07.12.2015

Europa drejt nacionalizmit, BOTA SOT

Në rritje është edhe AfD, Alternativa për Gjermaninë, e Frauke Petrit. Në anketën e fundit u gjend në vendin e tretë duke lënë pas vete të gjelbrit. Në Francë Fronti Nacional tregoi të dielën se ka pas vete një pjesë bukur të madhe të elektoratit dhe nuk mund të përjashtohet mundësia, se kryetari i ardhshëm francez, të jetë nga ky kamp me qëndrime ksenofobe dhe nacionaliste. 

 Nga historia dihet se ata që duan shumë vendin, atdheun, siç kanë dëshirë ta quajnë në mënyrë patetike, janë pikërisht ata që shkatërrojnë në fakt atdheun. Shembuj të tillë kemi pasur edhe në shekullin e kaluar. Hitleri me dashurinë e tij irracionale, shkatërroi Gjermaninë dhe e zvogëloi. Enveri Hoxha shpërfytyroi Shqipërinë, Stalini me bandën e vet Rusinë, Millosheviqi me çetnikët e vet, Serbinë, Fidel Castro, Kubën, Kim Sun Jung, Korenë e Veriut, Al Bagdadi Sirinë dhe kështu rrokullimë tek Neroni që vështrone i buzëqeshur Romën në djegie e sipër, për t'u kthyer tek Napoleoni apo Viktor Urbani sot. Historia e njerëzimit është përplot me psikopat të tillë, madje nuk i ka shpëtuar tundimit për pushtet as kleri, me ideologjinë dhe të gjitha çmenduritë e veta. Madje edhe duke rrëmbyer për vete rolin e zotit. 

Ata nuk besojnë se zoti ka pushtet dhe fuqi për t'i vrarë vet disa veta. Ajo që vërehet në vështrim të parë tek ata njerëz me veçori prej shkatërruesi për vendin dhe qytetarë e vet, është retorika, e dyta është besimi në ideologjinë e vet në sasinë dhe thellësinë e fetarëve të devotshëm, e treta obsesioni për pushtet. Ata nuk zgjedhin mjete si ta përvetësojnë atë, duke qenë të bindur se kanë një mision, një detyrë të shenjtë për ta kryer. Kur t'i kthehen ata realitetit, vendet e tyre do të jetë rrënoja dhe ata do të shajë kombin e vet pse nuk e kuptoi dhe, natyrisht, akuzojnë armiqtë e jashtëm. Zakonisht persona të tillë në fillim urrejnë pakica apo njerëz me bindje fetare e politike tjera. Pasi ta kenë siguruar pozitën, atëherë u kthehen eliminimit të bashkëpunëtorëve, në fund, shkatërrojnë çdo vlerë njerëzore që nuk i përshtatet bindjeve të tyre. 

 Mund të thuhet se persona të tillë kanë çrregullime psikike dhe mund të thuhet me bindje të plotë, e janë psikopatë. Se janë psikopatë tregon siguria dhe bindja e tyre, se ata janë pronarë të së vërtetës, kurse ata që janë racional, gënjejnë dhe mashtrojnë. Dashuria e tyre e tepruar, është e njëllojtë me atë të një burri, që mbyllë gruan e bukur nga gjoja kujdesi, por në fakt nga mungesa e vetëbesimit. Europa po vazhdon ngadalë por sigurt të kalojë në duar të nacionalistëve dhe radikalëve. Në suksesin e tyre po ndikon edhe politika europiane, që nuk gjen rrugëdalje për të sistemuar refugjatët pa zhurmë nëpër BE. Në Austri ka një rrëshqitje djathtas. Sipas anketave të qershorit FPÖ-n, të djathtën nacionaliste, do ta kishin votuar gati 30 për qind dhe do t'ishte partia më e votuar në Austri. Partia e populistit të djathtë, Geert Wilders, në Holandë do t'ishte partia më e fortë sipas anketave aktuale. Në vitin 2012 kjo parti kishte fituar diku dhjetë për qind, tani do ta votonin 30 për qind. Viktor Urbani me qëndrimin e tij ksenofob dhe telat në kufi, jo se do të humbte votues, por do të fitonte tre për qind më shumë se zgjedhjet e fundit, domethënë 41. Edhe në Francë, si në Gjermani kemi një zonjë. Fronti Nacional me Marine Le Pen, që kërkon daljen nga Shengeni dhe mbylljen e kufijve, mund të ndryshojë drejtimin e Francës dhe politikës europiane. 

Në zgjedhjet e parafundit kishte fituar diku gjashtë për qind të votave, në këto, rezultati akoma jo përfundimtar, diku 26 për qind. Edhe në Suedi e djathta nacionaliste është në përforcim e sipër. Lega Nord në Itali arrin në 15 për qind. Në zgjedhjet e fundit kishte fituar 6,2 për qind. Një rritje e radikalizmit vërehet edhe në Angli. Dhe të gjithë kanë një qëndrim të përbashkët: ata janë kundër Europës dhe kundër refugjatëve dhe shfaqen si nacionalistë, si atdhetarë. Zgjedhjet në Francë ishin një tërmet i vërtetë për Europën. 

Europa duhet të jetë më efektive dhe të jetë më e qartë, përndryshe është duke marrë pjesë në rritjen e nacionalizmit, radikalizmit dhe shembjes së projektit më të madh, që kanë pasur ndonjëherë kombet e këtij kontinenti. Këta që po fitojnë tani në Europë, janë soji i atyre, që kërkojnë në Kosovë të ndalohet bredhi i krishtlindjeve. Edhe sikur Kosova të ishte qind për qind myslimane, duhet ai bredh për të nderuar ata që u garantojnë fundamentalistëve shqiptarë lirinë për t'i urryer shpëtimtarët e vet. Për t'i urryer ata që garantojnë mbijetesën e tyre në Kosovë, jo në një çadër në Kukës apo Bllacë. Atyre në fakt nuk u pengon bredhi i Serbisë, por u pengon qëndrimi i Perëndimit në Kosovë. Ata me bredhin nuk kundërshtojnë një festë krishtere, por dëshirojnë dëbimin e SHBA-së. Çmimin e këtyre hapareshjeve fundamentaliste, do ta paguajë populli, siç e ka paguar kudo, ku të sëmurët kanë marrë pushtetin. 

 Nëse ka krijuar zoti këtë univers, atëherë e ka bërë të shumëllojshëm, ashtu si edhe popujt dhe gjuhët në këtë Tokë. Ai din se këtu ka shumë religjione, shumë bindje, shumë zakone, shumë tradita, por kjo është vepër e tij. Sikur të kishte dëshirë ta ndryshojë me dhunë, do ta kryente për disa minuta. Çdo radikal politik apo fetar, që lufton diversitetet, lufton veprën që ka krijuar natyra ose zoti. Nuk është në natyrën as të zotit, as të evolucionit, të mbjellë vetëm misër, por edhe shumë kultura tjera, që bëjnë këtë Tokë parajsë të vërtetë, por të cilën të sëmurët e shndërrojnë herë pas here në ferr: sa herë t'u lejohet! Europa ku u krijua qytetërimi më i suksesshëm në botë, ku dijetarët për këtë lirë tonën lanë kokën e tyre apo kaluan dekada nëpër bodrume të kështjellave, duhet të ketë fuqinë të mbrohet nga rilindja e nacionalizmit fashist, por edhe kthimit prapa për disa shekuj. Të dhënat për partitë marrë nga DPA

Keine Kommentare: