23.12.2014

Kush është PEGIDA, Gazeta DITA

Shkruan dhe folën në media gjermane: sociolog, psikolog social, teolog, dijetarë të shkencave politike, etnolog, politikan dhe analistë. Po flitet edhe në popull. Ky grupim, që veten quan lëvizje, u themelua në facebook para 10 javëve dhe në protestën e parë ishin 350 veta. Dje ishin 17500 ndërkaq, kundër tyre në Dresden, protestuan 4.500 veta. Numri i përgjithshëm në qytetet tjera të Gjermanisë, tejkalon numrin e tyre.  Grupi quhet “Patritotët Europian Kundër Islamizimit të Europës”, shkurt “PEGIDA.” Politikës gjermane dhe mediave iu imponua një temë që nuk e kishin në agjendën e vet. Ky është deri tani suksesi i vetëm. Ata në faqen e tyre në fb shkruajnë se janë ndërtuar degë edhe në shumë shtete të Europës si: Austri, Itali, Zvicër dhe Francë. Sidoqoftë në media vërehet një siklet diagnostifikimi, por mbizotëron bindja se janë protesta ksenofobike. Ka edhe kërkesa për mos kriminalizimin e tyre dhe diskutimi për çështjet që ngrenë ata.
Me deklaratën e tyre publike pozicionimit në 19 pika, ata përpiqen të mos krijojnë bindje se janë kundër të huajve në përgjithësi dhe në pikën (1) shprehen për pranimin e refugjatëve nga luftërat, ose të persekutuarve politikish, të ndjekurve për shkak të religjionit duke e quajtur këtë parim të parë si Obligim Njerëzor. (2 ) Për përfshirjen e të drejtës dhe obligimit për integrim në Kushtetutë sepse deri tani është ankoruar vetëm e drejta e azilit. (3 )Për decentralizimin e vendbanimeve të refugjatëve të luftës dhe të përndjekurve, jo si tani, ku pjesërisht jetojnë në vende ku cenohet dinjiteti i njeriut. (4) Për shpërndarjen e drejtë në BE të refugjatëve. (5) Për zvogëlimin e numrit të refugjatëve të traumatizuar për punëtor social, që tani qenka 1 për 200 veta. (6) Proceduar për refugjatët të mbështet tek ligji holandez dhe zviceran duke shkurtuar procedurën dhe përshpejtuar integrimin. (7) Të rritet buxheti i policisë dhe kundër reduktimit të vendeve të punës aty. (8) Për zbatimin e ligjeve ekzistuese lidhur me azilin dhe dëbimin. (9) PEGIDA është për politikën zero-tolerancë për strehimkërkuesit dhe emigrantët kriminel. (10) PEGIDA është për rezistencë ndaj qëndrimeve armiqësore ndaj grave, ndaj ideologjive politike që kanë për bazë dhunën, mirëpo jo kundër myslimanëve të integruar. (11) PEGIDA është për për një emigracion sipas modelit zviceran, australian, kanadez dhe afrikano jugor. (12) PEGIDA është për vet-përcaktimin gjinor. (13) PEGIDA është për ruajtjen dhe mbrojtjen e kulturës perëndimore krishtere-hebraike. (14) PEGIDA është për krijimin e mundësisë së referendumit sipas modelit të Zvicrës. (15) PEGIDA është kundër dërgimit të armëve organizatave me qëndrime armiqësore ndaj Kushtetutës, si PKK e kurdëve. (16) PEGIDA është kundër gjykatave paralele, si gjykatat e sheriatit, policia e sheriatit etj. (17). PEGIDA është kundër "Gender Mainstreaming", obsesionit të neutralizimit gjinor të gjuhës gjermane (18). PEGIDA është kundër radikalizmit, pa marrë parasysh a është fetar apo politikisht i motivuar (19) PEGIDA është kundër predikuesve të urrejtjes, pa marrë parasysh se cilit religjion i takojnë.
Këto ishin 19 pika, 19 parimet që kanë motivuar ata të dalin në rrugë dhe për të cilat angazhohen. Se çfarë nënkuptojnë me islamizimin e Perëndimit, nuk mund akoma të thuhet. Në fakt një rrezik i tillë nuk ekziston, natyrisht nëse periferia ekstreme, nuk merret si argument kardinal. Por, ajo periferi, nuk ka asnjë ndikim në shtetin gjerman apo në popull. Shteti gjerman ka të gjitha mekanizmat për ta mbrojtur demokracinë dhe rendin kushtetues.
Me hamendësime po merren të gjithë: shkencëtarë me profile të ndryshme dhe analistë. Islamizimin e vendit në fakt po e çon para dhe largohet nga BE, Turqia, por si mund të flitet për islamizimin e Europës, kur në statistikat e vitit 2005 thuhet se në Europë me më shumë se 700 milion banorë, jetojnë 5 deri në 7 për qind mysliman. Për ta islamizuar Perëndimin, do të duhej një pushtim nga Kalifati, çfarë është i pamundur kur mendohet në arsenalin ushtarak perëndimor, ose një popullsi prej 100 për qind analfabete, çfarë nuk do të ndodhë kurrë. Nga faktet empirike dimë se konvertimet bëhen me pushtime, ose kur një popull është absolutisht i paarsimuar.
Përfaqësuesi i hebrenjëve në Gjermani e quajti qëndrim armiqësor kundër të huajve. Një përfaqësues i Kishës Katolike tha se kjo lëvizje është e kundërta e parimeve krishtere. Korrekte janë edhe qëndrimet e Kishës Evangjelike. Ka edhe edhe shumë personalitete publike që kanë kërkuar dhe rekomanduar bisedën me ta dhe të shqyrtohen brengat e tyre, për të evituar kriminalizimin e tyre. Duke pasur parasysh se droja tyre është irracionale dhe nuk mund me asgje të përligjet apo dëshmohet islamizimi, atëherë ekziston edhe droja se pas atyre qëndrimeve fshihet qëndrime armiqësore ndaj të huajve. Në Mynih pas thirrjes nga partitë kryesore politike, organizatave të refugjatëve, përfaqësues të krishterëve dhe muslimanëve, dolën në kundër-protestë 12.500 veta. PEGIDA dje kishte diku 75.000 ithtarë në facebook, sot qenka rritur për 9.000 veta, gati 84.000.
Dje në protestën e tyre ata deklamuan këngë për Krishtlindjen duke bërtitur parullën që qe dëgjuar gjatë protestave për bashkimin gjerman: “Ne jemi populli.”
Gazeta Südwest Presse” thotë se ata konsiderojnë veten artikulues të shumicës së heshtur. Shpjegime të tilla njohim edhe nga ekstremistët kosovar kur thirren në përqindjen myslimane, pa qenë të autorizuar nga askush. Ata mashtrojnë veten, shton gazeta, sepse nëpër shumë qendra të Gjermanisë organizohen grupe kundër tyre.
GazetaDarmstädter Echo” kërkon një qëndrim më të qartë kundër tyre. Madje kërkon një protestë me qindra mijëra veta me në krye presidentin Joachim Gauck dhe kancelaren Angela Merkel me krejt kabinetin: me përfaqësues të kishës, artistë, në mënyrë që ky budallallëk nga mbipopullimi me të huaj dhe islamizimi i Perëndimit, të përfundojë.
Der Tagesspiegel” krahason këta me nazistët dhe Republikën e Vajmarit dhe se ka përpjekje për të stigmatizuar si dikur hebrenjtë. “Gazeta Rhein-Neckar-Zetiung“ pyet se çfarë do të kishte thënë Jezu Krishti, kur ekstremistët politik keqpërdorin mesazhin e tij paqësor dhe se çdo njeri, që ka rënë në kontakt me Dhiatën e Re, dinë për dashurinë ndaj të afërmit. Frankfurter Allgemeine Zeitung” kritikon shpërndarjen e refugjatëve në BE dhe nënvizon se vendet si Italia, Franca dhe Anglia; kanë marrë pak refugjat dhe përpiqen t' i ikin këtij obligimi. Përfaqësuesi i Shoqatës Industrisë Gjermane mbështet emigrimin dhe thotë se Gjermania ka nevojë për emigrantë. Po zonja Merkel? Para dy javëve foli për lirinë e protestave dhe shtoi se: ...këtu nuk ka vend për fushata dhe shpifje për njerëzit që vijnë tek ne nga vendet tjera.”
E mendimi im? Është fryrë çështja shumë. Nuk ka rrezik të islamizimit të Perëndimit, sepse Perëndimi është sot eskportues i vlerave, i humanizmit, i qytetërimit, i artit, i iluminizmit, eksportues i demokracisë, i pranimit të diversiteteve, i prodhimeve industriale dhe bota shkon drejt globalizimit. PEGIDA sulmon një pakicë në shoqërinë gjerman me të cilët merret policia apo survejohen nga shteti gjerman. Shteti gjerman është efektiv, bazohet në ligj, respekton ligjin dhe as perferia ekstremiste myslimane, as periferia e kristalizuar në PEGIDA, nuk mund të ushtrojë ndikim për daljen nga binarët e demokracisë. Demokracia gjermane është shumë e fuqishme. Nëse sot periferia merret me stigmatizimin e një grupi, nesër, gjatë një krize eventuale ekonomike, do të merret me të huajt në përgjithësi. Me këto protesta gërmohet në fundamentin europian: Unita in diversitate. Me rastet ekstreme për të cilat ata brengosen, merret policia.
Një ekstremizëm provokon dhe ndihmon në ndërtimin e tjetrit dhe këtu kemi tash këtë dëshmi. Elita politike kosovare duhet të marrë këtu një mësim, se ekstremizmi fetar duhet luftuar qysh në embrion dhe se predikimet kundër Perëndimit, mund të rrezikojnë shtetin. Shtetet kanë fatin e njerëzve dhe orientimi i drejtë politik, garanton apo i keqi rrëzon shtete. Aty ku politika bën simbiozë me religjionin, aty nisë shembja e vlerave, sepse sipas Goethes, njerëzit janë produkt të kohës së vet. Meqenëse është kështu, atëherë produkti duhet ta jetojë kohën e vet, jo të huajën...

Gazeta DITA

Keine Kommentare: