Shpesh
zgjidhja është shumë e lehtë, por kërkohet në vend të gabuar apo me metoda dhe veprime
joadekuate. Kjo anekdotë tregon për mundësinë e manipulimit në jetë:
Na ishte njëherë mbret i një perandorie të madhe për të cilin çështja kryesore ishte mirëqenia e popullit. Këshilltari i tij më i afërt dhe më i mençur, kishte shërbyer edhe të atin e tij me vite të tëra. Kur ai po i afrohej pleqërisë, i bëri thirrje mbretit që të niste zgjedhjen e pasardhësit, në mënyrë që të mund ta përgatiste zyrën e këshilltarit.
Këshilltari i mbretit kuptoi problemin dhe krijoi shpejt një proces përzgjedhjeje, në të cilin u ftuan të gjithë banorët e interesuar për të marrë pjesë.
Secilit kandidat iu dha një tubë me 100 çelësa. Detyra e tyre ishte të hapnin portën e rëndë dhe impozante prej hekuri me çelësin e parë që zgjidhnin ata.
Kaluan disa javë në vend dhe mijëra veta u përpoqën kot për ta hapur. Një ditë prej ditësh një udhëtar dëgjoi për portën misterioze, së cilës askush nuk i kishte gjetur çelësin e duhur. Aty, ai vendos edhe vet të provojë. Udhëtari shkoi te pallati i mbretit dhe u ndal para portës. Ai vështroi deri në imtësi drynin, çelësat, pastaj bëri disa hapa dhe soditi ngadalë krejt portën. Në fund u ndalë, kapi dorëzën e portës me dorë dhe me një lëvizje krejtësisht të lehtë, hapi atë menjëherë. Në fakt ajo nuk kishte qenë fare e kyçur.
Kur pa mbretin portën e
hapur, iu afrua dhe i tha:
"Ti përballesh me
sfidat pa humbur gjakftohtësinë dhe nuk lejon të ndikohesh nga tjerët. Ti thjesht
nuk pranon si të vërtetë atë që dëgjon, por i beson mendjes tënde, intelektit tënd
dhe ndjenjave tua. Tash e tutje ti do të jesh këshilltari im i ri!”
Shqipëroi dhe përshtati
nga gjermanishtja
Lis Bukuroca
E morali nga kjo anekdotë?
Kur
një njeri apo një turmë thotë se ne duhet të besojmë diçka, atëherë kërkohet prej nesh të mos aktivizojmë trurin, por të anulojmë mundësinë e
pikëvështrimit dhe botëkuptimit vetjak, pra t’i nënshtrohemi dijes dhe vullnetit
të tij.
Me
atë nënshtrim, ekzistenca jonë psikologjike, shuhet! Në atë anekdotë qindra
veta kanë provuar, në mesin e tyre njerëz të arsimuar, por të gjithë kanë
dështuar. Mos lejo të të humbasin guximin ata që kanë dështuar. Mbaj mend një
fakt: Aristoteli, Platoni, Sokrati e shumë të tjerë në lashtësi, nuk kanë
frekuentuar fakultete, por sot ata studiohen në çdo fakultet të filozofisë,
sociologjisë, psikologjisë dhe pa ta, nuk mundemi. Pse? Ata nuk besonin, por
mësonin vazhdimisht dhe venin çdo gjë dhe çdo fenomen në dyshim. Ata nuk kanë
vepruar sipas dëshirave të huaja, por vetëm sipas të vetave!
Në
jetë shpesh herë këshillat që na jepen mund të na dëmtojnë: dikush e bën nga
smira, dikush nga mosnjohja e aftësive tona. Shumë veta respektojnë udhëzimet e
tjerëve me kënaqësi, sepse kjo është më e lehtë, se sa rezonimi i thellë, përsiatja.
Pra
për të qenë vetja, nuk duhet të marrësh shumë parasysh dështime apo sukseset e
tjerëve, por provo vet a je në gjendje t’i afrohesh atyre apo t’i kapërcesh për
të hapur portën më të madhe dhe më misterioze, që quhet jetë.
Nëse
vepron sipas këshillave të huaja, atëherë do të provosh qindra çelësa, por dera
nuk do të hapet kurrë, sepse ti do të veprosh sipas rekomandimit, jo sipas
aftësive tua. Ti duke besuar se ekzistojnë vetëm ata çelësa, pasivizon dhe
lejon kolonializmin e trurit nga të tjerët. Prej aty, drejtohesh me
telekomandën e tyre dhe nuk je më subjekt, por objekt!
Çelësat
vetëm dëshmojnë se ka qindra mënyra për të na manipuluar, si politika, si ata
që quajnë veten intelektualë, por mos iu nënshtro asnjë autoriteti, pos
aftësive tua, pa harruar kurrë normat kushtetuese! Prej çdonjërit mëso, por
vepro dhe merr vendime vet! Nëse dështon, atëherë çdo humbje është edhe një
mësim i ri, një përvojë e re. Nëse i nënshtrohesh dominimit të huaj, jo se je i
manipuluar, por i shton veten një tufe, ku do ta rrisësh vetëm numrin e tyre, por nuk do të kesh kurrë individualitet
dhe personalitet tëndin. Si pasojë, do të jesh një parazit brenda asaj morie të
madhe, që nuk ndryshon kurrë asgjë, por që përtyp kohën dhe mendimet e huaja.
Pra,
mos harro se në këtë jetë ka qindra çelësa që nuk funksionojnë, por vetëm njëri
mund të jetë i saktë. Atë duhet ta gjesh vet!
Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga Lis Bukuroca, atëherë këtu mund të porosisni:
- Shtatë parimet e dashurisë, botimi i parë qershor 2020
- Ngjyrat e dashurisë (vetëm për lexues të moshës madhore )
- Letër burrave (II)
- Letër burrave (I)
- Hijedritat e jetës
- Die Asylbewerber: Eine Komödie in drei Akten
Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë
- Shtatë parimet e dashurisë, botimi i parë qershor 2020
- Ngjyrat e dashurisë (vetëm për lexues të moshës madhore )
- Letër burrave (I)
- Letër burrave (II)
- Hijedritat e jetës
