03.11.2016

Kombi i diasparëve, Zëri, Tema

Të nderuar shqiptarë dhe kosovarë

Ne qytetarët e shkëputur nga dy kombet: njëri i lashtë sa vet dija dhe kujtesa e homo sapiensit, tjetri taze si suxhuku i saposkuqur, ju bëjmë me dije se kemi vendosur të krijojmë kombin e ri! Kombi jonë, ish të dashur, gjen mbështetje te sociologët, antropologët, socio-psikologët dhe te shkencëtarët e shkencave politike me emër e mbiemër në internet. Ne, sot, në një tubim solemn, në sheshin e planetit Tokë, në facebook, vendosëm të marrim këtë vendim historik:


Duke ditur se ne nuk jetojmë më në Shqipëri, as në Kosovë. Se nuk jetojmë në Luginën, as në Iliridë. Se nuk jetojmë në Ulqin, as në Çamëri, shpallim 'nacionin' tonë në fakt politiko-shkencor.

Për të dëshmuar intelektualizmin tonë të pakrahasueshëm, modernizimin, kozmopolitizmin, shamanizmin si dhe dërvishizmin në trans rretho e rrotull, vendosëm njëzëri për të ndryshuar etnonimin SHAC (thesar), që ju na e keni ngjitur nga interesi dhe na përjetoni si thes. Ne, në fakt, nuk dimë më cilit komb i takojmë: atij shumë të plakë, apo këtij që pshurret në pampers, ose atij ku na keni përplasur ju: të shacave!

Meqenëse se ju dëshironi vetëm monedha, por ne duke mos kuptuar shtrirjen e përhershme në shilte e divane tona, me vota të fshehta dhe aprovim të 100 %, u transferuam kolektivisht në kombin e ri të DIASPARËVE. Ky komb ruajti si kujtim nostalgjik mbaresën e kombi të dikurshëm 'AR', por që i hoqi 'P'-në, që mund të prodhojë iluzione se ju do të merrni akoma para muaj për muaj. Nuk do të ketë më!

Atë kalim nuk e bëmë thjesht për shkak të modës, por për ta zhbërë edhe luftën që u zhvillua në mes të kombeve jugosllave dhe pranojmë fajin tonë në rrënimin e asaj federate sllave. Ne, duke u transferuar në një komb tjetër, varrosëm për gjithmonë armiqësinë me popullin vëlla serb. Nuk bëjmë kalimin në kombin e ri vetëm për shkaqe humaniste, por edhe për arsye utilitariste.

Duke ditur se ju do të bëheni komb kosovar, kurse ne nga diaspora në DIASPAR, do të shkëpusim mirë e trashë të gjitha lidhjet farefisnore, historike, të origjinës, lidhjet folklorike, gjuhësore dhe ato kulturore. Ne nuk ju njohim më! Me kombin e ri, shkoni në engjëll të bekuar! Ju do të flisni kosovarisht, ne diasparisht dhe nuk do të merremi kurrë më vesh. Pra, duke u ndarë bukur e mirë si gruri prej kashte, do të shkarkohemi nga çdo përgjegjësi për t'ju dërguar lekë gjersa ju dhemb kurrizi nga shtrirja e tepruar dhe gjersa ju skuqen gishtat nga tastierat. Me kombin e ri ju do të jeni si austriak apo si zviceran dhe do të jeni pafundësisht të pasur, milionerë të gjithë, sepse do të jeni pronar të shtetit!
Duke vazhduar sipas romancës erotike të kombit taze, ne diasparët u bëjmë apel gastarbajterëve të kombeve dhe kombësive nga ish- Jugosllavia, t' i bashkëngjitet kombit tonë, se vetëm kështu, i kthehemi epokës së ndritshme të vëllazërim-bashkimit (bratsvo i jedindstvo naroda i narodnosti Jugosllavije.) 

Të harrojmë luftën dhe t'i kthehemi ardhmërisë! Ne bëmë sakrificë emrin tonë vetëm që ju të na falni, pse gati një shekull ju nervozuam, pse gati një shekull ju lamë pa gjumë, pse gati një shekull ju harxhuam plumba dhe bomba dhe ju kërkojmë vëllazërisht të falur, pse në mënyrë klandestine kemi varrosur mijëra shqiptarë nëpër tokën tuaj të shenjt dhe ju nuk kërkoni as qira! Dhe, ne ju falënderojmë që nuk vrisnin kosovarë, sa për shqiptarë, ajo ka qenë çështja më normale që nga viti 1912 dhe nuk duhet të shkaktojë kokëçarje më në mes nesh.

Duke ndryshuar ne kombin, ju nuk do të keni më kë të vrisni, kë të urreni, kë të arrestoni, kë të dëboni. Bashkëjetesa me kombin e ri kosovar është e pa ndotur, e pahelmuar dhe shëmbëlltyrë si varroset e kaluara dhe si lindet ardhmëria. Se keni vrarë shqiptarë, ajo nuk është më çështje jona, por e Shqipërisë. Nëse një ditë transferoni mbetje të ish-shqiptarëve, dërgoni ju lutem në Shqipëri. Ne nuk i duam. Kjo ishte arsyeja pse nuk i kërkojmë tash e 17 vite. Ne nuk kemi vend për pjesëtarë të një kombi primitiv, shiptar!

Ish të dashur shqiptarë dhe kosovarë,
Komiteteti Qendror i Disparëve në Komunikatën e Parë i drejtohet vëllezërve të dikurshëm në Ballkan, të cilët janë hutuar dhe ndjehen akoma mjeranë shqiptarë, të veprojnë si minoritetet iluministe të Kosovës, të cilët pa asnjë vërejtje dhe hezitim, pranuan kombin e ri kosovar dhe harruan luftën. Qysh kur e bënë këtë, ndjehen të gjithë në një ekstazë. Edhe atë, pa viagër!

Ish të dashur shqiptarë dhe kosovarë, duke konstatuar se kombin kosovar pranuan serbët, romët, ashkalitë, goranët, boshnjakët dhe disa kroat, nuk ka asnjë arsye ju të mbeteni primitiv dhe të kapur për bolet e Marxit, Engelsit, Leninit dhe për hashimin e Stalinit. Apeli jonë i nëntorit të vitit 2016 është si vijon: Shqiptarët, që jetojnë në Luginë, të quhen serb, ata të Malit të zi, malazez, ata të Maqedonisë, maqedonas, kurse ata të Greqisë, grek. Ky është kontributi më i madh që mund të jepni për paqen. Kështu vepruan minoritetet e Kosovës. Kush mendoni se jeni ju që ngulni këmbë në një përkatësi nacionale maloke, që nuk mund të duhet, por vetëm të urrehet dhe përbuzet!?
Ju, duke ndryshuar kombin, bëheni pronarë të Serbisë, të Maqedonisë, të Greqisë dhe Malit të Zi.
Urime! Sukses! Çlirohuni nga primitivizmi shiptar! Paqja qoftë me ju!



Keine Kommentare: