Merreni
lirinë, ua sollëm. Trazojeni si shkërdheci qumështin e ardhur.
Bëjeni dhallë! Shkërdhejeni lirinë si të doni: njëri pas
tjetrit, dy nga dy, në grupe apo së bashku. Nëse nuk e bëni, mund
të vështroni dhe të kënaqeni duke parë si trajtohet ajo. Liria
tani është e juaja, dhunojeni tok me shtetin! Ne nuk kundërshtojmë,
sepse na keni bërë edhe neve mendjen bozë.
Shqiptarizmi
dhe osmanizmi nuk mund të përshtaten. E para është liria dhe
arsimimi, e dyta pushtimi dhe vendnumërimi. E para është
sovraniteti, e dyta është vartësia. E para paguan tatime për
vendin e vet, ose për hajnat e vetë, e dyta për pushtuesin, ose
për hajnat e pushtuesit. Popujt kanë nevojë për miq, që i
pranojnë, ashtu siç janë. Nuk është mik, ai që të vjen në
shtëpi dhe të urdhëron se kush duhet të
jesh. Ai është vetëm tutor!
Për
popullin e Kosovës, duhet hequr vizat, por ato viza, duhet lënë në
fuqi për
politikanët kosovarë.
Pa përjashtim! Si
dhe
çdo anëtari të një partie politike shqiptare,
duhet ndaluar
lëvizja e lirë dhe
të mbyllen si në karantenë.
Ekziston rreziku
i përhapjes së epidemisë partiake fisnore, edhe jashtë Ballkanit.
Në
vitin 81 në Prishtinë bërtisnim në rrugë: “Trepça punon,
Beogradi ndërton!” Sot duhet bërtitur: “Kosova punon,
komandanti ndërton!” Sido që të jetë,
skena politikë kosovare ka përmbushur projektin e vet, d.m.th.
varfërimin deri në palcë të Kosovës, çfarë nuk kishte arritur
ta bëjë, as Jugosllavia e dikurshme. Komunistët vidhnin me
ndërgjegje, sa për të ndërtuar një shtëpi, ose edhe një vilë.
Shqiptarët e sotshëm, jo serbet, nuk mjaftohen me një shtëpi dhe
një vilë, por u duhen edhe disa milion, për t'u krahasuar me
snobët politik, cuba tjerë të Ballkanit,
kurse populli, akoma shpreson, se ai që zhvat, një ditë sjellë
edhe lumturinë.
Sille
e pështille, sille si të duash, rrotulloje e prapoje, vështroje
nga poshtë lartë, pastaj nga lartë poshtë, futu brenda e dil
jashtë, laje e shpërlaje, shtrydhe mirë, pastaj vare të thahet,
ose shpërbëje në grimca e studioje, por
populli që duron mjerimin, të shpien me zor vetëm tek një
konkludim: atij populli, nuk i duhet as lumturia, as atdheu, por
vetëm një mundësi për të ikur sa më larg, ose një liri për
mburrje të pakufishme, si gjeli mbi pleh. Krenaria shërben si
sedativ, për të arsyetuar pasivizimin, për të arsyetuar
mosveprimin dhe mungesën themelore të dijës, integritetit dhe
dinjitetit, edhe atë, gati në të gjitha
fushat. Kur një popull voton maskarenj, sistemi është
maskarrallëk. Mundësi tjetër nuk mund të ketë.
Problemi
jonë më i madh është shtrirja e ngushtë gjeografike: në një
hapësirë aq të vogël, me një popull në pakësim të
vazhdueshëm, kanë ushtruar ndikimin e tyre katolicizmi, ortodoksia,
kanuni, islami dhe bektashizmi. Pesë kushtetuta janë përpjekur të
prodhojnë një identitet me pesë të vërteta që përjashtojnë
njëra tjetrën. Atyre pesë u është shtuar më vonë edhe
komunizmi dhe i kemi bërë gjashtë. Asnjërën nuk kemi respektuar
si duhet. Asnjërën nuk e kemi kuptuar si duhet.
Ndonjërën çmuam
nga frika, tjetrën nga interesi, ose duke pritur shpërblime.
Gjashtë norma sociale, kanë prodhuar një mendësi çorbë, lesh e
li, sa është rrënuar çdo kohezion dhe çdo koherencë. Nëse
kombet tjera në Europë kanë vetëm një ndikim kushtetuese në
jetën qytetare, një qëndrim kombëtar dhe një psikologji
nacionale, ne kemi edhe pesë tjera, që kanë ndikuar në të
gjykuarit shqiptar, në sjelljen tonë, në qëndrimet tona, në
përditshmërinë tonë dhe kjo ka krijuar një çorbë-mendësi, sa
nuk mund të merremi vesh as në mes vete, por jetojmë vazhdimisht
në situata konflikti dhe përbuzje të
ndërsjellë.
Për ndikimet e jashtme, nuk jemi të
vetëdijshëm. Janë bërë pjesë integrale e karakterit tonë pa
qëndrime ndërlidhëse, por me trazime të vazhdueshme dhe kjo
ndoshta është arsyeja, pse nuk mundemi pa tutor, gjersa kombet
tjera për rreth nesh, po. Madje edhe Mali Zi i vogël.
Kur
lexoj në gazeta për politikën shqiptare, ndihem në një
diskotekë të errët, diku në një bodrum, ku vetëm nëpër rafte
të dritareve, ndriçojnë pakëz disa kandelabra qirinjësh, kurse
në fund të bodrumit, ku nuk u shquhet surrati mirë, përdridhet
një ansambël idiotësh dhe bën shamatë, duke qenë i bindur se po
bën muzikë! Në atë errësirë gati tërësore, një turmë e
madhe vështron edhe pse nuk ka mundësi të perceptojë diçka, pos
dëgjimit.
Disa të tjerë përpiqen të vallëzojë duke tundur
vithet. Ansambli kalamendet nën ndikimin e kanabisit, kurse turma
ndihet e dehur nga rasoji dhe ndikimi i idiotëve. Të gjithë
kritikojnë errësirën, por të gjithë dremisin. Në fund,
kërcyesit mendojnë se u kënaqën duke kërcyer, turma mendon se
përjetoi kënaqësi, ndërkaq, ansambli i idiotëve, është i
bindur se po krijon art muzikor. Kështu zbardhin ditën të lumtur,
duke duartrokitur hipokrizinë e njëri tjetrin!
Ku
shkon njeriu pas vdekjes? Aty ku e fusin: në një gropë dhe nuk del
kurrë jashtë.Sepse nuk mundet. E shpirti?
Shpirti vdes me trupin e gjallë,
sepse vetëm trupi i gjallë, mund të ndërtojë një shpirt. Me
vdekjen e trupit, merr fund edhe shpirti. Nëse prishet një
hardware, është vetëm teneqe. Software nuk ngjallet kurrë. Njeriu
pas vdekjes është vetëm kufomë dhe kufomat nuk shkojnë askund.
Kur
të vdes një ditë, mos u dëshpëroni aspak. Përkundrazi,
pini një dolli për mua. Pini një gotë verë apo një gotë dhallë
të trazuar nga kosi.
Bëni gosti për mundësinë që patëm të njihemi. Për
bashkëbisedimet, por mos u pikëlloni, sepse unë nuk mund më të
pikëllohem për Ju. Sepse,
pas meje do ta keni ju radhën.
Kam
jetuar jetën sipas bindjeve të mia, aq sa ma lejuan rrethanat
politike.
Vdekja krijon vend jetës. Jeta
vdekjes. Jeta
është dhuratë dhe fat, fat dhe dhuratë është dhe vdekja. Jeta
është një zgjidhje, zgjidhje
është
edhe vdekja.
Duhet
qarë vetëm për ata, që nuk kanë kuptuar, se kemi vetëm një
rast dhe kemi ardhur
për të realizuar ndonjë ndryshim, që mund të sjellë paqe në
mes njerëzve dhe për ta bërë jetën sa më të drejtë, sa
më të lehtë, sa
më të durueshme, sa
më të kuptueshme, dhe
sa më të lumtur. Paraja
nuk
është është
jeta. Jetë është ndarja e lumturisë me të dashurit. Paraja
është një mundësi, jeta është një shans.
Kur
nuk mund ta ndryshojmë botën, mund ta ndryshojmë vetveten dhe
sjellim lumturi së paku aty, ku na takon, në familje! Njëri nga
shkaqet, që dëmton lumturinë, është pikërisht
paaftësia
për të pranuar diversitetet. Njëllojshmëria shkatërron llojet.
Kur të kemi një raport të shëndoshë me vdekjen, atëherë kemi
edhe një qëndrim të shëndoshë ndaj jetesë dhe dallimeve. Kjo
botë është e bukur, pse ka shumë lloje, shumë mendime dhe shumë
bindje. Është e bukur kjo jetë, sepse patëm mundësinë për të
vepruar dhe
për të lënë ndonjë vepër të përdorshme për pasardhësit, që
do ta kenë fatin tonë.
Shumë
nëna kanë vdekur dhe do të vdesin pa pasur mundësinë ta
përjetojnë lumturinë e jetës. Lumturia e një populli matet me
respektin ndaj gruas. Kur populli mashkullor jeton i lumtur,
popullsia
femërore e dëshpëruar, atëherë mund të flitet për çrregullime
të mëdha psikike në një shoqëri. Aty ku shtypet gruaja, nuk ka
dashuri; aty shenjtërohet vetëm sakrifica e saj. Shtypja bëhet nga
trishtimi irracional i shtypësit dhe nga mungesa e drejtpeshimit
shpirtëror, jo pse e meriton e shtypura. Aty ku burri mburret me
pezullimin e lirisë së gruas, por vet pëllet tërë ditën për
demokraci, aty akoma nuk kanë kuptuar se demokracia jashtë, nuk
mund të funksionojë, nëse rrënohet ajo në familje.
Vuajtja
për nënën mund të quhet empati,
por trajtimi i nënës së fëmijëve sot, ashtu si u trajtua nëna
dje, është sëmundje.
Ata që vuajnë për nënën pse i mungoi lumturia, por i rrëmbejnë
lumturinë bashkëshortes, nuk kanë kuptuar jetën dhe fëmijëve të
vet, u falin trishtimin, siç e kanë marrë ata vet, kur ishin të
vegjël. Dhembshuria për nënën, por kënaqësia duke
shtypur bashkëshorten,
flet
për çrregullime të mëdha, për
hipokrizi dhe për
mungesën e dashurisë së sinqertë ndaj nënës.
Bibla:
Gjeneza:
“16.
Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: "Ha
lirisht nga çdo pemë e kopshtit." 17: Por
mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse
ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur". Domethënë
njeriu, që ishte në parajsë, nuk ishte në gjendje të dallojë në
mes të mirës dhe të ligës, në mes keqbërjes dhe mirëbërjes.
Pasi hëngrën mollën Eva dhe Adami, kuptuan se ishin cullak në
parajsë. A mund të dallojë majmuni në mes të mirës dhe të
ligës? Jo! A di majmuni, a është i veshur apo lakuriq? Jo! Nuk e
di. Kjo domethënë se monoteizmi pranon se njeriu ka origjinën
prej majmunit dhe se kur ishte në kopshtin Eden (parajsë) ishte
akoma majmun. Dëbimi duhet të ketë ndodhur para shtatë
milion
viteve
dhe
dijetarët në bazë të gjeneve, përkufizojnë
epokën, kur jemi ndarë prej
kushërirëve
tanë, majmunëve.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen