27.10.2026

Diskriminimi nis dhe mësohet në shtëpi

Barazia gjinore mes djalit dhe vajzës duhet të mësohet në shtëpi dhe të përsëritet në kopsht, në shkollë dhe në fakultet.

Burri shqiptar duhet të mësojë se pa dashuri, pa drejtësi dhe pa barazi, nuk ka as familje të lumtur, as popull të lumtur.

Aty ku padrejtësia dhe diskriminimi mësohen në shtëpi, ato shfaqen edhe në partitë politike, në shtet dhe në punësim.

Rrahja, nënshtrimi, madje edhe vrasja, shpesh i kanë rrënjët në edukimin familjar. Shpesh, gruaja shqiptare nuk merret vetëm me edukimin e fëmijëve, por duhet të përpiqet të riedukojë edhe burrin e saj, i cili është manipuluar dhe mësuar, përmes një lloj shpëlarjeje truri, se duhet të jetojë ashtu siç u pëlqen prindërve dhe rrethit të tij, e jo ashtu siç dëshiron vetë dhe siç dëshiron bashkëshortja e tij. 


Madje, ai mund të jetë rritur me bindjen se, vetëm pse është burrë, ka të drejtë të dominojë dhe të nënshtrojë familjen e vet.


Gratë kanë një detyrë të madhe: të mos i llastojnë djemtë dhe të mos i edukojnë sikur të kenë më shumë të drejta se vajzat. Nënat që veprojnë kështu, pa e kuptuar, përgatisin probleme të mëdha për fëmijët e tyre, për familjen dhe për shoqërinë.

Dashuria lind dhe mësohet në shtëpi.

Diskriminimi nis dhe mësohet në shtëpi.

Barazia mësohet në shtëpi.

Drejtësia kultivohet në shtëpi.

Respekti për tjetrin fillon në shtëpi.


Kur rritemi në një ambient ku barazia konsiderohet prishje e traditës apo degjenerim, harrojmë se pikërisht aty ku ekziston dashuria, nuk mund të ketë vend për nënshtrim dhe dhunë. 


Njëra, përjashton tjetrën. Dhuna, dashurinë. Dashuria, dhunën.


Sepse ai që dashuron, nuk dëshiron ta lëndojë tjetrin, aq më pak ta nënshtrojë.


Aty ku djali mëson se është i barabartë me motrën, nesër ka më shumë gjasa ta respektojë gruan, të ndërtojë një familje të shëndetshme dhe të bëhet pjesë e një shoqërie më të drejtë.

Keine Kommentare: