Patëm një një Qeveri, që nuk ishte në shërbim të popullit, por
që ishte e bindur se gjendet në një vetëshërbim. Tani kemi një
Kryeministër të stigmatizuar si tradhtar, por dhe utilitarist fund
e krye, që zaptoi pozitën duke premtuar shpërblim për mishëruesin
e tij. Ky Kryeministër që i drejtohet popullit nëpërmjet fb, nuk
meriton të jetë në vendin ku gjendet, e as të udhëheqë partinë
që kryeson. Ministrin që nuk ka guxim ta përjashtojë, nuk mund të
thuhet se e mban pse i pëlqen atij, por pse pa pajtimin e Thaçit,
nuk mund të bëjë asgjë. Mustafa për karrigen e vet do të kishte
përjashtuar çdo Ministër, sikur të ishte zgjedhur me ndihmën e
votës, jo siç u zgjodh, duke u shërbyer me intriga. Historia e
karrierës së tij flet për këtë aftësi për t' iu përshtatur
kohës, kurse gjendja aktuale, për pamundësinë për të marrë
vendime.
Gurët nëpër rrugët e Prishtinës dëshmojnë për një brez që
nuk ka kulturë demokratike. Për një brez që ka mësuar dhunën
nga pushtuesi i djeshëm dhe sillet me policinë e vet, ashtu si
sillej policia e pushtuesit me ta. Apo, ashtu siç kishin dashur të
sillen ndaj policisë serbe, por nuk kishin pasur guxim. Ky brez nuk
kupton lirinë, nuk kupton paqen, nuk kupton demokracinë. Nuk njeh
rendin dhe për një motiv të vogël, mund të egërsohet dhe kalojë
në barbarizëm. Ky brez është arsimuar nëpër shkolla të
improvizuara në vitet e 90 dhe ky është rezultati. Brezi sotshëm
që arsimohet nga profesorë plagjiatorë nëpër fakultete, do t' i
vejë kapakun falimentimit të shtetit. Arsimin që kemi marrë dje,
po e përjetojmë sot në rrugë. Atë që po e marrim sot, do ta
përjetojmë nesër.
Masa pezmin nuk drejton drejt abuzuesve të pushtetit, por dëmton
pronën publike, që vet nuk e ka blerë dhe nuk e ka paguar. Për t'
u fituar ato objekte qeveritare, Kosova ka derdhur gjak, është
poshtëruar, është dëbuar dhe është masakruar. Objektet
qeveritare janë objekte të Republikës, që e ëndërronim, që nuk
e kuptojmë kur e kemi, që nuk e ruajmë si duhet dhe që e përbuzim
siç do ta kishte përbuzur edhe armiku. Policia kosovare është ajo
polici që dëshironim ta kishim, për të cilën luftuam, kurse sot
me kërkesa në stilin e Millosheviçit, i dërgojmë ultimatum dhe i
tregojmë se çfarë duhet të bëjë. Policisë së Kosovës sot iu
dhanë urdhra nga rruga. Nga njerëz me gurë në dorë.
Gjendja në Kosovë është katastrofale: nëpër spitale, nëpër
fakultete, nëpër institucione, ku janë punësuar ata që kanë
merituar, por jo ata që janë ekspert në fushën e vet. Kosova i
ngjan një republike fisnore, që dominohet dhe administrohet jo nga
partitë, por nga prijësit e fiseve. Kosovën kanë braktisur 400
mjek dhe rinia është në arratisje e sipër, jo pse u mungon liria
dhe buka, por pse mungon shteti ligjor dhe drejtësia. Qeveria e
Kosovës është një improvizim, është kopje ilustruese e një
shteti. Kosova nuk ka Qeveri të vërtetë, por Gjoja-Qeveri që
merret me administrimin e kaosit, me administrimin e mjerimit dhe
akomodimin e të afërmeve. Meritokracia e brohoritur, e toleruar dhe
ushqyerë që nga lufta e këndej, ka dëmtuar si ekonominë, ashtu
edhe shtetin e Kosovës.
Po si reagoi ajo Qeveri në duet? Gjuha u shkoi aty ku u dhemb
dhëmbi. Thaçi dhe Mustafa konstatuan se po rrezikohej pushteti i
tyre. Ata përligjën qëndrimin, ashtu siç bënte edhe Qeveria
komuniste jugosllave. Mungonte vetëm nocionet irredentist dhe
antirevolucionar. Protestuesit kishin ndërmend ta merrnin
pushtetin me dhunë, thanë ata dy. Cilin pushtet? Kush posedon atë
pushtet në Kosovë? Në cilën fushë ushtron Kosova politikë
nacionale dhe në dobi të qytetarëve? Kur ka formuar kjo Qeveri një
komision që do t' i drejtohej me një akuzë Gjykatës për Krime të
Rënda në Beograd për të kërkuar dhjetëra miliard dollarë
dëmshpërblim për rrënimin e ekonomisë, për rrënimin e
objekteve private, për vjedhjen e arkivit, për vrasjet dhe dhunimet
si dhe pensione për invalidët. Jo, nuk e ka bërë, nuk ka ndërmend
ta bëjë, sepse shteti serb në Kosovë ka pushtetin në dorë.
Jabllanoviqi mund të rrëzohet, por vetëm pasi të jenë rrëzuar
Thaçi dhe Mustafa. Serbia akoma nuk ka njohur Kosovën dhe kjo
krijon mundësi për të kërkuar dëmshpërblim për vrasjen e
qytetarëve nga shteti: së paku për vrasjen e fëmijëve, dhunimin
e grave, rrënimin e shtëpive dhe deportimin e popullit. Kur Kosova
nuk kërkon dëmshpërblim, pretendon Serbia Trepçën.
Objektet qeveritare janë objekte të shenjta për ata që kuptojnë
shtetin dhe rolin e tij. Aty trupëzohet sovraniteti i popullit, i
interesit nacional, e ruajtjes së pavarësisë dhe rendit ligjor.
Ato objekte janë të popullit dhe pronën e popullit dhe nuk duhet
ta dëmtojë ai që nuk do të lejonte t' i dëmtohej prona private.
Aty ku kuptojnë shtetin dhe demokracinë, ato objekte nuk preken,
sepse kanë peshë nacionale dhe nuk lejohet të shndërrohet në cak
të rrugaçëve. Çdo njeri mund t' i thyejë dritaret e veta, por
askujt nuk i lejohet të poshtërojë në atë mënyrë objektet aq
të rëndësishëm për ekzistimin e një shteti. Atdheu nuk mund të
duhet duke degraduar shtetin. Atdheun nuk duhet ta duaj askush, por
vetëm shtetin që siguron, garanton paqen dhe lirinë e një
populli. Atdheu është nocion për të manipuluar popuj tribal, por
jo qytetarë të këtij shekulli. Atdhe është edhe Lugina, por nuk
është shtet i jonë. Pa shtet të drejtë, atdheu është përrallë
dhe këngë popullore. Atdheu tek popujt jo modern përdoret për të
mashtruar dhe vjedhur popullin, jo për të ndërtuar shtetin, që
garanton mbijetesën e atdheut.
Albin Kurti është një problem në vete. Asnjë protestë nuk ka
bërë pa dëmtuar pronën publike apo pa i bashkangjitur veprimeve
të tij edhe dhunën: brutalitet, ekstremizëm dhe kaos. Aftësia tij
e madhe deri tani është dëshmuar në motivimin e një pjese të
popullit: me manipulimin, me gurë në rrugë, me policë e
protestues në spital dhe me pamje që i ngjajnë vendeve në luftë.
Ai mashton njerëz duke u talluar me naivitetin e tyre. Ai gjoja
dëshiron bashkimin, por Kosova nuk është në gjendje ta ushqejë,
e aq më pak ta qeverisë veten. Ky fakt nuk përjashton nga
përgjegjësia Thaçin që ka sjellë Kosovën në këtë gjendje të
mjerë, por mjerimi nuk luftohet me qëndrime revolucionare. Protesta
që nuk sjell mirëkuptim në popull, flet vetëm për arrogancën
dhe mungesën e respektit të atyre objekteve të demoluar, ku ata
ëndërrojnë të qeverisin.
Albin Kurti nuk është pjesëtar i një
lëvizje popullore, sepse lëvizja popullore ka shumicën e popullit
pas, por një grup ekstremist që nuk njeh asnjë vlerë shtetërore.
Albini më shumë krijon përshtypje të një anarkisti me parulla
patriotike se sa të një politikani. Fjalimet e tij janë
folklorike, veprat janë konkrete. Ai sillet si Che Guevara në
Bolivi gjersa përpiqej t' u mësonte bujqve marksizmin, dhe në
mungesë të rezultatit, i duhej lufta, ashtu siç i duhet Albinit
dhuna dhe përdhosja e institucioneve të Republikës së Kosovës,
për ta profilizuar veten. Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë një
debat dhe shqyrtojë të gjitha protestat e VV dhe në rast se tek të
gjitha dëshmohet dhuna, atëherë t' i ndalohen protestat. Nga
historia dimë se vetëm grupet ekstremiste dhe fashiste nuk tregojnë
respekt për objektet qeveritare. Ata që vërtetë duan atdheun,
adhurojnë objektet e Qeverisë më shumë se shtëpinë e vet, sepse
aty zhvillohen politikat nacionale e një populli të tërë, jo e
një grupi. Nuk mund të merret me mend në Perëndim shkatërrimi i
zyrës së Kryetarit apo Kryeministrit, sepse aty nuk preket
dinjiteti i një politikani, por sovraniteti i popullit.
Bota Sot
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen