04.05.2015

Gjato, ky pis i madh, Bota sot

Ishte njeriu më i gjatë në lagje dhe të gjithë e thërrisnin Gjato. Lindja tij qe tmerruese dhe përfolur shumë pasdarkeve duke pirë çaj rusi, që vinte nga Cejloni dhe duke ngrënë patate të pjekura apo hoshaf, që arrinin në tryezë nga kooperativa, kur klasa punëtore besonte pushtetin dhe ishte pronare e madhe.

Me zbritjen e vet në këtë botë, Gjato gati pat tejçuar mamin në tjetrën. Pa ndihmën e mjekëve, vdekja do t’ i kishte dhuruar shpirtin jetës, kurse jeta do ta kishte vdekur shpirtin. Ose, mundësia e tretë ishte kjo: Gjato do të vdiste me mamin pa qarë fare në këtë botë. Do t' i hiqej një tipar nacional qaramash, që ecën paralel me shekuj. Jo vetëm pas lindjes dhe gjatë vdekjes, por edhe brenda këtyre dy shfaqjeve teatrale në përleshje të vazhdueshme të ndërsjellë, ku ngadhënjyese-humbëse shfaqej vdekja e varrosur, edhe pse jeta i ngarendte pas vazhdimisht për ta kapur dhe për ta lëshuar pa frymë përsëri, si humbëse-ngadhënjyese.

Mjekët pas shumë mundimeve, duke mos pasur mundësi tjetër, duke kuptuar kokëfortësinë e Gjatos dhe refuzimin për t’ u lindur – ai edhe nuk ishte trashur ashtu kot dhe zgjatur ashtu pa arsye - vendosën ta prinin nënën në bark dhe ta nxirrnin atë si disident, ilegalisht jashtë. Pra, në kundërshtim me rregullat natyrore të lindjes dhe në mënyrë klandestine. Kufirin e vdekjes dhe jetës kaloi Gjato si refugjat. Ndoshta kishte të drejtë me refuzimin e lindjes. Kishte pasur kohë të mendojë nëntë muaj mirë e mirë. Ndoshta dëshironte të lindej në një republikë shqiptare të lirë, ku dikush merr lekë sa të dojë, ku dikush mund të bëjë çfarë të dojë, ku dikush do të kishte liri sa të dojë dhe ku dikush mund të blinte çfarë i dëshiron shpirti. Domethënë për dikë një republikë të përndezur dhe plot epsh, ku edhe shkrimtari plakarush do të pohojë, se nuk do të bënte kurrë seks me një vashë, që ka më shumë se njëzet vjet. Ajo lezet republikë ishte ëndërr, dëshirë e tepruar, teori utopike e mesjetës, por nuk do të ekzistonte askund dhe askush nuk besonte se mund të ngrihej.

Ndoshta Gjato kishte ëndërruar edhe një republikë me mundësi të mëdha penetruese, ku do të mjaftonte të ishe, për të qenë. Një republikë, ku do të mjaftonte të thuhej: "Unë mendoj" dhe të tjerët për rreth, do të sillnin prova me kova se ti je René Descartes personalisht dhe të falin pozitë sipërore. Ndoshta përfytyronte një republikë racionale, ku për ta ruajtur interesin kombëtar, njerëzit do të kursenin, do të hiqnin dorë edhe nga gruri i shtrenjtë, do ta hanin atë të kafshëve dhe kështu kursimet e grumbulluara fal krundeve, do t' ia falnin atdheut nga dëshira e zjarrtë për ta ndërtuar shtetin e fortë dhe armatën. Nuk dihet aq saktë se çfarë kishte pasur ndërmend Gjato, por diçka e tillë mund të merret me mend, sepse ai qysh në lindje, u shpall patriot. Madje, gjatë lindjes së tij, ndodhi edhe një tërmet, që u shpjegua si paralajmërim se zbritja e tij në tokë, do ta përdridhte kodin moral dhe përdorte shkërdhecin për ta tundur sedrën qytetare.

Pastaj edhe nuk ishte fat të lindesh voluminoz në një shtet, ku shqiptarët e mëdhenj mund të dërgoheshin nëpër ujdhesat e vendit, për të siguruar rehatinë dhe mbijetesën e vëllazërim-bashkimit të fqinjëve. Edhe sot, dekada më vonë, nuk mund të thuhet me siguri pse Gjato qe rebeluar kundër lindjes. As ai nuk kanë qenë në gjendje kurrë të shpjegojë atë, e as sot nuk di pse erdhi në këtë botë, kur asgjë nuk ka nxjerrë në dritë, pos pacipërive. Madje, edhe dje në telefon, m' i pështjelloi përgjigjet në dhjetëra mënyra dhe nuk kristalizoi mendimin e vet, që mund të lidhej nyjë apo të varej në mur si mendim logjik. Përgjigja tij ishte si ato pikturat abstrakte, që dreqi nuk u bie në fije, çfarë kishte pasur ndërmend piktori, apo në çfarë gjendje shpirtërore ishte katandisur gjatë pikturimit.

Ditën e lindjes pat qarë Gjato si një fëmijë dy vjeçar. Plakat e shpjeguan ngjarjen si kumt të ndonjë tmerri, që po priste këmbëkryq pas dere. Disa thanë se ai do të bëhej njeri i madh dhe kishin të drejtë. Gjato u bë shumë i gjatë. Tru nuk kishte shumë, por pasion të sëmurë, abicie lëngatë, egoizëm të skajshëm dhe trup gati sa dy kinezë. Madje, truri edhe nuk i duhej aq sepse babai fitonte shumë si shqiptar i ndershëm dhe Gjato, nuk duhej të brengosej nesër se me cilën biçikletë do të shkonte në shkollë, ose me cilën makinë në gjimnaz apo fakultet.

Pesëdhjetë e tetë centimetra i gjatë, gjashtë kilogram e dyqind e pesëdhjetë gram u shfaq krenar në erën komuniste. Një infermiere telefonoi Komitetin, sepse në këtë lindje shihte kërcënimin për bashkëjetesën dhe rendin federal. Kryesisht lindja me prerje cezariane, shkaktonte ethe dhe zjarrmi. Ajo kishte thënë se kjo lindje ishte provokim, shenjë kundërrevolucioni, irredentizëm dhe Gjato mund të shndërrohej në mit. Komiteti qe tubuar dhe pat braktisur tubimin në heshtje. Askush nuk dinte çfarë vendime kishin marrë ata. TANJUGU raportoi se është lindur një shqiptar gati i gjatë, duke shtuar se nesër do të lindet një foshnje në Kralevë, që do të jetë më i gjatë se ai për pesë centimetra dhe më i rëndë për dy kilogram.

Jeta e Gjatos quhej gjithmonë jetë ilegale, e dhunshme dhe se sikur të kishte lindur në kohën e qypit, Gjato do të kishte vdekur pa emër, tok me mamin, që kishte rritur atë për nëntë muaj, por që Gjato i ardhshëm, po rritje për t' u mos bërë kurrë burrë. E lindën me zor dhe u mbulua me lot e jargë nga të qarët, pas shtatë minutave pat heshtur dhe qe pajtuar me fatalizmin. Pas dy javëve pat dalë me mamin nga spitali. Nuk pat quajtur askush bebe një foshnje kaq të madhe, por të gjithë e thërrisnin Gjato burri, më vonë përkëdhelshëm: Gjabu. 

E patën ushqyer me qumështin e nënës, madje pat thithur edhe ca sisa të grave fqinje, kur nëna e tij qe sëmurë, pastaj vazhduan me të deles, të lopës, të buallicës, dhe kur mbushi një vjet, “tetka Milenka“, që banonte përballë, pat qerasur atë gjysmë ore me cicën e vet të begatshme. Gjabu piu derisa u ngop, thua se ishte cicë shqiptare dhe mezi e shkëputën nga thithi. Ky gjest bëri Milenkën si shëmbëlltyrë të bashkëjetesës dhe për dy shkallë, kërceu në pozitë para. Komiteti mori frymë thellë.

Gjabu po zgjatej pa pushim. Erdhi koha të bëhej synet dhe u mblodhën dhjetëra të ftuar në gosti. Ai u ndal para atit në korridor dhe foli duke parë babin në sy pa përpëlitur qerpikët: ˮUnë nuk dua ta shkurtoj hashimin.ˮ Nxitoi nëna pa frymë nga ballkoni, u mblodhën motrat, por Gjabu foli dhe nuk i mbushte më njeri mendjen. ˮNuk heq asnjë milimetër dhe pikë.ˮ Pas gjysmë ore përpjekje, të ftuarit u kthyen në shtëpi duke pëshpëritur në mes vete dhe përfundoi festa.

Në klasën e parë ishte aq i madh sa ata të klasës së katërtë. Ishte i paprekshëm, i paofendueshëm dhe shokët vështronte në kup të kresë; aty ku asnjëri nuk mund ta sodiste veten. Gjabu ishte krenaria e shtëpisë. I vetmi djalë pas shtatë motrave. Të gjitha motrat ishin kameriere për të, kurse mami ishte kryekamerierja. Mjaftonin dy rrudha në ballë të kridhej në dëshpërim e pikëllim krejt familja. Gjato pyetej se çfarë ushqimi dëshironte, çfarë kontorno, çfarë pije parapëlqente dhe kur të gjithë punonin, ai shikonte filma vizatimor. Punën e kishte të ndaluar rreptësisht. Një motër i sillte mishin e qengjit apo të viçit, një mbushte gotën me ujë, tjetra i jepte bukën, tjetra i ofronte sallatën, tjetra specat e fërguar, tjetra lëngun e saposhtrydhur të portokallit, kurse mami rrinte në këmbë para tij për të kapur shprehjen në fytyrë me një ëmbëlsirë, ose një frutë në dorë. Nëse ai mblidhte buzët, motrat dhe mami vraponin në kuzhinë për të gatuar diçka tjetër.

Në klasën e tetë Gjabus i dilnin këmbët jashtë krevatit. U porosit një enkas për të dhe desh pat acaruar bashkëjetesën e kombeve dhe kombësive. Komiteti, që mbikëqyrte Gjaton, urdhëroi që krevati të dërgohej në shtëpinë e tij natën, ose në agim, sepse ky krevat, kaq i madh për një shqiptar, mund të shkaktonte shqetësime dhe pezmatonte paqen dhe vetëqeverisjen. Me kalimin e kohës, në shtëpi nuk e thërrisnin më Gjabu, por plot ledhatim: Gjabush. Ishte shpresa e vetme për ta çuar tutje lozën e Kreshnikëve.

Gjabushi pas dhjetë viteve studimi të vrullshëm dhe të thellë, përfundoi fakultetin juridik, u anëtarësua në Lidhjen Komuniste dhe u punësua. Për të përforcuar vëllazërim-bashkimin dashuronte vetëm gra joshqiptare. Dalëngadalë eci para me karrierë dhe me ateizmin e tij agresiv dhe dashurinë ndaj shtetit, arriti të ngjitej dhe rehatohet pranë majës. Edhe kur vendin mbuluan retë e zeza, edhe kur pasuan shtrëngatat me shkreptima, bubullima e turfullima murrlani, Gjabushi qëndroi besnik vijës së tij dhe qe shpërblyer me titullin lajkamadh: ˮShqiptar i ndershëm.ˮ Meqenëse Gjabushi ishte i gjatë dhe shihte më larg se të tjerët, braktisi majën e mëparshme dhe iu bashkëngjit alternativës tani si patriot dhe kundër shtetit në shembje e sipër. U shpërblye edhe për këtë kërcim në botëkuptime dhe përparoi shpejt edhe aty deri në rrethin më të ngushtë të udhëheqësve gjatë epokës së zjarrit dhe hekurit. Këtu i dhuruan titullin: „Shqiptar atdhetar.”

Me vonesë, por Gjabushi duhej martuar. Filluan bisedimet, debatet dhe duhej nuse, që i përshtatej atij. U angazhuan shtatë shkues. Duhej nuse që do ta kënaqte atë dhe do ta shërbente. Gjabushi kundërshtoi shtatë nuse, që i sollën për sfilatë në shtëpi të premten, të shtunën dhe të dielën dhe me çdonjërën, llafosi një çerek ore. Njëra ishte një kuintal, tjetra truphollë si sorkadhe, e treta as e hollë as e trashë, e katërta bionde, e pesta flokëzezë, e gjashta sisëmadhe dhe e shtata mezi mbahej në këmbë dhe e trashë, shumë më pak se gjysma e së parës. Gjato kishte refuzuar të gjitha me një arsyetim të çuditshëm, që flaku krejt lagjen në zhgënjim dhe trishtim: ˮNuk dua vajzë të virgjër. Ato nuk dinë asgjë. Sikur të kishin qenë të mira, nuk do të kishin shpëtuar. Atë që nuk e ka dashur askush, nuk e dua as unëˮ, kishte piskatur ai dhe familja ishte pllakosur në hidhërim dhe zi.

ˮNuk dua dhe pikëˮ, kishte piskatur përsëri. ˮNuset që nuk kanë pasur kurrë një të dashurˮ, kishte shtuar i mërdhezur, ˮmë vonë pendohen dhe tradhtojnë burrin nga kurreshtja.ˮ Familja u tërhoq në kuzhinë dhe ia plasën vajit. Qenë brengosur aq shumë dhe me net të tëra kishin ngelur pa gjumë, në fund kishin marrë vendimin t' i shkruanin disa hajmali, por asnjëra nuk ndihmoi. Gjabushi foli përsëri dhe tha: ˮUnë dua për nuse Shkurten.ˮ E kush ishte Shkurtja? Shkurtja qe lëshuar para dy javëve nga burri natën e dasmës, pikërisht pse i pat falur virgjërinë Shabi Delisë. Këtë dinte edhe Gjabushi. Motrat ia plasën vajit, i ati solli kokën dhe i fshiu lotët shoqes. Ishte një çast aq tragjik, aq shtëllungë, aq ndrydhës, sa askush në botë nuk mund ta shtjellonte. ˮShkurtja është gati sa gjysma e tij. Së bashku do të dukeshin si dy “Ii“: si “I” e madhe e shtypit dhe si “i” shumë e vogël e shtypit. Iiii çfarë na gjeti!ˮ, mendoi babai.

Tri ditët para fejesës Gjabushi dhe Shkurtja qenë temë debatesh, diskutimesh dhe rrëfimesh. Pastaj pushuan ca, por pëshpërimat dëgjoheshin akoma prej lagje në lagje, në qendër të qytetit, nëpër ara, nëpër livadhe dhe nëpër fshatrat për rreth. Gjabushi qe stërvitur mirë me thithjen e cicave të huaja dhe si i pafytyrë, ecte me të fejuarën dorë për dore dhe puthte edhe rrugës. Pas dy muajve bëri një dasmë shumë të madhe, ku pat ftuar shumë njerëz dhe çudia përfundoi. Krejt Komiteti qe ftuar në gosti. Gjato hyri dhëndër dhe nuk doli tri ditë nga dhoma e fjetjes. Nëna dhe motrat linin kafen e domosdoshme në mëngjes, drekën dhe darkën në pragun e derës dhe Gjabushi nuk lejoi të pengohet në lumturinë e tij. Në dhomë dëgjonte ai muzikë të Zdravkos. Në mëngjes, në drekë, pasdreke, në mbrëmje dëgjoheshin oshtima, pëshpëritje, piskama dhe pastaj për disa orë përsëri muzikë me zë të ulët. Ditën e katërtë, gratë nuk duruan më dhe u nisë një karavan kokëfortë për ta parë nusen dhe për t' ua marrë dorën Shkurtja. Gjabushi mori atë dhe iku në Varna të Bullgarisë për një muaj të plotë.

Atë ditë shpërtheu përsëri debati. Gjabushi e kishte tepruar. Gjabushi nuk po arratisej si krye temë që nga fillimi i vitit: Gjabushi nuk u bë synet. Gjabushi kundërshtoi virgjëreshat. Gjabushi iku pa mbaruar ritualet e dasmës. Gjabushi shqiptar i ndershëm. Gjabushi patriot shqiptar. Gjabushi i gjatë alamet. Gjabushi i pafytyrë. Llafet rinisën përhapjen pikë së pari tek fqinjët, pastaj rrodhën në lagje, pastaj u derdhën në rrugën kryesore, që shpinte në qendër, vazhduan drejt, lakuan majtas, lakuan djathtas në çdo rrugicë, që i bashkëngjitej kryesores, u shpërndanë në qendër të qytetit, në treg, nëpër pallate prej dere në derë, nxituan prej kati në kat, pastaj vazhduan nëpër kafene, autobus, tren dhe duke dalë nga qyteti, vërshuan fshatrat për rreth duke u zbrazur rrebesh nëpër krejt krahinën. Pasuan retë e zeza me pika të trasha shiu. Kur u kthye Gjabushi nga pushimi, shqyrtimet po vlonin akoma dhe ishin shtuar hamendjet, se mund ta kishin ndërruar në spital me një fëmijë të një kombi tjetër.

Nëna e tij pat ulur shaminë para ballit dhe nuk kishte guxim të vështronte njeri në sy. I ati qe ngujuar sipas rregullave të Kanunit pa gjakmarrje. Për sjelljen e tij të gjithë në shtëpi dhe jashtë, akuzonin cicën e Milenkës. Tashmë ishin të bindur se UDBA kishte porositur cicën e saj. Këtë dëshmoi edhe shkrimtari i oborrit të huaj dhe foli si Zaratustra: ˮCica është garantuese e përkatësisë kombëtare, mungesa saj, dëshmi dezertimi.ˮ Edhe pse ky vet një kohë të gjatë pat harruar dhe shpërfillur qumështin e sisë amnore.

Kur pa zinë në shtëpi, Gjabushi thirri në raport prindërit dhe të gjitha motrat dhe u tha shkurt e qartë: ˮNëse vazhdoni të sillen si në ditë zie, unë Gjabush Kreshniku, do ta pres lucin dhe nuk do të krijoj familje, kështu, loza e kreshnikëve, jo se do të faroset, por do të shfaroset për gjithmonë!ˮ Familja mbeti gojëhapur, e shtangur dhe askush nuk kishte guximin të dyshojë se Gjabushi, do ta bënte veten sakat. “Do ta quajnë ˮPaluc!“, mendoi i ati dhe futi kokën ndërmjet dy duarve. Të nesermen i ati doli në treg, nëna ngriti shaminë, motrat përshëndetnin me respekt Shkurten dhe u rikthye qeshja dhe buzëqeshja në fis.

Para pak kohe shkrepi përsëri llafi për Gjabushin dhe njerëzit po pyesnin pse nga dashuria e tepruar për shtetin, llufitëm edhe krunde, por përsëri Gjabushin ndër personazhet me rëndësi në fabrikën e shpresave. Përgjigje nuk kishte askush, madje se gjendja ishte bërë e pashpresë, e pa rrugëdalje, plot tym e mjegull, tregonte edhe heshtja kolektive e plakave, që ishin si sizmografe dhe pas çdo çudie, pas çdo pafytyrësie, parakallëzonin rrezikun, që shihnin ato galuc. Tani po trishtonin me heshtjen e tyre si përmendoret e memerta të Budës.

Sot Gjabushi mban pozitën e tij, edhe pse askush nuk e do, por të gjithë kanë respekt të veçantë për të, jo aq shumë për mençurinë, por shumica kanë frikë kokëfortësinë, shkathtësinë, shkakësinë, dinakërinë, këmbënguljen, se mund të ndryshojë botëkuptimin edhe një herë dhe rrënojë pallatin e ndërtuar me qerpiç. Unë Gjabushin e dua si gjithë shqiptarët, jo pse e njoh nga afër dhe njoh intimitetet dhe perversionet e tij, mirëpo më tmerron e trishton, se është shumë i fuqishëm dhe ka shumë përkrahje në Veri. Ai diti të shndërrohej në hardhucë zvarranik, por diti të bëhej edhe kalë shale fisnik. Aftësi gjeniale për jetë paralele. Lindi me dhunë dhe nuk mënjanohet pa dhunë. Lindi pa dëshirë dhe do të vdesë pa dëshirë. Në çastin kur përfitoi, u bë tradhtar, në çastin kur përfitoi u bë atdhetar, para tre  muajve u bë edhe synet tinëz. Këto aftësi bëjnë atë personalitet që duhet adhuruar nga zori. Gjabushi mbështeti për mur edhe princin mitologjik të mesjetës, pastë mëshirën e providencës për vendin e dytë.

Hapësirën që përthekon me vështrim falë gjatësisë, idetë që shihte në ngurtësim e sipër në shoqëri, nuhatja zagareske e epokave dhe aftësitë parashikuese për t' i marrë me mend dhe parakapur fenomenet në lëvizje, kokëfortësia, këmbëngulja shpërfillëse, bëjnë atë të rrezikshëm dhe nga frika e madhe, kam goxha konsideratë. Në emër të oportunizmit duhet kapërdirë jo vetëm lindjen dhe jetën ilegale, por edhe këmbënguljen për të përfituar në të gjitha rendet deri në vdekje. Natyrisht se duhet hequr kapelën, ose përkulur si japonez duarpalosur para Gjabushit të urtë, që erdhi, që pa dhe që fitoi kur deshi dhe si deshi.

Sot mora në telefon kryeplakën e lagjes, që sapo mbushi 88 vjet dhe pyeta: 
“Çfarë mendon për këtë dukuri dhe ecuri?
Është seneja e kënaçeve!”, tha ajo.
E kënaçeve?”, përsërita, “kush janë tani ato?”
Teneqe, hekurishte të ndryshkët, që hidhen në pleh...Seneja e njerëzve që thithin çdo cicë, që u shfaqet para turirit, nëse përfitojnë vet...” dhe lëshoi dorëzën e telefonit.

Fotografia marrë nga gazeta bretoneze: Breiz Atao
BOTA SOT

Libra nga Lis Bukuroca:


Shtatë parimet e dashurisë (dashuria në shumë versione, nga lindja deri në vdekje dhe parakushtet e lumturisë)

Ngjyrat e dashurisë (roman me Kanun erotik, vetëm për lexues të moshës madhore)

Letër burrave (I) (si shkatërrohet lumturia në familje dhe shkaqet)

Letër burrave (II) (si shkatërrohet lumturia në familje dhe shkaqet)

Hijedritat e jetës (poezi dashurie, erotike, politike…)

Die Asylbewerber: Eine Komödie in drei Akten (Komedi gjermanisht)


Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë


Shtatë parimet e dashurisëbotimi i parë qershor 202

Ngjyrat e dashurisë (vetëm për lexues të moshës madhore )

Letër burrave (I)

Hijedritat e jetës 2010-2019

Letër burrave (II)

Keine Kommentare: