Despotët
nuk kanë mundësi të mbijetojnë aty ku ka demokraci të vërtetë
dhe grupe parlamentare, që ushtrojnë një kontroll të përhershëm
të qeveritarëve, por në shoqëritë me një këmbë në kohën e
sotshme, me tjetrën në shoqërinë fisnore, janë fusha ideale për
profilizimin e tyre. Në shoqëri gjysmë-gjysmë, pjesa dërmuese e
popullit nuk kupton dallimin mes partive të majta dhe të djathta.
Aty nuk votojnë programe të partive, por kandidatët zgjidhen sipas
parimeve të sfilatave, ku votohen bukuroshet e botës apo sipas
shijeve në Shtëpitë Publike. Aty fiton ai që është i veshur më
bukur, që gënjen më së miri, që rrenë më bindshëm dhe që
premton popullit lumturi duke punuar sa më pak, ose fare. Aty
votohen imazhet, jo mendimet. Aty votohen gjestet, jo mundësitë.
Aty votohen në bazë të suksesit në të kaluarën, jo në bazë të
aftësive profesionale të sotshme. Aty votohen iluzione dhe
shpresojnë se do të rritet bari, që nuk e kanë mbjellë kurrë.
Ata
që luftojnë këtë dalldi, perceptohen si prishës të harmonisë
dhe projekteve dhe synimeve dhe planeve të tyre, që nuk mund të
realizohen kurrë, sepse mungon aftësimi dhe parapërgatitja
profesionale.
Se
në Kosovë nuk dinë çfarë është e majta dhe e djathta, dëshmoi
konvertimi i PDK-së nga e majta në të djathtë, edhe atë, pa
humbur asnjë anëtarë. Kjo tregon se krejt anëtarësia është e
lidhur me Hashim Thaçin dhe askush nuk kishte hyrë në atë parti,
pse ajo ishte e majtë dhe kishte ndërmend të ndihmojë shtresat e
varfra. Sikur një parti në Perëndim të ndryshonte drejtimin, do
të mbetej pa asnjë anëtarë. Jo mirëpo në Ballkan. Daçiqi dhe
Vuçiqi ishin dy nacionalistë shovinistë serb, sot përpiqen të
duken demokrat dhe ia kanë arritur ta bindin edhe Perëndimin.
Perëndimi konvertitë të tillë brenda vetes përbuzë dhe
demaskon, por në vende që improvizojnë shtetin, nuk ka alternativë
tjetër, pos të përkrahë nacionalistë, shovinistë dhe kriminel
në pushtet, që ia ofron ai popull.
Në
shoqëritë që jetojnë në gjysmerrësirë mendore, në shoqëritë
që i bëjnë rezistencë modernes dhe të kaluarën e vështrojnë
si domosdoshmëri për përsëritje, për ripërtypje, të tashmen
përjetojnë si degjenerim, pra epokën e vet, por aprovojnë ligje
kundër traditës dhe zakoneve të veta, që nuk i respekton as
Qeveria. Shumica jeton në një obskurantizëm përrallor, kryesisht
tek ata popuj që nuk ka pasur iluminizëm dhe nuk njohin këtë
shfaqje. Refuzimin e epokës së vet, konsiderojnë qëndrim fisnik
dhe pikërisht këta, duke qenë të pezulluar dhe në konflikt me
modernen, mund të manipulohen lehtë. Kështu ndodhë në Rusi, ku
feja dhe shteti kanë synime të njëjta për të sugjestionuar
popullin, në Serbi, në Greqi, në Turqi dhe kështu në Kosovë.
Se
udhëheqësit e partive shqiptare ishin dhe janë despotë, lehtë
dëshmohet. Despotët zakonisht pranë vete nuk durojnë konkurrencë,
por zvarranikë nga bindja, zvarranikë nga lindja, zvarranikë nga
botëkuptimi dhe zvarranikë nga karakteri. Ata nuk duan njerëz me
dije, por njerëz që janë besnikë dhe në shërbim të karrierës
së despotit. Se despoti përjashton çdo njeri të mençur nga
qendra, mund të merret si shembull LDK e Ibrahim Rugovës. Gjatë
sundimit të partisë së vet, do ta braktisin atë dhjetëra
intelektual të njohur të skenës kosovare, edhe ata që ishin
themelues. Pas ikjes së Rugovës, partia u shndërrua në një klub
karrieristësh, ku zvarranikët e mbetur, morën partinë në duar
dhe nuk zgjidhnin mjete për t'u avancuar, madje edhe në kundërshtim
me programin e partisë ku bëjnë pjesë.
LDK pas Rugovës u
katandisë në një organizatë që ecën nga frynte era. Përqindja
e votave në kohën e Rugovës dhe në kohën e Mustafës, flet qartë
se çfarë njerëz ka lënë pas vete dhe çfarë janë larguar nga
Partia. Rugova ishte i madh me bindjen e tij, me ideologjinë e tij
dhe me politikën e tij, por despot, sepse nuk u kujdes për të lënë
pas vete njerëz të aftë, por parapëlqeu rehatinë në Parti dhe
me vdekjen e tij, gradualisht do të vdesë edhe Partia. LDK, nëse
nuk ndodhë një revolucion brenda, atëherë mbetet e konsumuar
ideologjikisht, e konsumuar moralisht, e konsumuar njerëzisht. Do të
vdesë sepse me syzat e Rugovës, nuk mund të shikojë askush qartë.
Despot
ishte edhe Arbër Xhaferi. Kur shihet se çfarë zëvendësi ka pasur
dhe çfarë ka lënë pas vete - në kundërshtim të thellë me
bindjet dhe qëndrimet filozofike të tija-, atëherë kuptojmë se
Arbri i madh, pas vete, kishte zgjedhur zvarranikun më të madh që
ofronte anëtarësia e Partisë. Sigurisht despotëve u duhet një
njeri i padijshëm, por besnik si qeni. Sapo të largohet despoti,
qeni nisë lehjen ashtu si dinë vet dhe mu aty shtrohet pyetja: si
qe e mundur që një Arbër aq i madh, të lërë pas vete një
zvarranik pa aftësi politike dhe pa aftësi intelektuale?
Rasti
i tretë shqiptar është kryedespoti i skenës politike shqiptare,
Sali Berisha. Me vdekjen e tij, Partia e tij do të shembet ose
ndahet, ose shuhet, siç u nda edhe LDK. Despoti Berisha sillet në
mënyrë tipike, siç sillet një despot në shoqëri fisnore. Ai
tërhiqet, por nuk largohet. Ai ka zëvendësinë e vetë zvarranik,
që shërben si zëzmadhues i tij, por nuk guxon të bëjë asgjë pa
pajtimin e tij. Luli i Vocërr nuk perceptohet prej askujt si kryetar
partie. Në gjendjen e sotshme politike shqiptare, të jesh zëvendës
i një kryetari, dmth. të kesh karakter laviri, me vullnet të
epshëm konstant.
E
njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kosovë. Albini tërhiqet, bëhet
një rokadë shahu, por ai perceptohet si kryetar. Partia është e
tij, siç ishte LDK e Rugovës, PD e Berishës. Edhe AKR do të
shembej pa Ramush Haradinajn. Në fakt, kur partive shqiptare u
ndërrohen prijësit, ata humbin edhe vota, sepse themeluesi i
partisë ka udhëhequr në mënyrë despotike, patriarkale, siç e
kupton populli më së miri. Ata as vet nuk njohin programin e
partisë, por kërcënohen në mënyrë më efektive. Shahen në
mënyrë efektive dhe kanë ndërtuar një subkulturë, sa edhe disa
moderatorë nuk dallohen nga çobanët. Edhe PDK pa Thaçin do të
rrëshqasë keqas, si derri mbi akull.
Sjellja
despotike e politikanëve shqiptarë, është sjellje tipike osmane.
Ata kanë ndërtuar edhe një administratë tipike osmane: ku
kadiu shet vendime gjyqësore, ku nuk vlejnë ligjet, por vullneti,
dëshira, përfitimi, arbitrariteti. Administrata turke sot në
Turqi, është më pak osmane, më shumë europiane, se sa
administrata shqiptare. Përparimi ekonomik turk flet për një
administratë serioze.
Tek
ne shumë vende të punës janë zaptuar nga njerëz, që kanë
dëshirë, por jo aftësi dhe profesionalizëm. Nga njerëz që kanë
lidhje të forta, jo që kanë dije. Krejt administrata
gjysmanalfabete, ka një lidhshmëri fisnore me ndonjë politikan, që
i ka rehatuar në atë pozitë. E në këtë gjendje, si mund të
pritet një përparim, një zhvillim ekonomik, ku edhe tempujt e
arsimit, janë shndërruar në pazare matrapazësh?
Prijësi
i partisë shfaqet si despot, por para autoriteteve të huaja, bëhet
aq zvarranik, sa ka edhe zëvendësin e vet. Partitë politike në
demokraci të vërteta mund të jenë disa dekada apo edhe më shumë
se një shekull të vjetra. Partia shqiptare që ka më shumë dije,
disiplinë dhe një orientim të majtë të qartë është PS e
Shqipërisë. Ndoshta pse e stërvitur nga Xhaxhi dhe sado kudo, ka
një qëndrim linear, ose përpiqen ta mbajë.
Deshëm
apo nuk deshëm, zëvendësit karakterizojnë edhe despotin. Shtrohen
shumë pyetje që mbeten pa përgjigje. Sapo të përpiqemi ta ruajmë
respektin për despotin e ndjerë, na shfaqet zëvendësi dhe përsëri
pyesim: si ishte e mundur që ai njeri aq i mençur, aq i aftë
politikisht që ka ngritur Partinë në një subjekt popullor
politik, të mundësojë zëvendësimin e vet, nga një mediokritet i
përsosur dhe zvarranik i përkryer: një magjistar cirku pa
karakter. A është e mundur se ata qëllimisht zgjedhin qenë
besnik, të padijshëm, në mënyrë që populli të vajtojë për
ta? A është e mundur që nga një ego e fshehtë në nëndije,
smirojnë pasuesin më të aftë dhe lënë pas vete legenë?
Zëvendësit
për të ruajtur pozitën e vet, i qasen gjithmonë despotit të vet,
deklamojnë mendime të tij, që i shërbyen përulësisht. Shembull
banal për këtë është Nexhat Daci. Një akademik pa orientim të
qartë nacional, pa orientim të qartë politik që u përpoq me
LDD-në të profilizohet duke recituar Rugovën. Nuk arriti të bëhej
despot partie, sepse nuk krijonte parti për bindje të veta
politike, por përpiqej të përqeshë Rugovën dhe, përfundoi si
kopje tragjikomike. Rugova nuk mund të ringjallet, aty këtu mund të
fitohet ndonjë votë me të, por programi politik është ai që
duhet ndjekur, që personalitetet kryesore të LDK-së sot nuk e
njohin, e shpërfillin me orientime të çastit, për përfitime të
çastit, në kundërshtim të plotë me programin e Partisë, si
Tartufi Lutfi Haziri apo i stigmatizuari si tradhtar, Isa Mustafa për
shembull.
2
Gjuriq
pohon se tani është momenti i pajtimit të serbëve dhe
shqiptarëve. Gjest i mirë dhe pajtimi nuk duhet kundërshtuar
kurrë, por para pajtimin duhet edhe diçka, jo vetëm falja çfarë
kërkon Hashimi, por dëmshpërblimi. Vetëm me një dëmshpërblim
mund të dëshmohet se Serbia me kërkimfaljen, e ka seriozisht.
Kërkimfalja është gjest verbal, gjenocidi ishte zbatim praktik.
Kuvendi
i Krahinës Autonome të Kosovës pa shpallur Kosovën Republikë, e
kush mund të pengojë “Zajednicën” të shpallë shkëputjen nga
Kosova? Edhe Bavaria nëse në mënyrë paqësore do të shpallte
secesionin nga Gjermania, RGJ nuk do të kishte mundur ta pengojë.
Meqenëse Serbia investoi shumë që Kosova të sillet sipas dëshirës
së saj, rezultati është autonomia. Nuk është e keqe autonomia,
meriton çdo popull, por shndërrimi i katundeve serbe me dy apo tre
mijë banorë në komuna, është fakt që nuk ka ndodhur askund në
Europë. Në anën tjetër, kjo Serbi që shndërroi fshatrat në
subjekte politike me një asamble, ka reduktuar luginë në Bashkësi
Lokale, saqë edhe patenta duhet marrë në Vranjë, jo në Preshevë,
jo në Bujanoc dhe nuk kanë as spital. Politikanët shqiptarë nuk
përmendën Luginën, sepse edhe ata janë të bindur, se çfarë
meritojnë serbet, nuk meritojnë shqiptarët.
Oferta
për pajtim është fisnike, sepse ne si popull dhe si politikanë,
jemi pajtuar menjëherë pas luftës me Serbinë; kemi rindërtuar
shtëpitë e djegura nga Serbia, me material të Serbisë, kemi blerë
produkte të Serbisë, kemi ndihmuar ekonominë serbe, kemi siguruar
vendet e punës atje, kemi blerë pasaporta serbe dhe udhëtojmë
nëpër Serbi thua se vitin 99, na kishin dërguar në piknik për të
marrë ajër të pastër, edhe atë, gati një milion veta. Thua se
në vitin 99 kishin djegur 100.000 shtëpi për ta ngrohur popullin
shqiptar.
Dhe,
as në një gjykatë jashtë, as në Gjykatën për Krime të Rënda
në Beograd, nuk kemi ngritur aktakuzë kundër Serbisë, madje edhe
nëse nuk gjenden kurrë mbi 1600 veta të varrosur nëpër Serbi, ne
nuk do të shqetësohemi, por me kënaqësi do të vejmë targa
speciale si hebrenjtë yllin në vitin 41. Do t'i mbushim makinat me
benzinë në Serbi dhe japim kontributin tonë për shtetin serb.
Gjuriqi
kërkoi pak. Politikanët tanë për të mbetur në pushtet, do t'iu
kishin dhuruar për çdo lagje nga një komunë ose, do ta kishin
bërë Kosovën multietnike, konfederatë, mjafton t'u kishit thënë
“Konfederatë si Zvicra.”
Ne
për t'i mos pezmatuar dhe nervozuar me shqiponjën, duke shpresuar
se e pranoni edhe ju, qepëm flamur të ri të kaltër për kombin
kosovar (për të evituar përmendjen e
kombit shqiptar, që mund të ju irritonte)
dhe bëmë një himn melodik oportunist, që nuk përshkruan asgjë,
që nuk ka shpirt dhe nuk motivon njeri. Ju dëshirojnë flamur
tjetër. Në rregull, vizatojeni, ju mund të zgjidhini, ne pranojmë
çdo pëlhurë që na varet para hundës. Sapo krijuam edhe Gjykatën
për ta arrestuar vetveten dhe e konsiderojmë institucion lavatriçe.
Ju meritoni se keni punuar me pasion kundër nesh. Gjersa ju
merreshit me ne dhe kundër nesh, ne merreshim me demontimin dhe
satanizimin e historisë shqiptare, me përçarje, me prodhimin e
udbashëve që nuk ishin, kurse udbashët tuaj, vepruan mu ashtu si u
konvenon juve, sepse direktivat vinin nga ju. Veprat e tyre flasin
për pagesën tuaj. Bashkëpunëtorët tuaj shihen në vepra, jo në
fjalë. Asnjë udbash nuk është aq i çmendur sa të pohojë se
është në shërbim tuajin, por vazhdimisht do të jetë i detyruar
të punojë për ju. Në fakt kanë ekzistuar qindra apo mijëra
derisa jetonim së bashku, ata nuk i ka shfarosur ndonjë epidemi. Ju
dini mirë se kush jeni dhe ku dëshironi. Ne gati nuk dimë më as
kush jemi, as ku kemi ndërmend të shkojmë. Kjo quhet entropi
sociale dhe për këtë, ju keni kontribuar jashtë, brenda
shërbëtorët tuaj. Urime Autonomia. Nga krimineli u shndërruat në
viktimë. Nuk ishte punë e lehtë, as e lirë jo, mirëpo, nuk ishte
vetëm rezultat i dinakërisë tuaj, por edhe i parasë, edhe i
injorancës tonë legjendare dhe mungesës morfologjike dhe politike
të kurrizit.
Bota SOT
Libra nga Lis Bukuroca
Kuptimi i jetës te amazon *, Kuptimi jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon
Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu
Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore,
Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore,
Shtatë parimet e dashurisë, Hijedritat e jetës, Die Asylbewerber, komedi gjermanisht
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen