Sot
uniformat blu ndërmorën një aksion guximtar amvisërie për të
pastruar mantelbardhët e ndotur nga rrobet tjera në gazep.
Ndërhyrja diskrete mbante kodin sekret „Bluzat e bardha.” Tek
xhepat e mantelbardhit, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan 18
milion lekë të lashta dhe 350 euro të reja. Mantelin e bardhë
tërhoqën zvarrë deri në oborrin e bujtinës të
nervave përtace, që bluzat e pastra e quajnë neurologji. Ngjarja
krijoi shumë zhurmë dhe poterja me decibelët shurdhuese, u përplas
edhe nëpër pallate, brigje, rrugë,
rrugica dhe dhiare. Duke kapur jehonën, që ushtonte kudo nëpër
Vlorën e mërrolur, nxituan për ta përjetuar premierën edhe
veshjet tjera: pantallonat, fustanet e gjatë, fustanet e shkurtër,
minifundet e mëndafshit, xhaketat, palltot e trasha, xhinset blu,
këmishat lara-lara, kombinezonet, zhelet, brekët, brekët e gjata
prej leshi, tangat dhe në fund edhe çorapët. Të gjitha ato rrobe
vështronin damkat e mantelbardhit dhe ashtu të hutuar, po gërmonin
brenda vetes. Ata pyesnin se si mantelbardhi i nervave, kishte mundur
të grumbullojë aq shumë lekë antike pa humbur
nerva, sa me uniformat
blu, u abuzua duke numëruar lekë thua
se ishin bankierë!
.
Ato
futën lekët në një qese për t’ i
dërguar si prova tek togat e zeza dhe njëra
prej tyre telefonoi me kryeuniformën blu. Krejt
aksioni zgjati aq sa zgjatë një ndeshje seksuale në një zyrë të
një politikani shqiptar, diku tre minuta, apo diku më pak se sa pat
zgjatur paketimi plot ankth dhe nxitim i qindra milionëve euro gjatë
ndërtimit të autostradës në Shqipëri dhe Kosovë, që
pastaj syzat e zeza, i transferuan për këndellje dhe rehabilitim
buzë Alpeve helvetike. Ata thanë se zhelet nuk duhet të brengosen
fare. Paratë brenda vendit mund të vidhen edhe në bankë, kurse në
bankat e Zvicrës, janë të sigurta, janë
të strehuara mirë, nuk ftohen, nuk u bie fruthi, nuk qurrohen nga
gripi, ajri është më i pastër dhe ato tufë-tufë dhe
dalëngadalë, do të ktheheshin në atdheun, që ata e duan dhe
çmojnë më shumë se jetën e vet.
Gjersa
uniforma blu merrej me larjen e shpëlarjen
e bluzave të bardha, u arratisën nga bujtina shumë pizhame me vija
të trasha blu,
disa brekë, disa brekushe dhe një çorap i vogël. Tre uniforma
vrapuan për t' i marrë brekushet dhe çorapën. Gjatë kësaj
tollovie në rrugën kryesore lëkundeshin rrobe të ndryshme pas një
qefini, që po emigronte pa pasaportë në botën tjetër për një
jetë më të mirë dhe më të lumtur. Atij i kishte ardhur shpirti
në majë të hundës dhe pastaj mantelet e bardhë, ia kishin fshirë
hundën me një facoletë fët e fët, ia kishin hequr flamën dhe
kishin telefonuar familjen duke kërkuar prej tyre ta merrnin qefinin
me një arkivol.
Partia
e kollareve blu sulmoi barbarizmin e uniformave mavi dhe metodat i
shpalli enveroze. Ata përkujtuan kravatat rozë se kanë cenuar
privatësinë e mantelit të bardhë, autonominë e xhepave, kanë
cenuar dinjitetin e mantelit duke ia futur duart kudo dhe uniformat i
quajti xhepash. Mantelet e bardhë ishin të pastër, thanë ata,
tani i keni ndotur ju me sulmin. Ata madje shtuan se bluzat gjithmonë
janë të pastra, por gjatë ushtrimit të detyrës, ato mund dhe
duhet të damkosen nga zhelet dhe poçavrat. Ky është motivim dhe
njollosja eventuale e mantelit, nuk është asgjë tjetër, pos
mirënjohje, provë për shërbimin dhe profesionalizmin. Kështu
disi pallavruan për media kollaret blu në selinë e tyre dhe
vazhduan me kujën për mungesën e kanabisit sativa të freskët.
Shumë
lapsa e shpuan dhe goditën atë çështje nga qoshe, mindere, divane
dhe tryeza të ndryshme. Lajmin më interesant kësaj jave mirëpo, e
solli njëri ndër kryelapsat më të mëdhenj të publicistikës
kosovare. Ai gjatë e shqip shkroi se qytetari i Kosovës sipas
konventave ndërkombëtare mund të zgjedhë vendin, vendbanimin dhe
të dalin kur t' u teket dhe të banojë ku t' u pëlqejë atyre, me
dokumente udhëtimi apo pa to, sepse e kundërta, do të thoshte
pezullim dhe shfuqizim i lirisë së lëvizjes. Madje, kjo iu
përplaska hatashëm në surrat konventave ndërkombëtare dhe atyre
që kanë shkruar liritë dhe të drejtat e njeriut. Mund të
hamendet se ky laps do të ndikojë mirë në motivimin e
shpërnguljes duke përligjur pezullimin e sovraniteti dhe
shpërfilljen e kushtetutave tjera, që kërkojnë leje qëndrimi apo
punësimi. Shihet se këtë herë lapsi nuk ishte i mprehur mirë,
por lapsat e kanë zakon edhe të konsumohen, topiten dhe të
përdhunojë shkronja shkronjën. Të ngatërrohen. Domethënë t' i
kërcejnë njëra tjetrës, t' ia humbin nderin, ta poshtërojnë ose
për shembull të përndezet (eksitohet)
“I-ja“ dhe t'
i ngrejë fustanin
„A-së” sa të dëgjohet vetëm një onomatope apo një
klithje iiiiiaaaaa si pasojë e tutës së befasishëm, që mund të
shqetësojë ndonjë uniformë apo mobilizojë ndonjë xhaketë e
xhinse naive në drejtim të gabuar. Me një fjalë, ata që
kishin humbur rrugën në oborr, lapsi ua lëshoi një navigator në
dorë.
Shumë
lapsa tjerë në Shqipëri u morën me tufën
e qimeve të gjata mbi buzën e sipërme të kravatës sipërore.
Ato qime tani gjenden të strukur diku në territorin e Shqipërisë
dhe kravatat rozë janë duke hetuar vendndodhjen. Ish-mustaqen, para
se të rrëshqiste barkas drejt zyrës së kryetarit, nuk e njihte
askush apo vetëm dikush. Ndoshta vetëm familja. Ai
nuk kishte falur vendit ndonjë
kontribut, që mund të shihej, përshkruhej, imagjinohej, vizatohej
apo fotografohej. Ishte anonim. Anonim si Petriti për shembull, që
në mars do të nxjerrë kopenë nëpër sipërfaqet kullosore të
Malësisë së Madhe. Zakonisht në vendet tjera kryekravatë bëhet
një personalitet i njohur, me dinjitet, me
integritet dhe vepër. Një kravatë që
njohin të gjitha rrobat për shkak të urtisë së tij. Mustaqen e
njohën stofrat shqiptare, kur kryekollarja
blu, e abortoi si kryetar. Për këtë pat vendosur kryekollarja e
Partisë Demokratike,
me prejardhje nga Partiae Punës, notuesi më i famshëm i
Shqipërisë, që në kundërshtim me ligjet e evolucionit, çdo vit
thyen rekordin e vet dhe për disa minuta, brekushet e reja, lënë
pas vete brekët e vjetra. Aq sa më shumë mplaket, aq më shpjet
noton. Aq sa më shumë vjetrohen brekët, aq më shumë qëndrojnë
mbi ujë duke sfiduar gravitacionin me metoda të panjohura për
shkencën. Pas notimit sekret shfaqet ai në
lungomare duke buzëqeshur me dy duar të ngritura si Tarzan dhe pret
impresionimin dhe duartrokitjen e kollareve blu.
Kollaret
e Kosovës hoqën qafe një pjesë bukur të mirë të tirqve; i
zbritën ngadalë nga supet me shumë kujdes dhe i futën në
autobus. Lapsat kosovarë prisnin nga Vetëzhvendosja protesta kundër
të pames në Serbi, por nuk e bëri.
Kravatat e saja ishin duke festuar largimin e shajkaçës. Mirëpo,
nuk mund edhe të pohohet
se qëndruan krejt këmbëkryq, ata së
paku sollën një autobus në qendër dhe
ia ofruan arratisjen falas kravatave të
vendit tok me rrobet tjera. Madje ideologu i tyre u tha xhaketave se
VW, Mercedsi, Opeli, Simensi, Bosch e koorporata tjera në Perëndim,
punësojnë tirq ilegal që dëshirojnë të punojnë për ca lekë
të dëshpëruara. Nuk nevojitej njohja e
gjuhës, nuk nevojitej aftësimi profesional, por nevojitej vetëm
përkatësia kosovare, sepse këta ishin më elastik, më të
përdorshëm dhe më të përkulshëm se sa emigrantët tjerë. Ai
madje sqaroi se të tirqit kosovarë
po ushtronin trysni marramendëse kundër sindikatave në
Perëndim, siç kanë bërë me plot sukses edhe kundër
kleptokracisë në Kosovë. Kështu disi
gjepurosi kravata e Vetëzhvendosjes në Vajazanin e Rexhep Qoses.
Në
mëmëdheun e Çajupit ka ndryshuar shumëçka, por jo mënyra se si
bie koka tek toka: edhe sot janë në përdorim pistoletat, thikat
dhe bombat. Në atdheun (Kosova nuk njeh
nanadhe) e Rugovës ka shumë ndryshime dhe
mutacione, madje edhe rezistencë sporadike të dhunshme, por tani i
është shtuar si dukuri edhe arratisja aktive, tok me xhirimet
filmike dhe fotografimet nga media. Ata po filmohen dhe fotografohen
në çaste shumë emocionale, prekëse duke u hallashtisur dhe duke u
hallalluar me uniformat blu kosovare, me uniformat blu serbe dhe me
uniformat blu hungareze, pikërisht
ashtu siç e kërkon dhe urdhëron tradita dhe zakoni burrnor i
Ballkanit...
Ballkan të qofsha fal, të kam babë e më ke djalë, do të kishte thënë akademiku jonë...
Ballkan të qofsha fal, të kam babë e më ke djalë, do të kishte thënë akademiku jonë...
Gazeta DITA
Gazeta SOT
Gazeta SOT
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen