05.11.2015

Facebook dhe ne

Na bashkoi të gjithë proletarëve më mirë, më shpejt se Marxi në një portal; pa dallim race, pa dallim gjinie, pa diskriminim në orientimin seksual dhe pa diskriminim në bindje politike apo fetare. Na dha mundësinë ta shohim njëri tjetrin në surrat, në dhomë, në martesë, në vdekje apo ulur galuc në mes të qytetit, zhytur nën ujë apo vertikalisht maje kodrës. Na fali mundësinë të shkruhemi në mes vete, të japim mendimet tona dhe na bashkoi me ata që janë larg dhe na dha mundësinë të largohemi tmerrësisht shumë, nga ata që kemi afër.

Po pasojat?

Facebooku na ndryshoi jetën jo vetëm neve, por edhe politikanët artikulohet aty, krenohen aty, shajnë në facebook, mburren me fotografi e takime. Aty diplomohet Filani dhe i bëjmë një like, aty vdesë Fisteku dhe falim të njëjtin like. Dikur vdekja na hidhëronte, sot i themi LIKE vdekjes sepse nuk kemi kohë të shkruajmë dy fjalë për ngushëllim. Gazetat lexohen falas, televizori shikohet falas, dija merret falas... Nuk kemi kohë të shkruajmë ngushëllime. Jemi bërë multitasking: derisa shkruhemi në kompjuter, dëgjojmë muzikë, shikojmë televizor, themi ndonjë “po” dhe ndonjë “jo” njerëzve që kemi afër pa ngritur kokën nga tastiera dhe duke i parë me bisht të syrit, të gatshëm për të piskatur: a nuk po sheh se jam i zënë!? Kur përfundojmë ditën, nuk dimë as çfarë muzike dëgjuam, as çfarë shikuam në televizor, as me kë bëmë debat.

Aty u ripanë pas shumë viteve dashuritë e tretura. Aty u prishën dashuritë analoge dhe u lindën ato digjitale. Aty mund të vështrohen vashat e bukura lakuriqe apo pak veshur apo kokë e këmbë veshur. Aty mund të shikohet edhe si i pritet koka dikujt, pse nuk beson si shkokëzuesi. Aty shahen, aty jepen përgëzime, aty kërcënohen, aty gënjehet shumë më shumë se në jetën reale, sepse nuk shikohemi në sy. Aty përgatiten çaste të lumtura, aty përgatiten dhe komplote të mëdha. Aty mund ta prishë ditën një njeri që kemi mijëra kilometra larg: pa bërtitur, por vetëm me tastierë. Aty kemi burgun privat, ku arrestojmë keqbërësit.


Çfarë është facebook?

Facebooku është edhe shkues, edhe gazetë edhe agjenci lajmeve, vend ku mëson njeriu dhe vend humbet edukata. Kryeisht më e vlefshmja në botë, KOHA. Pikërisht ajo që nuk kthehet kurrë më, që nuk mund të blihet, që nuk mund të fitohet, që nuk mund të huazohet.

Më vështirë është të përkufizohet se çfarë nuk është facebook, se sa çfarë është ai. Facebook jemi ne. Aty jetohet jeta virtuale dhe shpërfillet ajo reale. Aty nuk shikon njeri në sy për t'i folur, por shikon tastierën dhe i thua mendimin. Aq sa më shumë kalojmë kohën aty, aq më pak shikojmë njerëzit në sy. Aq më shumë humbim atë shprehi. Aq sa më shumë jemi aty, aq më shumë mbushim qypat e Zuckebergut. Mirëpo, edhe ky është kontribut humanitar, nëse nuk mund vet të fitojmë si duam dhe çfarë duam, atëherë së paku të jemi shpirtmirë dhe ndihmojmë atë që i duhen paratë për të jetuar mijëra vite.

Aty puthjet dhe përqafimet t'i dërgojnë me koka të vogla, me shkronja, apo me buzë, por puthjet e vërteta, përqafimet dhe shtrëngimi i dorës, tkurren, ose zhduken. Nëse kalojmë vetëm një orë në ditë, shpërndarë në 365, bëjnë 15 ditë në vit më pak jetë reale, më pak ndjeshmëri reale, më pak dhembje reale, më pak empati reale, më pak emocione reale dhe më pak ndjenja njerëzor të vrojtueshme. Domethënë, të punësuar tek Zuckerbergu në bazë vullnetare dhe për bamirësi.

A hëngre lakrorin?
Dhe, i trishtuar se kalove shumë kohë në jetën virtuale, mbyll kompjuterin dhe ulesh në divan.  Për të pasur pak edhe jetë privat, ke fshirë fb nga celulari. Vendos të kalosh së paku ndonjë orë me njerëz të prekshëm. Pas pesë minutave, dëgjohet një “pip” në celular, por ti bën rezistencë heroike dhe nuk përgjigjesh. Pasi kalon shumë kohë, nuk të rrihet dhe hap celularin. Aty konstaton se kanë kaluar dy minuta me njëqind e njëzet sekonda dhe je kureshtar të shohësh, kush fishkëlleu. Tezja të dërgon një fli me whatsApp dhe të thotë,” të bëftë mirë!” Ajo han flijën,  ti ngopu. Edhe kjo është dashamirësi. Merreni me mend se çfarë mungese dashurie është, kur nuk të dërgon askush as fli, as lakror, as fasule apo as ndonjë pulë të pjekur. Ti i falënderohesh asaj teze sepse shpërfillja mund ta ofendojë. E falënderon jo për flinë, që po hanë ajo, por për portretin e flijës. Shfleton pak në viber apo whatsApp dhe aty konstaton se nëna është online, se gjyshja ishte online, se babai ishte online dhe sheh krejt fisin e lumtur online, që nuk i ke parë me javë, muaj apo me vite.

Nëse i shkruan dikujt të takohemi, atëherë t'i dërgon disa simbole të një njeriu me dy duar mbi kokë. Një fytyrë me me një pikë loti apo me dy. Gati-gati duhet t'i kërkosh ndjesë pse e ftove. Ai në anën tjetër, nuk kupton pse duhet të takohemi, kur u shkruam tërë kohën: domethënë, ti rri në shtëpinë tënde, unë në timen. Të dërgon ky një lakror dhe të thotë:“të bëftë mirë.” Meqë të dërgon lakrorin, që ai hanë, por ty duhet të bëjë mirë, ti i falënderohesh dhe ai qetësohet se kreu detyrën e mikpritjes, dhe, thotë vet me vete:”, çfarë kërkon mo? Të dërgova krejt lakrorin” dhe të shkruan edhe një herë: “të bëftë mirë...drekaaaa….ika….“ dhe ikën për ta ngrënë lakrorin. Ti ndjehesh i ngopur se hëngre një tepsi me fli vet, një tjetër me lakror vet dhe gati të pëlcet barku. Tani jeta e atyre që hanë “live”, është offline. Ti shfleton akoma dhe pret mos vallë të dërgon dikush edhe një tatli si desert.  Kërkesa apo ftesa për t'u takuar, duket si një perversion i rrallë. Një kërkesë asociale. Ha flinë dhe lakrorin e dërguar me mesazh dhe hesht, ose flit vet me vete, por mos prit tatli tani.

Po ndërgjegjja?

Një ditë kur takohemi disi pa dashje apo pse nuk mund t'i ikim njëri tjetrit, si në dasma apo kortezhe për shembull (pa dyshim me celularin në xhep për të mos shpërfillur miqtë e jetës virtuale), atëherë na befasojnë tek njëri tjetri flokë të thinjura, rrudha..., por nëse në këtë çast dëgjojmë një “pip” në celular, nuk vërejmë se bashkëbiseduesit i kishin dezertuar një apo disa dhëmbë, se ishte kërrusur ca dhe ne vazhdojmë me jetën virtuale tashmë të stërvitur mirë, se ai që gjendet larg nesh, është më i mirë, më i dashur, më i rëndësishëm, më i shtrenjtë se sa ai, ajo, që kemi para dhe që pret ta mbyllim celularin dhe ta vështrojmë në sy dhe t'i themi dy fjalë ngushëlluese; keqardhjeje, urimi apo thjesht njerëzisht ta pyesim, si ndjehet sot, si i ka hallet dhe çfarë është duke bërë tani e çfarë do të bëjë nesër, mirëpo ne nuk kemi kohë dhe, kur të gjendemi para mbarimit absolut të kohës, kur ta kuptojmë se më nuk mund të shikojmë para, por vetëm prapa, do të vërejmë se bashkëshortes i ishin zbardhur flokët, se fëmijët ishin bërë burra apo gra dhe koha kishte ikur për dy jetë, edhe atë, mirë e përgjithmonë: për jetën reale dhe për jetën virtuale, pakthyeshëm.

Nëse kalojmë dy orë në ditë online, atëherë për një vit kemi humbur 30 ditë të jetës së vërtetë. Nga katër orë, 60 ditë dhe kështu me radhë. Ditë që dikur i kalonim duke qarë së bashku, duke qeshur së bashku, duke festuar së bashku, duke planifikuar së bashku, duke folur për libra, duke këshilluar njëri tjetrin dhe duke përjetuar njëri tjetrën. Sot ajo bashkëjetese bëhet nëpërmjet "vlan" me kokëza gojëhapur, kokëza të buzëqeshur, kokëza të dëshpëruara, lule për ditëlindjen, torta apo dhurata të tjera të mëdha, që ia dërgojmë njëri tjetrin duke pritur madje edhe falënderime. 

Keine Kommentare: