10.05.2015

Paradokset shqiptare dhe Maqedonia, gazeta SOT

Ekskluzive nga “Lagja e Trimave” në Kumanovë: Ja çfarë thonë banorët (Video) Shpërtheu një kryengritje e befasishme, që bazuar në deklaratën e UÇK-ës, ishte në organizim e sipër dhe duhej të shpërthente të dielën. Ndonjë shqiptar paska informuar policinë maqedonase. Ndoshta kjo tregon edhe arsyen pse përleshja nisi në qytet, çfarë zakonisht grupet guerile nuk e bëjnë. Gjendja nuk është e tejdukshme dhe madje edhe shtypi solli e risolli lajme të pakonfirmuara dhe të rrejshme.
Kim Mehmeti përdori një fjalor të ulët, ofendues duke quajtur qeverinë shqiptare qelbësirë. Nuk quajti partnerin e koalicionit qelbësirë, i cili ligjërisht po merrte pjesë në bombardimin e shtëpive, por Edi Ramën, që nuk qeverisë dhe nuk mund të ketë aq ndikim sa ka Ali Ahmeti në Qeverinë maqedonase. Mendimi shkrimtarit Kim Mehmeti nuk ishte asgjë tjetër, pos mllef, zemërim emocional dhe transferim faji nga Tetova - ku vështrohej gjendja në një zyrë - , në Tiranë. Për çdo gjë të ligë gjithmonë shfajësojmë politikanët tanë, zhveshim ata nga përgjegjësia dhe kështu pengojmë zëvendësimin e tyre apo dëbimin nga skena politike. Në çaste vendimtare duhet vendime të mëdha me plot përgjejgësi, jo autoarrest. Kjo kërkohet nga një politikan.

Prania e Rrahman Morinës në skuadrën e Millosheviqit, u quajt tradhti. Prania e Ali Ahmetit në një qeveri, që lejon vetes bombardimin e shtëpive pa u brengosur se mund të vriten edhe fëmijë, quhet koalicion. Dërgimi i Rugovës në Beograd gjersa Kosova ishte e pushtuar dhe populli dëbohej, u klasifikua si turp nacional. Strukja e Ali Ahmetit, mosshfaqja e tij në çastet kur Qeveria, ku bën pjesë dhe ai, vret edhe qytetarë, nuk qenka e denjë as për dorëheqje, as turp, por gjakftohtësi strategjike. Kontributi në të kaluarën, nuk pezullon përgjegjësinë në të tashmen.

Sikur Ali Ahmeti të kishte mbetur së paku pak sedër nacionale, do tërhiqej nga koalicioni. Do të tërhiqej nga një Qeveri antipopullore, mafioze e cila bën politikë fundamentaliste ortodokse maqedonase. Përmendja e viktimave vetëm maqedonase, flet për një qëndrim fashist, duke shpërfillur vrasjen e qytetarëve shqiptarë, që nuk ishin pjesë e atij grupi kryengritës. Mbetja në Qeveri dmth. pajtim me të gjitha vrasjet dhe le të mburret si Gruevski, se u vranë 14 terroristë, disa civilistë terrorist, disa fëmijë terroristë dhe u shkatërrua prona private e njerëzve të pafajshëm. Ambasodori amerikan ngushllon familjet, por jo poltikanët shqiptarë. Ahmeti nuk mund të ngelet tutje në Qeveri pa konsideruar veten fitues (kolaboracionist) ose humbës. Alternativë tjetër për Ali Ahmetin nuk ka. Futja e kokës në birën e miut, nuk zhvesh nga përgjegjësia që bart ai në atë koalicion, që diskriminon shqiptarët në të gjitha fushat e jetës dhe në të gjitha sferat.

Historia po përsëritet. Mosgaditshmëria e Rugovës për ta përkrahur UÇK-në, u shpall nga UÇK e djeshme tradhti. Mospozicionimi i Ali Ahmetit heshtet ose konsiderohet patriotizëm. Shqiptarët në Maqedoni diskriminohen si asnjë pakicë në Europë. Kjo dihet. Dihet mirëpo se ky diskriminim është legalizuar me ndihmën e përfaqësueseve shqiptarë atje. Ata kanë nënshkruar diskriminimin. Shqiptarët e Maqedonisë sorollaten në konvikte refugjatësh, enden poshtë e lartë nëpër Europë për punë, por jo edhe maqedonasit. Ata kanë lindur me përkatësi nacionale, që sjellë përfitime jetësore. Ata kanë arritur të zbatojnë idetë e fashizmit të racës ariane dhe të të qenit maqedonas, konsiderohet fat, kurse të të qeni shqiptar, fatkeqësi. Edhe nëse janë dy për qind, gjuha tyre është zyrtare, por jo gjuha shqipe. Pabarazia qytetare do ta shemb Maqedoninë, ashu si rrënoi Jugosllavinë. Epoka e kastave qytetare në Europë është në perëndim e sipër, në Maqedoni, në konsolidim e sipër. Edhe atë, me pjesmarrjen e politikanëve shqiptarë.

U shkrua shumë, u spekulua tepër, por akoma motivet nuk janë të qarta. U bë luftë dhe askush nuk din pse, kush dhe si. Analisti Halil Matoshi tek Zëri quan luftën luftë të shërbimeve sekrete pan-ballkanike nën ombrellën e fallangave maqedone-kosovare. Kështu mund të flitet, kur njeriu me zor donë diçka të përrallisë. Merreni me mend atë pohim: disa shërbime sekret organizojnë dhjetëra shqiptarë, veshin ata me uniforma, armatosin mirë dhe cili qenka qëllimi tyre? Qëllimi i atyre shqiptarëve që lanë jetën, nuk qenka asgjë më pak se sa patriotizëm fundamentalist ortodoks maqedonas për ta shpëtuar Gruevskin. Kjo ishte e para sipas tij, po e dyta? E dyta sipas Matoshit: me luftën në Maqedoni synohej mënjanimi nga rendi i ditës themelimi i Gjykatës Speciale. Pra patriotizëm bipolar: disa shqiptarë luftojnë për ta shpëtuar Gruevskin, disa tjerë për ta shpëtuar Hashim Thaçin: e para për ta ndihmuar mbetjen në pushtet të Gruevskit dhe e dyta, për ta ndihmuar Thaçin në Kosovë. Me një të rame, dy të vrame, do të thoshte populli. E si ndihmohet Thaçi? Duke nisur luftën në Maqedoni. Nuk përfundon aty analiza, por paska qëllime edhe Gruevski dhe ai dëshiron ta zhvlerësojë aleancën qytetare të opozitës duke ndërmarrë aksione dëmtuese. Kooperacion në mes Gruevskit, disa shqiptarëve si patriotë maqedonas, disa si patriotë kosovarë dhe grupi parë vdesë për Gruevskin, grupi dytë për Thaçin. Dhe dëshirë e kujt qenka konflikti? E rusëve, grekëve dhe serbëve sipas tij. E si? Duke çuar në vdekje shqiptarët e armatosur dhe shqiptarët e paarmatosur, edhe atë, në zonë të banuar. Kështu shpejgohej lufta nga Halil Matoshi, mendimin e të cilit sjell Zër si tenor.

Gazeta franceze Le Figaro pasiqë shkruan për Maqedoninë e dobësuar nga kriza politike, thotë se një lagje myslimane në Kumanovë është rrethuar nga forcat e sigurisë. Nuk mund të mohohet se përkatësia fetare përdoret për qëllime sugjestionuese, sepse kur flitet për francezët e sulmuar, nuk shkruhet se u sulmuan katolikët apo ateistët, por francezët. Dhe, aty nuk dihej kush po sulmohej, sepse goditja bëhej nga largësia dhe nuk mund të konstatohej devotshmëria fetare e njerëzve. Gazetat serbe si zakonisht përhapin panik për Shqipërinë e Madhe dhe për të dëshmuar vazhdimësinë fashiste të Millosheviqit, avitën armatën pranë kufirit, edhe pse Maqedonia nuk ishte e përfshirë në luftë, por një lagje në Kumanovë. Ndonjë reagim nuk pati nga patriotët osman në Turqi, sepse ata në fakt kanë ndihmuar ushtrinë maqedonase me transporter Landrover dhe Kobra, ndoshta pikërisht ata, që u panë rrugëve të Kumanovës.

foto nga zëri
gazeta SOT

Keine Kommentare: