Për
të mënjanuar padrejtësitë, mëritë dhe diskriminimin e
personaliteteve shqiptare, propozoj të stolisen me këtë titull
edhe disa shqiptarë të mëdhenj, institucione, madje edhe ndonjë
fshat, që deri tani janë shpërfillur nga autoritetet,
që merren me zbukurime dhe teletisje nacionale shqiptare me
xhingla.
Nderi
i Kombit duhet shpallur edhe:
1.
Bujar Nishani. Nishani e meriton. Është njeriu më anonim në
historinë e shtetit shqiptar, që arriti të ulet në ulësen e
Presidencës. I plotësonte të gjitha kushtet. Ishte i përdorshëm,
i përkulshëm dhe me aftësi të posaçme zvarritëse. Para se të
zgjidhej nuk ka pasur asnjë vepër me të cilën mund ta dëmtonte
apo zbukuronte veten. Është njeriu që e meriton sepse nga
anonimiteti absolut, në presidencë, nuk ka ditur dhe nuk ka mundur
askush deri më sot të ulet. E meriton pra për shkathtësitë e
tija depërtuese dhe profilizuese. Ky e meriton edhe pse i ka mohuar
një pozitë një humanisti shqiptar, të cilin as nuk e kupton, e as
nuk ka aftësi intelektuale për ta vlerësuar. E meriton sepse arrit
ta bëjë Nderi i Kombi në Shqipëri edhe Bexhet Pacollin, edhe pse
askush nuk din në Shqipëri, çfarë të mire u ka bërë Pacolli:
me çfarë ta kujtojnë dhe me çfarë të mburren për ta shmangur
mosmirënjohjen. Ndoshta edhe me këtët titull synohen kapja e tij
dhe detyrimi për t' i përfshirë në testamentin e trashëgimit
disa politikanë shqiptarë. Ndoshta ky shpërblim iu bë edhe për
t' i thënë: ti nuk ke bërë asgjë, por bën diçka në të
ardhmen sepse në gazeta serbe, ke gazuar. Nishani meriton të
shpallet Nderi i Kombit edhe pse ka rruar mustaqet, e kjo nuk ndodhë
shpesh në botën mustaqebartësve.
2.
Isa Mustafa. Isa e meriton. E meriton pse ka emrin Isë e jo Maria. E
meriton
për
shkathtësinë dhe aftësinë mbinjerëzore: për fleksibilitetin dhe
aftësitë konformiste. Për mbijetesën
dhe
spërdredhjen
duke
fituar në rende të ndryshme shoqërore. Për përdorshmërinë, për
përshtatshmërinë, për
finokërinë, për dinakërinë superiore dhe për profilizimin si i
vetmi kryeministër në botën demokratike, me më pak vota se partia
e zëvendësit të vet.
Ka
zhvatur
pozitën
me premtime që
nuk do t' i mbajë,
jo me vota. Ky në fakt meriton edhe futjen në librin e Ginisit,
sepse ka treguar se në demokraci, nuk duhet shumica për t' u bërë
kryeministër. Ky është i vetmi shembull në vendet ku mbahen
zgjedhjet e lira. E meriton titullin NDERI I KOMBIT, sepse me pozitën
e tij, u dëshmua se çdo rregull ka edhe një përjashtim: nuk fiton
shumica gjithmonë në demokraci, por edhe pakica. Kjo thyerje, ky
zbulim aplikativ
për
demokracinë është i barabartë me zbulimin e teorisë së
relativitetit.
3.
Çmimi Nderi Kombit t' i jepet Sali Berishës. Në fakt e meriton i
pari, por gjendet në vendin e tretë, për shkak të pozitës
inferiore që ka ndaj dy të parëve. Motivacion nuk duhet shumë,
mjafton të përmenden disa vepra: për profilizimin në Partinë
Demokratike, pa u përjashtuar apo pa hequr dorë nga anëtarësia në
Partinë e Punës. Është i vetmi ish-stalinist në planetin tokë,
që sundon një parti demokratike. E meriton për ndërtimin e
piramidave më shpejt se Keopsi. Për shembjen e shtetit shqiptar.
Për Gërdecin. Për aftësinë për t' i zhdukur si shurra e pulës
më shumë se 230 milion euro nga autostrada. Për vrasjen e
revizionistëve, që më 21 janar
desh
morën pushtetin. Për stilolapsat pistoleta të puçistëve. Për
aftësinë për ta dirigjuar me shkop dirigjenti, Luli e Vocërr. Për
aftësinë për ta shndërruar Kuvendin shqiptar në qenef publik.
Për thyerjen e rekordit në not çdo verë. Dhe, arsyeja kryesore:
aftësi më të mëdha se Berlusconi për t' i ikur gjykatës dhe për
t' u tallur me Kodin Penal të Shqipërisë. Kryesisht kjo aftësi
duhet marrë në konsiderim
dhe
nderuar zotin Sali Berisha me titullin Nderi i Kombit. Pas këtij
titulli, le ta votojnë përsëri për kryeministër. E meriton dhe
pikë.
4.
Lazaratin. Ky fshat e meriton sepse u bë i njohur në planetin tokë
me dashurinë për t' ia qetësuar nervat botës së
trazuar me
kanabis sativa. E meriton sepse ka arritur të bëjnë të heshtin
edhe hoxhën, edhe priftin, edhe
popin,
edhe Sali Berishën dhe të përmbarojë
veprimtarinë e vet i papenguar. Ky fshat e meriton sepse është
Nderi i Kombit si
Corleone
për
Italinë.
5.
Universiteti i Prishtinës. Ky Universitet njihet për numrin e madh
të sharlatanëve. Aty shumica e profesorëve nuk e flasin mirë
gjuhën amtare. Aty të gjithë dinë për njëri tjetrin dhe
heshtin. Aty dinë se kush ka doktoruar me plagjiat, por të gjithë
heshtin. Kjo heshtje e madhe kolektive, nuk është lehtë të
arrihet në një rend demokratik, prandaj: Nderi Kombit. Nderi i
Kombit edhe sepse në arkivat e vet, ka qindra studentë që nuk kanë
studiuar kurrë, por kanë diplomuar aty pas vitit
2000.
E meriton edhe për suksese të jashtëzakonshme në plagjiaturë.
6.
Universiteti Europian i Tiranës. Është një universitet që lufton
ksenofobinë me tituj të doktoraturës dhe
është i mendimit se kandidatët, nuk duhet të traumatizohen me
studime, kur mund të mjaftojnë disa mijëra euro për dy shkronja:
“Dr.” Kandidati nuk duhet lodhur me mësimin e gjuhës shqipe e
as nuk i duhet navigator për ta gjetur godinën e universitetit,
mjaftojnë lekët. Meriton titullin edhe për turistët shkencor dhe
afrimin e popujve dhe kulturave.
7.
Gjykata Speciale. Kjo gjykatë duhet shpallur Nderi i Kombit në një
paketë me Hashim Thaçin.
8.
Fakultetin
e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në
Pejë. Ky fakultet e meriton dhe nuk duhet asnjë diskutim. Nga 505
veta të diplomuar, vetëm 3 kanë ndjekur studimet dhe ligjëratat.
502 të tjerë nuk ekzistojnë as në arkiva. Ky fakultet duhet
shpallur domosdoshmërish dhe urgjentisht Nderi i Kombit sepse shpejt
dhe bukur, ka rritur numrin e intelektualëve në Kosovë, që sot
kanë pozita të ndryshme dhe sakrifikohen për atdheun. Ata janë
patriot
të
vërtetë.
9.
Autobusët.
Nderi i Kombit meriton edhe firma e autobusëve, që me aq shumë
mundim, arriti të zvogëlojë papunësinë në Kosovë. Këta
autobus meritojnë seriozisht titullin Nderi i Kombit sepse i
mundësuan një vizitë në Berlin Hashim
Thaçit
dhe Skender Hysenit.
10.
Prokuroria e Kosovës dhe e Shqipërisë, tok me gjykatat. E
meritojnë dhe të mos ndalemi fare tek
motivacioni. Nderi
i Kombit par excellence.
11.
Krundet. Nderi i Kombit duhet shpallur edhe krundet. Nuk është
lehtë
njeriu
të
ushqehet
me krunde dhe
të mburret.
Meqenëse krundet arrijnë të ushqejnë popullin, atëherë e
meritojnë edhe ato të deklarohen Nderi i Kombit: kanë bashkuar dhe
zbutur raportet në mes njeriut dhe kafshës. Kanë
rritur mirëkuptimin dhe empatinë e
ndërsjellë.
11.
Poçavra. Se poçavra, lecka duhet shpallur Nderi i kombit, nuk duhet
asnjë arsyetim. E merion dhe pikëçuditje.
Mirëpo,
për të qenë sa më objektiv dhe i drejtë, duhet propozuar edhe
anulimin e titujve “Nderi i Kombit” këtyre shqiptarëve:
Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Gjergj
Fishtës, Fatos Arapit, Azem Shkrelit, Mitrush Kutelit, Martin
Camajt, Ali Podrimjes, Eqerem Çabejt dhe të gjithë atyre që nuk
kanë lekë sa Pacolli dhe të gjitha ata që nuk
janë zënë në plagjiaturë, si Nderi tjetër i Kombit
Plagakademiku, Sabri Hamiti. Në një listë
Kadare dhe Pacolli, nuk mund të përfshihen, prandaj, të
lartëpërmendurit jashtë listës; i shëmtojnë bukurinë dhe
xhinglat titullit Nderit i Kombit.
Gazeta SOT
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen