12.12.2012

Ni hao Xhong-guo Ren-min Gong-he-guo* Gazeta Sot, Gazeta Dita

Shkrepja e befasishme e retorikës sofiste, me qëndrim hijerëndë prej mashtruesi profesional, do ta kishte habitur edhe Maçokun me Çizme, Tartufin e Molierit dhe batakçinjtë më të mëdhenj në historinë e arrivistëve. Madje do ta kishte lënë gojëhapur dhe pa fjalë Makiavelin personalisht. Përçartja flet për humbjen e orientimit në politikë, zhgënjimet dhe duket se shpresat i ka varur tek Kina. Arsyeja? E thjesht dhe naive: Berlusconi (humoristët italian gati mbetën pa punë) nuk është më për të përligjur vjedhjet dhe vrasjet e tija në BE. Qeveria greke pas pezullimit të copëtimit të detit shqiptar, është zmbrapsur dhe nuk do të jetë as ajo avokate e Berishës në Europë. Po konsumohet edhe durimi i Erdoanit, i cili kishte pritur rreshtimin e Berishës kundër SHBA-ve, pa të cilën nuk do të ekzistonte as Shqipëria, as Kosova, as kombi shqiptar. Erdoani madje edhe e ofendoi vëllanë e vet duke e quajtur “tuc.” Sidoqoftë, pas sharjeve jo të zakonshme për standardet e komunikimit politik europian, u kuptua se çfarë pret Turqia nga vasalët e vet. Para ca ditëve i fali Maqedonisë pajisje ushtarake, që nesër mund të përdoren kundër synimeve për barazi të shqiptarëve. Këto janë fakte politike, shpjegimet tjera janë propagandë përkulshmërie nga mungesa e identitetit vetjak.

Sipas gazetës serbe “Blic” në mars të këtij viti, pas vizitës së Ministrit të jashtëm kinez, Ministri i Kulturës serbe Zharko Obradoviç dhe ambasadori kinez, Xhang Vanhu, firmosën një memorandum për mësimin e gjuhës kineze në Serbi. Kina do t’ i paguante arsimtarët dhe materialin. Projekti do të zgjasë deri në fund të këtij viti. Jeremiç pat deklaruar se Serbia është partneri i vetëm strategjik i Kinës në Ballkan. Këtë e din edhe Kosova, edhe Shqipëria. Mësimi i gjuhës kineze si pilot projekt do të mësohej fillimisht nga 2462 nxënës dhe nëse do të tregonte sukses dhe interes, do të shndërrohej në lëndë fakultative në vitin 2013.

Mirë që nxënësit mund të zgjedhin, përndryshe, sikur të isha nxënës në Shqipëri, do të kisha ikur nga klasa pa çantë në dorë, nëse nuk do të kisha mundur për dere, atëherë për dritare, por do të kisha ikur, jo pse nuk i dua gjuhët, përkundrazi, edhe kinezishten, jo pse shkruhet me logograme e nuk ka alfabet, por si nxënës nuk do të kisha mundur t' i shpjegoj vetes, pse kinezishtja si gjuhë e dytë pas anglishtes, më nevojitet më shumë se gjermanishtja, më shumë se italishtja dhe më shumë se frëngjishtja. Me italishten do të vizitoja të afërmit në Itali. Atje gjenden pesë mijë studentë shqiptarë dhe qindra mijëra punëtorë. Ndoshta një ditë do të shkoja për të kërkuar punë apo për studime në ato vende. Kinezishtja mund dhe duhet studiuar në kurse private, kujt i nevojitet, në fakultete, por jo në nivele më të ulëta. Pesha jonë ekonomike në botën dhe sferën e interesit kinez, është e vogël apo e parëndësishme.
Ju kujtohet se në djepin e Perandorisë së Qendrës qe shtrirë përkohësisht edhe Enver Hoxha? Po përsëritet historia apo nxënësi i Enverit nuk din ndryshe, pos të shajë, kërcënojë dhe krekoset duke ndryshuar tutorë vazhdimisht. Ai prodhon vazhdimisht skandale dhe ka traumatizuar edhe opozitën, sa ajo, në vend se të merret me strategji për marrjen e pushtetit, po zgërdhihet dhe këputet së qeshuri me gafat e tija trashanike. Ky është edhe qëllimi i tij. Ta argëtojë, trullosë dhe sundojë edhe opozitën. Kështu ajo në vend se të merret me probleme të mëdha, merret me korrigjimin e tij. Ai ka një strategji, një plan dhe një qëllim se si të çorientohet kundërshtari politik. Herë me kërcënime, herë me shantazhe, herë duke kërkuar ndjesë, herë duke e fajësuar opozitën për dështimet e veta. I ka trullosur dhe luan me ta, si qeni me macen. Tani i tha popullit se është mirë të jetohet me borxhe. Kësaj i thonë “bishti po e tund qenin, e jo qeni bishtin”, Thomas Wieczorek, në librin "Die verblödete Republik", “Republika e  budallepsur”(idiote). Se sa është mirë të jetohet me borxhe, po e shohim në Greqi.

Volumi tregtar i Gjermanisë me Kinën në vitin 2010 arrinte 130 miliardë Euro sipas “Frankfurter Allgemein Zeitung”. Në vitin 2011 sipas një asociacioni gjermano-kinez, ishte 18.9 % më i lartë dhe kishte hipur në 169,1 miliardë. Qeveria gjermane parashikon që në vitin 2015 të arrihen 200 miliardë dhe megjithëkëtë shumë, gjuha kineze mësohet vetëm në tri shkolla në Hamburg. Enveri shpalli shtetin e parë ateist në botë, ky dëshironte të bëhet shteti i dytë në Ballkan, që futi kinezishten në shkolla, me një herë pas aleatit strategjik të Kinës, Serbisë. Ky vendim do të dukej logjik sikur të ishim japonez, korean apo sikur të kufizoheshim me Kinën. Apo pas investimeve të mëdha kineze. Ndryshe, jo. Serbia ka motivet e veta, ne jo. Ne kemi kundërmotive. Kosovën.

Nga fjalimet e fundit kuptohet se Kryeministri shqiptar është bindur se do t’ i humbë zgjedhjet. Herë flet si i dehur, herë si i zhytur në një dalldi narkotike. Me pallavrat, me sulmet e fundit epileptike nacionaliste, deshi të hakmerret ndaj BE-së. Shpresa e tij ishte fitimi i statusit të kandidatit dhe kjo do t’ i kishte mundësuar ngadhënjimin në zgjedhjet e ardhshme. Ndoshta pikërisht këtë deshi ta parandalojë Europa. Tani i ka ngelur mënyra primitive e fitimit, populiste, pse? Sepse ai e din mirë se për bashkimin shqiptar, nuk vendoset as në Tiranë, as në Prishtinë. Ashtu si nuk u vendos për pavarësinë e Kosovës. Për bashkimin e dy shteteve shqiptare, duhet ta bindim pikë së pari Uashingtonin. Nuk mund të kërkosh bashkim kombëtar duke sulmuar Greqinë, por duke e përfituar edhe atë për çështjen shqiptare, pastaj duke përfituar Gjermaninë, sepse ky vend e kupton më së miri çfarë domethënë ndarja e dhunshme e kombit. Pastaj Francën, Anglinë dhe Italinë. Këtë mirëpo Berisha e din, tani e tutje nuk do t’ i përsërisë më, ose do t’ i përsërisë duke rrezikuar prishjen e marrëdhënieve apo ftohjen me Perëndimin. Me shumë pasoja për Shqipërinë dhe shqiptarët. Efekti dhe qëllimi mashtrues i atyre deklaratave, do të mbetet. Populli lehtë i manipulueshëm, do t´i besojë. Edhe pasaportat janë një shantazh ndaj Europës, së paku tani, jo pas pezullimit të vizave për Kosovën, mirëpo Berishës i duhen votues dhe pas deklaratave të fundit, në Kosovë do t´i kishte fituar zgjedhjet.

Sikur ky ta dëshironte bashkimin, do të kishte folur me zonjën Clinton dhe me ata që vendosin për trazovaçët e Ballkanit. Jo publikisht, por fshehtas deri në realizim. Jo duke e përplasur idenë në popull, ky është Kryeministër, e jo Kreshnik Spahiu, por duke kërkuar ndihmë nëpër kancelari. Bashkimi vjen duke u përforcuar ekonomikisht dhe duke ndërtuar shtetin ligjor, demokracinë, duke zhdukur korrupsionin dhe kriminalitetin, sepse Perëndimi mendon në mënyrë pragmatike dhe utilitariste: Më mirë me dy shtete të vogla të këqija, se sa me një shtet më të madh, të keqqeverisur dhe jo të qëndrueshëm. Arsyet se pse elita politike shqiptare faktikisht nuk e dëshiron bashkimin, e pat shpjeguar shumë mirë shkrimtari Kim Mehmeti në një analizë. Se sot qenkemi të bashkuar, është një gënjeshtër e madhe. Në praktikë jemi më pak të bashkuar se Gjermania dhe Franca, ku nuk ka kufij. Kufiri shqiptaro-shqiptar ruhet nga ushtarë shqiptarë të armatosur. Ka disa vite, së paku dhjetë që me sukses të madh jemi duke punuar kundër bashkimit, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Këtë e dëshmon qeverisja e keqe, korrupsioni, nepotizmi dhe kriminaliteti, në mes të tjerash, madje edhe zgjedhjet e “lira.” Zgjedhjet e lira nga të cilat populli trishtohet, sa herë afrohen ato. Pas zgjedhjeve, zakonisht pasojnë paroditë dhe tragjeditë.

Sikur ta dinte Berisha mendimin e elitës intelektuale dhe politike perëndimore për Greqinë, ai nuk do të kishte bërë kurrë ato deklarata. Pikë së pari duhet t’ i çnjihet e drejta e ndikimit Serbisë për shkak të gjenocidit qindvjeçar dhe rrudhjes tokësore shqiptare (trojet shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi nuk i kanë pushtuar këto vende, por Serbia) dhe të denoncohet politika fashiste, raciste serbe me dokumentet dhe projektet e tyre shkencore për zhdukjen dhe dëbimin shqiptarëve. Serbia nuk ka të drejtë morale të pengojë apo përzihet në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ja një shembull nga historia serbe, ka qindra të tilla, edhe më aktuale, por ja një: “ Më 15.07. 1924 gjatë sulmit kundër kaçakut Azem Galica, humbën jetën 12 ushtarë serb dhe 600 arnaut.”, raportonte gazeta serbe “Politika” e 17.07.1924. Dymbëdhjetë serb dhe gjashtëqind shqiptarë! Për një serb, janë vrarë gjashtëdhjetë shqiptarë. Si tek Hitleri, por serbet patën hartuar projekte shfarosëse para tij. Ja edhe një shembull, që ndoshta historia nuk e ka regjistruar: në malësinë e Preshevës, malësorët shqiptarë të paarmatosur, janë hedhur të gjallë në gropa të gëlqeres dhe djegur dhe vrarë para grave dhe fëmijëve. Historianët shqiptarë duhet të grumbullojnë materialet serbe me të cilat ata krenohen, të zbardhen numrat konkret të vrasjeve, të dëbimit dhe të përkthehen. Të nxirren në internet, në disa gjuhë. Ato dokument të barten në çanta dhe kudo në Perëndim t’ u hidhen në tryeza. Kështu i anulohet e drejta e përzierjes Serbisë para botës perëndimore. Ndryshe, jo. Ukshin Hoti në librin e tij “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare” qytetërimin europian e shpjegon saktë me tri fjalë: “ Greko-romak-krishterë.” Nuk duhet përhapur e përpiluar iluzione se Perëndimi prishë kufijtë e katër shteteve për t’ i kënaqur shqiptarët. Se Europa akoma diskriminon, e shohim me të drejtat e serbëve në Kosovë dhe me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Si sillet me të varfrit, e tregoi edhe duke u ndaluar romëve të Serbisë dhe Maqedonisë qarkullimin e lirë, që ua garanton ligji edhe atyre në demokraci. Sjelljen e të pasurit dhe të fortit ndaj të varfrit dhe të dobëtit, e kuptojmë kur vështrojmë sjelljen tonë ndaj fqinjëve në atë gjendje. Edhe shtetet sillen si njerëz. Dhe, nuk duhet krijuar perceptime të gabuara se Perëndimi kërcen kundër Greqisë sipas fyellit dhe politikës blegtorale (R.Qosja) të Berishës. Për Perëndimin ka më shumë peshë dhe vlerë Aristoteli se sa krejt elita politike e Ballkanit. Lashtësia greke më shumë se sa krejt Ballkani.

Kërkesat e Berishës për bashkim do ta dëmtojnë çështjen shqiptare, sepse janë të parakohshme dhe nëse ngul këmbë, do ta çojë Shqipërinë drejt izolimit. Do ta pengojë bashkimin me Kosovën, sepse Europës i ngrihen flokët përpjetë, kur dëgjon për krijimin e shteteve etnike. Ajo këmbëngulje e tërbuar, nuk bëhet vetëm për pushtet, por edhe nga frika e një konfrontimi me ligjin, nëse i humb zgjedhjet. Saliu e ka përçarë djallëzisht Shqipërinë dhe nuk është personalitet adekuat, që mund të përmbarojë bashkimin.
Vetëm në kopshtin e fëmijëve dhe në spitalin e psikiatrisë, mund të besojnë se Berisha do të jetë objektiv në zgjedhjet e ardhshme. Kur janë votuar ligjet për zgjedhjet dhe procedurën, ai ka parapërgatitur mënyrën se si t’ i manipulojë ato. Edhe oferta e pasaportave ishte në këtë funksion. Despotët nuk i ka rrëzuar kurrë vota e qytetarëve. E kemi parë në Serbi, në Egjipt, në Libi dhe po e përjetojmë në Siri. Shqipërisë i nevojitet rugovizmi për rrëzimin e Qeverisë. Numërimet do të vazhdojnë, do të kontestohen, do të rinumërohen dhe, pas një kohe, votat do të digjen dhe ai nuk do të zbresë nga skena teatrale shqiptare. Pas zgjedhjeve të vitit 2013 Europa dhe SHBA-të, do të kuptojnë se me qëndrimin e tyre durues ndaj vjedhjeve dhe vrasjeve, toleruan edhe privatizimin e shtetit shqiptar, zaptimin me zvarranikë dhe ndihmuan në anulimin e ndarjes së pushteteve. Shtetet e vërteta demokratike janë të forta, sepse vendet e punës nuk u jepen “dajve”, por njerëzve me kompetencë. Dashuria ndaj atdheut tregohet duke i shërbyer, jo duke u shërbyer prej tij. Dashuria ndaj atdheut tregohet edhe duke punësuar njerëz profesional, jo analfabetë të diplomuar nga fisi e mëhalla. Homo Balcanicus me aq dashuri, dhembshuri dhe pasion që e donë atdheun, po me aq dashuri, pasion dhe pa dhembshuri, e vjedh sapo të fitojë një pozitë. Sipas tyre, atdheu e meriton, sepse ata kanë kontribuar. Atdheu pa shtet të drejtë është iluzion: pampers-atdhe i mbushur! Atdhe në pubertet permanent; lehtë i  lëndueshëm, lehtë i prekshëm, lehtë i fyeshëm, lehtë i thyeshëm, delikat, imploziv dhe i paparashikueshëm. Tekanjoz.

Specialisti i numërimit të votave, siç u pa, intervenoi edhe në census. Në kohën e informatikës numërimi zgjati një vit, si në kohën e papiruseve në Egjipt dhe pendëve të korbit, por në ata numra, mund të lexohen edhe ndërhyrjet e tij dhe tendencioziteti. Mendohej se në Shqipëri ka diku tridhjetë për qind ateistë dhe agnosticistë që dukej logjike pas shfronësimit të zotit dhe obskurantizmit mesjetar. Rezultuan më pak ateist se në Turqi. Numrat flasin për planet e tij, synimin dhe pritshmërinë.

*Titulli domethënë përafërsisht: Mirëdita Republika Popullore e Kinës. Në fund të shtojmë mikpritjen tonë zakonore; mirë se u ktheve në Republikë Popullore të Shqipërisë. Na ke munguar shumë! Më herët të pat thënë “ni hao” Enveri, nuk ka ndryshuar shumë, sot të përshëndet pinjolli. 

Gazeta Sot me titullin redaksional: Bashkimi iShqipërisë, nga përçarësi djallëzor?!





Keine Kommentare: