22.08.2017

Profesori gjerman dhe buka

Pas vdekjes në moshë të shtyrë të një profesori, kthehet djali tij nga larg dhe nisë me largimin e gjësendeve në shtëpinë e të ndjerit. Pranë shumë gjërave të vlefshme, në dhomën e tij të punës,  në një dollap djali gjen edhe një bukë të fortë dhe të thatë.

Shërbëtorja, e cila ishte kujdesur për profesorin deri në vdekje, dinte arsyen pse ai   në atë dollap kishte ruajtur bukën dhe i rrëfeu djalit të tij:

“Në vitet e para pas luftës, profesori ishte i shtrirë për vdekje. Një mik i tij i dashur, dërgoi atij një bukë, në mënyrë që të kishte edhe ai diçka për të ngrënë.

Profesorit iu kujtua familja fqinje e varfëruar, e cila kishte fëmijë dhe kërkoi t’u dërgohet atyre.

Familja e fqinjit u prek shumë nga mirësia e profesorit, por ajo nuk deshi ta mbajë për vete këtë dhuratë të çmueshme, por ia dërgoi një veje, që jetonte në një shtëpie pranë tyre, në një dhomë të vogël të tavanit.

Plaka u gëzua shumë për bukën, por ia dërgoi bijës së vet, që jetonte disa shtëpi më larg dhe kishte një djalë të vogël dhe nuk kishin asgjë për të ngrënë.

Bija u gëzua për bukën dhe menjëherë i vajti mendja te profesori i sëmurë për vdekje. Iu kujtua se ai kishte ndihmuar njëherë djalin e saj të vogël dhe kishte refuzuar të merrte lekë dhe pa u hamendur, ia dërgoi profesorit të sëmurë.  

Profesori rinjohu bukën menjëherë. Gjersa mbante ai atë në dorë, tha:
"Derisa në mes nesh të jetojnë njerëz, që veprojnë në këtë mënyrë, ne nuk duhet të kemi frikë për ardhmërinë!" Qysh atë ditë, ai ka ruajtur këtë bukë në dollap. Në kohë të vështira, në të cilat kishte shumë pak shpresë, ai merrte bukën në dorë, mendohej dhe përsëri ndjehej mirë.”

Nga gjermanishtja: Lis Bukuroca

PS.: Ky tregim i vogël anonim, përshkruan bukur shtetin demokratik dhe social gjerman. Pas luftës, buka kaloi prej shtëpi në shtëpi dhe u kthye përsëri te profesori.

Sot Gjermania ka gati 82 milion banorë. Mbi 20 milion pensionistë, diku 4 milion “Harz 4”, njerëz, që nuk janë në kërkim të punës, por marrin ndihmë sociale dhe më shumë se 2 milion, që kërkojnë punë. Atij numri i shtohet edhe më shumë se 1 milion refugjatë. Mirëqenia u garantohet nga gati 42 milion të punësuar, që paguajnë tatime dhe bëjnë të mundur jetën me dinjitet të çdo njeriu në shoqërinë gjermane: pa marrë parasysh origjinën, përkatësinë nacionale, besimin fetar, gjuhën, ngjyrën dhe gjininë... Gjermanët mbrojnë shtetin e tyre me xhelozi dhe denoncojnë çdo dëmtim të tij. Ky është patriotizmi gjerman: pagesa e sinqertë e tatimeve dhe përgjegjësia për bashkësinë, për vendin. Për vendin, jo atdheun. Gjermanët nuk përdorin fjalë bombastike patriotike, por dashurinë e tyre ndaj atdheut, tregojnë duke ruajtur dinjitetin e shtetit! Dhe, duke mos lejuar cenimin e tij.


Edhe diku 130 rrëfime tjera në librin 
Lulu e dërgon gati në të gjitha vendet e botës KUPTIMI I JETËS 

Keine Kommentare: