20.02.2015

Instinkti i kopesë, gazeta SOT

Partitë e djathta në Europë zakonisht kanë votuesit e vet nga qendra, djathtas. Domethënë në bazë të programit angazhohen për pjesën e popullit që qëndron mirë ekonomikisht dhe janë fetarë apo deri diku fetarë. Partitë e majta të moderuara, nga qendra, majtas. Domethënë sipas programit angazhohen për punëtorët, të papunët dhe nuk janë fetarë, por shpërfillës të religjioni apo edhe ateistë. Të djathtat ekstreme janë partitë fashiste. Të majtat ekstreme janë partitë komuniste.

Kosova qeveriset nga dy parti të djathta me më shumë se 40 për qind të papunë. Në fakt një parti e djathtë, bazuar në gjendjen e ekonomike, nuk duhej të fitonte më shumë se dhjetë për qind. Thaçi ka shpallur partinë e vetë të djathtë në një tubim: me një deklaratë. LDK ishte e tillë që nga themelimi. Dy parti të djathta të mëdha nuk ekzistojnë askund në Europë. Duket se ka qenë ndikim i Erdoganit për ta shndërruar partinë e Thaçit të djathtë, edhe pse elektoratin e kishte kryesisht të majtë. Ndikimi i Erdoganit tek partitë kosovare është i madh. Ato, qoftë edhe të majta ekstreme, janë bërë në altoparlant të tij dhe herë pas here ndajnë brengat e njëjta me të. Nga kjo nuk shpëtoi as LDK dhe nënkryetari i saj Lutfi Haziri. Në internet qarkullon një fotografi, ku ai me një turmë të madhe pas vete, ngreh gishtin tregues në ajër (Allahu është 1), gjest që bëjnë edhe luftëtarët e Kalifatit në Siri e Irak.

Partitë kosovare kanë kuptuar se kanë një popull para vete, që nuk kupton as partinë e djathtë, as të majtën, as të majtën ekstreme, e as të djathtën ekstreme dhe që nuk njeh as programin e partive, por vetëm udhëheqësitë e saj. Popull me prirje për ta ndjekur udhëheqësin pa marrë parasysh veprën aktuale. Një popull në këtë gjendje vepron sipas instinktit të kopesë, sipas interesit të fisit apo provincës. Ai popull qe bërë kolektivisht pro europiane në kohën e Rugovës, pas kaosit partiak dhe shoqëror në Kosovë, populli më lehtë gjen rrugën për t' u arratisur, se sa për ta ndryshuar gjendjen e vet dhe dënuar papërgjegjësinë e politikanëve, që ushqen dhe pasuron.

Tek një popull i arsimuar si duhet, kalimi nga e majta në të djathtë, është i barabartë me ndërrimin e gjinisë. Partia do të kishte ngelur pikë së pari pa anëtarë dhe pastaj edhe pa votues. Elektorati shqiptar nuk bazohet në programe, por në pamjen e jashtme të kandidatit. Në fakt elektorati shqiptar voton sipas instinktit të kopesë. Tek një anëtarësi e emancipuar, Lutfi Haziri do t' ishte detyruar të japë dorëheqje pas krenarisë me gishtin e Kalifatit, ashtu siç detyrohet dikush të largohet nga një parti popullore konservatore, nëse përshëndet si fashistët me dorën në ajër.

Për injorancën epidemike nuk flet vetëm anëtarësia e PDK-së, që në heshtje pranoi kalimin nga e majta në të djathtë, madje edhe pa një diskutim të zjarrtë siç duhej pritur, por analfabetizmin politik dëshmon edhe anëtarësia e LDK-së, që duroi një ministër të Rrahman Morinës të udhëheq LDK-në dhe tani të bëhet edhe kryeministër i Kosovës. Thaçi rehabilitoi Mustafën, Mustafa shpërblen me karrigen e kryetarit dhe dy anëtarësitë, nuk kanë asnjë vërejtje. Ata heshtën ashtu siç heshtin nxënësit në klasën e parë para mësuesit.

Një popull në këtë gjendje, me atë tolerancë apo mospërfillje emblematike ndaj lëvizjeve nëpër parti dhe shoqëri, vështirë se mund të ndihmohet. Ai popull debatet më të mëdha nuk i ka aty ku duhet, në Kuvend apo në rrugë duke e luftuar dhe rrëzuar mashtruesit, por debatet më të mëdha i bën në ndejat e pasdarkes, nëpër kafene apo internet, duke numëruar milionat që kanë vjedhur, duke numëruar të punësuarit e fisit, duke u përleshur dhe mbrojtur prijësit e vet, duke përfolur dasmat e bijve të politikanëve, duke përfolur makinat e tyre, shtëpitë e tyre, udhëtimet e tyre dhe duke shikuar hartat e Serbisë dhe Hungarisë. Një popull në këtë derexhe do ta ketë vështirë sot dhe shumë më keq nesër. Ai popull nuk mund të akuzohet pse toleron drejtimin e partive nga njerëz që mbi të gjitha kanë interesat e veta, por ai popull duhet akuzuar pse voton ata. Ndryshimi nuk mund të vijë kurrë nga jashtë, por vetëm nga mundësia gjykuese e popullit për të dalluar në mes atij që punon për karrierën e vet dhe atij që është në shërbim të interesave të përgjithshme. Pra në mes atij që merret me ndërtimin e shtetit ligjor dhe atij që merret me ndërtimin e shtëpisë së vet. Me instiktin e tufës, lëshon spirancën dhe stabilizohet despotizmi, por kurrë jo demokracia.

Gazeta SOT

Keine Kommentare: