06.11.2016

Nëse fiton Trump

Nëse shpërfillim të gjitha premtimet e Trumpit, atëherë politika amerikane nuk do të ndryshojë.
Nëse i marrim ato seriozisht, atëherë bota nuk do të jetë më kjo që njohim!
Gazeta “Die Welt” shkruan se Qeveria gjermane ka frikë nga një fitore e Trumpit dhe shpreson të fitojë Clinton. Trump është me origjinë gjermane.
Dijetarët dhe mendimtarët shqiptarë, garantojnë mosndryshimin e politikës së jashtme amerikane edhe me fitoren e Trumpit. Ata injorojnë synimet e një psikopati!

Aleancat e vjetra janë shpesh afatgjate, por politika amerikane ka një dinamizëm brenda, çfarë është normale për një superfuqi. Politika jashtme amerikane ka ndryshuar ndaj vendeve baltike. Ka ndryshuar ndaj Serbisë, ka ndryshuar për Bullgarinë, Ukrainën...ka ndryshuar ndaj shqiptarëve, ka ndryshuar ndaj kurdëve. Një superfuqi nuk mund të mendojë në politika afatgjate për ngjarjen që shfaqen papritur. Ajo merr vendime dhe aprovohen nga Kongresi apo jo, por edhe kur nuk bëhet, politika e jashtme vazhdon mbështetjen. Pra, nuk vendos kongresi për politikë të jashtme, por vendos a pajtohet me qëndrimet e kryetarit. Nëse ai ka shumicën, atëherë zakonisht fitohet mbështetja.

Sikur republikanët të kishin një kandidat normal, ndryshime të mëdha, nuk do të ndodhnin. Trump nuk është normal! Ata që sigurojnë mosndryshimin, mund ta bëjnë këtë vetëm duke u bazuar në të kaluarën normale, me kandidatë normal, si pasojë, përhapin iluzione jonormale. Kandidati sotshëm republikan, nuk pranon vlerat e demokracisë. Është adhurues i Putinit. Është antiislamik, mu si Kalifati antikrishter! Trump është rezultat i ksenofobisë dhe pasojë e terrorizmit fetar. Ai është ksenofob, racist dhe mizogjinë. Shumë profesorucë patën menduar se Hitleri do t' ishte kancelar i mirë. Edhe ata besonin se politika e jashtme kontrollohet nga Reichstagu. Shumë njerëz mendonin se Turqia mbetet demokratike, ajo çdo ditë e më shumë shfuqizon rendin demokratik.

Ishte Tony Blair dhe Clinton, të cilët ndryshuan politikën perëndimore ndaj Kosovës. Jo Kongreset, jo Kuvendet. Për të ndërhyrë në Kosovë mundësoi një lider që kishim dhe që ata e çmonin. Ky ishte Ibrahim Rugova, të cilin çdo njeri në Perëndim ka në kujtesë të mirë, kurse ne e konsiderojmë tradhtar. Me politikanët që kemi sot, të akuzuar apo hajna, SHBA do të kishte ngulur këmbë të mbetemi në Serbi, siç bëri deri në vitin 98. Për të fituar përkrahje, duhet pikë së pari një lider i madh. Sot kemi vetëm kopje banale!

Nëse fiton Trump dhe mbetet simpatia tij ndaj Putinit, atëherë këtë do ta ndjejë ndër vendet e para Kosova. Çfarë mund të ndodh? Serbia do të pajtohej vetëm me ndarjen! Kjo do të përligjej si mundësi e vetme për paqen në Ballkan. E pastaj? Pastaj pason ndarja e veriut të Kosovës. Serbia dëshiron Trepçën. Kjo mund të pritet kur kihet parasysh radikalizmi qeverisë serbe (si i Trumpit) dhe ndihma financiare ruse për fushatën elektorale në SHBA. Ndoshta për të qetësuar sedrën nacionale shqiptare, pjesa e mbetur lejohet t'i bashkohet Shqipërisë. Duket scenario i pamundur? Po, por njerëzit e asaj kategorie janë të aftë të imponojnë ndryshime, që vështirë mund të merren me mend.

Për t'u bërë Trump kundër Kosovës, nuk duhet shumë: do të rikujtohen pilotët e vrarë amerikanë. Do të rikujtohen qindra shqiptarë në Siri dhe do të rikujtohen predikuesit e urrejtjes që qeveria kosovare ka lejuar të rekrutojnë. Jo disa veta, por qindra! Madje, edhe sot shkruajnë e flasin kundër perëndimit. Pra, për të ndryshuar politikën amerikane një psikopat si Trump, argumentet nuk janë edhe të domosdoshme. Nëse nuk ka sot, ato do të merren nga dje. Se jemi ne pro-amerikan, ka vlerë vetëm derisa SHBA është në distancë me Rusinë, kur ata bëhen aleat, Serbia do të jetë më pranë SHBA-ve se sa ne. Ata do të arsyetojnë veprimtarinë e vet gjoja për ta mbrojtur Europën nga islami. Aleanca me Rusinë, do ta përjashtonte edhe Turqinë.
Se si veprojnë despotët e çmendur, pamë para disa ditëve në artikulimin e Erdoganit. Ai konsideron ujdhesat greke të veta, sepse atje paska pasur xhami dhe aty ku ka ndërtuar xhami Perandoria Osmane, Erdogan konsideron troje turke. Këtë fjalor luftënxitës kemi përjetuar me Millosheviqin: Aty ku kishte kisha serbe, ose ku aty gjendet një skelet i një ushtari serb, ai konsideronte Serbi! Kur despotëve u shtohen një amerikan, atëherë asgjë nuk do të mbetet siç është. Madje as aleancat! Pse? Nuk mund të besohet se Trump do të ndryshojë radikalisht dhe bëhet njeri normal. Nuk bën fushatë normale. Ai acaron dhe polarizon! Ai shan dhe kërcënon! Nëse ai fiton, atëherë në rastin më tragjik, mund të vijë te shpërbërja e SHBA-së. Shumë shtete amerikane nuk do të pajtohen me politikën e tij. Një implozion dhe entropi sociale amerikane, do t'i konvenonte Rusisë. Kjo mund të jetë arsyeja pse Putini investon në fitoren e tij.

A ka dhe mundësi tjera? Po, natyrisht! Mund edhe ta rrëzojnë para se të bëhet i rrezikshëm për demokracinë amerikane. Po mundësi tjera? Po, mund edhe ta vrasin, por të besohet se me një psikopat si Putini, si Erdogani dhe si Trump, nuk do të ndryshojë gjë, njeriu duhet të mos posedoj tru, ose ta ketë memorien e peshkut prej tre sekondave dhe të gjitha mendimet dhe premtimet e tija elektorale që dërgon amerikanëve dhe botës, të harrohen.

Me Trump në krye të SHBA-ve do të ndryshojë rendi demokratik. Do të ndryshojë demokracia. Do të kthehen në Europë ektremizmi dhe mund të shpërbehet nga nacionalizmi i llojit fashist edhe Europa. Kjo shpërbërjeje është interes rus! Trump është simbol i së ligës. Rusia dhe Serbia ka vite që presin një ditë të tillë. Trump është hero i tyre. Ai që është hero i tyre, nuk mund të jetë mbrojtës i joni.

Ata që garantojnë mosndryshimin e politikës amerikane duke u bazuar në të kaluarën, kanë harruar se edhe Millosheviqi, nuk besonte se mund të sulmohej. Ai bazohej në aleancën e kaluar. Për t'i bërë të krahasueshëm ish presidentët republikanë, Trump duhet të jetë njeri normal si ata. A është Trump si ata? Jo! A ishin ata ksenofob? Jo! Ligjet ndalojnë ksenofobinë. Trumpi është! A ishin ata racistë? Jo!
Ligjet ndalojnë racizmin. Trumpi është! Ai ishin ata antiislam? Jo! Trumpi është! A kanë bërë atë video kundër një religjioni? Jo! Trump nuk është vetëm kundër ekstremistëve, Trump është kundër islamit si religjion. Me filmat e tij, me përpjekjen për të mbjellë panik se u islamizua Gjermania me 1 për qind arab refugjat, se u islamizua Franca dhe se do të islamizohet SHBA, është duke predikuar luftën fetare, totale, jo të pjesshme. Popujt nuk konvertohen kurrë pa dhunë, por ndonjë individ. Këtë dinë ai shumë mirë, por përpiqet të përfitojnë nga aktivizimi i periferisë dhe zogorisë së dështuar dhe zhgënjyer me jetën.

Shumë veta mendojnë se kongresi dikton politikën e jashtme sepse kryetari amerikan, si askund, qenka vetëm figurant, marionetë në shërbim të Kongresit. Mund të besohet se nuk do të ndryshojë asgjë ndaj nesh, sikur Trump të mos adhuronte Putinin. Si mund të jetë Putinit i mirë për Kosovën? Në cilin filxhan lexohen shpërndarja e iluzioneve?

Trump nuk është humanist, nuk është filozof dhe demokrat i madh, i cili mund të bëhet mik i rusëve, serbëve dhe i shqiptarëve. Trump tani për tani më shumë ka ngjashmëri me një nazist se sa me një demokrat.

Nuk mund të flitet për Trump si për një republikan demokrat. Ai nuk dëshiron të jetë. Videot që ai përhap në botë me Gjermaninë si shtet islamik, SHBA-të si shtet islamik, nuk janë video të një njeriu normal dhe me drejtpeshim psikik. Ai përhap urrejtje ndaj njerëzve të ikur nga lufta.Trump është rrezik jo vetëm amerikan, por për demokracinë dhe për rendin botëror çfarë e njohim sot. Populli amerikan votoi një Obamë me mbiemër Hussein pas 11 shtatorit. Kjo jep shpresa se ai popull, nuk do të votojë kurrë një nazist, i cili do ta rrezikonte planetin. Të besohet se nuk do të ndryshohet asgjë, domethënë të mos besojmë çfarë premton ai dhe ta konsiderojmë krejt fushatën si shou apo lojë palaçosh. Domethënë, të besojmë se djalli në rast të fitores, bëhet engjëll.


Keine Kommentare: