"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

16.03.2014

Matoshi mendon se Hitleri kishte polemizuar...Gazeta Express

"...kanë organizuar sulmin me hunj gardhi e "molotov coctail" si në natën e tyre të kristaltë..."
Hali Matoshi

Na kishte sharë përsëri dhe na kishte diagnostifikuar nga larg si të sëmurë "me kartela klinike rehabilituese." Në artikullin "Të kërkosh falje publike" kishte sharë edhe më qartë dhe me më shumë mllef se sa herën e parë. Në fillim ofendoi "ardhacakët, kosovarët e natyralizuar", në mesin e tyre Rexhep Qosjen dhe Hivzi Islamin, si kryesorët. Ardhacakët, me pak përjashtime, tha ai, kanë kontaminuar Kosovën. "Kontaminim" dmth. fëlliqje, pëgërje, ndytje ose ndotje, mund t' i shtohet edhe helmim. Reagoi Xhemail Ahmeti nga Zvicra me artikullin  „Halil Matoshi figurë publike e vetëdjegur, e degraduar dhe raciste“, Uk Lushi nga SHBA, me artikullin "Shkrimi i Halil Matoshit fashizëm gjeografik", Shkëlzen Maliqi në formë bashkëbisedimi me miqt e tij dhe unë nga Gjermania tek gazeta Dita me artikullin Provincializmi i Matoshit, që shkurtimisht qe publikuar edhe tek respublica.

E pata quajtur qëndrimin e tij provincialist duke u bazuar edhe në përkufizimin që i bëhet në gjuhën gjermane: përdoret për njerëz që nuk janë në gjendje të mendojnë më larg se tabela, ku përfundon katundi i tyre, ose jo më lart se kambanorja e kishës së fshatit. Quhen ashtu në popull njerëzit me kulturë inferiore dhe të kufizuar, ndryshe edhe patriotizëm lokal. Patriotizmi tij niste nga veriu i Kosovës tek tabela "KOSOVO" dhe përfundonte tek Hani i Elezit, në dalje, ku shkruan: "KOSOVA-KOSOVO." "Me pak përjashtime", ai stigmatizoi shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe veten konsiderojnë shqiptarë dhe nuk ndjehen aty të huaj.

Shkrova shpejt e shkurt, nga mungesa e kohës, por qëllimi ishte të nënvizohet trash një mospajtim me segregacionin e qytetarëve në të fëlliqur nga jashtë dhe të dëlirë: autoktonët, kosovarët origjinal, brenda. Jo për të mbrojtur akademikët, por i trishtuar nga qëndrimi i një poeti dhe publicisti, poezitë e të cilit i lexoj herë pas here.
Ndjesë kërkoi, por jo atyre që kishte etiketuar rëndë, por miqve të vet, që nuk janë ardhacak dhe që nuk jetojnë në Kosovë, por jashtë saj, madje edhe në mërgim.

Psikoterapia që ai u rekomandonte dy akademikëve, nuk u shqyrtua fare në shkrimet tona. Revolta ishte rezultat i një gjykimit të gabuar brenda artikullit.
Akuza të tilla ndaj mërgimtarëve shpesh bëjnë edhe grupet naziste në Perëndim dhe ndoshta kjo ishte arsyeja pse ne reaguam të tmerruar. Akuza të tilla bënte dikur edhe Serbia duke thënë se Kosova ishte mbushur pas luftës me shqiptarë nga Shqipëria. Matoshi duke u përpjekur të braktisë pozicionin e pandershëm, tërhiqej duke sharë akoma më keq se sa herën e parë. 
Na kishte ngarkuar me faj pse nuk jemi marrë me tërë shkrimin, por vetëm me disa fjali. Një njeri, mund edhe të shkruajë një vepër të madhe, që mund ta meritojë edhe Çmimin Nobel, por nëse brenda atij teksit gjendet vetëm dy fjalë, "Rroftë Fashizmi", vepra e madhe harrohet dhe lexuesi i pezmatuar do të habitet me kundërnjerzoren tek humanisti.

Dihet se H. Matoshi lufton për shtet ligjor në Kosovë, se lufton për komb kosovar, ku do të përfshiheshine dhe serbët. Ai që njeh serbet, din se ata nuk dezertojnë nga kombi, por krijojnë republika e autonomi edhe aty ku nuk ka pasur kurrë dhe me një numër shumë të vogël qytetarësh. Ne luftuam në Maqedoni, luftuam në Luginë dhe nuk fituam gjë, as barazi jo. Në Luginë madje nuk fituam as akusheri për nënat shqiptare. Republika Serbska, Autonomia Serbe në veri të Kosovës janë fakte që flasin për sedrën e dy popujve dhe atdhedashurinë. Matoshi lufton për shtetin ligjor duke shkelur vet ligjin.
Në Kosovën e tij të fëlliqur nga ardhacakët, mund ta bëjë. Mundet sepse atje ofendimi, përgojimi, shpifja, akuza publike, shantazhi, kanosja, konsiderohen liri e shprehjes së mendimit. Dhe, duke i falur vetes këtë liri, na kishte quajtur spiun të vegjël dhe pionier të nacionalisocializmit në shërbim të organizatave paramilitare staliniste në Kosovë. Hunjët dhe koktelet Molotov iu kishin fanitur.

Habia nuk ishte sharja e ulët, që pikaste gjendjen dhe gazepin e tij shkaktuar nga revolta jonë, por si lejoi "Koha Ditore" të publikohet një akuzë e tillë publike kundër katër vetave, pa kërkuar dëshmi mbi spiunazhin.
Përgojimi i keq në Gjermani konsiderohet vepër penale dhe dënohet sipas § 186, ku thuhet se kush përhap lajme në kundërshtim me të vërtetën me qëllim të denigrimit apo poshtërimit të një njeriu, dënohet me gjobë apo një vit burg, nëse kjo bëhet në media dhe me shkrim, gjobë ose deri në dy vite burg. Në Gjermani ai do të gjykohej edhe për shpifje bazuar në paragrafin 187 të Kodit Penal, kur njeriu përhap mendime të rrejshme edhe pse vet din se nuk janë të vërteta dhe bën këtë për të dëmtuar kredibilitetin e dikujt në opinionin publik: për denigrim dhe përulje publike nëpërmjet shpifjes dënohet me gjobë, ose deri në dy vite burg, kur bëhet me shkrim, atëherë gjobë ose deri në pesë vite burg. E tillë është ecuria në një shtet ligjor. Nëse nuk mund ta paguajë gjobën, duhet të shesë edhe shtëpinë.
Çudia akoma më e madhe ishte krahasimi i reagimeve tona me "natën e kristaltë." Ç' është "nata e kristaltë?"

Në nëntor të viti 1938 nazistët nisën gjahun kundër hebrenjve në Gjermani dhe vranë dhe detyruan të vetvriten qindra hebrenj: shkatërruan dhe dogjën shitoret e tyre, banesat, shtëpitë, sinagogat, dëmtuan varret, mijëra dërguan në kampe përqëndrimi, ku mijëra i vranë ose vdiqën nga keqtrajtimet. Ky shpërthim naizist hyri në histori si "Natë e Kristaltë."
Sikur zotriu të jetonte në Perëndim do t' ishte përballur edhe me një akuzë, për banalizmin, minimizim dhe zhvleftësimin e "Natës së Kristaltë", sepse lexuesi i painformuar do të mendote se atë natë të tmerrshme nëntori, Hitleri kishte polemizuar me hebrenjtë në disa gazeta dhe kishte shkruar disa artikuj. Ja, pra, si krahasohen vështrimet tona duke besuar se ne po bënim gjah kundër kombit kosovar, me hunja, koktel Molotov dhe vrisnim kosovarë. Edhe atë, duke i mbushur mendjen vetes se reagimet tona, i ngjanin natës fashiste dhe meritonin të krahasohen me të. I vetmbushur me plot urrejtje dhe përbuzje, Matoshi i madh, na quajti edhe spiun. Spiun të vegjel. Ai ndjente veten në pozitë të një hebreu, ne të nazistëve, domethënë të persekutorëve, edhe pse ne po kundërshtonim një analogji naziste në gjykimin e tij.

Ndoshta do t' ishe e udhës që ne "spiunët", të ngremë një akuzë kundër shpifjeve dhe përgojimit. E para për t' i provuar se shteti ligjor ka mundësi të veprojë dhe e dyta, për t' i treguar se demokracia nuk është Sallamadi Sistem, siç kuptohet në Kosovë.
Por a ka spiun në Kosovë? Po, ka edhe atë jo pak. Po a deklarohen ata publikisht? Jo. Spiunët e Kosovës bëjnë vepra në dobi të Serbisë dhe paguhen pres saj. Shihen çdo ditë. Spiunët duhet kërkuar brenda, jo të bashkëjetohet me ta dhe të etiketohen tjerët pse nuk pajtohen me një krahasim fashist. Nuk është vështirë të identifikohen. Spiunët zbulohet tek vepra. Ai që pret që ata të deklarohet publikisht, ai është vërtetë i retarduar. Në shkrimin e parë iu luta të kërkojë ndjesë. E bëri. Kërkoi ndjesë selektive. Sot nuk kërkohet ndjesë shtesë prej tij, por publikimin e fakteve për spiunazh dhe për bashkëpunimin tonë me organizatat paramilitare staliniste në Kosovë. Dhe natyrisht, edhe provat se ne jemi "pionierë të nacionalsocializmit." Duhet ta bëni këtë zoti Matoshi, sepse lexuesit e "Koha Ditore" besojnë se ju keni njohuri se Kosova po dëmtohet nga shqiptarët, që jetojnë në Perëndim dhe njëri në Shqipëri me një detyrë edhe delikate...

4 Kommentare:

Anonym hat gesagt…

Nuk e di pse po i kushtoni kaq shume rendesi ketij m..i.
Ky nuk meriton hapesire as sa ajo e nje wc publike e le me te mirren me te alamet njerez.
Me cdo kusht don te behet qender e vemendjes, po per kete ka populli faj qe i jep buk me ngrene ketij qelbesire.

Lis Bukuroca hat gesagt…

Po na bën probleme, nese heshtim, fëmijet mendojne s eka te drejte...

Lis Bukuroca hat gesagt…
Dieser Kommentar wurde vom Autor entfernt.
Lis Bukuroca hat gesagt…
Dieser Kommentar wurde vom Autor entfernt.