11.11.2016

Ky është kryetar, Zëri

Kryetari duhet të dijë diçka, ose pritet të dijë pak më shumë se mesatarja e njerëzve. A din ai? Jo! Lexoni ju lutem dhe krijoni bindjen Tuaj si artikulohet njeriu i parë i Kosovës, i cili takohet me politikanë të shteteve tjera, i cili bën marrëveshje me Serbinë, me Malin e Zi dhe i cili përpiqet të anulojë vizat. A është në gjendje të bëjë negociata ky zotëri dhe nëse po, sa gazon ai me personalitetet e jashtme? Shumë, tepër shumë! Kur gazon me mendimet e tij në facebook, sa shkreton kur flet në vende të mbyllura me të huaj?

Kryetari i Kosovës në facebook, domethënë publikisht, kishte shkruar për Murin e Berlinit. E çfarë kishte shkruar kryetari? Ai kishte shkarravitur! Kishte treguar dijen e tij dhe nën të kishte vënë një fotografi! Jo vetëm shkarravitur, por ai tregonte se nuk ka as njohuri themelore.

Banorët e Kosovës ankohen se Kosova është izoluar, se Europa është fashiste, se nuk mund të udhëtojnë dhe se Europa ka qëndrime proteksioniste. A janë ata në gjendje të kapin mendërisht se çfarë persona delegojnë nëpër negociata të ndryshme? A janë në gjendje ata të kuptojnë se nëpër negociata dërgojnë njerëz pa dije, pa kulturë dhe me bindje të thella fisnore, rurale? Lexoni Ju lutem mendimin e tij dhe përpiquni të imagjinoni se si mund të flasë ai me personalitetet e jashtme dhe gjykoni a është reale, a është normale të pritet ndonjë përmirësim dhe mirëqenie me njeri të tillë si bosi i Kosovës:

"9 nëntori i vitit 1989 ndryshoi jetën e gjithë botës sepse solli rënien e murit të Berlinit,..."

E lexuat mirë? Rënia e murit të Berlinit ndryshoi jetën e gjithë botës!!! Çfarë u ndryshua në kontinentet tjera me rrëzimin e murit të Berlinit?! Asgjë! Ama asgjë, Kuba mbeti si ishte Korea e Veriut mbeti si ishte, Lindja e Afërt, Afrika nuk ndryshoi, Lindja e Largët jo, por sipas kryetarit të Kosovës, Muri i Berlinit ndryshoi jetën e gjithë botës! E çfarë bëri tjetër kjo ngjarje? Ja si përforcon mendimin e tij me injorancë më të trashë dhe akoma më të thellë: "Kjo ngjarje shënoi edhe mbarimin e Luftës së Ftohtë dhe revolucionin e kadifenjtë që përhapi anembanë rruzullit vlerat universale të lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut."

Muri Berlinit paska shënuar "...revolucionin e kadifenjtë, që paska përhapur anembanë rruzullit vlerat universale të lirisë, demokracisë..." Ku gjeti kryetari këtë “revolucion të kadifenjtë?” Dr. h.c. thuhet se ka studjuar disa semestra historinë dhe historiani i parë i Kosovës shkruan se bota qenka demokratizuar në tërësi dhe përfundimisht qenkan përhapur vlerat universale të lirisë. Nuk ka më diktatura më! Nuk ka më askund sepse rrënimi i murit paska përhapur vlerat e demokracisë me kadife anë e mbanë botës! E lufta me Rusinë e Putinit nuk qenka e ftohtë?! A ka ky kryetar këshilltarë apo ka punësuar njerëz më të padijshëm se vetja? Si është e mundur të shkruajë ato pallavra në një vend publik dhe të mendojë se ka thënë një mendim me mend e me vend?!

Lexoni më poshtë Ju lutem se si shprehet enveristi, stalinisti i djeshëm: “Është për të ardhur keq që edhe pse populli ynë ka vuajtur shumë si pasojë e komunizmit, Kosova ende nuk e ka zbardhur dhe dënuar siç duhet atë pjesë të errët të historisë sonë dhe nuk e ka dënuar siç e meritonte ai regjim.”

E kuptuat? Populli ynë paska vuajtur si pasojë e komunizmit. Si mund të vuajë një popull si pasojë apo ka dashur të thotë se populli ynë ka vuajtur nga pasojat e komunizmit?! Kryetari kërkon zbardhjen e epokës së komunizmit dhe dënimin. Atë epokë kur populli tij kishte më shumë liri, më shumë siguri dhe fitonte më shumë se në shtetin e Hashimit. Komunistët shqiptarë, që ai do t'i gjykojë, kishin ndërtuar një administratë më të mirë se e Hashimit, kishte më pak korrupsion, radikalizëm nuk kishte, kishte Universitet si duhet dhe kishte përparuar në aspektin e qytetarisë, kurse në kohën e Thaçit, ai është duke ecur prapa! A është në gjendje ky kryetar të kuptojë se dalëngadalë po bind popullin se kthimi në Serbi, u garanton më shumë liri, më shumë siguri dhe më shumë punësim? A është ai në gjendje të kuptojë se populli nuk dëshironte një Hashim, që kalon prej pozite në pozitë, por një rend demokratik, ku injorantët mund të rrëzohen nga pushteti? A nuk vëren ky njeri kryetar se populli kolektivisht do të arratisej si kur të kishte mundësi?

Jo, nuk e sheh! Ai është i bindur se është gjeniu i Kosovës dhe se nuk ka njeri më të aftë se ai. Ja si përmbyll mendimin kryetari i Kosovës, e nuk është Xhavit Nimani:
Gjatë mandatit tim si president unë do të angazhohem seriozisht për dekomunistizimin në Kosovë, sepse që shoqëria jonë të përqafojë siç duhet vlerat e liberal-demokracisë, ajo duhet të shkëputet njëherë e mirë nga e kaluara. HTH”

Kosova nuk paska probleme tjera pos të komunizmit. Europa kërkon arrestimin e të korruptuarve të sotshëm me pushtet politik. Ai shpërfill këtë dhe do të merret me luftimin e komunizmit të djeshëm!Në gjendje të tillë jointelektuale nuk ka qenë as Iljaz Kurteshi, as Fadil Hoxha, as komunistët tjerë të dikurshëm. Ky paska ndërmend jo të luftojë krimin, korrupsionin, prokurorinë e paaftë, gjykatësit e paaftë, nepotizmin, ata që po rrënojnë shtetin e Kosovës, por ky paska ndërmend të bëjë dekomunistizimin e vendit. Dhe se kjo qenka mënyrë e vetme për të përqafuar siç duhet “vlerat e liberal-demokracisë” dhe se kështu sipas kryetarit mund dhe “duhet të shkëputet njëherë e mirë nga e kaluara!”, gjersa Hashimi i sjell osmanizmin si mbivlerë.

Nuk është kjo për të qeshur. Nuk është për tallje, por është për të ardhur keq, për të kapur kokën me dy duar dhe për të ikur, ku sytë atje këmbët. Mendimet që ai herë pas here publikon, tregojnë qartë një fakt: Ai është medikoriteti më i madh i Kosovës, por po e mbajnë në pushtet sepse marioneta u nevojitet.
Perëndimi deshi ta heq qafe, por VV ka kohë që e i garanton atij pushtetin e mëtutjeshëm. Ai njeri din vetëm një gjë në mënyrë të përkryer: si të marrë pushtetin dhe si të mbetet. Qeverisja kërkon dije, jo guxim, jo shantazh, por ndërtimin të shteti ligjor që ai as nuk e kupton, as nuk din çfarë është dhe në vend se të merret me përforcimin e demokracisë, do të merret me dekomunistizim e Kosovës! Ec e qëndro në një republikë, ku kryetari duhej të ishte asgjë më shumë se sa drejtor i një ferme, por kurrë jo i ndonjë ndërmarrje.

Keine Kommentare: