20.01.2014

Shteti i pagdhendur, Gazeta DITA

Në dhjetë vitet e fundit kam takuar tre gjerman, që kanë shërbyer në Kosovë. Njëri si polic, tjetri si gjyqtar, tjetri si ushtarak. Asnjëri prej tyre nuk është kthyer në Gjermani me përshtypje të mirë. Nga rrëfimet e tyre kam ardhur në përfundim se Serbia po miklohet nga Perëndimi për t' i kërkuar ndjesë në një far mënyre. Nga zhgënjimi me ne. E bëjnë këtë pse na kanë parë nga brenda se çfarë bëjmë, si bëjmë dhe çfarë kemi ndërmend të bëjmë. Dhe, më e keqja, ata janë të bindur se po aq mizor kundër serbeve, do të kishim qenë edhe ne, sikur të kishim pasur forcë.
Popujt që nuk duan dhe nuk besojnë Kushtetutën e vet, nuk mund të ndihmohen.
Hyrja e tyre në luftë u ndihmua shumë edhe nga idetë fashiste dhe arroganca e madhe Millosheviçit.
Gjersa na përfaqësonte Rugova perceptoheshim si qytetarë me një kulturë dhe botëkuptime humaniste, vetëflijuese. Kjo nuk dmth. se Rugova ishte i përkryer, por kishte ndjekur një rrugë, që Perëndimi nuk mund ta përbuzte, e as ta shpërfillte, por kishte respekt për të.

Para se të merrej ai si politikan, respetohej si intelektual dhe prijës i një populli, që vuante për liri dhe shtet, pa dashur të dëmtojë as armikun. Edhe UÇK u pranua si vazhdim i filozofisë rugoviste. Pse? Politikanë dhe ushtarakët dinin se ajo nuk ishte në gjendje të çlirojë vendin, por po sakrifikohej në mënyrë aktive. Në një farë mënyre mendonin se ky popull po bën vetvrasje dhe Millosheviç duhej mbështetur për mur. Rugova kishte duruar më shumë se sa ata mund ta merrnin me mend.
Sikur Perëndimi të mos kishte fituar një bindje të mirë për ne gjatë sakrificave në epokën e Rugovës, nuk do të kishte intervenuar, por do t' ishte përpjekur me rusët për të gjetur një rrugëdalje. Ka dhe ka pasur kryengritje të armatosura nëpër botë, por durohet shuarja e tyre. Sidoqoftë idealistët ranë në luftë duke besuar në bashkimin kombëtar, sot drejtori i tyre politik, u bën thirrje të regjistrohen në fb si kosovar dhe garanton publikisht se kufijt janë të paprekshëm.

Ata luftuan me flamurin shqiptar duke kënduar këngë për Skenderbeun, sot atje valon flamuri me të cilin indetifikohen vetëm poltikanët, që mosrezistencën, konformizmin dhe moskundërshtimin, kanë program të mbijetesës vetjake politike.

Perëndimorët në Kosovë kanë humbur vullnetin të bëjnë diçka konkrete dhe të ndërtojnë shtet ligjor, sepse ballafaqohen me një klasë mediokritetesh, që nuk ka ide si të ecet para, as si funksion shteti ligjor, as si mbahet e zhvillohet ekonomia e vendit.
Ata flasin për popull që nuk i hanë palla çfarë bën politika. Ata flasin për indiferentizëm shqetësues. Ata flasin për një shoqëri të përkryer makiaveliste, ku rol kryesor luan pasurimi, jo ndërtimi i shtetit. Ata flasin për një popull të dezorientuar, të përgjumur dhe pa dëshirë për të ndryshuar gjendjen e mjerë. Ata flasin për një elitë mizantrope, që para se të flasë e veprojë, mendon në karrierën e vet. Sepse ata nuk janë në shërbim të popullit, por në shërbim të vetevetes. Sepse ata janë pasuruar nga një popull i varfër. Se shtete perëndimore nuk merren shumë me Kosovën, as përafëqsuesit e tyre nuk janë të sinqert, as nuk punojnë për atë që paguhen, shihet edhe tek EULEX. Edhe pse ka disa vite që gjendet aty, shumë vrasje të shqiptarëve kanë ngelur pa u ndëshkuar dhe nuk shihen rezultate nga puna e tyre. Të vrarët janë në varre, kriminelët në liri. Si të parët, si të dytë, në vende të sigurta.

Kemi një Kryeministër që mund të shkojë në Bruksel, në Ankara, në Nju Jork në selinë e Kombeve të bashkuara, në Shqipëri dhe Maqedoni. Vendet tjera, as nuk e ftojnë, as nuk kanë ndërmmend ta bëjnë. Pra kemi një Kryeministër të izoluar, të leçitun. Dhe, në Republikën e tij, në shtetin privat të Hashimit, ka gjithçka, por jo ajo që i duhet popullit: shtet ligjor, siguri, punë dhe lumturi. Ashtu si është Kosova sot, anëtare e BEE-së nuk mund të bëhet kurrë. Ai shtet nuk ka asnjë ent, asnjë zyrë, asnjë fakultet, asnjë degë apo nëndegë të administratës ku punohet siç punohet në vendet ku shteti është drejtues dhe organizues dhe rojtar i paqes dhe sigurisë nacionale.

Fati Kosovës është i madh se Perëndimi nuk mund ashtu lehtë të tërhiqet dhe ripozicionohet përballë Rusisë dhe Serbisë, por fakt është se ata çdo ditë e më shumë distancohen nga ne duke na lënë kohë, madje edhe dekada në duar derisa të bëhemi të përshtatshëm dhe përqafojmë vlerat e përbashkëta europiane.
Sa për ilustrim: njëri blen diplomën në Universitetin e Prishtinës, diku në moshën 42 vjeçare, edhe atë në vitin 2000. Sot është arsimtar i gjeografisë në një shkollë të mesme dhe paska magjistruar. Tjetri murator në Gjermani ka varë diplomën e arsimtarit të gjuhës shqipe në mur. Tjetri afarist dhe mburret se deklaron vetëm 50% të fitimeve. Ai krenohet se ka aftësi të mëdha për ta vjedhur shtetin e Kosovës dhe se ka njerëz të afërm në vendin e duhur...

Për këto është shkruar qindra herë, por prokuroria kosovare nuk heton shkeljen e ligjit. Mund të kërcënohen njerzit publikisht apo të akuzohen për vepra penale, por hetimi nuk është detyrë e hetuesisë, por e gazetarisë. Fundit fundit mund të dyshohet se edhe prokurorët kanë blerë diploma. Patrioti tjetër, arsimtar, i pranuar si refugjat në Gjermani, jeton tash e 23 vite në një fshat pa punuar asnjë ditë të vetme. Konsideron veten intelektual. Para pesë viteve ky patriot tregonte se përveç ndihmave sociale, e ndihmuakan edhe fqinjët dhe paska kursyer dhe ndërtuar shtëpi në Kosovë. Nuk përfundon këtu. Djali tij qenka në studime dhe finansohet nga një çift pensionerësh gjerman: “Edhe ti Brutus...?”, thash vet me vete. Sikur ta dinin dy pelqt gjerman se ky ka ndërtuar shtëpi atje, jeton nga shteti gjerman dhe ata finansojnë studimet e djalit, do t' ishin çmendur nga zhgënjimi.

Kur shihen piratët në politikën shqiptare, por dhe vjedhjet që bëjnë njerëzit me fakultete, atëherë kuptohet gjendja jonë e mjerë dhe shpresa e madhe tek lëvizja pa viza. E vetma rrugëdalje shihet tek pasaporta. Gjendja jonë flet edhe për vështirësinë tepër të madhe për ta gjetur, peshkuar dhe profiluar njeriun, që do t' i shërbente me çiltëri vendit. Në kohën ilire ishim pirat me nam. Mund të thuhet se nuk kemi ndryshuar shumë. 

Gazeta Dita

Keine Kommentare: