici dhe gjykatat për ta ruajtur paqen e brendshme; ai shtet që ka një qeveri me shumë ministri dhe njëra prej tyre është e financave për vjeljen e tatimeve. Ai shtet që ndërton shkolla, spitale, rrugë... Fundi i fundit, shtet i pavarur është ai shtet, që vet ndërton politikat e tija në dobi të kombit. 

Shqipëria u çlirua me 29 nëntor të vitit 1944. Nëse thuhet se Shqipëria u çlirua, atëherë pranohet se Shqipëria para kësaj date, për disa vite, nuk ishte shtet i pavarur, por vend i pushtuar. Nëse edhe gjatë luftës së parë botërore qe pushtuar, as atëherë nuk ishte vend i pavarur. Ata tituj me 100 vjet shtet dhe 100 vjet pavarësi, janë të gabueshëm. Shqipëria në fakt nuk ishte vend i pavarur si duhet që nga 1912 deri kur Zogu me ndihmën e Serbisë, rrëmbeu pushtetin dhe më vonë, shpalli veten mbret. 

Pati shumë përpjekje për të themeluar shtet, por qeveritë rrëzoheshin njëra pas tjetrës; ndonjë qeveriste një ditë, ndonjë tjetër një javë, por gjakimi për ta ndërtuar shtetin vazhdonte, edhe pse i penguar si nga jashtë, fqinjët, ashtu edhe nga brenda, tradhtarët dhe karrieristët. Sot, njëqind vjet pas shpalljes së pavarësisë, mund të thuhet se jemi shtet në pubertet, një pubertet i retarduar apo konstant: shtet lehtë i prekshëm, lehtë i lëndueshëm, lehtë i thyeshëm, lehtë i rrëzueshëm, tekanjoz, çapkën, arrogant, i gatshëm për dhunë brenda familjes, përjashtues, herë si vajzë e pispillosur, herë si djalë dylber, herë i fortë si graniti, herë këmbëngritur dhe me shputa në ajër si një Shantal. 

Vend ku kryeministri shpallë vëllezër turqit dhe vend ku kryetari i shtetit thotë se meritojmë anëtarësimin në BEE;  “jemi europian me zemër e me shpirt.”
Kjo është gjendja jonë njëqind vite pas shpalljes së pavarësisë. Si atëherë, edhe sot, nuk dimë kush jemi, çfarë dëshirojmë dhe atë që njëri konsideron tradhti, për tjetrin është patriotizëm i madh. Madje, edhe kur i shërbejnë të huajve, edhe atëherë, gjoja e bëjnë nga atdhedashuria, në fakt e bëjnë nga shkurtpamësia dhe interesi vetjak!!! Por, keni vënë re, çlirimi nga shteti osman nuk përmendet, as nuk do të festohet, sepse mund të pezmatohen vëllezërit, vëllezërit që na vizituan për 500 vite edhe atë, pa qenë të ftuar...

Pas shpalljes së pavarësisë, patëm më shumë anarki se sa një shtet të organizuar. Në anarki shteti dhe pushteti mezi vërehen apo nuk vërehen fare. Gjatë kësaj kohe mirëpo herë shfaqet oligarkia, (sundim nga një grup i vogël), herë timokracia (sundim i të kamurve ose të njerëzve me nam e nishan në shoqëri). Zogu, me shpalljen e vetvetes mbret, krijoji monarkinë dhe pas saj, pasoi tirania apo ndryshe, diktatura, që merrej me luftën e klasave dhe ndërtimin e burgjeve. Shtetin e kishte në dorë “klasa punëtore” me mediokritetet dhe njerëzit e paarsimuar apo më drejtë, me njerëz përgjysmë të arsimuar.

Diktatura do të ngre në vend meritokracinë dhe kjo do të zgjasë gati deri në fund të shekullit XX. Me rrëzimin e tiranisë, kishte shpresa të mëdha se elita intelektuale në Shqipëri, do të ndërtonte demokracinë e vërtetë, por në fakt, pas rrëzimit të rendit komunist, pinjollët e saj, grabitën lëvizjen historike, zaptuan pushtetin dhe qysh atëherë, në Shqipëri, herë shfaqet kleptokracia si rend i paluhatshëm, herë meritokracia, por dominon pornokracia. (Nga greqishtja “porne”, kurvë, rend ku kurtizanet ushtrojnë ndikim të madh në politikë.) Tek ne mirëpo është ndryshe nga ky përkufizim. E kundërta. Tek ne nuk ka kurtizane apo konkubina si Rosamund Clifford, dashnorja e Henrikut të II në shek. XII në Angli, as si Giulia Farnese, dashnorja e Papës Aleksandër VI (shek. XV), as si dashnoret e Napoelonit Maria Valevska, Eleonore Denuelle, e as si dashnorja e Lugjit të XIII, Louise de La Fayette, e as si kurtizania e njohur Madame de Pompadour “maîtresse en titre“ e Luigjit të XV. Në pornokracinë tonë nuk kemi kurtizane, si ato që patën ndikuar në politikat Europës, por ne i kemi punët më keq, sepse ne i kemi kurtizanet në pushtet: ato janë të pamoralshme, të palidhura për një kunj, të nënshtruara ndaj të huajve, pa karakter, kriminele, pa parime dhe janë në gjendje për karrige, ta falin edhe bythën, duke u betuar se po e bëjnë për të mirën e kombit, nga atdhedashuria... Pra, qysh nga rënia e komunizmit, mund të thuhet se dominon pornokracia duke rrëshqitur herë pas here në meritokraci dhe kleptokraci, përkohësisht edhe në anarki, madje edhe në ohlokraci (sundim i laperëve, harbutëve, një përkthim lirë) duke shkëmbyer sistemet nyansa dhe kontura në mes vete. 

Një përvjetor kaq i madh dhe kaq i rëndësishëm, nuk mund dhe nuk duhet të kremtohet në Tiranë, por në Vlorë. Lidhja e Prizrenit nuk mund të festohet në Prishtinë, e Tiranë, por në Prizren. Jo ato shtetërore, por ato private. As përvjetori i alfabetit nuk mund të kremtohet në Shkup. Pornokracia nuk zhvendosë vetëm vendet, por shpallë tradhtarët patriotë dhe patriotët tradhtarë; çshenjtëron dhe shenjtëron sipas tekeve te saja, kundër dijes së përgjithshme dhe ndërgjegjes dhe sedrës. 

 Ky përvjetor mirëpo do mbetet në kujtesë edhe si përvjetor amoraliteti, sepse për herë të parë, tradhtarit i ndërtohet përmendore dhe shpallet hero, edhe pse nga pozita e “Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura“ neni 179, pjesa A., dezerton.
Kjo është hera e parë në historinë shqiptare që lihet atdheu nga prijësi i vendit dhe hera e parë në historinë shqiptare ku dezertori shpallet hero. Nuk ka asnjë arsye të mos veprohet kështu edhe me Hamza Kastriotin dhe Mojsi Golemin, apo ndoshta pikërisht kjo ishte arsyeja pse Zogu rehabilitohet, sepse kjo bëka pjesë në programin e quajtur “ndryshim i historisë?!” 

Sidoqoftë, politikanët shqiptarë duhet ta mësojnë përmendsh mendimin e shkrimtarit austriak-amerikan Franz Werfel i cili thotë: “Bota është shtangur para nocioneve Djathtas dhe Majtas dhe ka harruar, se ka edhe një Lartë dhe një Poshtë.”

"Një lartë dhe një poshtë! Ata që janë lartë, do të zbresin poshtë dhe ata që janë poshtë, do të ngrihen! Gravitacioni do t’ i tërheq, varet se si do të përfundojnë, me fytyrë apo pa të, por duhet të jenë të sigurt, historinë nuk e shkruan politika, por shkenca dhe meqenëse është kështu, atëherë përmendoret e tyre të sotshme, do të rrëzohen nesër dhe ngrihen të reja. Në këtë festë të madhe ku kremtojmë njëqindvjetorin e shpalljes së pavarësisë, s’ duhet harruar se pikërisht me këtë datë, festojmë edhe dështimin tonë, fragmentarizmin e kombit, humbjen e luftës dhe betejës... 

Maqedonia me gati gjysmën e banorëve shqiptarë, bën politikë nacionale maqedonase. Politikanët tanë, Pompadurët tanë, herë bëhen kurtizane të Turqisë, herë të Serbisë, herë të Greqisë, herë të Italisë, do të bëheshin edhe të dreqit, me rëndësi të mbeten në pushtet të kacavarur...Edhe një gjë: në kohën e Jugosllavisë festonim pavarësinë në ilegalitet, a thua si do të festohet përvjetori i pavarësisë në Kosovën e lirë?

Gazeta Sot
Gazeta Lajm
Lugina Lajm

Libra nga Lis Bukuroca

  •  Shtatë parimet e dashurisëbotimi i parë qershor 2020
  •  Ngjyrat e dashurisë (roman erotik, vetëm për lexues të moshës madhore )
  •  Letër burrave (II)
  •  Letër burrave (I)
  •  Hijedritat e jetës
  •  Die Asylbewerber: Eine Komödie in drei Akten

  Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë

  •  Shtatë parimet e dashurisëbotimi i parë qershor 2020
  •  Ngjyrat e dashurisë (vetëm për lexues të moshës madhore )
  •  Letër burrave (I)
  •  Letër burrave (II)
  •  Hijedritat e jetës
 

2 Kommentare:

Anonym hat gesagt…

Koment tek gazeta Lajm

Pershkrimi i epokes nje shekull te gjysem shteti shqiptare eshte bere ne menyre te shkelqyeshme. Thurrja e kesaj dukurije dhe gjendjes se mjeruar te shqiptareve eshte bere me nje pershkrim aq real sa qe ta merr mendja se shqiptaret festojne 100 vjetorin e veteroberimit e cila si forme e roberise njerezore eshte forma me trishtueshe dhe me antinjerezore qe don te thot se per te ia bere jeten zi e me zi shqiptarit nuk ka mundur askush te ia kaloje. Mjerimi i ketij shkrimi dhe shume te tjereve si ky eshte se asnjehere nuk ofrohet platforme per zhdukjen e ketyre proceseve antikombetare dhe antinjerezore si qe e benim cdohere kur ishte e nevojshme per tu cliruar nga roberite e shumta ne te kaluaren. Duhet kuptuar se jemi te vecante pasi se edhe clirimin nuk e kemi arritur si komb po nje hise te madhe e kemi te dhuruar prandaj edhe dhuratat i kane mangesite e veta qe po na shfaqen si ne keto dy shtetet e brishta te udhehequr nga pornokratiste e poliolezbijkat e shumte qe festojne nga 100 vjete, 99,99 vjete anarhi,totalitarizem,stalinizem,Maovizem byrokraci e zi e ma zi e vetem 0,1 vjete harrese per ti bere edhe ma zi.

Lis Bukuroca hat gesagt…

Koment tek revista Drini:

Një shkrim me saktesi laserizmi. Si gjithnje i pa huqur ne vijen e pikpamjes se shendoshe. Te pershendes.


çlirim Uça
08/11/2012 at 00:24