"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

03.03.2017

Ibrahim Rugova dhe Ibrahim Kelmendi, Bota Sot

Nëse nuk shpallet Rugova kuisling apo tradhtar, si mund të sekuestrohen meritat e çlirimit? Është logjike kjo që bëhet sepse lakmia dëshiron krejt elozhin, krejt brohorinë e popullit për vete dhe nuk dëshiron pranë askënd tjetër, pos bashkëmendimtarëve. Madje as ata në tërësi!
Kështu patën vepruar edhe komunistët pas luftës. Atë përligjje njohim të gjithë dhe vazhdon të kultivohet dhe propagandohet si e vërtetë absolute. Rendi ka ndryshuar, por perceptimi ynë, murkullimi ynë mugull për botën dhe rrethin, jo!

Ibrahim Rugova dhe Ibrahim Kelmendi ndoshta janë ndër dy figurat më fatkeqe shqiptare dhe më të përgojuara. Që të dy kanë kontribuar për çështjen kombëtare ashtu si ditën, si besuan se ishte më mirë dhe u gozhduan publikisht për guximin e tyre për të qenë vetja. Ibrahim Rugova definohet nga Ibrahim Kelmendi si kuisling. Nga Rexhep Qosja tradhtar. Ibrahim Kelmendi nga disa akuzohet për tradhti. Për tradhti akuzohet edhe hiç më pak se Jusuf Gërvalla. Se ekziston një dinamizëm i vënë në lëvizje nga sigurimi sekret serb, nuk ka asnjë dyshim, por akoma nuk dimë saktësisht shërbëtorët. Të manipuluarit ose manipuluesit i njohim.

Ibrahim Rugova me hyrjen e tij në politikë, hodhi në harresë LPK-në, edhe pse ajo vet kishte përplasur veten në enklavën e kolhozëve të stalinizmit. Rugova nuk bëri gjë kundër tyre, por populli iu bashkëngjit atij, ose më qartë, populli që jetonte kryesisht nga Perëndimi, zbythte një ideologji diktatoriale, marksiste-leniniste.

Si Kelmendi, si Qosja, zhvleftësojnë dhe përçmojnë Rugovën pse nuk ka vepruar siç kanë pritur ata prej tij. Të gjitha fajet i hidhen atij dhe edhe pse e konsideronin të padenjë, kuisling e tradhtar, pikërisht prej tij prisnin t'ua sillte lirinë dhe t’u thoshte: “Kënaquni, ua solla!” Thua se çlirimi varej vetëm prej dëshirës së Rugovës! Thua se ai nuk e dëshironte!

Rugova nuk është marrë as me Kelmendin, as me Qosjen. Ata kur flasin për Rugovën, bazohen në fondamentin zakonor shqiptar, ose metodologjinë komuniste të gjykimit dhe filtrimit. Rugova nuk mund të bënte politikë autonome. Duheshin aleatë dhe mbështetje nga jashtë. Aleancat e reja nuk krijohen brenda ditës.

Filozofia Rugovës mori fund me shfaqjen e UÇK-ës, por tanimë kishte demaskuar fashizmin e qeverisë serbe dhe pritej dënimi i asaj politike. Fati ynë ishte Rugova. Fati ynë ishte UÇK. Fati ynë ishte demokracia perëndimore. Fati ynë ishte Jelcini. Fati ynë ishte edhe 11 Shtatori, që nuk ndodhi para luftës së Kosovës. LPK nga periferia me kryengritjen u hodh në qendër të vëmendjes dhe u shndërrua në faktor politik. Këtë mundësi ka pasur gjithmonë dhe Rugova nuk kishte pasur mjete tua ndalonte, as LPK-ës, as Qosjes. Ata te Rugova shihnin profetin e gjithëfuqishëm, i cili kishte mundësinë dhe kompetencat tua shërbejë lirinë në pjatë, por sipas tyre ai nuk e dëshironte. Mjerimi më të madh nuk ka se sa kur presim dikush të veprojë sipas pritshmërisë sonë, ose kur presim që dikush ta sjellë atë që ne gjakojmë. Kjo është rehati e shiltes, skajore, këndellëse, që i sigurohet vetes, me besimin arrogant dhe bindje egomane për të drejt qortimi dhe korrigjimi.

Me atë rebelim filozofia pacifiste mori goditje mortore. Ajo filozofi kishte dhënë rezultatin e vet dhe përfunduar misionin. Pra, në një anë kishim lëvizjen paqësore, në anën tjetër atë ushtarake dhe këto dy ndikuan në krijimin e shtetit të dytë shqiptar. Kjo ishte mrekullia shqiptare.

Si kuisling numëron Ibrahim Kelmendi edhe këta: Isa Mustafën, Bujar Bukoshin (sot i parëndësishëm), Hashim Thaçin, Azem Sylën dhe Xhavit Halitin. Me përjashtim të dy të parëve, këta janë bashkëpunëtorët e tij të djeshëm. A është e vërtetë se ata janë kuislingë? Po, të gjithë janë do të kemi edhe në të ardhmen, sepse si myslimanë në një kontinent të krishterë, nuk jemi të barabartë! Fakti pse jemi copëtuar është pikërisht religjioni. Mbi troje shqiptare u krijuan Maqedonia, Mali Zi, Serbia dhe Greqia. Si do të kishte mbijetuar një popull me fe të krishtere në gjirin arabik? Fakti se gjuha e pesë për qind serbeve shpallet zyrtare, por jo e më shumë se 30 për qindtëve në Maqedoni, flet për legalizimin e diskriminimit ndaj popujve me besim mysliman. Kështu ndodh edhe në Luginë. Edhe aderimi në BE dëshmon për diskriminimin dhe renditjen fetare që u bëhet kombeve: ata me besim katolik pranohen më lehtë, pasojnë ata me besim ortodoks dhe në fund mbeten popujt me besim mysliman të cilëve u ngarkohen detyra shtesë. Meqenëse jemi ashtu si jemi, kuislingë nuk do të kemi vetëm nesër, por edhe pasnesër.

Meqenëse Qosja me postet e Rugovës në kohën e Jugosllavisë përkufizon atë si tradhtar, Ibrahim Kelmendi si kuisling, atëherë ai procedim i të gjykuarit si metodikë komuniste e përsiatjes, shpall tradhtar apo kuisling edhe Ismail Qemalin, Sami Frashërin, Abdyl Frashërin, Hasan Prishtinën, Pashko Vasën e shumë të tjerë, që kishin pasur pozita në Perandorinë Osmane. Metoda e Qosjes dhe Kelmendit është ekstremiste, staliniste dhe përjashtuese. Shumë herë njerëzit që kanë rrëzuar një pushtet, kanë qenë pjesë e atij pushteti. I tillë ishte edhe idhulli i Qosjes Enver Hoxha, që në fillim shërbeu Zogun. Adem Demaçi nuk do të kishte mundur të bëhet drejtor i Institutit Albanologjik, por po Qosja, i cili ishte anëtar i LKJ-ës.

Çfarë poste kishte Ismail bej Qemali? Nga mosha 19 vjeçare, pra nga viti 1863 deri në vitin 1900 ishte nëpunës i Perandorisë Osmane dhe ka pasur pozita të ndryshme. Kushëri tij Mehmed Ferid Pasha ishte Vezir, më herët edhe Ministër i Punëve të Brendshme, pastaj Ismail Qemali u bë deputet i atij Mexhlisi. Në fillim Ismail Qemali synonte autonomi brenda Perandorisë Osmane.

Hasan bej Prishtina ishte gjithashtu deputet në Mexhlisin, që ndalonte shkollimin në gjuhën shqipe.
Sami Frashëri, që ndikoi në krijimin e kombit modern shqiptar, shkroi enciklopedinë e parë turke, romanin e parë në historinë e letërsisë turke, ku mësohet me emrin Shemsedin Sami. Abdyl Frasheri ishte nëpunës i Perandorisë Osmane. Djali i Sami Frashërit, Ali Sami Yen, themelon klubin e parë të futbollit turk, Galatasarayn. Deri në vitin 1934 kishte mbiemrin Frashëri. Vlera e Sami Frashërit për lingustikën turke është e pazëvendësueshme, por kjo nuk bën atë kusiling, por dijetar të madh, edhe pse në anën tjetër Rugova nuk ka dhënë asnjë kontribut intelektual për pushtuesin jugosllav e serb.

Pra, në kohën kur qe shtypur Lidhja e Prizrenit, në pushtetin osman kishte shumë shqiptarë me pozita. Pra në kohën kur në trojet shqiptare ishte ndaluar mësimi në gjuhën shqipe, vepronin shumë rilindës brenda pushtetit osman. Nëse pozitat e Rugovës në Jugosllavi bëjnë Rugovën tradhtar, sipas Qosjes, kuisling sipas Ibrahim Klemendit, atëherë ajo logjikë komuniste dhe filtruese brendakombëtare vlen edhe për Ismail Qemalin dhe rilindësit tjerë apo jo? Çfarë marrie kolosale, por të vazhdojmë tutje.

Për të kuptuar metodologjinë e gabuar të të menduarit, po sjell këtë citat. Pyetja ime ishte kjo:
Ku e merrni ju atë të drejtë ta konsideroni veten çlirimtarë të Kosovës, kur nuk keni çliruar asnjë katund vet?”
Përgjigja e Kelmendit është kjo: “Mos ndoshta alienët ishin çlirimtarë, e jo rreth 13 mijë veta që u martirizuan gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës? Sa keq po më vjen për këtë mendësi Tënden kaq inatçore e rugoviste!”

Po ia nisi nga fundi: unë nuk jam rugovist dhe asnjë “ist” nuk pranoj. Çdo autoritet apo shëmbëlltyrë mund të shtrembërojë të gjykuarit objektiv. Nuk kam as hyjni, as autoritetet njerëzore të veshur me petkun hyjnor, por kam respekt ndaj veprës. Sidoqoftë Kelmendi nuk është në gjendje të tregojë se çfarë çliruan, as kur është dita e çlirimit të Prishtinës, Ferizajt, Gjakovës, Pejës, etj. etj. Nga ata 13.000 të vdekur ka shumë qytetarë, por as këtë nuk e përmend sepse do të tregonte pamundësinë e UÇK-ës për të mbrojtur popullin. E lexuat mendimin e tij? Ai akoma beson se UÇK ka çliruar Kosovën. Po fakti? Ibrahim Kelmendi duhet të pranojë të vërtetën e madhe, edhe atë një herë e përgjithmonë: Kosovën nuk ka çliruar as Rugova, as UÇK. Rrugën për çlirimin dhe aleatët i krijoi Rugova, e konkretizoi UÇK! Kaq!

Pra ne nuk mund të flasim për çlirimin tonë me forca tona, por ne duhet të flasim për faktin e pakundërshtueshëm: KUSH PËRSHPEJTOI ARDHJEN E NATO-s? UÇK dhe pikë!

Ju mund të pohoni se u sakrifikuan 13.000 veta, por ata nuk ishin anëtarë të LPK-ës, e as ushtarë të UÇK-ës, por pjesa dërmuese qytetarë, ndoshta votues të Rugovës. Ti edhe pse fajëson Hashimin, përsëri mbron shtetin e Hashimit duke pohuar se rugovistët kanë në dorë pushtetin nëpër gjykata e prokurori, edhe pse bashkudhëtari jot ishte kryeministër i vendit.

Nëse ndahet populli si ndan Ti udhëheqësit, atëherë pak na mbeten të padamkosur. Nëse Rugova ishte kusiling, kuislingë ishin edhe pjesa dërmuese e popullit, që adhuronte kusilingun dhe e votoi pas luftës. Masa matëse është ekstremiste, rrënuese dhe atë me një qëllim: për të nënvizuar pronësinë mbi të vërtetën dhe meritën e çlirimit.

Te vazhdimi i 16 tregon se ishe nisur për të vrarë Rugovën. Nuk dyshoj! Kishit partinë, kishit infrastrukturën, por prisnit që Rugova të sillet siç ju pëlqente juve. Ju në fakt patët shpallur Rugovën profet dhe kërkonit, si edhe Qosja, ta çlirojë vendin menjëherë ose të tërhiqet. Populli nuk ju dëshironte, ai adhuronte Rugovën. Populli kuisling adhuronte kuslingun apo jo? Pra kishe ndërmend ta vrisje. Nuk dyshoj aspak, por askund nuk lexova se kishe ndërmend ta vrisje Millosheviqin. Kanë qarkulluar edhe lista për eliminimin e shqiptarëve, por kurrë jo lista për qeverinë serbe. Natyrisht me vrasjen e Rugovës, Kosova do të kishte humbur ata miq dhe mbetja nën Serbi, do t'ishte vulosur. Nuk është vështirë të vritet një pacifist, qe vrarë edhe Gandi. Pse Ibrahim Kelmendi nuk përgatitët lista për eliminimin e Millosheviqit por të “kuislingut?”

Ke shkruar diku 30 vazhdime për të dëshmuar se Rugova ishte kuisling. Kur je i bindur paraprakisht, atëherë kemi të bëjmë me bindje fikse. Unë jam i lirë dhe mund të ndryshojë bindjet, por jo Ti. Ti përpiqesh të shkatërrosh Rugovën si personalitet duke e quajtur kuisling, por kjo mënyrë staliniste e të menduarit, nuk do ta mëshironte as Ismail Qemalin dhe shumë rilindës tjerë.

Rugova internacionalizoi çështjen shqiptare. Para tij nuk kishim asnjë aleat. Pas vitit 1998 sjellja tij nuk ishte e drejtë. Me këtë dëmtoi veten dhe LPK e shfrytëzoi çastin me mençuri të madhe. Ashtu si gaboi Rugova para lufte, po aq shumë gaboi LPK në vitet e 80 dhe 90. Ajo kërkonte bashkim kombëtar, hiç më pak se sa me një ideologji që po i dilte shpirti kudo në Europë. Ata sot mund të jenë edhe fetarë të rrastë, edhe pse dje ishim marksist leninist. Rugova hyri në politikë si besoi se ishte më mirë dhe vdiq i tillë. Ai ka vetëm një ftyrë dhe vetëm një karakter, e ai është natyra paqësore e një njeriu me kulturë të lartë.

Se Rugova parapërgatiti rrugën e çlirimit, nuk duhet të ju acarojë. Stafetën morët ju në dorë dhe përshpejtuat procesin, por si Ti, si unë, dimë se NATO çliroi Kosovën. Kur quan ata kusiling, tregon se politikën ndërkombëtare shfleton akoma me metodikë komuniste. Ti kërkon pavarësi të plotë politike, çfarë nuk e ka as Gjermania. Ti kërkon izolim. Ti kërkon burrëri dhe trimëri shqiptare mesjetare. Ti vlerëson vdekjen, jo jetën. Ai që ka mbijetuar ishte i pavlerë, ai që ka rënë, ishte i mirë. Ti dhe Qosja jeni duke rrënuar kohezionin e brendshëm shqiptar. Nga bajraktarizmi, nga frika se po mbeteni në hijen e Rugovës.

Unë jam i lirë. I lirë për të respektuar veprimtarinë Tënde, i lirë për ta konsideruar Rugovën legjendë shqiptare, për ta quajtur Gërvallën hero i popullit dhe për të çmuar veprën e Qosjes, por edhe për ta kundërshtuar manipulimin e tij. Detyrë e Jotja dhe e Qosjes duhej të ishte thirrja për pajtim, jo për llogore të reja!
Ju vepruat secili në mënyrën e vet. Ju patët sukses sepse nuk vepruat si deshi Rugova dhe Rugova pati sukses në ngritjen e çështjes shqiptare në çështje të Perëndimit, pse nuk veproi si priste Qosja apo LPK. Rugova nuk ka pasur fuqi t'ua ndalojë juve veprimin, këtë e dëshmoi kryengritja: as LPK-ës as Qosjes, por të prisni prej tij të vepronte si dëshironit ju, flet për mungese elementare në njohjen e njeriut dhe integritetit. Të gjithë kundërshtarët e Rugovës nuk janë aq edhe naiv: ata me përbaltjen e tij përpiqen të ngrenë veten. Me rrëzimin e tij, shpresojnë të trupëzojnë vetveten. Për fitoren tonë, faktet treguan se na duheshin dy lëvizjet: ajo paqësore dhe rebelimi.

Nëse pseudoasnjanësi, Qosja, ka të drejtë me vlerësimin mbi Rugovën, atëherë ai diskurs duhet të kalojë edhe te Ismail Qemali, por edhe t’i kthehet dhe bjerë në kokë edhe Qosjes vet për hartimin skolastik, fillorist për Titon. Nëse jo, atëherë konstatime nuk kanë vlerë të përgjithshme, por kryekreje subjektive. Nëse Kelmendi ka të drejtë se Rugova ishte kuisling, atëherë shumica shqiptarëve që kanë mendim të mirë për të, janë kuislingë. Nëse është ashtu, Kelmendi është i bindur, atëherë të pastër na mbeten vetëm anëtarët e LPK-ës dhe adhuruesit e ideologjisë së gullagëve dhe kungullacëve.

Ja ku na keni sjellë, ku na keni degdis Ti, Rexhep Qosja dhe disa të tjerë: një grup beson se Rugova ishte tradhtar, një grup se Ti ishe tradhtar, një grup tjetër se Qosja ishte tradhtar, një tjetër se Jusuf Gërvalla ishte tradhtar, një tjetër se Hashim Thaçi dhe kështu rrokullimë e sigurt deri te Gjergj Kastrioti.

Ata që shpallin tradhtar nuk janë shërbëtor të shërbimit sekret, por të manipuluar, të cilët përpiqen ta rrisin numrin e manipuluarave në mesin tonë. Pas një suksesi epokal dhe krijimin e shtetit, nuk është kohë e duhur të merremi me prodhimin e tradhtarëve, por me shikimin para. Nesër mund të hapen arkivat dhe dëshmohet atdhedashuria dhe tradhtia e shumë personaliteteve. Në historinë shqiptare ka vend edhe për Ty edhe për Rugovën, për Qosjen dhe dhe për çdo njeri. Ashtu si sot nuk gjykojmë konformizmin e rilindësve shqiptar në Perandorinë Osmane, edhe shkarjet e kësaj epoke nuk do të merren aq tragjike dhe nuk do ta kenë peshën që Ti dhe Qosja ia ngarkoni.

Nëse vazhdoni, atëherë do të rikrijoni postulate ekskomunikimi dhe seleksionimi të natyrës komuniste, që nesër mund të shkërbehen si modele për të rrënuar çdo vepër atdhetare; edhe Tënden dhe të Qosjes. Atdhetarët shqiptarë ishin njerëz, jo shenjtorë!
Nuk do ta pranoni kurrë, por ecuria ideore dhe ligjërimi është tipik i partizanëve të dikurshëm i ndarjes së botës në komunistë dhe tradhtarë! Në miq dhe armiq! Bardh e zi! Për këtë nuk duhet shumë punë, jo objektivitet, por shumë urrejtje, subjektivitet dhe egomani e theksuar!

**************************
Libra nga Lis Bukuroca

Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër.

Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.





2 Kommentare:

Anonym hat gesagt…

Faleminderit Lis Bukuroca.
Faleminderit shoq që egziston!

Lis Bukuroca hat gesagt…

Të falenderoj për leximin dhe mendimin. Njdehem i nderuar!