14.11.2016

Nëse në Kosovë kemi...

Nëse në Kosovë kemi 100 nëpunës hajna, atëherë kemi së paku 1000 veta që investojnë në korrupsion! Nëse aty kemi 100 doktoratura të blera, ose plagjiatura, atëherë do të kemi së paku 100 veta me diploma të blera! Nëse në Kosovë janë 100 mjek të korruptuar, atëherë kemi së paku 1000 pacientë që financojnë afarizmin e tyre klandestin!

Nëse gjenden 100 policë, që nuk respektojnë ligjin, atëherë kemi së paku 100 veta, që ndihmojnë ata në korrupsion! Nëse kemi 10 prokurë të korruptuar, atëherë kemi së paku 100 raste, që nuk hetohen! Nëse kemi 10 gjyqtarë të korruptuar, atëherë kemi së paku 100 vendime jo të drejta!

Nëse kemi ata 2820 veta jo luajal ndaj shtetit, atëherë kemi edhe së paku 10 kryetarë të komunave, që përfitojnë nga korrupsioni, nepotizmi dhe krimi. Se si arsyetohen ata, është vetëm përdredhje retorike, por duke pasur ata kryetarë të komunave në atë derexhe, atëherë duhet të kemi së paku 10 ministra, që mbështesin atë vijë vertikale në rrënimin e shtetit.

Për të punuar e papenguar ajo armatë që shkel ligjin, duhet edhe një bos me dy tre bosa të tjerë, të cilët administrojnë ata ministra dhe shpërndajnë plaçkën sipas rolit dhe kontributit piratesk. Pra, nëse një vend i vogël si Kosova ka 2840 piratë me pozita dhe përgjegjësi të ndryshme në shoqëri, atëherë nuk mund të flitet më për shtet, por për kriminalitet të organizuar në mënyrë të përkryer. Atëherë aty statusi i veteranit blihet dhe trishtojnë me armatën që kanë pasur, por që nuk kanë arritur të çlirojnë asnjë katund!

Në një vend të tillë mund të vidhen paratë dhe të mos zbulohet kurrë hajduti. Aty pas vdekjes shpërndahen aq shumë versione, sa askush nuk din si përfundoi jeta e dikujt. Krejt duket kaotike, por krejt duket e organizuar djallëzisht, deri në mjegullim të plotë!
Aty pas çdo marrëveshje shpallin veten fitues, edhe kur janë humbës! Aty dreqi është engjëll dhe engjëlli dreq! Aty sa më shumë patriotizëm, aq më shumë tradhti! Aty sa më shumë dashuri ndaj atdheut, aq më shumë dëmtim i vendit. Aty flasin për atdhedashuri dhe dëmtojnë hapur atdheun! Aty gomari është kalë, e kali gomar. Aty në fakt as qeni nuk është më qen, por kuçkë! Aty çdo gjë është me kokë përmbysur! Dhe nëse vërtetë kemi ata 2840 njerëz që vjedhin ekonominë e vendit, që rrënojnë shtetin, në një vend të tillë, votuesi nuk ka më çfarë të votojë, por më mirë do t'ishte të rrinte shtrirë si deri tani dhe së paku të mos bëhet fajtor i mjerimit të vet.

Të votosh këtë skenë politike domethënë të votosh dhe legjitimosh fundosjen vetjake! Hajni nuk bëhet kurrë i ndershëm, as i ndershmi hajn! Por, hajduti publik nuk pranon kurrë vjedhjen, jo pse ka frikë nga gjykata e vet, por se nuk ka vjedhur akoma sa i duhen! Edhe tradhtari nuk do të deklaronte kurrë se është në shërbim të Serbisë, por vetëm me një vepër dëshmon ai përkushtimin e vet. Për ta fshehur ai obligimin e vet ndaj Serbisë, do të bëjë edhe ndonjë vepër të mirë, por do të përpiqet ta shkatërrojë substancën dhe kohezionin duke e përligjur me pallavra!

Keine Kommentare: