30.01.2015

Kosovë, a të duhen arkivole? Gazeta DITA

Qosja në rolin e gjyqtarit suprem shpalli Isa Mustafën tradhtar. Në shtetet ligjore të drejtën për gjykim, ka vetëm gjykata pasi të ketë shqyrtuar provat. Në rast se dikush dëmton dinjitetin e njeriut, famën e tij me shkrime në media, mund të dënohet për shpifje me gjobë apo deri në tre vite burg. Kjo është ecuria në një vend demokratik. Aty ku mbizotëron anarkia dhe shteti ligjor është vetëm lëvozhgë administrative, por jo substancë, aty për një grup një personalitet është tradhtar, për tjetrin hero. Për këto qëndrime dualiste dhe primitive shqiptare ka shkruar Noli.

Në vende të tilla shërbimet sekrete armiqësore ekzekutojnë projektet e veta të papenguar, madje edhe u konvenon ky mjedis i tensionuar brenda kombit të shpërbërë në fragmente, që luftojnë njëri tjetrin. Nëse zvogëlojmë shtetin simbolikisht në një familje, ku askush nuk ka autoritet, ku motrat dhe vëllezërit nuk shkojnë mirë në mes vete, por merren me intriga kundër njëri tjetrit, atëherë mund ta kuptojmë gjendjen tonë të mjerë. Për ta dominuar atë familje të përçarë, është puna më e lehtë që mund të bëhet, madje edhe për t' i nxitur kundër njëri tjetrit. Kjo është gjendja e Kosovës sot. Mund të thuhet se mendimi shqiptar (la pensé e albanaise) nuk ekziston më. Këtu përfiton vetëm Serbia.

Se a ka qenë apo është Mustafa tradhtar, mund ta konstatojë një gjykata e pavarur, por gabim i madh është të shpallet tradhtare krejt administrata e kaluar. Në këtë mënyrë përjashtohet ekspertët dhe zëvendësohen me mediokritete, siç është bërë. Mund të ketë njerëz që kanë punuar vetëm për ta mbajtur familjen, por nuk kanë vepruar kundër interesave nacionale. Kur kishin pyetur Konrad Adenauerin, kancelarin e parë gjerman pas LDB, pse toleronte nazistë në vende të rëndësishme, ai qe përgjigjur: deri sa nuk kemi ujë të pastër, nuk mund ta derdhim të ndytin.
Nuk ka asnjë dyshim se Mustafa nuk meriton atë detyrë, por legjitimitetin moral ia dhuroi Thaçi. Dua t' i lejoj vetes një parashikim dhe duke u bazuar në atë që shihet në horizont, mund të thuhet: Thaçi nuk do të bëhet kryetar, e as kjo Qeveri nuk do të mbijetojë katër vite.

Mustafa pat premtuar dorëheqjen, nëse humb zgjedhjet. Nuk e bëri. Pat premtuar se nuk bën koalicion me Thaçin, e bëri. Pat premtuar se me opozitën do ta rrëzojë Thaçin. Rrëzoi opozitën. Se ka qenë nëpunës i zellshëm i Millosheviqit, dihet. Se ka qenë i pranueshëm dhe shpërblyer nga LDK, dihet. Se mund të bëhej edhe shërbëtor i Thaçit nuk besohej, por duhej imagjinuar. Këtë mundësi ka ofruar biografia e tij. Shihet se atij nuk i ka munguar shkathtësia dhe dinakëria për t' u bërë i mirë për Milosheviqin, për Rugovën dhe për Thaçin. Kjo ecuri nuk tregon vetëm mungesë parimësie dhe sedre, por flet shumë për aftësitë e tija profilizuese duke u bërë i përdorshëm nga tri ideologji ndryshme politike të papajtueshme në mes vete: i mirë për aparteidin e Millosheviqit, i mirë për pacifizmin radikal të Rugovës dhe i mirë për të majtin e djathtë kryengritës Hashim Thaçin: Hashimin që ka luftuar ideologjinë naziste të Millosheviqit dhe pacifizmin radikal të Rugovës!

Sikur Mustafa të kishte një gram sedër, një gram moral dhe një gram dinjitet, pra tre gram njerëzi, do të kishte dhënë dorëheqje. Jo vetëm pse ka në Qeverinë e tij një ministër që na shanë e urren, jo pse një pjesë e popullit i beson vendimit të Qosjes, por se si Kryeministër, nuk ka pushtet dhe autoritet, për ta shkarkuar nga detyra një funksionar arrogant të tij. Një nacjonalist serb. Kjo dëmton dinjitetin e zyrës së Kryeministrisë.

Protestat në Kosovë kanë si casus belli ministrin e paskrupullt serb, por në fakt, pas tij fshihet zhgënjimi kryesisht me Mustafën dhe urrejtja dhe mëria ndaj Thaçit. Opozita pat marrë vendim ta largojë Thaçin një herë e përgjithmonë. Nga dorëheqja atë e shpëtoi marrëveshja me opozitën. Ai mashtroi ata dhe përdori për qëllime të veta. Kjo procedurë ndihmoi të hedhë në harresë premtimin fillestar dhe pasi rehabilitoi veten nga rrena publike, mos besnikërinë përdori për të marrë pushtet sa për sy e faqe, por jo praktikisht. Ky edhe për deklarata publike për çështje të brendshme, do të shfaqet me Ministrin e Punëve të Jashtme: me Superhashimin që ka tri pozita dhe vlen sa tre veta dhe ndoshta merr tri rroga, por nuk mund të kryejë tri detyra dhe të jetë i pranishëm në tre vende apo të ulet në tri karrige.

Ultimatumi policisë dhe thirrja e Fatmir Limës për të mos zbatuar urdhra politik, janë thirrje për rrëzimin e atij pak shteti që ekziston si fasadë. Policia nuk posedon asnjë kompetencë për t’ u marrë me interpretimin e urdhrit. Ajo duhet të zbatojë sepse nuk është OJQ. Kur lexohet apeli i Limës, nuk mbetet gjë tjetër pos njeriu të kap kokën me duar i trishtuar për politikanët që kemi. Kjo ndjenjë të krijohet edhe kur lexon deklaratat e Thaçit duke krahasuar gjendjen me Shqipërinë e vitit 1997.
Sidoqoftë Albini nuk është zgjidhje. Populli me votë ka treguar mendimin për të. Populli nuk e donë Albinin. Ai është zhgënjimi i fundit në skenën politike kosovare pas zhgënjimit me Hashimin, Haradinajn dhe Limën. Pas vitit 98 nuk mund të mohohet as zhgënjimi me Rugovën. Albini me shpjegime të çuditshme ka ndikuar në shkuarjen në vdekje të dhjetëra shqiptarëve në Siri. Po e përsëris edhe një herë se Shqipëria është në NATO dhe nuk do të kishte nevojë për guerilët e Albinit. Arsyeja pse ai nuk pranonte ligjin, nuk është ajo që thotë publikisht, por se ka rrëshqitur ideologjikisht. Ashtu si ka rrëshqitur edhe Thaçi. Ashtu si ka rrëshqitur edhe LDK. Politikanët kosovarë për karrierë janë në gjendje jo vetëm të ndryshojnë drejtimin politikë, por edhe gjininë apo preferencën seksuale.

Isa Mustafa është kryetari parafundit i LDK. Pas tij ajo do të tkurret akoma më shumë dhe prijësi i ardhshëm i saj, do ta varrosë. Ndoshta Lutfi Haziri. LDK ka kryer misionin e vet, ka devijuar nga programi i vet dhe nuk mbahet në këmbë me hijen e Rugovës. Prapë po i lejoj vetes një parashikim: LDK brenda katër viteve ose do të shpërbëhet, ose do të bëhet një parti periferike si VV. Kjo do të ofronte hapësirë për një parti të re europiane, sepse ato që janë, ose janë ngulfatur nga korrupsioni, ose janë paterica të Erdoganit në Ballkan, ose janë zhytur në krim apo thjeshtë janë të paafta për të ndërtuar shtet ligjor.

Ambasadorët janë shndërruar në këshilltarë të politikanëve shqiptarë. Madje edhe më shumë se kaq. Ndonjëherë duken edhe si kryeministra. Ata nuk po kryejnë detyrën për çfarë janë akredituar, por përkrahin politikanët shqiptarë në servilitetin dhe sterilitetin e tyre. Ata po mbështesin injorancën shqiptarë në politikë. Ata do të bënin mirë të kryenin punën e vet, përndryshe nesër, çdo politikanë shqiptarë, për dështimet e veta, do të akuzojë ata. Populli i Kosovës është lodhur nga politikanë idiokratë, që mbështesin ambasadat në Prishtinë.

Një këshillë apo rekomandim Albin Kurtit: vazhdo me thyerjen e vitrinave të dyqaneve private. Vazhdo sepse ato janë ndërmarrje të shqiptarëve që nuk të kanë votuar. Nuk është me rëndësi se dëmton pronën private të njerëzve që nuk të duan. Ata do të marrin kredi ndoshta për t' i rindërtuar. Vazhdo me rrënimin e Kryeministrisë, sepse ai objekt është ndërtuar në kohën e Jugosllavisë. Për ta poseduar atë objekt, qenë dëbuar gjysma e popullsisë. Rrëno siç ke rrënuar deri tani çdo gjësend që simbolizon Republikën e Kosovës, për togfjalëshin që dikur burgosej njeriu me disa muaj burg. Rrah edhe policinë e Kosovës. Për ta pasur këtë polici kanë vdekur dhe janë dhunuar mijëra veta. Jepi ultimatume apo bëni thirrje të mos respektojnë ligjin sepse po të lejohet. Dërgo në spital sa më shumë policë të Kosovës. Cakto edhe kujdestarë të rendit, se kështu kanë bërë edhe fashistët e Hitlerit para se ta merrnin pushtetin. Albin Ti je je zhgënjimi më i madh pas luftës. Ke qenë bartës i shpresave: një politikani me dinjitet dhe sedër. Je shndërruar në një ekstremist, që njeriu nuk mund ta klasifikojë, nuk mund ta fusë në asnjë kallëp dhe nuk mund të kuptojë se cilës ideologjie i shërben. Me ty dihet se nuk vjen kurrë bashkimi kombëtar, por ai rrënohet një herë e përgjithmonë. Iu bashkëngjite atyre personaliteteve shqiptare që para se ta përfundojnë karrierën politike, rrënojnë veprën e vet. Kështu ka bërë Berisha, Rugova, Qosja, Thaçi, Limaj dhe sindromës së Rozafës shqiptare, iu bashkëngjite edhe ti. Mos mendo se populli është bagëti dhe nuk kupton qëndrimet tua, luhatjet tua, devijimet tua, që mund të lexohen brenda rreshtave të deklaratave tua.
Albin, me katër shkurt sa policë të Kosovës do të dërgosh në spital, sa protestues apo duhet përgaditur edhe arkivole?


Gazeta DITA





Keine Kommentare: