Ishte
viti 78. Qendra Kumanovës quhej dhe quhet
“Ploshtad.” “Shtad” kuptohej se ishte „qytet” në
gjermanisht, por ajo parafjalë “plo” nga kishte ardhur, kush e kishte
menduar, kush i kishte
bashkangjitur „shtadit“ dhe si erdhi pikërisht në
Kumanovë dhe emërtojë qendrën, nuk di. Në „google” nuk mund
të gjendet një shpjegim
etimologjik.
H. pat
nisur studimet e matematikës në Prishtinë. Në semestrin e tretë
braktisi fakultetin dhe qe dërguar në Bardovc afër Shkupit. Në
qytet flitej se ishte çmendur nga leximi i tepërt dhe duke zgjidhur
detyra të matematikës, ishte kapërcyer, kishte braktisur normalen
dhe kishte kaluar në një nivel tjetër, në një dimension tjetër
apo në një frekuencë tjetër, që njerëzit “normal“
e konsideronin të çmendur, “të
trenum.“ Spitalin ku qe dërguar
ai në maqedonisht quhej
„Lludnicë”, si emërtim qe
përhapur edhe në popullin shqiptar, por të arsimuarit,
e quanin pak me më shumë respekt, si “Çmendinë.”
Ky
emërtim flet edhe për atë brez se si
kuptonte, si perceptonte ai kohën dhe të sëmurin. I sëmuri
mendor, quhej i çmendur dhe nuk dërgohej
në psikiatri, por në “çmendinë.”
Kur sëmureshin të tjerët nga kanceri, nuk
thuhej se e dërguan në “Kanceratore “apo
kur thyente dikush këmbën, “normalët” nuk thoshin e dërguan
tek “Kockat e
Thyera“ apo “Kockatore“,
por në spital.
Familja
e goditur nga kjo fatkeqësi, nuk kërkonte shërimin vetëm në
Bardovc, por shumë herë kërkohej shërimi edhe tek ndonjë hoxhë
apo ndonjë pop maqedonas: tek ndonjë magjistare, që shpesh herë
gjente shkaktarin e sëmundjes tek ndonjë
i afërm, që e kishte sëmurë për
hakmarrje, nga xhelozia apo nga smira.
Atëherë, për disa sëmundje mendore, si paranoja, skizofrenia, apo
edhe për sterilitetin, shërimi kërkohej tek ata që merreshin me
ezoterizëm apo okultizëm. Disa as nuk shkonin në spital,
sepse besonin, se sëmundjet dërgohen nga zoti dhe mund t' i
shërojnë vetëm ata, që kanë një lidhje direkte, miqësore me
të.
Sidoqoftë
ne ishim ulur në tarracën e një ëmbëltore në qendër të
qytetit. Ishin ditët e fundit të maturës. Pranë nesh u ndal H.
duke folur vet me vete dhe duke fiksuar shikimin drejt një maturanti
tjetër, që po fliste me dy shokë në këmbë nja tre hapa larg nesh. Ata një
herë shikuan atë me habi se si po fliste me vete, pastaj ndalën
bisedën. H. një herë fliste qetë, bënte një pyetje, pastaj
ngrihte zërin dhe duart dhe i përgjigjej vetes. Në botën e tij ai
po debatonte me dikë. Njëri prej tre maturantëve bëri dy hapa
drejt tij dhe i tha të largohej. H. nuk dëgjoi se çfarë po
kërkonte ai prej tij dhe vazhdoi me diskutimin. Maturanti duke
humbur durimin e kapi për këmishe, disa pulla ranë përtokë dhe
pastaj e dridhi atë, siç dridhet një pemë për të shkundur frutat nga pema e lartë.
“Pse
ma shkyve kmishën...?”, iu drejtua atij.
Maturanti
nuk u përgjigj,
por e goditi në gjoks me grusht. Ai zuri
në një këmbë të karriges dhe u rrëzua. Aty
pa dy pulla të këmishës, i mori dhe i futi në xhep, pastaj u
ngrit ngadalë dhe duke u larguar shtoi:
„Për
mu e di krejt Kumanova se jam budallë...Prej sotit e di edhe për
ty!” Maturanti i krekosur u kthye tek shokët e tij duke i sharë
edhe “nanën e
budallës.”
Sa
herë shikoj sa lehtë ndërsehen politikanët shqiptarë nga
persona shizoid, nga ata që karrierën kanë obsesion, fiksim, duke
iu përgjigjur zemërimit të tyre me
zemërim, mllefit me mllef, sharjes me sharje, më bie ndërmend kjo
skenë, ky përjetim dhe mendimi filozofik, i thellë, i
pakundërshtueshëm i studentit të pa fat të matematikës, që
fliste vet me vete dhe kërkonte shërimin tek mashtrues të
ndryshëm, që i merrnin paratë, pa e ndihmuar kurrë.
Rënia
e njeriut „normal”, në nivelin e
njeriut "jonormal", është humbje e vetëkontrollit, dështim i madh, sepse ai mund të
dirigjohet, ndërsehet dhe zbresë nga niveli i vet, sa herë ta
kërkojë i çmenduri. Ai di të kërcejë apo zhytet në rolin e të
çmendurit, të bëhet si ai, të veprojë siç pret ai prej një
njeriu të kategorisë së vet dhe përpiqet me çmenduri, me metodat e të çmendurit, të dalë
fitues mbi të çmendurin. Kjo tregon se egoja e disa
njerëzve delikat, të mençur, mund të komandohet,
manipulohet, ngacmohet nga një njeri me
probleme psikike. Aftësia tij e madhe është në luajtjen e rolit
të të mençurit, por në fakt, ai “normal”, ka nevojë për
trajtim mjekësor, për Çmendinë, kurse i sëmuri i vërtetë, për Psikiatri.
Gazeta DITA
5 Kommentare:
KOMENTE TEK DITA
guri shabani
Shkeim i goditur dhe me shume kuptim .Kush ka dy pare mend e kupton.
orli
Shume bukur zoti Naser!tamam i bie qe te gjithe politikaret shqiptare nuk jane hiç normal(plotesisht e vertete)
dita
SuloKapedani
Po z.Naser èshtè shume e vertetè ,edhe budallenjt thone fjalè tè mençura dhe njè rast i tille ka ndodhur nè spitalin psiatrik tè Elbasanit nè vitin 1997.Njèri nga personeli tregon momentin kur njè i sèmurè psikik ju tha tè tjerève futni brenda se po vijnè budallenjte tè na vrasin kur nè ato momente kishte gjuajtje me arme jashtè spitalit.Besoj se ka ngjashmeri me rasti qe tregoni nè shkrim.
dita
psy
Ndersa nje i semure sa here shihte doktoret ne korridoret e spitalit thoshte:bobo,na mbyten budallenjte!
dita
Blendi
Z. Aliu, ndoshta nuk ka shume rendesi dhe vete nuk e di nga vjen fjala “Ploshtad”, e cila mesa duket perdoret per qendren e Kumanoves. Por meqe kur kam qene nxenes kishim ne shkolle rusishten si gjuhe te huaj, di qe ne ate gjuthe ploshcad i thone sheshit. Ndoshta “Ploshtad” eshte nje fjale qe rrjedh nga kjo fjale e rusishtes(apo sllavishtes) dhe qe ka kuptimin e sheshit. Dhe sheshi ne pergjithesi nenkupton qendren e nje njesie, fshati, qyteti, etj.
Tung,
Blendi
Kommentar veröffentlichen