27.07.2016

Fletarrestimi i Erdoganit

Nuk është në pyetje Berati, në pyetje është sistemi demokratik. Nuk është kërkuar vetëm arrestimi i tij, por pezullimi i Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Është kërkuar vasalizëm me fletarrestim nga ambasada turke, rrjedhimisht nga Erdogani. Qeveria turke ka zgjedhur rrugën e shkurtër. Ka mundur të padisë Beratin në Gjykatë me një avokat, siç bëri në Gjermani, por në Kosovë ka dashur të veprohet, si veprohet në Turqi tani: në gjendje të jashtëzakonshme, ku marrja në pyetje, sipas shtypit gjerman, zgjat tre minuta. Ne kemi përvojë të madhe me arrestime të tilla. Na ka stërvitur mirë Millosheviqi.

Nuk është në pyetje vetëm Liria dhe Sovraniteti i shtetit, por provë për konsolidimin e vasalizmit, që ka ngritur politika shqiptare. Mund të kuptohet se në çfarë gazepi janë politikanët shqiptarë. Nuk guxojnë ta arrestojnë nga Perëndimi, në anën tjetër, si të kundërshtohet vëllai i madh. Mund të kuptohet edhe gazepi i Qosjes, kur sheh se Turqia po flet me ne në gjuhën e Millosheviqit. As ky nuk do të deklarohet. As Qeveria. Më lehtë do të pajtoheshin me arrestimin e dhjetëra shqiptarëve, se sa të mbronin dinjitetin e shtetit, nga i cili paguhen. Këta paguhen për ta mbrojtur rendin demokratik, të cilin përpiqet ta shemb një ambasadore, por politikani dhe intelektuali shqiptar, ka frikë të shfaqet dhe arsyetojë arrestimin ose demokracinë. Si zakonisht në jetë, punëtori ka frikë të kundërshtojë shefin.

Ata zakonisht shpreheshin në facebook, tani as atje nuk u dëgjohet zëri. Erdogani bëri mirë më këtë urdhër. Tani shihet surrati i politikanëve dhe i intelektualëve shqiptarë. Me heshtjen e tyre ata tregojnë zotimin dhe obligimin e tyre për ta çuar para projektin osman. Atje mund të shahet çdo gjë shqiptare, nuk arrestohet njeri. Nëse ironizohet me osmanizmin, përveç kërcënimeve që të shkruhen, kërkojnë edhe arrestime me shkrim. Duket se u shndërruam në pakicë kombëtare në Kosovë. Me Bondsteelin brenda. Me kontributin e shumë intelektualëve që sot heshtin dhe sot tregojnë financuesin. Me kontributin edhe të Rexhep Qosjes që sot hesht si Rugova i vdekur.

U çliruam me gazep, gati pas një shekulli, nga dekretet e Beogradit. Të stërvitur për të jetuar si skllav, të trishtuar nga Liria, që nuk e kishim pasur me shekuj, pranuam tutorizmin e parë që u shfaq në skenë për ta luajtur tutje rolin e viktimës. Deri tani, u shpreh vetëm Haradinaj. Të tjerët pajtohen me dekretin, por kanë frikë ta pranojnë botërisht. Nëpërmjet telefonit do të arsyetohen dhe do të luten të kenë durim me këtë arrestim, se do ta mbikëqyrin tutje Beratin dhe do ta arrestojnë, sapo ta rrezikojë rendin demokratik, siç bëri Berati me puçin në Turqi.

Pra, Berati duhej arrestuar, siç u arrestuan puçistët e armatosur. Ata u arrestuan pse morën armë në dorë dhe rrezikuan rendin kushtetues, Berati duhet arrestuar pse mori tastierën në dorë dhe me atë tastierë, me aq shumë shkronja, mund të nisë luftën e tretë botërore, ose të godasë mu në rradake politikanët shqiptar. Burgoseni, se mund të shkulë edhe shkronja nga tastiera dhe të qëllojë politikanët shqiptarë në dritën e syrit dhe të verbojë të gjithë liderët e vilajetit autonom.

Mund të merret me mend gazepi i liderëve arnautë për ta shpëtuar fytyrën, që nuk e kanë, por me heshtjen e tyre, dëshmuan mungesën e integritetit. Mund të merret me mend rezignacioni i Rexhep Qosjes, i cili mbron një autokrat, por kur ky autokrat prek në themelet e demokracisë, akademiku parapëlqen mosekzistencën.


Keine Kommentare: