16.11.2015

Të qortojmë prindërit për injorancë, por jo SHBA-të…Përqasje

Vriten diku 132 veta. 99 veta në spital në gjendje shumë të rëndë dhe afër 320 me lëndime më pak të rënda ne Paris. Dhe ti pikëllohesh për atë tragjedi ndaj njerëzve të pafajshëm. Në SHBA taksisti musliman i pafajshëm qanë se nuk hipte askush në taksinë e tij.

Shfaqet tjetri nga Prishtina dhe thotë: pse nuk merreni me Kosovën, por me Francën. Pse nuk dilni në protesta, pse humbni kohë? Unë thotë ai, nuk ve kurrë flamur të huaj, as të SHBAsë, as të Libanit, etj. por vetëm flamurin kuq e zi.

Dhe kështu përpiqet të tregojë madhështinë e tij dhe shfaqet po aq radikal sa edhe ata terroristët. Ai mund të çaraveshet, mund ta refuzojë edhe SHBA-në, sepse ka ushtrinë amerikane brenda, që i garantojnë lirinë për të sharë edhe Amerikën brenda vendit te tij.

Ai nuk e pranon botën ndryshe nga bindjet e veta. Dhe ai mendon se ka aftësi të japë mësime, duke qenë vet në atë derexhe. Ky mirëpo është deputet i VV, që adhuron flamurin shqiptar, por shkruan e flet gjuhën shqipe ashtu si një mafioz italishten. D.m.th. ky refuzon, përbuzë gjuhën shqipe, por adhuron bashkimin.

Ky dhe soji i tij, pasi të qërojnë hesapet me kundërshtarët e vet, do hanë njëri tjetrin. Ne mund të qortojmë prindërit tanë për injorancë, por nuk mund të qortohet SHBA, që të garanton mbijetesën si qenie njerëzore. Ndryshe këta trima, brenda ditës, do të ngrihnin çadrat në Kukës apo Bllacë…
Një komb politikisht është i parrugëdalje dhe i pashpresë, kur Qeveria është një prani formale në vetshërbim dhe kur ka një opozitë katastrofale. Prezenca e këtyre dy katastrofave, hedh në depresion një popull, që përpiqet ta gjejë ardhmërinë e vet, sa më larg tyre.

Ata duke përbuzur njëri tjetrin, duke parë njëri tjetrin si armik dhe në shërbim të huaj, vetëm vulosin mjerimin e një vendi. Si të parët, ashtu edhe të dytët, jetojnë dhe fitojnë mirë duke pohuar se po punojnë për popullin që vazhdimisht pakësohet.

A nuk arsyetohej edhe Serbia kështu në vitet e 90? Të jesh vërtetë i lirë d.m.th. të braktisësh edhe metodat e pushtuesit, por këta tanët, me mendësinë serbe, përçajnë popullin më mirë se Serbia dje.

Keine Kommentare: