Herë
pas here dëgjohen mendime apo lexohen, ku meritat për çlirimin e
vendit, nuk i takojnë në rend të parë SHBA-ve (Perëndimit), por
zotit. Sipas besimtarëve të devotshëm, zoti ka dërguar SHBA-të
për të na çliruar dhe SHBA, nuk ka mundur të refuzojë. Ajo vetëm
ka zbatuar kryeurdhërin. SHBA nuk ka aq shumë merita si
zbatuese, por urdhërdhënësi si
komandues. Sipas tyre, asgjë nuk bëhet pa dëshirën e
zotit. Meqenëse qenka ashtu, atëherë mund të mendohet se zoti i
paska pëshpëritur Bill Clintonit në vesh, por ai nuk e tregon
suflerin sepse njerëzit do ta quanin skizofren. Nëse pranojmë atë
mendim si të mirëqenë, atëherë duhet pranuar se zoti na kishte
dërguar romakët për të na pushtuar, pastaj Serbinë për të na
sunduar e keqtrajtuar një shekull, pas pesë shekujve zhvatje e
rrjepje permanente osmane, edhe atë, edhe me ndihmën e vezirëve
shqiptarë.
Nëse
mendojmë me klishe të tilla, atëherë popujt e shtypur, nuk duhet
të bëjnë rezistencë dhe të vdesin për liri, sepse një ditë,
zoti kujtohet për ta, drejton teleskopin nga toka e tyre, merret pak
me politikë dhe u dërgon amerikanët, rusët apo kinezët për t'ua
sjellë lirinë. Dhe, nëse pushtuesi është dërguar nga zoti,
atëherë nuk kemi asnjë arsye të ngrihemi kundër vullnetit të
tij, por ta pranojmë, sepse ashtu si dërgon çliruesit, ashtu
dërgon edhe pushtuesit hyjnorë. I kemi merituar, si robërinë,
ashtu edhe lirinë. Ky procedim është fatalizëm i përkryer, ose
përtaci truri, ose shpëlarje e programuar.
Nëse
pranojmë arsyetimin tjetër se pushtuesin dërgon djalli, si fat të
merituar, atëherë pranojmë se djalli shtypë shumë popuj, që
kanë ushtri të dobët dhe se zoti, nuk ka fuqi ta ndryshojë këtë
dhe ata popuj, asimilohen. Si galët, keltët, thrakët, dakët etj.
Kjo domethënë se djalli është një opozitë me një mëvetësi të
barabartë me zotin dhe se zoti, nuk mund të intervenojë në
vullnetin e tij. Kjo do të dëshmonte për ndarjen e kompetencave
hyjnore. Nëse themi se në kohë lufte kur vriten njerëz djalli
sundon – ndryshe edhe nuk mund të interpretohet sepse aty prishet
skulptura e tij nga balta, njeriu- atëherë mund të mendohet se
zoti i paska humbur zgjedhjet dhe pushteti ekzekutiv ka kaluar tek
djalli. Meqenëse ai toleron pushtetin e djallit, na shfaqet më
demokrat se njeriu. Kur të vijë paqja - ajo vjen gjithmonë pasi të
dërmohet e shkretohet njëra palë dhe pranojë se do të paguajë
tatime për pushtuesin e dërguar nga djalli - atëherë merr përsëri
pushtetin zoti duke respektuar shpesh edhe ligjet e aprovuara në
kohën e dreqit. Nëse është kështu, atëherë duket se në
gjithësi, sundon demokracia njerëzore, që nuk ka mekanizma për ta
mbrojtur paqen e përhershme.
Dhe,
gjithmonë, sipas këtyre shpjegimeve fataliste, nëse një popull
nuk mund ta çlirojë veten, kjo është dëshirë e zotit, sepse siç
thoshte Napoleoni, zoti është gjithmonë në anën e asaj ushtrie
që posedon artilerinë më të fortë. Gjenerali nga Korzika, do ta
ketë kuptuar mendimin e vet më mirë në Rusi, pastaj pas betejës
në Uaterlu dhe si i syrgjynosur në ishullin Shën Helena, ku ka
pasur shumë kohë të meditojë. Këtu, mirëpo, kemi një
përjashtim të madh: Skënderbeu me një ushtri shumë më të vogël
pengoi pushtimin për 25 vite dhe nëse jemi fatalist, atëherë
doemos duhet thënë se Zoti e kishte ndihmuar. Historia osmane
dëshmon se edhe me ushtri të madhe, humbet lufta, kur ke
përballë një udhëheqës gjenial dhe një popull me dëshirë të
zjarrtë për liri në shtëpi të vet.
Por,
meqenëse nuk bëhet asgjë në tokë pa dëshirën e zotit, atëherë
ai na dërgoi Enver Hoxhën dhe ky Enver, duke ditur se zoti merret
edhe me politikë dhe mund të bëhet opozitë e tmerrshme si ajo e
disa klerikëve, ekstradoi zotin dhe të gjitha faltoret, ia rrënoi
apo shpërfytyroi. Zoti mbet pa shtëpi të veten. Madje, nuk i lejoi
zotit ta vizitojë Shqipërinë as me vizë.
Pse
zoti pranoi këtë dështim në shumë rrafshe, pse pranoi heshtur
këtë poshtërim nga një shqiptar nga Gjirokastra dhe pse nuk e
dënoi Enverin, këtë nuk e dimë akoma, por e dimë shumë mirë se
përfundoi i pa dënuar. Fatalistët thonë se ai tashmë ka aterruar
në ferr. Realistët thonë se eshtrat e tij janë këtu, në
Shqipëri. I vdekuri nuk mund të dënohet. Pa trupin, nuk mund të
ekzistojë as shpirti. Si fëmijë shumë herë pata dëgjuar në
ndejat e pas darkës se zoti do të hakmerret ndaj Enverit dhe se
Tito, do të shkonte në xhenet për tolerancën e tij ndaj
religjioneve. E besonin shumica se dënimi do të vinte dhe në
pyetje ishte vetëm dita. Nuk dimë pse Enveri ishte më i fortë se
zoti dhe pse mundi të vendosë në kundërshtim me dëshirën e tij
universale. Sidoqoftë, Enver Hoxha syrgjynosi nga Shqipëria djajtë
dhe engjëjt tok me shefat e tyre dhe sundoi deri në vdekje pa u pas
cenuar nga 'krijuesi' i evolucionit: pa opozitë reale dhe pa opozitë
hyjnore. Mund të thuhet shefat sepse janë disa zota. Nëse do të
ekzistonte vetëm një zot, atëherë do të kishim vetëm një
kushtetutë, jo disa. Ashtu si nuk mund të merret me me mend një
sistem me kushtetutë mbretërore, komuniste dhe demokratike, nuk
mund të merret me mend as një zot i vetëm me disa kushtetuta. Nëse
pranojmë se zoti ka shkruar disa libra, atëherë pranojmë se ai
ishte i gabueshëm dhe korrigjoi vetveten.
Tani
nuk dihet, a i pëlqente zotit Enveri, apo mendonte se e kishim
merituar ne si popull. Nëse bazohemi në jetën e Enver Hoxhës,
atëherë mund të thuhet se zoti ka pasur respekt të veçantë ndaj
tij. Nuk mund të përjashtohet se i pëlqejnë rebelët, trimat, por
jo të nënshtruarit. Ata i lenë të robëruar deri sa të zhduken.
Nëse besojmë se zoti është i madh dhe i fuqishëm, atëherë mund
ta krahasojmë me njeriun, e njeriun me buburrecin. Nuk mund të
merret me mend se guximi i buburrecit nuk është simpatik për
njeriun. Kur kemi parasysh pluriversin, - shkenca thotë se nuk ka
vetëm një univers, por shumë - atëherë pesha jonë për zotin në
këtë plurivers mund të jetë aq e madhe, sa e një gjallese
njëqelizore apo më e vogël.
Nëse
vazhdojmë kështu me ligjërata antiamerikane, anti-perëndimore dhe
antidemokratike, dhe nëse në SHBA merr pushtetin një ditë një i
krishterë i devotshëm, fanatik si disa tek ne, atëherë SHBA
tërhiqet dhe ne 'live' mund të vështrojmë kthimin e Serbisë në
Bondsteel. Sidoqoftë zoti na dërgoi edhe papën në Shqipëri,
pastaj edhe Erdoganin, ku bëri kushtrimin për kalifat, por nuk pata
kuptuar pse na dërgoi edhe kryepopin me flamur serb në Tiranë.
Fundi i fundit, ne jemi një popull i mrekullueshëm dhe tek ne janë
të mirëseardhur të gjithë ata që flasin për dashurinë në mes
njerëzve dhe popujve. Të gjithë ata që respektojnë dinjitetin
dhe identitetin tonë, qoftë ai imam, rabin, apo murg budist. Sepse
toleranca shqiptare nuk është rezultat i religjioneve, por i
kulturës dhe mendësisë shqiptare, që pranon diversitetet. Në
themele të tilla po ndërtohet sot edhe Bashkësia Europiane: in
varietate concordia.
Po
si qëndron puna me zotin? Ai ekziston për atë që beson, në
kokën e tij
dhe demokracia duron besimin apo ndryshimin e religjionit, mirëpo,
sipas gjendjes reale
në Tokë, zoti, nëse ekziston, ai është respektuesi më i madh i
sferës private të njerëzve, madje edhe sikur ta shkatërronim këtë
planet me bomba atomike, ai nuk do të brengosej, sepse pas çdo
shkatërrimi, nisë rindërtimi, qoftë
edhe tepër ngadalë, sepse
asgjë
nuk humbet, por
krijohet vazhdimisht
diçka
tjetër:
nga krijimi në zhbërje dhe anasjelltas. Edhe atë, gjithmonë dhe
pa ndërprerje. Zoti nuk ka nevojë për mbështetje nga njeriu. Zoti
nuk mund të ndihmohet nga njeriu. Zoti, nëse ekziston, atëherë ka
dhënë njeriut lirinë absolute, mundësinë për të vrarë veten
apo dhjetëra të tjerë, deri tek ploja. Ai as nuk ndihmon njeriun
në luftë, as në paqe, as nuk shpëton miliona fëmijë që vdesin
nga uria, e as miliona njerëz që jetojnë të pushtuar. Kudo
të pasurit jetojnë më shumë se të varfëritë, pa marrë
parasysh devotshmërinë fetare. Besimi
në zot, është puna më lehtë që mund të bëjë njeriu, por
gjetja e së vërtetës, tepër e rëndë. E
para urdhëron besimin dhe pasivizimin absolut të trurit, e dyta
kërkon studime. E para bazohet në një libër, e dyta në mijëra
libra dhe dhjetëra disiplina shkencore. E para fiton duke kultivuar
injorancën, e dyta duke përhapur dijën. Besimi ka në program
tufëzimin
dhe krijimin e grupeve, e dyta, humanizmin. E
para mund të imponohet me dhunë, e dyta vetëm me dëshirë.
Ideologjia fetare nisë luftëra, mirëpo kurrë jo humanizmi. Besimi
në humanizëm është i vetmi besim, që do të kishte pëlqyer
zoti. Ai ka vlerë universale, është në shërbim të njerëzimit
dhe nuk ndan dhe nuk armiqëson popuj.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen