17.06.2014

Një largim i domosdoshëm, GAZETA DITA

Marrëveshja për koalicion u shpall kundër kushtetuese, jo vetëm nga politikan, por edhe nga njerëz ekspert të Kushtetutës. Ligjërimi kundërshtues i marrëveshjes tingëllon si përligjjet politike të Komitetit Qendror të Jugosllavisë, kur flisnin dhe definonin kundërrevolucionin. Në një vend demokratik, një marrëveshje në mes partive, nuk mund të klasifikohet kurrë si shkelje e Kushtetutës. Meqenëse marrëveshja u bë pas zgjedhjeve, atëherë herën e parë duhet të provojë krijimin e Qeverisë PDK, të dytën duhet ta bëjë opozita. Mirëpo meqenëse PDK nuk do të ketë shumicën, përpjekja për ta krijuar Qeverinë do të jetë denigruese për Thaçin, prandaj është më mirë të heqë dorë. Nëse marrëveshje është solide dhe serioze, atëherë, edhe nëse mbahen zgjedhje të reja, Thaçi do t' i humbë ato. Madje, madje, ankthi i kacavarjes në pushtet, do ta dëmtojë dhe fitojë më pak vota, se ka tani.Vetëm nëse koalicioni i ri nuk mund të krijojë një shumicë të qëndrueshme, atëherë duhet shkuar në zgjedhje të reja.

Thaçi është njëri ndër personalitetet më të rëndësishme të historisë së re shqiptare. Ai duhet falënderuar për gjitha të mirat që i fali Kosovës: rrezikoi edhe jetën, por ndërtoi një shtet i cili ekziston vetëm në letër. Praktikisht ky shtet ka toleruar çdo gjë në Kosovë. Nuk është vetëm korrupsioni, shitja e ndërmarrjeve publike, mungesa e transparencës, por edhe izolimi i Kosovës, bisedimi i pakusht me Serbinë duke përjashtuar Luginën dhe një administratë shtetërore, që është në shërbim të vetvetes, por jo të qytetarit. Në kohën e Thaçit u rekrutuan dhjetëra shqiptarë për luftë në Siri. Asnjë motivues i tyre, nuk është arrestuar, por ligji i ri kërcënon kthimin e tyre në shtëpi. Në kohën e Thaçit, historia shqiptare dhe personalitetet e saja kryesore, u shndërruan në poçavër.

Në kohën e Thaçit në Kosovë kanosja, ofendimi, racizmi, idetë fashiste, konsideroheshin shprehje e mendimit të lirë, edhe pse ato shprehimisht ndalohen me Kodin Penal. Krejt këto vite Kosova ka treguar vetëm një gjë: shteti është zbukurim iluzionist publik. As shkollat, as Universiteti, as Prokuroria, as Gjykatat nuk kryejnë detyrën për çfarë paguhen. Nepotizmi ka ngulfatur shtetin. Në këtë mënyrë si është nisur, ndërtohet shteti fisnor, por jo një administratë publike. Në kohën e qeverisjes së Thaçit, nuk kuptohej mirë apo përpiqej ai për ta shndërruar Kosovën në pjesë të Perandorisë Osmane ideologjike në ndërtim, apo po e përgadiste për BEE-n.

Thaçi ka kontribuar shumë për Kosovën, ka hyrë në histori, e ka merituar, por tani ka merituar edhe largimin. Ka bërë aq sa ka ditur. Më shumë nuk din. Dhe, duhet të pajtohemi. Nuk kemi të drejtë të kërkojmë prej tij dije universale dhe për çdo kohë. Që kur është bërë publike akuza e Martyt, Thaçi nuk ka bërë politikë të pavarur, por në vendimet e tij, mund të lexohet edhe frika dhe gatishmëria për kompromise për të krijuar përshtypje pozitive tek të huajt. Duke u munduar të shpëtojë veten, dëmtoi Kosovën. Kadare pat takuar Thaçin në Paris gjatë bisedimeve në Rambuje. Tani takoi Haradinajn. Edhe Kadare është tmerruar nga qëndrimi i Thaçit.

Thaçi do të kontribuonte shumë për demokracinë dhe për Kosovën, nëse largohet. Largimi do ta shpëtonte nga demagogjia e krijimit të 200.000 vendeve të punës. Për ta mbajtur premtimin, atij i duhen mbi 4.000 vende të punës në muaj. Nëse dy muaj nuk krijohet asnjë vend, atëherë në të tretin, duhen së paku 12.000. Sikur në Gjermani të bëhej një premtim i tillë, dmth. diku 10 % e popullsisë me vende të reja të punës, atëherë një politikan sipas potencialit mendor të Thaçit, do të premtonte 8.2 milion vende të reja të punës. Po ta bënte këtë premtim një politikan gjerman, do ta kishin dërguar në psikiatri, jo votuar.

Është edhe meritë e Thaçit se zgjedhjet ishin në nivelin e duhur dhe do t' ishte meritë e tij e madhe, nëse vazhdon këtë proces demokratik, deri në shfronësimin e vet. Kjo është demokraci. Shteti nuk është sipërmarrje private. Kanë humbur zgjedhjet në Perëndim edhe ata, që kanë çliruar vendet e tyre nga nazizmi. Me meritat e djeshme, nuk mund të fitohet sot, ashtu si nuk mund të jetohet me ushqimin e para disa viteve.

Pa marrë parasysh zërat nervozë, çështja është shumë e qartë: Thaçi ka ardhur në fund të qeverisjes dhe do t'i bënte mirë atij dhe partisë të kalojë në opozitë, para se të jetë trashur zullumi akoma më shumë; do të duhen edhe dhjetëra vite për ta korrigjuar thaçizmin, ashtu si i kushton sot shumë Shqipërisë, për ta korrigjuar shtetin fisnor të Berishës, që bazohej jo në profesionalizëm, por në lidhje gjaku.

Edhe një fakt që nuk duhet harruar. Kryetari gjerman dha dorëheqje për shkak të dyshimeve të bazuara. Gjykata e shpalli të pafajshëm, por ai si i dyshuar, nuk mund të mbante zyrën e Kryetarit. Dihet se Thaçi do të ftohet nga gjykata. Edhe pse ato akuza janë sajesa serbe - për këtë nuk ka dyshim - për Kosovën më mirë është të ulet si Hashim Thaç kryetar i një partie opozitare, se sa si kryeministër i Kosovës. Nga kjo pozitë, si Kryeministër i vendit, në bankën e të akuzuarve, dëmi për imazhin e Kosovës në botë, do të jetë kolosal...
Gazeta DITA
Kadare: Shqiptarët janë Evropë, jo lindje...


Keine Kommentare: