Mirëpo duhet ta dish: fati yt politik varet nga vota e popullit. Ai pret që ti t’i zgjidhësh hallet e tij, por ti nuk mund ta përmirësosh jetën e një populli të tërë pa zgjidhur më parë vështirësitë e tua ekonomike që të çuan në politikë. Është më e lehtë të pasurosh veten se sa të ndryshosh fatin e miliona njerëzve.
Nëse ke një të kaluar me kontribut, atëherë ke liri absolute për t’u pasuruar sepse turma për meritat e djeshme, t’i falë të gjitha krimet e mëvonshme. Domethënë, të pajisë me licencë për të qenë mbi ligjin. Mbi Kodin Penal!
Prandaj, kur të hysh në politikë, mendo fillimisht për pasurimin tënd dhe të njerëzve që të rrethojnë. Mos e lër fatin tënd në duart e votës, sepse vota është e luhatshme — një lavire: sot ta jep falas, nesër s’ta jep as me para; të përqafon kur ke pushtet, të braktis sapo bëhesh impotent. Hajvanit nuk i dihet. Mos i beso kurrë, por thuaji gjithmonë atë që dëshiron të dëgjojë.
Një politikan i zgjuar duhet të dijë si të marrë dhe si të zhdukë gjurmët. Kaq mjafton — ky është specializimi i madh. Sepse nëse hajvani nuk të voton, ti do të mbetesh i varfër ashtu si kur hyre në politikë: leckaman. Askush.
Për të ruajtur standardin e jetës pas largimit nga skena politike, të duhet një pasuri e madhe: një hotel, një resort, dhjetëra banesa, shumë hektarë tokë, apo miliona në llogari jashtë vendit — gjëra që të garantojnë një ekzistencë “vertikale” kur zbret nga skena.
Mirëpo mos harro të shfaqesh si patriot i madh: flit kundër vjedhjes, krimit dhe korrupsionit. Ata që nuk marrin dhe refuzojnë korrupsionin, shpalli agjentë të huaj — një etiketim që turma e beson menjëherë. Sepse ai që nuk blihet, dëmton imazhin tënd; është i papërshtatshëm në politikë.
Dhe, mos harro, në Ballkanin Perëndimor vjedhje konsiderohet vetëm hyrja në shtëpi të huaj në terr apo në bankë, por nëse merr para nga fondet publike, në zyrë, me kontrata e dokumente të tjera, nuk është vjedhje, por vepër sociale humane, sepse ti nuk i merr të gjitha për vete, por e pasuron edhe një pjesë të popullit rreth teje. Miq e të afërm.
Ky kontribut i madh të duhet, sepse ata pastaj luftojnë për ty. Ata janë qentë tu. Mos e harro. Dikush duhet të lehë. Pa qen nuk ruhet shtëpia. Madje të rrezikon edhe dhelpra.
I dashur politikan, marrja nga shteti nuk është krim; mos ki frikë, konsideroje vetëshërbim, sepse hajvanati acarohet vetëm nëse e vjedh atë personalisht, jo kur i merr nga arka e shtetit.
“Shpërndarja” në zyrë konsiderohet “akt human”, sepse kapitali prej aty kalon te populli. Kur toka ose pasuria, që formalisht i përket shtetit, ju shitet njerëzve me ndikim — shpesh me çmime simbolike — lejohet sepse kontributi i djeshëm e autorizon marrjen e sotshme. Është normale.
Ty të duhet kryeprokurori, kryegjykatësi dhe pushteti — kjo është triada e suksesit tënd. Duhet të kesh edhe një kontorno: të pasurosh disa gazetarë, disa moderatorë, dhe atëherë do të jesh hero, burrështetas dhe i adhuruar. Ata lehës, o politikan i dashur, të duhen; ti u duhesh atyre.
Jo vetëm kaq: duhet të pasurohesh aq shumë, sa prokuroria të ketë frikë të të marrë në pyetje. Hajvanati mburret me ty dhe të brohorit: të sheh, të klikon, të komenton dhe të ndjek. Madje, ai të respekton dhe fotografohet me ty — edhe nëse punon për armikun. Sepse ke para.
Dhe, nëse prokurorët dhe gjykatësit nuk garantojnë imunitetin tënd, ata duhet të “blihen”. Edhe për këto institucione nevojiten para.
Shumica e tyre kanë një çmim, dhe detyra jote si politikan është të dish sa nevojitet për secilin. Mos harro se pjesëtarët e hajvanatit blihen dhe shiten si në pazarin e xhave. Vendosi në peshore dhe mati: çmimi ndryshon varësisht nga integriteti dhe pozita e tyre.
Një zyrtar i ulët mund të blihet me pak para — 50 ose 100 euro; ka pak peshë dhe pak pushtet. Tjetri shitet për 1.000, një tjetër për 10.000; për disa duhet 100.000, e për ndonjë edhe disa qindra mijëra apo miliona. Ti duhet të ruash rrethin nën kontroll dhe t’u japësh “tagjinë” bagëtive të trasha, t’i mbash pranë grazhdit — përndryshe përfundon telenovela.
Ky është udhëzimi im për ty: kujdesu për pasurinë dhe pushtetin tënd si për sytë e ballit; përdor mediat dhe strukturat e shtetit si instrumente të koncertit tënd privat. Nëse je i mençur, do të mbijetosh pa u burgosur kurrë — sepse për një psikopat në politikë, vetëm mbijetesë është me rëndësi.
Imazhi me Copilot
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen