Çfarë
heshtje varri! Disa herë nisa të shkruaj për gjendjen në Maqedoni
dhe disa ndërpreva. Telefonova të afërmit në Kumanovë dhe një
pjesë e tyre me fëmijë të vegjël ishin syrgjynosur në
Prishtinë. Nuk mund të vazhdoja me shkrimin, sepse gjendja ishte aq
e nderë, aq e pamoralshme, aq e pashpjegueshme, aq e pa logjikshme,
aq spekulative, aq e patejdukshme, aq misterioze, aq e pështirë, sa
nuk mund të mos përmendej qëndrimi i padenjë, i trishtueshëm, i
pashpjegueshëm, i pa arsyetueshëm, i pafytyrë dhe i terratisur i
Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit: dy përfaqësueseve të shqiptarëve
në Maqedoni. Sot është dita e tretë, që nuk dëgjohet zëri i
tyre dhe duket se janë shndërruar në murg budist dhe janë strukur
diku në ndonjë manastir për të larë veten nga mëkatet e
shkaktuara. Ikën si Zogu, u arrestuan, apo u eliminuan? Si do që të
jetë, lanë popullin si dikur Zogu.
Heshtja
tyre kompakte tash e tre ditë prodhon shumë dilema. Rrënon edhe më
shumë dhe stigamtizon politikanin shqiptar, i cili edhe nga
patriotizmi dhe idealizmi, mund të rrëshqasë në kriminalitet dhe
në vend se të luftojë për atë çfarë kanë bindur popullin,
pasuron veten. Nuk është aq domethënëse vetëm qëndrimi i dy
prijësve shqiptarë, por edhe heshtja e Gruevskit për ata dy. Kjo
krijon dyshime se ata kanë gatuar një gjellë së bashku dhe
Gruevski ka që të dy në dorë dhe mund t' i arrestojë kur të
dojë. Duket se vetëm Gruevski din vendqëndrimin e tyre. Lajmin e
para tre ditëve që publikoi Zëri për arratisjen e Ahmetit, që u
përgënjeshtrua, tani duket i besueshëm.
Arbër
Xhaferi ishte i madh, por madhështinë e tij zhbën pasuesi, që ka
lënë pas vete. Si mundej një Arbër Xhaferi, i atij niveli
intelektual, të lërë pas vete një njeri si Menduh Thaçi? Një
„patriot” shqiptar që i betohet Gruevskit, se deri në vdekje,
do të jetë në shërbim të tij duke i garantuar përkulshmërinë
prej robi! Se partitë shqiptare janë parti fisnore, me organizmim
dhe konsolidim mafioz, tregon mungesa e udhëheqësve të partisë
dhe paaftësia e kryesive për t' u mbledhur dhe përjashtuar nga
partia dezertorët e vet: Ahmetin dhe Thaçin. Kjo ndodhi
tregoi se anëtarët e kryesive të dy partive nuk janë asgjë
tjetër, pos shërbëtorë pa dinjitet dhe pa ambicie politike.
Si
mund të shpjegohet lufta në qytet? Si mund të shpjegohet përplasja
e tmerrit mbi njerëzit e pafajshëm, që ngrihen në shtëpitë e
veta nga zhurmat e bombardimeve, sulmeve dhe kundërsulmeve. Si mund
të shpejgohet deklarata e fundamentalistit ortodoks se do të
paguhet shtëpitë, duke shpërfillur jetën e qytetarëve? Si mund
të shpjegohet se një forcë guerile, që ka ideale kombëtare nisë
rebelimin në qytet, ku mund të vriten edhe fëmijët. Nuk është
vetëm kjo ngjarje që më nervozonte dhe pengonte për të shkruar,
por edhe droja se çfarë do të lexojmë nesër dhe se kush ishin në
të vërtetë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi dhe çfarë jete paralele
bënin ata. Jo vetëm kjo, por nga kjo ngjarje, edhe i
para-trishtuar, çfarë do të mësojmë nesër për Hashim Thaçin,
Haradinajn, Limajn e personalitete tjera shqiptare, që po mbijetojnë
falë përkulshmërisë, zvarritjes, edhe pse në popull flitet
vazhdimisht për abuzime, keqpërdorime dhe vjedhje kolosale? Për
fat të keq përmendoret e idealizuara, i shpallëm të përkryera
për së gjalli dhe ata u dalldisën, u çmendën dhe po rrënohen si
përmendore prej rëre para këmbëve tona.
Ata
edhe mund të rishfaqen, mund edhe të arsyetohen, se u dhembte koka,
se kishin ethe, por ata nuk mund të durohen më në politikë. Ata
duhet të tregojnë se pse u vet-arrestuan, pse u strukën më keq se
sa ata fëmijë që botërisht po nxitonin rrugës për ta braktisur
Maqedoninë. Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi mund të arsyetojnë
dezertimin e tyre, vetëm nëse sjellin certifikata mjekësore se
kishin përjetuar, pësuar apo mbijetuar pas një infarkti në zemër
apo goditje në tru. Për zjarrmi, jo.
Maqedonia
e vogël, me qindra probleme politike, e pa emër, me gati 30 qind
papunësi, me një nacionalizëm megaloman ortodoks fundamentalist,
mbështetur nga partia shqiptare patriotike, arriti të krijojë një
mister që askush akoma nuk din se çfarë ndodhi, pse ndodhi dhe
kryesisht, ku është anëtarësia e partive shqiptare, që nuk u
gjendën pranë popullit dhe nuk organizuan asnjë protestë kundër
bombardimit të një zone urbane shqiptare. Trishtimi është akoma
më i madh, kur askush nuk dinë asgjë, por u vranë dhjetëra veta,
madje edhe fëmijë.
Deklarata
e kryeministrit serb se konflikti mund të vazhdojë, është e
besueshme. Ata gjithmonë dinë se ku do të ndodhë diçka, pse do
të ndodhë dhe çfarë do të pasojë. Këtë e dinë kryeministri
serb, sepse ata kanë rrjetin më të madh të agjentëve nëpër
Ballkan dhe një numër mjaft të madh, në Kosovë, në Shqipëri
dhe natyrisht në Maqedoni. Kosova deri sot nuk ka arritur të
arrestojë agjent serb, sepse atje merreshin me përçarjen kombëtare
në nivelin e lartë dhe me mish e shpirt angazhohej elita
intelektuale kosovare, të portretizojë Rugovën e vdekur si
tradhtar dhe hodhën në harresë aktivitetin serb dhe kristalizuan
një përçarje djallëzore nacionale. Intelektualët e mëdhenj, tek
kombet e shtypura, pas çlirimit thërrasin për pajtim kombëtar.
Qosja dhe Demaçi polarizonin pa pushim, për t' u shfaqur pastaj dhe
shpërndarë leksione folklorike fisnore dhe idealizuar vetëm
vdekjen e të tjerëve dhe shpërfillur në mënyrë meskine meritat
e atyre që faktikisht i dhanë Kosovës profil shtetëror.
Edi
Rama mirë që paska anuluar vizitën, por edhe nuk duhet të pranojë
një titull honorius causa nga një prijës partie, që gjatë
bombardimeve të lagjes shqiptare, është strukur diku nën krevet.
Nuk është më nder të pranohet një titull i tillë nga politikan
shqiptarë të Maqedonisë, por turp.
Sidoqoftë
ky mister zgjoi nga gjumi edhe Parlamentin Europian me kërkesat e
tyre për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit. Marrëveshje që ka
nënshkruar Ali Ahmeti dhe duke qenë pjesë e qeverisë, nuk ka
ngulur këmbë në zbatim, por është bërë bashkëfajtor i
diskriminimit. Shtetet perëndimore duhet ta kenë një gjë të
qartë: Maqedonia nuk mund të mbijetojë si shtet maqedonas, por
vetëm si shtet multietnik, shtet qytetar, çfarë është
faktikisht. Marrëveshja e Ohrit ka vdekur. Maqedonia duhet detyruar
me një marrëveshje të re, që jep shtetit kontura reale, jo
imagjinare. Maqedonia mund të mbijetojë vetëm si shtet multietnik,
ndryshe, nëse jo sot, nesër do të vërshohet nga një luftë
qytetare.
Analistët
shqiptarë duhet të pushojnë me krekosje infantile, se pas 30
viteve shqiptarët do të jenë mbi 60 për qind më Maqedoni. Kjo
është vetëm propagandë serbe dhe dëmton çështjen shqiptare në
Maqedoni. Pas 30 viteve Kosova do të ketë një milion banorë,
Maqedonia më pak se 10 për qind shqiptarë dhe Shqipëria zbresë
në dy milion. Pse shpërfillin të gjithë faktorët konkret, që
ndikojnë në mërgimin masovik shqiptar? Mjafton të shikohet
emigrimi i shqiptarëve, gatishmëria për emigrim, mundësia për të
krijuar vende të punës ato shtete, diskriminimi partiak në
Shqipëri, diskriminimi i atyre që nuk kanë luftuar në Kosovë dhe
diskriminimi kombëtar latent në Maqedoni. Pra, shkurt e shqip,
pastrimi etnik nisur nga Millosheviqi po realizohet dhe konkretizohet
nga sharlatanë shqiptarë. Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia nuk do
të jenë në gjendje të krijojnë aq vende punë sa paraqiten në
treg. Në Kosovë 20.000 në vit. Kaq shumë vende pune në vit nuk
mund të krijojnë as tre shtete së bashku, e aq më pak njëri prej
tyre. Moszabtimi i marrëveshjes së Ohrit ka pasur pikërisht atë
qëllim: krijimin e pamundësisë për të mbetur shqiptarët brenda,
edhe atë, fal propagandës shqiptare dhe serbe.
Gazeta SOT
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen