Nga prof.dr. Halit HALIMI*
Me
kurreshtje profesionale-shkencore dhe vemendje të veçantë, e lexova
dorëshkrimin e studimit sensacional të Prof. dr Ruzhdi Ushakut, ish
mësimdhënës eminent i Universitetit të Prishtinës dhe studiues-filolog i
spikatur në fushën e filologjisë krahasuese. Në
veprat dhe studimet e tij të përimta pararendëse, ky punues shkencor na
ka befasuar shpesh me vepra dhe studime cilësore, me teza dhe arritje të
reja, më pak të njohura ose të panjohura, që kanë pare dritën edhe në
disa gjuhë të huaja.
Me këtë rast, do t’i veçoj
disa vlerësime për këtë studim të tij ekskluziv, më të ri, që do të
tërheqë padyshim vëmendjen dhe interesimin e lexuesit shqiptar dhe të
huaj. Në komedinë “Zogjtë” të Aristofanit ( shek. V
p.e. re), personazhi Tribal përdor dy fraza enigmatike të shënuara me
shkronja të alfabetit grek të asaj kohe por të pakuptueshme për
greqishten.
Që nga ajo kohë e këtej, përkthyesit, përkatësisht studiuesit e ndryshëm janë marrë thuajse sipërfaqësisht me këto fraza, në shikim të parë të parëndësishme, kurse faktikisht me rëndësi të jashtëzakonshme për gjuhësinë ballkanike dhe më gjërë. Dietarët dhe përkthyesit që janë marrë sadopak me këtë çështje të imponueshme ndahen në dy kategori:
Ata që janë munduar të gjejnë një kuptim të supozuar sipas kontekstit,
Dhe të tjerët duke bërë transkriptimin e tyre shkronjë për shkronjë, në alfabetin latin.
Zbërthimi
ritmik i frazave NABAISATREU dhe SAUNACA BA CTARI CRUSA ( sa u na ka
baktari krusa) është bërë në variante të ndryshme, e para 3-4 gjymtyrë,
kurse e dyta prej 2-4, por pa shpjegime të gjymtyrëve në nivelin
leksikor dhe gramatikor.
Studiuesi Ushaku, në dallim prej atyre të deritanishëm e zbërthen frazën e pare në gjashtë njësi
(
NA BA-I -SA- TRE-Y )dhe të dytën në tetë / SA-Y-NA-KA-BA-KTA-ARI-KRUSA/
sqaruar apo shoqëruar me interpretimin leksiko-gramatikor të secilës
njësi dhe me reference kontekstuale dhe qasje inter dhe
multidisciplinare.
Pikënisja e tij është
transkriptim i sigurtë në sinkroni dhe reflekset e më vona diakronike me
alternanca e metateza përkatëse dialektore dhe të shqipes së shkruar
prej Mesharit e këtej.
Koncepti
metodologjik-shkencor i Ushakut është i llojit të vet, ku ceken edhe
rrethanat historiko- shoqërore të asaj kohe, duke mbajtur parasysh
poliseminë. Autori përdor edhe logjikën e eliminimit të shpjegimeve më
pak bindëse, dhe qoftë edhe atyre intuitive duke pasur gjithnjë parasysh
vokabularin bazik të jetës dhe koncepteve të kohës, me një strukturë
arkaike.
Fjalitë e cekura të transliteruara në
formën e shqipes së sotme dalin si vijon: 1. Na bani ( kushtoi) sa për
tri hise, kurse 2. Sa na është ( âshtë) bâ ( sa na ka kushtuar) kjo
brinoke në ari).
Profesor Ushaku, i cili me modesti
këtë punim e quan sprovë i le shumë gjëra pa u thënë në mënyrë që të
mbetet vend për një botim më të plotë me shpjegime edhe më të përimta,
gjithnjë duke pritur fjalën e shkencëtarëve kompetentë dhe duke sfiduar
përpjekjet e të tjerëve për ta pranuar apo kundërshtuar tezën e tij në
favor të ndonjë të vërtete tjetër, më bindëse dhe më të argumentuar.
Deri më sot, nuk dimë për ndonjë rast zbërthimi apo interpretimi jo vetëm të fjalive në vështrim, por përgjithësisht që të jetë kushtuar kaq hapësirë dhe shpenzuar aq mund për të dalë në këtë rezultat.
Rëndësinë
e këtij studimi mund ta kuptojnë vetëm ata profesionistë që do ta
lexojnë dhe rilexojnë me vëmendje absolute horizontalen dhe vertikalen e
këtij interpretimi, me kokë të ftohtë, pa eufori dhe paragjykime, duke
vlerësuar edhe mundin dhe përpjekjen për ndriçimin e të vërtetës
shkencore.
Për mendimin tim, kemi të bëjmë me një studim të përimët profesional-shkencor, me qasje interdisciplinare filologjike dhe multidisciplinare të shkencave të tjera. Rrjedhimisht, shpjegimet dhe rezultatet e tij janë bindëse dhe të argumentuara mbi bazën e qëndrueshme të metodologjisë shkencore. Si recensues , me kompetencë profesionale prej fonetikani dhe filologu, mbaj parasysh zbatimet universale si dhe ato specifike të dialektit gegë. Shpreh bindjen time të thellë se kemi të bëjmë me një studim shumë serioz, në rend të parë me pikënisjen e transkriptimit fonetikisht të bazuar, si dhe ritmikës dhe zbërthimit të frazave në gjymtyrët përbërëse. Frazat në fjalë kënaqin kriteret e ritmit arkaik ku mbizotërojnë fjalët njërrokëshe, kuptimplote në aspektin leksiko-semantik dhe funksionale në aspektin gramatikor – sintaksor. Shprehimisht me leksik dhe sintaksë arkaike, si të tilla, këto fraza inkuadrohen në kontekstin dhe intertekstin kuptimor të zhvillimit të ngjarjes së caktuar, që përshkruhet në komedinë”Zogjtë” të Aristofanit.
Jam
i bindur se, falë koncepteve më të avancuara të metodologjisë
shkencore, kultures së gjërë dhe të thellë filologjike, aftësisë
analitike të gjithanshme të autorit Ushaku, ky studim-zbulim ka gjasa
shumë të sigurta që, në thelb dhe përgjithësisht, të jetë i pranueshëm
madje i pranuar nga shkenca bashkëkohore, besojmë edhe e nesërme.
*
( Autori Prof. Dr. H. Halimi është doktoruar në Sorbonë për fonetikë
eksperimentale dhe fonologji, me vështrim të veçantë në dialektin gegë.
Ka botuar disa vepra gjuhësore , përfshirë këtu edhe disertacionin e
doktoratës në gjuhën frënge).
Falenderoj znj. Adelina H. që më dërgoi këtë artikull të profesorit të madh, me peshë të madhe për albanologjinë...LBKush është Ruzhdi Ushaku?
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen