10.03.2017

Ty me të dashtë

me t’ vështrue si uri sfilitëse
me t’ përjetue si etje alivanosëse
me t’ pa si kënaqësi nokturne
m’u rrëqeth si iriq imagjinar

pastaj me t’ përqafue si epsh jehues
me t’ shtrëngue si zinxhir robërues

me t’ lirue si pëllumbeshë për fluturim
me t’ përplas në shtrat plot ngazëllim

m’ u hedh mbi ty si tërbim
e me t’ përvlue - vullkan në vlim

me t’i fshi djersët si shami
m’u çlodh së bashku si dashni
e m’u përtni me ty si rini
e me piskat: “mirëserdhe lumtuni!”

Nga përmbledhja me poezi Hijedritat e jetës

Keine Kommentare: