Këshilltari
i Hashim Thaçit zoti Andri
Nurellari kritikoi qëndrimet e mediave për eksodin dhe u
përpoq ta mjegullojë aq
shumë arsyen, të
spekulojë me aq shumë pasion, sa dukej se
nuk fliste për një ikje masive me motive
konkrete, por se po fliste për turistët
shqiptarë, që shkonin për ca ditë në
fillim në Serbi për pushime, pastaj në Hungari dhe në fund në
Austri, Zvicër apo Gjermani. Kur politikanët shqiptarë bëjnë gabime, mund të fajësohen gjithmonë edhe këshilltarët e
tyre. Krejt rezonimi i tyre, krejt ligjërimi koncentrohet në një
pikë: në shfajësimin e shefit që i shërbejnë.
Fundi i fundit ata
paguhen për ta mënjanuar dëmin nga shefi
dhe mund të kuptohen, por nuk duhet të besohen. Ata nuk
bëjnë asgjë tjetër pos me një oratori tjetër të
shpjegojnë dhe interpretojnë se shefi tyre, është engjëll,
kurse proletariati ka fajet, që nuk po mësohet të jetojë në
mjerim edhe pse i stërvitur në mënyrë më të
pashembullt në Europë. Në fakt ishte media që
po brengosej për braktisjen kolektive të lagjeve apo fshatrave, por
që Qeveria, ashtu si edhe e Serbisë dhe Hungarisë, ishte
spektatore dhe merrej me numërimin e autobusëve dhe
udhëtarëve. Qëndrimi i Hungarisë mund të
kuptohet.
Ajo shfrytëzon fonde nga BE për refugjatët dhe çdo
refugjat i regjistruar atje, ndikon në rritje e buxhetit. Edhe
sjellja e Serbisë mund të kuptohet: sa
më shumë që zvogëlohet numri i shqiptarëve në Kosovë, aq më
shumë rritet përqindja e serbëve, madje ata kanë edhe Ministri
për Kthim, por jo ne. Çfarë na duhet neve Ministria e Kthimit kur
kemi tepër shumë qytetarë, madje për të ngrënë edhe qentë?
Nuk
ka asnjë dyshim se Hungaria dhe Serbia përfitojnë nga mërgimi i
shqiptarëve, por nuk mund të kuptohet Qeveria e Kosovës.
Ajo vështron autobusët në televizor dhe nuk
merr masa konkrete. Qeveria e Kosovës nuk mund të fshihet pas
lirisë dhe të drejtës së lëvizjes, sepse dihej se shqiptarët
nuk po shkonin në Serbi për ta falënderuar Vuçiqin për empati
apo pendim. Qeveria e Kosovës dinte se
shqiptarët nuk bëjnë pushime dimërore në Hungari. Ajo dinte se
ata nuk kishin mjaft lekë me vete për t' i vizituar kështjellat të
stilit barok në Austri, e as nuk kishin lekë
me vete për të marrë pjesë apo vizituar
karnavalet gjermane. Ajo
dinte se ata nuk po arratiseshin për të
kremtuar festën e dashurisë diku jashtë vendit.
Pra
Qeveria e Kosovës dinte shumë mirë se ata po abuzonin në dalje,
pa pasaporta apo me pasaporta serbe, se po abuzonin edhe me ligjin e
azilit, që merret jo me varfërinë e njerëzve, por ka
për detyrë të
ndihmojë njerëzit jeta e të cilëve
rrezikohet nga përndjekja e shtetit. Dhe, Qeveria e Kosovës, dinte
se këta njerëz po nxirrnin fëmijët nga shkolla për t' i dërguar
nëpër konvikte refugjatësh duke qenë të sigurt se pas disa
muajve, do të dëbohen. Qeveria e Kosovës dinte madje edhe
procedurën, edhe ligjin, edhe Konventën Gjenevës. Madje, për të
qenë ironia më skandaloze dhe më qesharake, në Ministrinë e
Kosovës ka edhe Zyrë për Migracion dhe Refugjatë, që
do të duhej të shqyrtonte kërkesa të njerëzve të përndjekur.
E si mos ta dinte kur zëvendëskryeministri, ministri i punëve të
jashtme, ka përjetuar këtë procedurë.
Qeveria e Kosovës dinte shumë mirë se me këtë kërcim në
sistemin social perëndimor jo vetëm se
dëmtohet imazhi i Kosovës i
dëmtuar deri në palcë, por se mund të
pengohet edhe pezullimi i vizave. E sot,
sot vështirë të besohet se në këso
kushte, shtetet e BE-së
do të pajtoheshin me
anulimin e vizave.
Sidoqoftë
njerëzit po ikin dhe Qeveria ka probleme më të mëdha për të
zgjidhur që i konvenojnë më shumë në hov e nxitim Serbisë, se
sa Kosovës. Ajo ka mundur thjeshtë me një ligj, për situata të
jashtëzakonshme të pengojë jo lëvizjen e qytetarëve, por
lëvizjen e shoferëve të autobusëve: me arrest të përkohshëm
shtëpiak. Ndoshta janë dhjetë, ndoshta njëzet, por për interesa
nacionale, duhej bërë. Nuk është vetëm
ky menefregizëm qeveritar, por vështirë të kuptohet apo
shpjegohet se kush organizoi, kush qëndron prapa këtyre iluzioneve
dhe pse kjo Qeveri nuk din asgjë për vlime të tilla në shoqëri.
Pse Qeveria me gjithë atë strukturë adiministrative, policore
publike dhe të fshehtë, nuk din gjë, ashtu si nuk din askush
asgjë, kush përplasi Kosovën përtokë në
vitin 2004 me shpërthimet shoviniste.
Po
pse po ikin njerëzit? Arsyeja e parë mund të jetë kjo: shqiptarët
që kanë dërguar para në shtëpi nga
Perëndimi, u janë shtuar obligimet e veta. Fëmijët u janë rritur dhe shumë prej tyre janë në studime. Ata duhet të ndihmojnë fëmijët e vet e jo të ushqejnë vëllezër me familje, që sorollaten poshtë e lartë, që edhe në moshën dyzetë vjeçare, nuk kanë punuar një muaj të plotë.
Perëndimi, u janë shtuar obligimet e veta. Fëmijët u janë rritur dhe shumë prej tyre janë në studime. Ata duhet të ndihmojnë fëmijët e vet e jo të ushqejnë vëllezër me familje, që sorollaten poshtë e lartë, që edhe në moshën dyzetë vjeçare, nuk kanë punuar një muaj të plotë.
E dyta,
sipas Entit Statistikor gjerman, çmimet janë rritur për 25 për
qind nga kalimi i markut në euro, por jo rrogat për 25, dmth.
mundësia për të falur është zvogëluar.
E treta, atyre që janë në Perëndim u kanë vdekur prindërit
dhe nuk dërgojnë apo dërgojnë shumë më pak
para për të mbajtur vëllezërit atje me familjet e tyre, që në
shumë raste, nuk punojnë as tokën, që kanë, por kalojnë tërë
kohën në fb.
Këtë e dëshmon Sali Berisha me mbi një milion
pëlqyes në fb nga diku 7 milion banorë,
kurse kancelarja gjermane Merkel
me 80 milion banorë, ka 994.949 pëlqyes.
E katërta dhe më e keqja është se elita politike kosovare i ka
grabitur të gjitha ëndërrat, të gjitha shpresat popullit. Nga
keqqeverisja, nga nepotizmi, nga korrupsioni, krimi dhe zhvatja e
parave publike, qytetarit të Kosovës nuk i ka mbetur shpresë
tjetër, pos një energji e fundit për të kërkuar jetë më të
mirë së paku për fëmijët e vet. Qytetarët e Kosovës janë
lodhur me shtetin fisnor. Ata duan shtet të
së drejtës jo të së zhdrejtës.
Kosova
pas lufte ka krijuar aristokraci me karakter laperoz. Atje
dinë të gjithë se
janë zhdukur miliona gjatë shtrimit të
autostradës, dinë të gjithë se
ndërmarrjet janë shitur me çmime të ulëta, të gjithë njohin
hajdutët, edhe mediat, por këtë nuk din vetëm gjykata, ku
punojnë të zgjedhurit e politikanëve.
Një vend
që nuk ka gjykata të pavarura, nuk është vend demokratik, por
anarki ose despotizëm. Atje pra dinë të gjithë se po vidhet, por
askush nuk din ku përfunduan paratë e vjedhura. Dhe, në Kosovën e
sotshme, aq sa më shumë vjedh një njeri, aq më shumë respektohet
dhe aq më i paprekshëm është si për gjykatën kosovare, ashtu
edhe për EULEXIN, që po zhvat tatimpaguesin perëndimor pa sjellë
rezultate, që mund të
arsyetonin praninë e tyre.
Ata erdhën për
të na mësuar si ndërtohet shteti, si duket i
mësuam
edhe ata si pasurohen njeriu brenda ditës.
Se
Kosova nuk është në gjendje normale psikike, tregon edhe protesta
kundër një ministri serb për një mendim shovinist. Ata nuk
treguan kurrë guxim dhe konsekuencë për të ndalaur shitjen e
atyre pak ndërmarrjeve që kishte Kosova. Ata nuk rrëzuan asnjë
ministër apo kryeministër, që vet e konsiderojnë hajdut apo
kriminel. Ata lejojnë çdo gjë por nuk këmbëngulin për ta
rrëzuar atë që dëmton qindra herë më shumë se sa mendimi i një
serbi. Kjo domethënë se të keqen kolosale e meritojmë dhe e
durojmë, por në pyetje është vetëm përkatësia kombëtare e
keqbërësit.
Të gjitha përpjekjet për të shfajësuar
politikanët kosovarë, janë të dëmshme, sepse ato shpërndajnë
fajin, amnistojnë fajtorët dhe kështu bëhemi
në bashkëfajtorë të krizës, rrjedhimisht pengojnë rrëzimin e
kleptokracisë. Për mungesën e bukës në shtëpi, nuk mund të
fajësohen fëmijët, por babai. Për mungesën e perspektivës në
një vend, nuk mund të akuzohet populli, por politika.
Politikanët,
sepse ata paguhen prej popullit për ta përmirësuar gjendjen, jo
për ta keqësuar atë. Politikanët shqiptarë në Kosovë interesin
e vet personal e vejnë mbi atë të shtetit, interesin e familjes së
vet, mbi interesin e popullit. Meqenëse është kështu dhe
nuk mund të kundërshtohet, është qesharake kur hajdutët dhe
politikucët i thonë popullit mos ik. E ku marrin këtë të drejtë
morale ata që gjysmë viti vunë interesat partiake para atij të
shtetit dhe popullit?
A
ka dështuar shteti i Kosovës? Jo. Ai nuk ka qenë kurrë shtet. Për
të dështuar duhet pikë së pari të ketë qenë shtet. Shteti
erdhi në botë me gjakderdhje dhe prerje
cezariane. Po rritet dhe edukohet nga hajdutët, arrivistët
dhe zbrazet nga matrapazët. Kosova
ka qenë autonomi dhe ka ngelur autonomi. Kosova është vendi i
vetëm në Europë, ku politikanët e saj u drejtohen ambasadave si
këshilltarëve dhe mburren me nënshtrimin e tyre. Elita politike
shqiptare, qysh kur historia ka regjistruar
pushtimet në ato troje, është bërë
vasale për t' iu imponuar popullit.
Ata mezi presin t' u vijë një
politikan i huaj, t' i përkrah për bindjet e tyre me parulla
populiste dhe ata shkojnë e falen në xhami, apo shkojnë në kishë
dhe mburren se ishim krishterët e parë në Europë. Ata mezi presin
të bëhen vasal. Nëse nuk u pranohet vasaliteti, ata bëhen armik
edhe i mikut.
Ky karakter i politikanit nuk vërehet
diku tjetër në Ballkan. Madje as në Mal të Zi, as në Maqedoni.
Ata kanë interesa nacionale, ne kemi interesa personale. Kosova po
dështon në ndërtimin e shtetit vertikal dhe horizontal dhe kjo
patologji, ka vetëm një diagnozë: meritokraci
e paarsimuar sa duhet dhe si duhet.
Dëshira e zjarrtë nuk mjafton
për ndërtuar diçka, por profesionalizmi dhe idealizmi.
Pas
çlirimit shpresonin
të ktheheshin mërgimtarët nga Perëndimi për ta përjetuar
ndërtimin e shtetit, që kishin ëndërruar.
Jo vetëm se hoqën dorë përgjithmonë
nga kthimi, por
ata as nuk kuptojnë tallava-shtetin, që
po ndërtohet. Sot po
braktisin vendin
edhe ata që kanë lindur pas luftës. Tani jo nga Millosehviqi, por
nga politikanët shqiptarë...
Gazeta Dita Gazeta Sot
Gazeta Dita Gazeta Sot
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen